Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Poetët, profetët dhe filozofët

| E hene, 23.03.2026, 06:57 PM |


Poetët, profetët dhe filozofët

Nga Prof. Blerim Latifi

Poetët dhe profetët ishin në origjinë një gjë e vetme; epokat e mëpastajme i kanë ndarë, shkruan romantiku gjerman Novalis.

Tekstet profetike janë plot poezi dhe poetët tradicionalisht janë mbështetur mbi idenë e frymëzimit, e cila në thelb është religjioze.

Profecitë më të suksesshme kanë qenë ato të shprehura poetikisht, ndërsa poetët më të mëdhenj kanë besuar se vargëzonin me ndihmën e muzave.

Po kush e prishi këtë identitet mes poetit dhe profetit?

Filozofia, me logjikën e saj, duke vendosur arsyen si kriter të së vërtetës.

Kjo nis qysh me Platonin, i cili shpalli armiqësinë e tij ndaj poetëve dhe e uli besimin në shkallën më të ulët të njohjes, duke e vendosur atë nën autoritetin e arsyes filozofike.

Që nga ajo kohë, tregimet profetike u detyruan të provojnë vërtetësinë e tyre para tribunalit të logjikës. Kjo solli lindjen e teologjisë, e cila në thelbin e saj është përpjekje për ta racionalizuar profecinë, për ta bërë të pranueshme për mendjen që kërkon prova dhe koherencë logjike.

Kështu rrodhën gjërat.

Romantizmi, ky "vazhdim i fesë me mjete estetike", ishte përpjekja e fundit për t’i ribashkuar poetin dhe profetin. Por pasi moderniteti e kishte minuar forcën e fesë, i vetmi ribashkim i mundshëm ishte në formën e poetit-profet të kombit. Kështu lindën epopetë kombëtare, të cilat përjetoheshin njëkohësisht si biblat e kombeve.

Në rrafshin e ideologjive të majta, figura romantike e poetit-profet u shfaq tek Marksi dhe poema e tij profetike, "Manifesti i Partisë Komuniste".

Sot duket se edhe kjo përpjekje romantike ka marrë fund. Për pasojë, poezia është reduktuar në një ornament gjuhësor të psikologjisë së individit, ndërsa profecia ka përfunduar në duart e matrapazëve të teorive konspirative.