Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa (7)

| E shtune, 21.03.2026, 06:54 PM |


PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA E VII.

Tradhëtarët

Enver Hoxha e Ramiz Alia

na nxorën nga Europa...

Melbourne 2010

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!

Autori

Melbourne, Gusht 2010.

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

PJESA  VII.

Shkodra shpartallon rrethimin komunist bolshevik të Kalasë “Razafat”…Në ballë të Saj qendron:

B.S.P.SH.

SHKODËR

Me Kryetar Të Ndjemin FERDINAND TEMALI,

Vllazen e Motra sindikalistë të qytetit të Shkodrës,

Miqë të nderuem, Zonja dhe Zotni !

Asht tepër e pasun fjala vorfni për me dashtë me tregue fukarallekun e pashoq të popullit të Shkodrës dhe mbarë popullit Shqiptar, që përjetoi dhe po përjeton në këta momente shumë të trishtueshme në vuejtje, mjerim e skamje; i rrahun, i survejuem, i përdhunuem dhe i gjakosun tue lypë në trojet e veta, me sy të përlotun plot shpresë tek gjaku i Dëshmorëve të Demokracisë së 2 Prillit, pikërisht, në këte grevë mbarëkombëtare historike të pikëlluem të gjithë si jemi:

T’i nderojmë këta Martirë me një minut heshtje !

I përjetëshem kjoftë kujtimi i Gjakut të Tyne, që u derdh për Paqen, Lirinë dhe Demokracinë e Këtij Populli të salvuem të Kësaj Shqipnije Heroike Europjane!

Vëllazën e Motra, e dymbëdhjeta ditë që Rozafa plakë, e thinjun prej hallëve të pafund, vështron oxhakët e fikun pa tym e, të duket sikur po flet me vete kah sheh rreth Saj mbasardhësit e Teutës dhe Gencit, Lekës e Ded Gjo’Lulit, Norës së Kelmendit e Oso Kukës, Dasho Shkrelit e Hamz Kazazit, At Gjergj Fishtës, Gurakuqit e Don Ndre Mjedjës që, thërrasin: “Lirinë e keni ju, na hekra kemi!...”

Po po, Ajo Zojë e randë, Rozafa sot vështron Hotin e Grudën, Kelmendin, Zadrimën, Mirditën e Kosovën la në gjak dhe aty po, Lekë Dukagjinin me “Kanu” në dorë tue na shikue dhe predikue Drejtësi dhe Paqë, por me gisht drejtue kah “vilat” thotë:

”Aty i keni kriminelët!”....

Urija vërtetë të errëson pamjen, por budallejë nuk na bani; mos u ngatrroni “zotërinjë”, se, sot në Shkodër nuk ka ma të ndamë katolikë e muslimanë, sot në Shqipni s’ka ma të ndamë Toskë e Gegë, sot në Shqipni ka vetëm Shqiptarë,  apo perdja e “vetizolimit” që ka ra bashkë me perdën e randë të bolshevizmit nuk ju len me pa me ata sy të qorruem prej dogmatizmit komunist.

Punëtorët e Shqipnisë janë lidhë me besa-besën e Burrave të Mbishkodrës e të Nënshkodrës e kudo në Shqipni janë gati me vdekë urije, të ngujuem si në nëntokën e Valiasit, por kurr mos me u shndrrue e mos me u shnderue.

Rrofshi Ju Puntorë, të pakëthyeshem në rrugën Tuej, nderi e forca ma e madhe e Atdheut tonë të vuejtun!

Ti Rini Shkodrane, që po na nderon e para në sakrificat për Liri, e para për Fé e Atdhé, e para për Demokraci e Drejtësi, i gëzofsh ditët e lumtuna që po vijnë, për të cilat po sakrifikon një Popull e mos e harro Migjenin se, “Bota asht e jote!”...

Dikur....në këtë vend ku jemi mbledhë sot, pikërisht këtu ishin vorre, ishin vorrezat e të Parëve Tanë, pra Vëllazen e Motra të Betohemi mbi këte Tokë të Bekueme, ku prehën Ata që na dhuruen Gjakun e Tyne, Atdhedashninë, Fenë, Besën, Nderën, Emnin Shkodranë....Të Betohemi!

Të Betohemi se Shkodra grevën do ta vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të Bashkimit të Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë, pa dhunë e gjak e me mirëkuptim me të gjithë, ashtu si duhet për Demokracinë e vërtetë e Shqipninë Europjane!

Rrnoftë Sindikata e Pamvarun e Shkodrës!

Rrnoftë Shqipnia e Lirë!

Fjala e hapjes së Mitingut të BSPSH së Shkodres me 25 Maji 1991, në stadiumin  “Loro Boriçi”, me pjesëmarrje të 30 000 qytetarëve, Nga: Fritz Radovani.

PO, KURR ...

MOS HARRO !..

I nderuem lexues!

Kujto, po përsëris, kujto... se,

Shkodra ime,

në fillim të shek. XX, ndër ato shtëpija...

që na lidhnin me Europën,

kishte 28 pianoforta...

Ndërsa mbas 40 vjetësh...

nga komunistët bolshevikë e orientalë,

tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia,

Në vitin 1946 Ajo, kishte 26 burgje...

Kështu...pra, “HARROI me këndue e me qeshë”... AJO Shkodra Heroike!

Autori.

Shenim nga F.Radovani:Fund.

Melbourne, 21 Mars 2026.