Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Në rrënjët e kombit tonë qëndron shpirti human arbëror-dardan europian, pa ndikim nga ideologjitë fetare

| E shtune, 21.03.2026, 06:57 PM |


Në rrënjët e kombit tonë qëndron shpirti human arbëror-dardan europian, asnjë ideologji fetare nuk ka pas ndikim mbi këtë shpirt

Nga Gjon Keka

Politika dhe ideologjitë fetare nuk kanë asgjë të përbashkët, se ideologjitë fetare në thelb nuk janë subjekt i politikës dhe për këtë arsye asgjë nuk është më e rrezikshme sesa përpjekja për të kombinuar dy cilësi të tilla të ndryshme, kur pushtetarët për qëllime të tyre politike dhe votash veshin edhe petkun e ideologjive fetare për të marrë sa më shumë mbështetje e votash për të u ngjitur në pushtet ose për të qëndruar në karrikën e pushtetit.

E rrezikshme është përzierja e politikës me ideologjitë fetare,historia është dëshmitare e shumë fatëkeqësive kur ideologjitë fetare dhe politika u binjakëzuan. Se kjo edhe sot mund t'i shkaktojë ndonjë fatëkeqësi apo dëm shtetit laik të Kosovës, kjo nuk ka asnjë dyshim ,sepse në Kosovë dhe në tërë kombin tonë nuk ekziston vetëm një ideologjie fetare,por ka mysliman,katolik,ortodoks, protestante etj, pra ka të ndryshme.

Dhe në një shoqëri të tillë politika apo pushtetarët nuk kanë çka bëhen servil apo shfaqin nevojën për fetarizëm të tyre, sepse në një shtet me ideologji fetare të ndryshme,pushtetarët apo udhëhqësit e shtetit janë të të gjithë qytetarëve dhe jo të një ideologjie fetare, pra më saktësisht ata duhet ta mbajnë nevojën e tyre fetare brenda tyre nëse besojnë apo nuk besojnë në Zot, pra është çështje personale private – e brendshme.

Nëse një pushtetar i Kosovës është fetar qoftë ai mysliman, katolik,protestant etj, është çështje e tij personale, nëse nuk është fetar,pra nëse është ateist sërish është çështje e tij personale, ai nuk ka nevojë ta shkel kushtetutën e të bëhet servil apo të pëlqej apo të anojë në një ideologji fetare, ai është zgjedhur në krye të qeverisë apo shtetit si shqiptar dhe jo si fetar i ndonjë ideologjie fetare. Nuk ka nevojë as në kohë festash qofshin ato festa të krishtere si Pashkë e Krishtlindje, as Festë të Bajramit apo festa tjera fetare të shkojnë në selitë e ideologjive fetare e të tregohen më myderriz se myderrizi, e as më prift se prifti, e as më pastor se pastori etj, por nëse dëshiron t'i respektojë të gjithë fetë në Kosovë duke mos e shkel kushtetutën dhe laicitetin, ai mund t'ia urojë secilës fe në kohë festash, festën e tyre me një letër urimi dhe kaq mjaftonë.

Nuk ka nevojë me shku as në seli të Bashkësisë Islame të Kosovës e as në seli të Ipeshkvisë Katolike të Kosovës, e as në seli tjera të ideologjive fetare por të qëndrojë neutral ndaj feve në Kosovës dhe kështu e respekton kushtetutën dhe aspektin human e tregohet se është vërtetë i shqiptar i vërtetë i të gjithë qytetarëve pa dallim feje apo jo.

Kosova është shtet laik, europian nuk është as mysliman, as katolik as i ndonjë ideologjie tjetër fetare. Në rrënjët e kombit tonë qëndron shpirti human arbëror-dardan europian, prandaj asnjë ideologji fetare nuk ka pas ndikim mbi këtë shpirt, gjithnjë shpirti ilir-arbëror e dardan ka pas Zotin e vetë që e ka thirrë në gjuhën e vetë amëtare arbërore(shqipe),gjuhën e vetë, dhe idealin e qëllimin e vetë drejtë të ardhmes së tij brenda familjes që i takon, pra qytetërimit të përbashkët të familjes europiane.

Asnjë hero, asnjë dëshmor, asnjë martirë i kombit tonë dardan-arbëror nuk ka luftuar si mysliman, katolik, protestant etj, por si arbëror(shqiptarë) kundër secilit pushtues cilido qoftë ai dhe çfardo ideologjie fetare të ketë pas ai. Përzierja e heronjëve, martirëve, apo dëshmorëve me bojëra ideologjike fetare është një qarje e brendshme e shpirtit dhe trupit kombëtar, e prishjes së unitetit të vetë gjakut dhe shpirtit arbëror-dardan për liri, pavarësi dhe bashkim. Ngjitja e ndonjë boje të ideologjisë fetare heronjëve, martirëve, dëshmorëve do të thotë prishje e shpirtit të unitetit dhe vëllazërisë së gjakut,shtrembërim i idealit të tyre kombëtar.

Arbërorët vetëm të bashkuar dhe pa ndarje bojërash ideologjike fetare, kanë arritë ta ruajnë identitetin, të jenë vëllezër të gjakut e gjuhës dhe të ecin krah për krah si vëllezër përpara sepse vetëm kështu ata mund të bëjne gjëra të mëdha për kombin ,shtetin, njëri-tjetrin e shoqërinë, civilizimin e përbashkët, dhe vetëm kështu ata mund të arrijnë te qëllimi i tyre i bashkimit dhe i hyrjes me dinjitet në familjen europiane.