Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Sa talente të vajzave dhe grave janë vrarë në heshtje në Kosovë?

| E enjte, 19.03.2026, 06:56 PM |


Blerim Latifi:

Një vajzë nga një katund i panjohur i Kosovës emigron bashkë me familjen në Francë. Atje ajo zbulon talentin për aktrim. Rol pas roli, një ditë emri i saj lexohet mes fituesve të çmimit Oscar, çmimit më të rëndësishëm në botë për kinematografinë.

Tani merreni me mend skenarin tjetër: familja e saj nuk emigron. Ajo mund ta ndiejë prirjen për aktrim, por ambienti social rreth saj e dekurajon. Ligji i pashkruar i këtij ambienti është patriarkal dhe i diskriminon vajzat e gratë në çdo hap që hedhin jashtë shtëpisë.

Këtij ligji i shtohet edhe propaganda sistematike vehabiste, e cila u kërkon vajzave të mbulojnë fytyrën, të “zezohen”, të gjejnë sa më shpejt një burrë dhe të përfundojnë të mbyllura në pronën e tij shtëpiake.

Kështu krijohen të gjitha kushtet që talenti i një vajze të vritet para se të lindë plotësisht.

Ky nuk është rrëfimi mbi fatin e një individi.

Ky është dallimi mes një shoqërie që e çliron potencialin krijues të individit dhe një shoqërie që e mbyt atë.

Në njërën anë është bota që i jep mundësi vajzës të bëhet artiste me famë ndërkombëtare.

Në anën tjetër është bota që e redukton atë në trup, në “nder familjar” dhe në objekt kontrolli të një burri patriarkal.

Dhe pyetja nuk është vetëm se çfarë do të bëhej ajo vajzë.

Pyetja është: Sa talente të vajzave dhe grave janë vrarë në heshtje në Kosovë, sepse nuk patën fatin si Luana Bajrami, me suksesin e së cilës sot mburremi pa meritë?

Ky vend u çlirua nga Serbia dhe i shpëtoi gjenocidit, por vazhdon të vuajë shumë nga fantazmat e mesjetës, të cilat po e tërheqin fort drejt humnerave të së kaluarës, nën shikimin e heshtur të intelektualëve frikacakë dhe politikanëve zuzarë, që për një grusht votash bëjnë pakte me dreqin e me t'birin.