| E merkure, 18.03.2026, 06:59 PM |
MALLIN E TË PARËVE QË MALËSORËT E RRJOLLIT E MBRONIN DIKUR ME GJAK NGA SERBO-MALAZEZËT – SOT UA MERR SHTETI SHQIPTAR ME DHUNË
“Shqipëria
lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”
- Faik Konica
Nga
Frank Shkreli
Heshtë
qeveria, heshtë opozita, heshtë drejtësia, heshtin mediat kryesore, heshtë
pothuaj e mbarë shoqëria shqiptare, sikur nuk po ndodhë asgjë: E kam fjalën për
një tragjedi që po zhvillohet për më shumë se një muaj në Rrjoll të bregdetit
të Shkodrës, ku po pasqyrohet qartë, mungesa e moralit dhe drejtësisë juridike
dhe vullnetit të mirë politik ndaj banorëve të asaj zone, të cilët tani e
konsiderojnë veten si të huaj në tokat e tyre shekullore. Tokën që brezat e
banorëve të kësaj zone e kanë mbrojtur dikur nga pretendimet grabitqare të
Malit Zi, sot po e kërcënon një pushtet që duhej të ishte mbrojtësi i tyre. Kjo
tragjedi po luhet, pra, sot në Rrjoll, në breegdetin afër Shkodrës.
Dikush
mund të thotë pse habiteni. Kjo nuk është asgjë e re në historinë e vjetër dhe
të re të asaj zone të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dje ishte Thethi e raste
të tjera deri në jug të Shqipërisë, sot e ka radhën, Rrjolli. Ky fenomen, ose kjo sëmundje e vjetër në
jetën shqiptare, që në historinë e Kombit, kulmoi me shtetëzimin barbar të
tokave dhe të pasurive të tjera, pasqyrohet edhe sot në Rrjoll: e që është
paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik të shtetit shqiptar për të mbrojtur
të drejtën e qytetarëve shqiptarë dhe prirjeve të shtetit për t’u kthyer në zot
mbi pronën që nuk i përket, siç do të thonte Faik Konica. Në të kaluarën, kjo
sëmundje për të grabitur tokat e shqiptarëve – garbitje që dikur kishte fytyrën
e perandorive dhe të pushtuesve sllavë, turq e grekë, të trojeve shqiptare, sot
– siç po tregon edhe tragjedia e Rrjollit – në historinë moderne të Shqipërisë
shpesh po merr fytyrën e vetë shtetit shqiptar.
Po
të ishte gjallë sot Faik Konica ndoshta do të na thoshte, me ironinë e tij
therëse, se Shqipëria është vendi ku shteti shpesh sillet si pronari më i madh
i pasurisë natyrore që nuk e ka krijuar vetë. Dhe po të shkruante sot për atë
që po ndodh në Rrjoll, me siguri do të gjente edhe ndonjë një shembull tjetër
të këtij paradoksi shqiptar. Sepse historia e këtij vendi është e mbushur me
një çudi të madhe: trojet dhe toka që nuk i nënshtroi kurrë i huaji gjatë
shekujve, sot shpesh përfundon në mëshirën e pushtetit vendas, për ti përdorur
si të dojë vetë, pa marrë parasysh të drejtat e qytetarëve të vet.
Ore,
banorët malësorë të Rrjollit nuk janë një komunitet që u shfaq rastësisht mbi
atë tokë. Ata nuk kanë pikë prej qiellit, por janë pjesë e një historie të
gjatë që lidhet me mbijetesën dhe qëndresën shekullore kundër pushtuesve të
huaj fqinj, jo vetëm në bregdetin e Shkodërs, por edhe në mbarë Shqipërinë e
Veriut dhe më gjërë. Në kohë kur
pretendimet e Malit të Zi mbi trojet shekullore shqiptare ishin të pranishme,
këta njerëz nuk e braktisën kurrë tokën e stërgjyshërve të tyre. Ata, luftuan
për ta, mbrojtur nga të huajt, e punuan dhe i ruajtën trojet e veta.
Se
në historinë e Kombit shqiptar nuk ka munguar kurrë heroizmi i njerëzve të
thjeshtë. Por ajo që shpesh ka munguar është drejtësia e institucioneve të
shtetit shqiptar, sot dhe në të kaluarën. Banorët e Rrjollit nuk janë pronarë
të rastësishëm të një toke që u ra në dorë nga qielli. Por ata janë
trashëgimtarë të një historie që është shkruar me punë, qëndresë dhe sakrifica
të mëdha. Në kohë kur kufijtë e Shqipërisë ishin të pasigurt dhe kur lakmitë e
fqinjëve shtriheshin me synimet e tyre djallëzore mbi ato troje, këta malësorë
nuk u tërhoqën. Ata vazhduan të jetonin
aty, në tokën e të pareve të tyre.
Sot, ironia e historisë është e pamëshirshme: ajo tokë që nuk u mor dot
nga presioni i jashtëm i pushtuesve serbo-malazez e të tjerë, sot po rrezikon
tu merret malësorëve vednas nga arbitrariteti i brendshëm i pa drejtë i shtetit shqiptarë.
Kjo
nuk është vetëm një çështje juridike. Është një çështje politike dhe morale.
Sepse
shteti që nuk nj vijën e kuqe midis interesit publik dhe të drejtës së
qytetarit, rrezikon të bjerë në një formë të re despotizmi – ndoshta jo
si, ose më të vrazhdë se në kohën e
diktaturës komuniste, por në një mënyrë më të djallëzuar, të rafinuar dhe të fshehur duke e mbrojtur në
heshtje këtë dramë të rrezikshme që po zhvillohet në Rrjoll -- në emër të
zhvillimit dhe në mbrojtje të planeve strategjike të shtetit shqiptar. Nëse zhvillimi kërkon që qytetari të zhveshet
nga prona e tij, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim që i ngjan më shumë grabitjes
sesa përparimit. Historia e Shqipërisë
është e mbushur me paradokse të tilla. Prandaj mos u habitni nga qëndresa e
forte e malësorëve të Rrjollit, në
mbrojtje të mallit dhe shtëpive të tyre, por edhe të dinjitetit njerëzor dhe
vlerave të tyre tradicionale. Sepse, historikisht, ky popull i atyre anëve, i
cili shpesherë gjatë historisë është detyruar të luftonte me armë në dorë, për
të mbrojtur trojet e veta nga të huajtë grabitqarë, për fat të keq të tyre dhe
të vendit, sot banorët e Rrjollit, janë të detyruar edhe njëherë ta mbrojnë trollin
e tyre shekullor kësaj here, jo nga pushtuesit e huaj grabitqarë por nga shteti
i vet. Sepse në fund të fundit, pyetja është e thjeshtë dhe e rëndë,
njëkohësisht: nëse malësorët – qytetarë shqiptarë -- e kanë mbrojtur tokën e
tyre ndër shekuj, nga të huajt, a duhet ta mbrojnë sot edhe nga shteti i tyre?
Nëse përgjigjja është po, atëherë problemi nuk është vetëm tek Rrjolli.
Problemi është tek vetë mënyra se si shteti shqiptar e kupton sot marrëdhënien
e tij me qytetarin. Dhe kjo është një çështje shumë më e madhe, si për qeverinë
aktuale ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithsi, se një konflikt për
tokën është një çështje e moralit të shtetit dhe përgjësive të tij ndaj
qytetarëve të vet.
Në
këtë këndveshtrim, Profesor Arshi Pipa, e shihte shpesh tragjedinë shqiptare jo
vetëm në gabimet e historisë por edhe në dobësinë morale dhe politike të
institucioneve të shtetit. Sipas tij, kur shteti humbet ndjenjën e drejtësisë
nda qytetarëve të vet, ai rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm pushteti që
justifikon çdo vendim ose mos-vendim në heshtje, me gjuhën e justifikimit,
gjoja të “interesit publik”. Në emër të
zhvillimit të turizmit!? Por pa një
proces të drejtë, pa konsultim dhe shpesh pa respekt për të drejtat bazë të
qyetarëve, as për historinë e pronës private tradicionale ndër shqiptarët.
Banorët e Rrjollit dikur mbrojtën tokën e tyre nga të huajt. Sot ata kërkojnë
vetëm një gjë: që shteti i tyre të mos sillet si i huaj ndaj tyre, por të
zbatojë përgjegjsitë e veta ndaj të drejtës së tyre. Sepse nëqoftse shteti nuk bëhet mbrojtësi i
të drejtës së qytetarave, ai rrezikon të bëhet vetëm administrues i përdorimit
të forcës e dhunës, siç po ndodhaktualisht në Rrjollë dhe në zona të tjera të
vendit.
Në
një demokraci funksionale, ndonëse të brishtë, shteti shqiptar duhet të jetë
arbitri që garanton drejtësi dhe balancë mes interesit publik dhe të drejtave
themelore të qytetarëve. Kur ky ekuilibër prishet, atëherë, pa tjetër që lind
konflikti. Historia e Rrjollit është një kujtesë tjetër se zhvillimi i vërtetë
i një vendi – sado i nevojshëm qoftë, nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë
ndaj qytetarëve.
Zbatoni
drejtësinë para se të jetë vonë, në Rrjoll dhe anë e mbanë Shqipërisë!