| E premte, 27.02.2009, 09:54 PM |
Pse nuk mund të mbrohet “Marubi”
Nga Mark Marku
Posta ime elektronike e këtyre ditëve është mbushur me thirrje për mbrojtjen e Akademisë “Marubi”. Përmbajtja e tyre është vërtet tragjike. Bëhet fjalë për rrethimin e Akademisë “Marubi”, për dhunë ndaj artit, për sulm ndaj vlerave kombëtare, për artistë të dhunuar nga policë, për evropianë të rrethuar nga talebanë, për… Nga sos-et e të ngujuarve në Akademinë “Marubi” të përftohet në mendje imazhi i një anijeje të gjendur në mes të dallgëve në rrezik fundosjeje, një anije ku janë mbyllur gjithë artistët shqiptarë bashkë me vlerat e gjithë kulturës shqiptare. Jam gjendur ngushtë karshi kësaj tragjedie dhe mezi e kam frenuar veten për t’u solidarizuar me të rrezikuarit. Por ja që nuk e kam bërë një gjë të tillë. E di që të rrezikuarve kjo do t’ju duket cinike. Shkaku i hezitimit është i thjeshtë: unë nuk jam solidarizuar me ta, sepse unë jam një taksapagues i rregullt. Paguaj pjesën time të taksave për të gjitha të ardhurat që marr, përfshi këtu pagat, honorarët dhe shpërblimet për punët e para, të dyta apo të treta që bëj, për përkthimet, shkrimet apo gjithçka tjetër. Me sa merret vesh nga ato që shkruajnë gazetat, pronari i Akademisë “Marubi” bën krejt të kundërtën e asaj që bëj unë. Pra, ka një biznes privat, ka marrë një ambient me qira me çmim shumë të ulët, nuk paguan as qira, as detyrime e për më tepër, përveç kësaj ka pushtuar edhe një sipërfaqe tjetër shtesë trefish më të madhe se ajo e marrë në mënyrë ligjore ku ushtron biznesin e tij kulturor.
Shumë kineastë, shkrimtarë, gazetarë dhe njerëz të sferës publike nuk kanë bërë ashtu si unë. E kanë mbështetur çështjen “Marubi” si një kauzë kulturore dhe janë munduar të ngrenë një furtunë publike në mbrojtje të “artit” dhe të “artistit”. Pak a shumë kanë synuar të na bëjnë të zgjedhim mes shtetit dhe artit apo artistit, mes dhunës shtetërore dhe qëndresës intelektuale në mbrojtje të vlerave, mes një gjëje të mirë që është “Marubi” (Akademia) dhe një gjëje të keqe që është shteti (ligji). Nëse në rastin e parë kam qenë pak i dyzuar për shkak të njëfarë mëshire kristiane ndaj njerëzve që gjenden në telash, në rastin e dytë zgjedhja ka qenë e qartë dhe e prerë: përkrah shtetit dhe kundër “artistit”. Kundër artistit si shkelës i ligjit. Kundër artistit si sipërmarrës privat që përfiton nga arti duke u maskuar pas sloganeve marksiste-populiste, kundër artistit që atë që i është dhënë si favor e kërkon si të drejtë. Solidarizimi me një individ që e përdor artin për të shkelur ligjet e shtetit është thjesht i pamoralshëm. Tingëllon absurde se si për hir të këtij solidariteti kanë bashkuar zërin, heshtat dhe parzmoret një amalgamë e madhe njerëzish, duke krijuar një tymnajë krejt të pajustifikuar për një gjë fare të qartë: një subjekt privat arsimor dhe kulturor (Akademia Marubi), ka gati katër vjet që shkel një kontratë me shtetin, përvetëson pronat shtetërore dhe në momentin që organet e policisë shkojnë për të zbatuar ligjin gjenden para një agresioni verbal dhe fizik të shkelësve të ligjit. Kjo amalgamë kërkon që shkelësit e ligjit t’i paraqesë në opinion si viktima, madje edhe si heronj. Nuk është hera e parë që vihet re një përpjekje e tillë për manipulimin e opinionit publik.
Po a kishte një mënyrë për ta mbrojtur Akademinë “Marubi”? Po kishte. Akademia “Marubi” është një investim privat dhe si i tillë e ka një vlerë, edhe pse shumë më modeste se ajo që pretendojnë pronarët e saj. Në të janë bërë investime të rëndësishme, është krijuar një model dhe nëse çështja shtrohej si një kërkesë për ta përkrahur dhe ndihmuar ekzistencën e këtij modeli pa diskutim që do të uronim gjetjen e një zgjidhje. Në këtë rast mund të hyhej në tratativa me qeverinë për gjetjen e një zgjidhjeje apo edhe për një ndihmë. Natyrisht ndihma nuk mund të vazhdojë pafundësisht për një subjekt privat, aq më tepër kur një shkollë e tillë private në një vend të vogël si Shqipëria duket pa të ardhme. E parë me realizëm ajo është aventurë. Në aventura bashkudhëtarët nuk merren me forcë, por me dëshirë.
Akademia “Marubi” ka zgjedhur një rrugë krejt në kundërshtim me të mësipërmen. Ajo ka zgjedhur arrogancën. Arroganca e pronarit të “Marubi”-t, zotit Çashku është një sindromë e vjetër e artistit soc-realist. Ky lloj artisti është mësuar të jetojë si parazit me financat e shtetit, t’i shërbejë shtetit duke krijuar produkte që nuk i nënshtrohet konkurrencës dhe ligjësive të tregut. Edhe pas rënies së komunizmit, ata kanë vazhduar të vegjetojnë me paratë e shumta të fondacioneve dhe financimet e shteteve perëndimore për shoqërinë civile, gjë që i ka shndërruar ata në individë shoqërore të ngjashëm me të sëmurët e rënë në gjendje kome të pakthyeshme. Por në ndryshim nga të sëmurët e vërtetë, ata zgjohen sa herë u ndërpritet lidhja me makineritë që i mbajnë dhe kur zgjohen zbulojnë një agresivitet të jashtëzakonshëm. I tillë është rasti “Marubi”. Si i tillë nuk mund të mbrohet pafundësisht. Pavarësisht respektit për artin, artistin, pavarësisht rrezikut të zhdukjes së artistit të soc-realizmit dhe artit të tij.