| E marte, 17.03.2026, 06:56 PM |
VAJTJA NË AMSHIM E JYRGEN HABERMASIT
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Gjiganti
i filozofisë moderne e arsyetoi sulmin e NATO-s kundër RS të Jugosllavisë
në vitin 1999 në kuadër të luftës në Kosovë. Ishte mentor i Zoran Gjingjiqit (1952-2003) të vrarë në
Beograd më 12 mars 2003 nga ultra-nacionalistët serbomëdhenj. Filozofi gjerman
kishte ushtruar ndikim mbi studentin e vet. Në kohën e vrasjes, Gjingjiqi ishte
kryeministër i Serbisë.
* * *
Në artikullin “Shtazëria
dhe humanizmi. Luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit” „Bestiality and humanity. War on the line between law and
morality“ (1999), Jürgen Habermas arsyetoi sulmin e NATO-s kundër
forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në vitin 1999. Ai argumenton
se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shënoi një ndryshim kritik ku veprimi
ushtarak u justifikua nga morali humanitar dhe jo nga ligji i rreptë
ndërkombëtar. Ai analizon çështjen që ka të bëjë me mbrojtjes
së të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e kufijve ligjorë sovranë,
duke vënë në pikëpyetje nëse ndërhyrje të tilla krijojnë një rend global
"të qytetëruar" apo rrezikojnë të shndërrohen në dhunë
"shtazarake."
Habermasi konsideronte se ndërhyrja e NATO-s në vitin
1999 paraqet një formë „të ndihmës legjitime“, edhe pse
është kryer pa miratimin e OKB-së.
Në
tekstin “Shtazëria
dhe humanizmi. Luftë në kufirin midis ligjshmërisë dhe moralit” „Bestiality and humanity. War on the line between law and
morality“ (1999), Jürgen Habermas i tregon arsyet e bombardimit të Jugosllavisë së
atëhershme.
* * *
Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, Dyseldorf, 18.06.1929 – Stamberg,
14.03.2026) ishte sociolog dhe filozof gjerman. Vajti në amshim të shtunën, më
14 mars 2026 në Starnberg. Për vdekjen e tij njoftoi zëdhënësi i shtëpisë
botuese Suhrkamp. Punoi në traditën e teorisë kritike dhe të
pragmatizmit amerikan. Lindi në qytetin gjerman të Dyseldorfit (Düsseldorf).
U shkollua në Bon dhe në Marburg. Punoi në Institutin e Kërkimeve Shoqërore.
Pas kësaj, u bë profesor i filozofisë në Frankfurt. Ishte një prej përfaqësuesve kryesorë të Shkollës së Frankfurtit. U mor edhe me natyrën e komunikimit dhe të vetëdijes si dhe me rolin e tyre në
shkaktimin e aksionit shoqëror. Ka qenë i afërt me marksizmin. Përballë “sociologjisë
konservatore” e cila ofron vetëm “reflektim
dhe përshkrim të realitetit ekzistues”, Habermasi “sociologjinë kritike” të vet ia kthen praktikës, mundësisë historike
dhe të ardhmes. Me punimet e tij filozofiko-teorike Habermasi konsiderohej si
një prej intelektualëve të majtë
më të njohur në RF Gjermane.
* * *
Jyrgen Habermasi ishte një prej filozofëve më me
ndikim në botë. Puna e tij në komunikim, në racionalizëm dhe në sociologji e
bëri atë personalitet intelektual kryesor në Gjermani dhe më gjerë. Gjatë
dekadave shpesh i trajtonte çështjet politike. Krijimet voluminoze të tij i
tejkalonin kufijtë e disiplinave akademike dhe filozofike, duke ofruar vizionin
e shoqërisë moderne dhe të ndërveprimit shoqëror. Një prej shkrimeve më me
ndikim të tij është eseja apo libri në dy vëllime i botuar në vitin 1981 “Teoria e veprimit komunikues”(Theorie des
kommunikativen Handelns, 1981). Teoria
bazohet në idenë se komunikimi është rruga drejt mirëkuptimit midis njerëzve.
Rëndësinë e gjuhës së folur Habermasi e përjetonte si “shtresë e bashkësisë pa të cilën si individë nuk mund të ekzistojmë.” Fliste
edhe për “superioritetin e fjalës së
shkruar” dhe thoshte se “ferma e
shkruar i mbulon mungesat e formës gojore.”
Veprat
“Ardhmëria e natyrës njerëzore”, 2003; “Ese për Evropën”; “Milan Kangërgës* për ditëlindjen e tetëdhjetë
(letër), 2003; “Kontribut për
rikonstruktimin e materializmit historik”; “Probleme të legjitimitetit në
kapitalizmin e vonshëm”; “Njohuri dhe interesi”; “Diskursi filozofik i
modernes: dymbëdhjetë ligjërata”; “Teknika dhe shkenca si ideologji”; “Teoria
dhe praktika e studimit social-filozofik”, 1963; “Tre modele normative të demokracisë: mbi konceptin e politikës
deliberative”.
Shënim: Milan Kangërga (Zagreb, 1923 – Zagreb, 2008) filozof kroat dhe
jugosllav. Profesor i Fakultetit Filozofik në Zagreb. Tematika themelore e
punimeve kritike dhe studimore të tij përfshin etikën filozofike, ontologjinë
dhe estetikën.