| E premte, 27.02.2009, 06:54 PM |
Kulti i së bukurës në interpretimet e Akil Kocit
Nga Ndue Ukaj
Akil Mark Koci e ka vokacion dhe përkushtim jetësor muzikën, të cilën e ka krijuar për dekada të tëra dhe me shumë sukses. Si artist (kompozitor) me renome, si eseist i shquar e publicist i guximshëm, Koci është njëri nga paradigmat më interesante e më produktive të dekadave të fundit në jetën kulturore shqiptare. Me veprimtarinë e bujshme, ai ka arritur t'i japë fizionomi moderne zhvillimit të muzikologjisë shqiptare, duke mbetur njëri prej emrave me influencues të saj. Jo vetëm kaq. Koci me artin e tij, ka thyer barrikadat nacionale dhe është përfshirë dinjitetshëm në nivelet evropiane të artit mistik, muzikës. Kjo për faktin se vepra e tij ka arritur të komunikojë fuqishëm me gjuhën universale të së bukurës, për t'u bërë kësisoj referencë e rëndësishme kulturologjike dhe një model i jashtëzakonshëm për shqiptarët anekënd.
Koci si muzikolog i pasionuar, me një opus të gjerë dhe interesime të shumëfishta, njihet si njëri ndër autorët më prodhimtar në literaturën muzikologjike. Ai i ka ofruar dhe ofron interpretime cilësore për autorë e fenomene universale të muzikës botërore, duke u fokusuar tek artistët kolosalë dhe esenca e veprave të tyre. Në librin të cilin e kemi në shqyrtim, "Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit", autori bën një qasje sintetizuese e krahasuese qenësisë së muzikës, duke e analizuar karshi veprës gjigante të kompozitorit të madh gjerman Ludëig van Beethoven. Në fakt, ai muzikën nuk e percepton vetëm si art për vesh, mbi të gjitha si profesionalist e pasionant me shije të kultivuar, dije të konsoliduar, ai muzikën e percepton dhe e analizon në qenësinë e saj, qenësi kjo që buron nga kompleksiteti polisemantik e poliestetik. Këndej pari, autori thellohet ne esencën e qenësisë së artit muzikor, të cilën për asnjë moment nuk e koncepton të shkëputur nga sferat tjera të artit dhe filozofisë, por, përkundrazi e sheh si dukuri interkomunikuese që formësohet dhe bashkëjeton me ndikime reciproke. Në fakt, Koci muzikën e sheh si arti, i cili jetën e vet e bën në relacione të ngushta me estetikën, me letërsinë e veçanërisht me filozofinë. I bindur se interpretimi i artistëve të mëdhenj që kanë bërë histori në artin muzikor mbetet sfidë e vërtetë, Koci me shkathtësi analitike, mendje të freskët dhe invencion filozofik, depërton në misteret e së bukurës, në trajtat e saj filozofike dhe kështu tejkalon "sfidat" me pedanteri prej studiuesi të hollë dhe krijuesi me shije të kultivar, për të përftuar, siç do të shkruajë: "gjenealogjinë e simfonive të këtij krijuesi të shquar" për faktin se Beethoveni me veprat e veta me “pikëpamjet artistike, estetike dhe filozofike përbën një dukuri të jashtëzakonshme, jo vetëm sa i përket koordinatave kohore të shekullit, por edhe në aspektin historik dhe në të menduarit, sepse ai bazohet në filozofinë e qytetërimit greko-latin, i cili karakterizohet dashuria për". Ky qëllim sublim i Kocit shpërfaqet në diskursin analitik në gjithë librin, në forma të ndryshme, edhe pse autori është i vetëdijshëm, se: "fjala... është e varfër për ta shprehur tërë atë që krijoi ky gjeni në lëmin e muzikës, sepse ajo nuk është vetëm poezi e vërtetë, por poezi imagjinuese, që të shtyn të lexosh, të dëgjosh paprera dhe me ëndje të madhe".
* * *
Referenca e Beethovenit se: “Muzika është zbulimi më i madh nga të gjitha dituritë dhe përsiatjet filozofike”, mbetet paradigmë semantike shtytëse për muzikologun Akil Koci në librin: "Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit". Nga kjo pikëpamje, ai interpreton krijimtarinë e klasikut të papërsëritur, Ludëig van Beethoven, përkatësisht simfonitë e tij nga prizmi i binomit ndërlidhës funksional: filozofi-estetikë. Kjo qasje, jo aq e zakonshme në mendimin muzikologjik, i jep hapësirë, por edhe mundësi semantike Kocit që figurën komplekse të Beethovenit ta ridimensionojë nga pikëpamja e ngushte filozofike dhe estetike. Kjo domethënë, se studimi i Kocit ka karakter sintetizues dhe observimet e autorit dalin polivalente, ngase ngërthejnë përvoja e dije të ndryshme që vihen në funksion të objektit studimor. Gjithnjë duke synuar e përplotësuar intencën sublime të artit, të cilën autori Koci e percepton si dukuri që konsiston brendapërbrenda kuadrit të ngishte estetike e filozofike dhe lidhjeve të tyre funksionale. Kjo mënyrë e hulumtimit mund të duket paradoksale, ngase prek trekëndëshin kompleks: muzikë, filozofi, estetikë, por në esencë korrespondon thellë me atë që është vetë qenësorja e artit Beethovenian. Kjo për faktin se është pikërisht dimensioni filozofik i harmonizuar me atë estetik, elemente këto konstitutive që e bëjnë veprën e tij të pavdekshme e shumëdimensionale. Në këtë libër, autori Koci, duke e hulumtuar, analizuar e studiuar veprën e kompozitorit kolosal gjerman Ludëig van Beethoven nga ky prizëm i veçantë, kësisoj arrin të jap për receptuesit një fizionomi të re figurës universale të Beethovenit dhe simfonive të tij. Prandaj ky libër duhet tumiret si një pikë referimi për lexuesit shqiptar.
Akil Koci sferën e interesimit studimor e orienton tek elementet filozofikë e estetikë me një fokusim special tek nëntë simfonitë e Beethovenit, për t'i mishëruar pastaj këto observime në qenësinë e simfonive të tij, të cilat i analizon një nga një e në detaje të thelluara, sikundër në planin tematik ashtu në atë stilistik e kompozicional. Kjo metodë tejet interesante, i ndihmon Kocit që artin muzikor të këtij kompozitori ta shohë nga disa këndvështrime të posaçme dhe këndej pari të arrij rezultate origjinale, sikundër në tematikën që trajton muzika e tij, po ashtu në trajtat e stilit dhe kompozicionit, me të cilat ndërtohen simfonitë. Nga ky aspekt, Koci teksa interpreton me shkathtësi profesionale dukuritë estetike dhe filozofike, si trajta sublime të artit e së bukurës në krijimtarinë e Beethovenit, nuk kufizohet asnjëherë vetëm tek ky muzikolog i madh, por problemet teorike i trajton si probleme të ndërlikuara dhe në rrafshe të ndryshme komunikuese kulturore. Nga këndej, diskursi i Kocit komunikon me antikën, mesjetën, romantizmin dhe klasiken evropiane, për të ndërtuar idenë më sublime se arti i përjetshëm mbetet ai i cili i tejkalon kohët dhe lidhet me pafundësitë, me klasiken. Pikërisht këto vlera, i sublimon në shkallë të lartë e universale, krijimtaria e Beethovenit. Dhe po këto vlera, Koci po ia ofron me një profesionalizëm të theksuar lexuesit shqiptar.
* * *
Muzika klasike, arti i sublimes dhe ndjeshmërisë së thellë, vlerësohet si faqja më e ndritshme e më e magjishme e estetikës së madhërishme, e estetikës së kënaqësisë, përmasat e së cilës, në kohën tonë duket sikur kanë marrë konotacione të fuqishme, aq sa tingëllojnë mitologjike. Në këtë dimension, kompozitori Ludëig van Beethoven është figurë kulti e botës muzikore. Me krijimtarinë e tij, ai ka tejkaluar kufijtë e çfarëdoshëm dhe tanimë dekada e shekuj i përket majave të artit universal, për faktin e thjeshtë, ngase nga bota tij bujshme, siç do të shprehet “shtrydhë verë të ëmbël për njerëzimin” dhe i trand me “ethet hyjnore të Shpirtit!”. Referencat e lartshkruara, në rrafshin komunikues, korrespondojnë thellë me pikëpamjet e Friedrich Hegelit për veprën artistike, të cilën e koncepton si produkt të shpirtit, si një komunikim që ndërlidhet me shpirtin dhe për shpirtin: “vepër artistike është vepër artistike vetëm duke qenë shpirtëzim dhe, vetëm si e tillë, ajo ka marrë pagëzimin e shpirtit dhe paraqet diçka që merr pjesë te shpirti dhe që është e përshtatur me shpirtin". Cilësia e shpirtit, të cilën Hegeli ia atribuon veprës së artit, në instancën komunikuese kulturore, sintetizon gjitha nivelet tjera semantike dhe filozofike të strukturës a kompozicionit të veprës së artit, qoftë ajo një operë, simfoni, poezi, roman etj. Pikërisht kjo fuqi magjike e shpirtit e bën artin sferën më sublime, ku mendja njerëzore ka gjetur mishërim të plotë me idealet e përjetshme e metafizike. Ndërkaq po këtë nektar të Beethovenit, verën e ëmbël të njerëzimit dhe ethe drithëruese hyjnore, Akil Koci di t'i thithë dhe t'i interpretojë nëpërmjet një stili të mrekullueshëm, ku estetika e filozofia sintetizohen harmonishëm për të funksionalizuar intencën kërkimore, e cila ndërlidhet me zbërthimin e mistereve të pafund të artit beethovenian, nga këndvështrimi i lartpërmendur. Në këtë libër, Koci duke rindërtuar historinë e ideve filozofike dhe estetike brenda një konteksti përplot ngjarje dhe personaliteti të mëdha, arrin të nder-komunikojë dhe njëkohësisht të vë relacione dinamike ndërmjet epokave e stileve të ndryshme krijuese, gjithnjë me një qëllim që vepra të ketë karakter sa më gjithëpërfshirës e universal. Në të vërtetë, kjo është cilësi universale e perceptimeve të Kocit dhe aftësi për t'i vështruar dukuritë komplekse të artit, si dukuri të ndërvarshme kreative.
* * *
Në komunitetin artistëve shqiptar, emri i Akil Mark Kocit tingëllon fuqishëm si kompozitor i suksesshëm, pedagog i palodhshëm, eseist, por edhe si aktivist i palodhshëm, i cili ka ndikuar dhe ndihmuar në avancimin dhe ngritjen cilësore të muzikologjisë shqiptare. Jo vetëm kaq, emri i Kocit tingëllon fuqishëm dhe ngrihet në podiumin e krijuesve më produktivë edhe si interpretues i shkëlqyer i artit muzikor, sikundër nga thesari i kulturës shqiptare, njashtu edhe nga thesari i artit muzikor botëror. Në të vërtetë, Koci, sikundër është në linjë me semiologun Umberto Econ, i cili “gjitha dukuritë kulturore i sheh si fakte komunikimi”. Nga ky aspekt, interpretimet e Kocit sa kanë karakter muzikologjik, aq kanë karakter edhe letrar, estetik e filozofik. Në të vërtetë, ato kanë karakter kulturologjik dhe janë një referencë e fuqishme për kulturën shqiptare si tërësi komunikuese. Nga ky kontekst, autori artin e sheh si referencë kulturore ku pikaset e bukura dhe filozofia. Sikundër do të shprehet në këtë libër, studimi i tij për Simfonitë e Beethovenit, synon t'i ndriçojë dhe vë në spikamë aspektet aksiologjike, pra vlerësuese e karakterizuese për simfonitë e Beethovenit. Dhe nga kjo premisë, Koci studimin e tij e ndërton duke filluar nga përvojat personale që lidhet me kontaktin e tij me muzikën profesionale e veçanërisht simfonive të Beethovenit dhe vazhdon me analiza krahasimtare për kontributin muzikor dhe ndikimin që ka pasur Beethoveni në botën e artit muzikor. Më tutje, studimi i tij vazhdon me observimet për formësimet e tij krijuese, e, për të përfunduar me analizën e thuktë të nënë simfonive.
* * *
Akil Koci, si intelektual i pajisur me një botë empirike të bujshme dhe si njohës sistematik i ligjësive të artit, shkrimin diskursiv për muzikën e shtreson nëpërmjet dijes që ndërtohet me referenca të fuqishme. Në këtë mënyrë, ligjërimi i tij për muzikën ka karakter shkencor. Ai arrin të sjellë para lexuesit shqiptar një tekst diskursiv kritik, me mendime të thella e cilësore, madje jo vetëm për objektin themelor të studimit, Beethovenin dhe nëntë simfonitë e tij karakteristike, të cilat ngërthejnë një filozofi të thellë dhe përfaqësojnë trajtat me sublime të senslibiliteit estetik, por, edhe për dimensionet semantike të epokës krijuese kur jetoi e veproi ai. E, kjo ndërlidhet me relacionet të cilat i kishte Beethoveni me emra të tjerë të mëdhenj të kohës. Këto sekuenca, autori Koci i shtreson në kuadër të ligjërimit për përmasat e personalitetit të Beethovenit, sikundër për rrugëtimet e tij krijuese dhe formësimin e tij prej artisti të madh. Edhe pse objekt parësor i studimit dhe intencë themelore e proklamuar e librit është figura e Beethovenit dhe nëntë simfonitë e tij, autori jep informacione të bollshme dhe tejet reprezentative në përgjithësi, për epokën kur jetoi e krijoi ai, relacionet e tij krijuesi me emra tjerë të mëdhenj të muzikës, siç ishin Bachu, Haydni, Moxarti. Po në këtë linjë, Koci rrekët të hulumtojë dhe interpretojë formacionet estetike të kohës, kapërcylljet kalimet) nga një formacion artistik tek një tjetër, sikundër ndikimet që kanë lënë në formësimet krijuese të Beethovenit këto përthyerje në stilet artistike. Nga ky aspekt, Koci jep gjykime karakterizuese dhe krahasuese, sikur del në gjykimin se: “... Beethoveni është më shumë klasik se Mozarti dhe Haydni". Në fakt, kjo ka kuptimin e vet logjik, mendon Koci ngase “Beethoveni gjithmonë ka qenë në aksion duke kërkuar dhe duke trajtuar vazhdimisht mundësitë për ta përsosur formën, gjuhën muzikore dhe në kuadrin e kësaj semantiken”. Prandaj edhe arti i tij në instancën e fundit duke u sfiduar me stilet e ndryshme “reformën e sheh frymëzim” e jo si përmbysje. Në këtë strumbullar qëndron një nga pikat më të veçanta të artit të tij. Kur diskuton për idetë themelore që e përshkojnë krijimtarinë e Beethovenit, autori identifikon disa rrafshe tematike që trajton muzika e tij. E, këto, në vija të trasha, përfshijnë, jo vetëm tragjiken dhe ndjenjat e tmerrit, të ankthit, të frikës, por edhe lirizmin, si koncept që ka si qëllim ndjenjat nga më të ëmbla dhe nga më të butat, afshin për jetën e dashurinë.
Dijetari i madh i letërsisë, amerikani Northrop Frye,shkruan: "Koncepti i artit ka një relacion ndaj realitetit, që nuk është as i drejtpërdrejt, as negativ, por i mundshëm, zgjedh përfundimisht përçarjen mes endjes dhe këshillës, mes stilit dhe porosisë". Akil Koci e ka përvetësuar më së miri këtë frazë të Fryeit, për ta shndërruar në praktikë të studimit të tij. Përmes zgjedhjes së mundshmes, Koci qartëson shumë komponentë të Simfonive të Beethovenit, pikërisht relacionet e ndërlikuara mes stilit dhe porosisë, refleksionet mes tragjikes dhe lumturisë, mes dashurisë dhe urrejtës. Studim “Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit” kësisoj të fut në një univers të pafundmë misteresh e ndjesimesh , ku perceptimet për të bukurën e artit beethovenian bashkëjetojnë mrekullueshëm dhe në harmoni të plotë me aftësinë e veçantë interpretuese që demonstron Koci. Kjo për faktin se autori ka sensin të prek palcën e estetikës dhe filozofisë që përçon arti dhe simfonitë e Beethovenit. Në këtë aspekt, dimensioni empirik autorial, i jep këtij studimi një karakter universal dhe i mundësojnë autorit Koci të bëjë përimtësime e interpretime të thukëta, që parakonceptojnë një lexues të kultivuar, do thoshim një kombinim të lexuesit model e empirik, sipas Umberto Ecos. Kjo për faktin, se, siç e kemi potencuar, studimi i tij realizohet në relacione me fushat e ndryshme, me të cilat pikëtakohet dhe bashkëjeton muzika. E, këto janë letërsia, filozofia, estetika, pjesë të së cilit korpus e sheh edhe muzikën, autori. Brenda këtyre fushave gjendet strumbullari i kërkimeve muzikore të Kocit, në librin në fjalë dhe këndej pari fusha e interesimeve bëhet gjithëpërfshirëse.
* * *
Charles Lalo, esteticient i shquar francez shkruan: “arsye më e mirë e ekzistimit të sistemeve qendrore të estetikës, është që me vëmendje të veçantë të shprehin ndonjërin nga funksionet që arti përmbush në jetë”. Ndërkaq, pikërisht këtë funksion sublim, të cilin Aristoteli e shihte tek spastrimi i pasioneve, Akil Koci e koncepton brenda suazave filozofike dhe estetike, duke potencuar se kjo ndërlidhësi ka për bazament referencën se muzika: “...është një krijim më i fortë se filozofia”. Ky relacion nënkuptonte aspektin semantik dhe mesazhin si qenësi të estetikës, për faktin se teoria e estetikës konceptohet se teori e sensiblitetit (Lalo), ndërkaq kjo transformohet në mesazh nëpërmjet filozofisë dhe trajtave të saj meditative.
Libri “Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit”, i Akil Kocit karakterizohet nga interpretimi analitik i simfonive të Beethovenit. Autori nuk zgjedh metodën e identifikimit të vlerave, por të seleksionimit dhe studimit. Këtë e bën duke sintetizuar disiplina të ndryshme të dijeve për artin dhe estetikën. Pastaj këto i interpreton në relacion me estetikën e artit beethovenian. Kjo qasje i jep hapësirë dhe mundësi të depërtojë, jo vetëm ne esencat filozofike që ngërthejnë simfonitë e tij, por edhe vet jeta e tij prej artisti gjigant. Qysh në titull, autori parakoncepton sferën e interesimeve të autorit të librit, që është tipologjia estetike dhe filozofikë e simfonive të Beethovenit. Ky libër diskursiv, mbetet sintezë kuptimplote e fokusuar në esencën e asaj çfarë është artit beethovenian, i përqendruar tek Simfonitë e tij, të cilat kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme në kulturën e artit botëror dhe të cilat vlera i sjell me shkathtësi dhe dije universale Koci para lexuesit shqiptar. Përmes interpretimit estetik dhe filozofik, Koci depërton ne palcën e artit beethovenian dhe kështu e bën atë më të afërt për audiencën shqiptare. Në të vërtet, marrëdhënia mjaft komplekse mes Simfonive të Beethovenit dhe relacioneve estetike dhe filozofike, në këtë studim të Kocit merr trajta kuptimore të dukshme. Dhe, kjo esencë ka disa rrafshe komunikuese kulturore, prandaj teksti i Kocit mbetet një univers shumështresor përsiatjesh teorike dhe kritike lidhur me fenomenin Beethoven, këtij klasiku të muzikës, por njëherësh edhe këtij inovatori revolucionar, i cili bëri thyerje cilësore në botën e artit muzikore. Koci në këtë libër, nuk bënë regjistër meritash dhe epitetesh për veprën artistike të Beethovenit, por si një profesionist me një dije empirike dhe si një lexues model (Umberto Eco), bën krahasime të vlefshme, ndërkaq edhe jep gjykime tejet sigurta e profesionale. Ajo që e karakterizon tekstin e Kocit është sensi për t'i kundruar dukuritë estetike në universalitet dhe në varshmëri. Janë të rrallë ata krijues që si Koci mund të bëjnë brenda një vepre interpretime që prekin shumë sfera të artit dhe filozofisë. Së këndejmi autori i librit nxjerr kurdoherë konstatime të qëndrueshme sikundër në rrafshin filozofik, njashtu në atë estetik. Duke përsiatjet për të bukurën, si tipari bazik i çdo arti dhe veçanërisht muzikës, ai dukuritë dhe ndërlidhjet estetike i shqyrton në korrelacion shumëdimensionale. Kjo formë e shkrimit diskursiv e bën tekstin e Kocit universal, ngase atë mund ta lexojnë, me shumë admirim filozofët, estetët, muzikologët, letrarët etj. Kjo domethënë se Koci nuk izolohet brenda perceptimeve të caktuara estetike, por perceptimet dhe observimet e tij tejkalojnë shumëfish fushën e tij muzikologjinë.
Në këtë libër të cilin po ia ofrohet lexuesit, Koci dëshmon qartë se nuk është vetëm njohës i thellë i artit muzikor, ai mbi të gjitha dëshmon së është një dijetar sistematik, që posedon dije antike e moderne për artin, estetikën e filozofinë, disiplina këto të cilat i sheh në korrelacion ndërlidhës. Interpretimet për antikën dhe sistemin kulturor. Akil Koci nuk i bën apologji artit, muzikës dhe sistemit të tij filozofik e estetik, ai e demonstron atë me kompetencë dhe dije universale. Nga ky aspekt, libri i tij është një arenë e pasur me informacione të shumta, për antikën e filozofinë, për artin dhe të bukurën, për letërsinë dhe muzikën, për zhvillimet shoqërore dhe perceptimet krijuese në këto sfida. Pra, ky është një tekst që i hynë në punë jo vetëm muzicientit, por çdo dashamirësi të kulturës dhe artit. Ngase nëpërmjet këtij libri Koci sjell një botë të begatë, të bollshme me vlerësime dhe gjykime të shëndosha. Këndej pari, ky libër mbetet një ndihmesë për jetën kulturologjike shqiptare.
Lexuesi s' mund të mos ndjehet i ngazëllyer kur lexon prelat e Kocit dhe interpretimet e tij që i bëjnë më të kapshme drithërimat vibruese të “Odës e gëzimit” dhe porosinë më sublime që ka shqiptuar mendja njerëzore: “Të rrini të përqafuar miliona”. Kjo odë e gëzimit bashkë me përqafimet që përcjell drithërima e shpirtit të trazuar e dramatik, po i ofrohet nëpërmjet Akil Kocit, lexuesit shqiptar.
(Ky tekst eshte botuar si pasthenie e librit me te ri te Akil Kocit
Aspektet filozofike dhe estetike në simfonitë e Beethovenit")