| E diele, 15.03.2026, 06:56 PM |
NJË PASDITE ME VËLLAZËRIT TAFA
BASHKATDHETARË TANË NË GJERMANI, AFARISTË TË
SUKSESSHËM
Emrush Tafa, me të cilin njihem nga shkolla
fillore, i ka dy vëllezër dhe dy djem afaristë të suksesshëm në Nuremberg të
Gjermanisë, të cilët udhëheqin dy firma që punësojnë rreth 200 punëtorë,
shumica shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria. Vëllezërit Tafa nuk i
karakterizon vetëm suksesi në afarizmin e tyre, por edhe angazhimi për
organizimin e bashkëkombëseve tanë në diasporë
Nga
Hamza HALABAKU
Më
kujtohet si sot kur për herë të parë erdha në Nuremberg, në Gjermani, ku e
kisha djalin e dajës tim, mësuesin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, Nusret
Dërgutin. Në vitin 1989, Komiteti i
atëhershëm i Kosovës për Arsim, Shkencë e Kulturë e kishte zgjedhur dhe e
kishte caktuar për mësimdhënës të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në
Nuremberg dhe qytetet e afërta në Bavarinë Qendrore.
Në
Nuremberg kisha mbërritur aty kah fundi i shtatorit të vitit 1990. Në dy-tri
ditët e para kur ishim takuar me mësuesin Nusret, e pyeta si i shkonte puna e
mësimdhënësit dhe si e kishte atë botë përkrahjen e bashkatdhetarëve.
Më
tregoi për sukseset dhe peripecitë me të cilat ballafaqohej atë kohë që, dorën
në zemër, nuk ishte edhe shumë punë e lehtë puna e mësuesit. Më tregoi për
bashkatdhetarët dhe përkrahjen e tyre. Më foli se aty jetonin e vepronin disa
bashkatdhetarë dhe një numër i tyre ishin krahu i djathtë i Shkollës Shqipe dhe
natyrisht përkrahës të mësuesit. Në mesin e atyre që ishin krahu i djathtë i
shkollës shqipe e përmendi edhe Emrush Tafën. Edhe pse kishin kaluar shumë vite
që as se kisha parë e as nuk kisha dëgjuar për te, mu kujtua se në fillim të
viteve të gjashtëdhjeta e kisha pasur shokë klase Emrushin, në Shkollën Fillore
në fshatin tim të lindjes, në Pozharan
Shumë
mirë i thash, këtë emër e njoh. E kam pasur shok nga klasa e pestë në
tetëvjeçare. Ai me disa shokë, nga fshati i tyre, vinin për çdo ditë në
shkollën e fshatit tonë. Në fshatin e tyre, në Terpezë, kishin vetëm shkollën
fillore katërklasëshe, që ishte paralele e ndarë e shkollës tetëvjeçare të
fshatit tonë. Edhe pse ishin ashtu të vegjël, si edhe ne moshatarët e tyre,
qoftë mot me shi apo borë, qoftë mot me vapë apo shumë i ftohtë, ata ishin të rregullt
në mësime. Kishte prej tyre që ishin edhe më të mirë se ne vendorët në mësime
dhe aktivitetet e tjera shkollore. Dëshiroj të takohem me të, i thash mësuesit
Nusret. Nuk vonoi shumë dhe mësuesi e mori në telefon. I tregoi për dëshirën
time që të takoheshim kurdo që ai të jetë i lirë. Emrushi ia pohoi mësuesit Nusret se njiheshim që nga klasa e
pestë, respektivisht se kishim qenë shokë klase.
U
takuam në mbrëmjen e një fundjave të asaj vjeshte të vitit 1990 dhe biseduam
shumë gjatë për kohën tonë të fëmijërisë, por edhe për atë aktualen. Folëm
gjerë e gjatë për kohen kur kishim qenë nxënës, për mësuesit tanë dhe për
nxënësit që dalloheshin për të mirë në klasën tonë. Biseduam edhe për shumë
gjëra. Nga Emrushi, gjatë atij takimi, mësova se ai ishte takuar me Hysen
Terpezën, që ishte bashkëfshatar i tij, dhe se ai kishte mësuar shumë gjëra nga
xha Hyseni, për kohën e Luftës së Dytë Botërore, për kohen pas asaj lufte, si
dhe për shumë gjëra të tjera që lidheshin me fatin apo fatkeqësinë tonë
kombëtare.
Emrushi
më tregonte për punën e tij në Gjermani dhe për përpjekjet e vazhdueshme që t’i
ndihmonte pesë vëllezërit e tij, të cilët po shkolloheshin në shkollat e mesme
të Kosovës ose po studionin në Universitetin e Prishtinës.
Nuk
kaloj shumë dhe erdhi edhe fundi i viteve të nëntëdhjeta. Lufta nisi në Kosovë.
Tani Emrushi kishte probleme për tërheqjen e fëmijëve të tij nga fshati i
lindjes për në Gjermani.
Më
vonë pata marrë vesh se pas shumë përpjekjeve dhe peripecive Emrushi kishte
arritur që bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij t’i ofronte afër vetes në
qytetin e Nurembergut. Në vitet e nëntëdhjeta i erdhën edhe dy vëllezërit e
vegjël, Xhymshiti, që të gjithë e njohim si Xhyma dhe vëllai më i vogël Faruku,
me
që, atë kohë, ata kërkoheshin nga pushteti i atëhershëm që të shkonin në
shërbimin ushtarak që atëherë ishte i obligueshëm për të gjithë qytetarët e
ish-Jugosllavisë.
Edhe
vëllezërit edhe të katër fëmijët e Emrushit, ishin edukuar se puna është virtyt
dhe duhet përvjelë mangët qoftë në atdhe apo në mërgatë. Dikush prej tyre në
punë e dikush në kurse të gjuhës gjermane e pastaj edhe në studime, kanë
arritur që shumë shpejtë të integrohen në qytetin ku jetojnë e veprojnë.
Në
saje të këtij përkushtimi dhe punës ata arritën të jenë të njohur jo vetëm në Nuremberg,
por edhe më gjerë.
Nga
Emrushi kamë mësuar shumë për të arriturat e dy vëllezërve dhe të fëmijëve të
tij, meqë shumë shpesh takohemi për, siç thuhet, kafen e mëngjesit.

Xhyma dhe Faruku, sapo kishin mësuar mirë gjuhën gjermane, pa vonuar shumë, e kishin hapur firmën e tyre “TAFA” (DIENSTLEISTUNGEN GMBH), që dorën në zemër nuk e di domethënien në gjuhën shqipe, ku angazhuan apo më mirë me thënë punësuan, shumë punëtorë. Nga themelimi i kësaj firme, numri i të punësuarve sa vinte e rritej. Tani, siç më tregonte një ditë Xhymshiti, numri i të punësuarve në firmën e tyre e kalon numrin 50. Shumica e punëtorëve të punësuar në firmën e tyre “TAFA” janë djem, po ka edhe vajza që janë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria. Gjatë punës së tyre disa vjeçare, si tregojnë tani vetë ata, punët e kontraktuara me palën gjermane i kryejnë në afat rekord dhe pala gjermane përherë është e kënaqur me firmën “TAFA” dhe pronarët e saj, sepse punët e kontraktuara i kryejnë me sukses duke iu përmbajtur me përpikëri kontratave.
Dy
vëllezërit e përmendur të Emrushit nuk i karakterizojnë vetëm sukseset në
afarizmin e tyre, por si Xhyma dhe si Faruku janë të angazhuar edhe në
aktivitetet shoqërore. Faruku, vëllai më i vogël është kryetar i Degës së
Lidhjes Demokratike të Kosovës në Nuremberg me rrethinë, degë kjo që ka më
shumë se njëqind e tridhjetë anëtarë. Ndërsa Xhyma, përveç punës aktive në
firmë, tash e një kohë të gjatë është i angazhuar në Lidhjen e Arsimtarëve dhe
Prindërve Shqiptarë (LAPSH) të Bavarisë për hapjen dhe mbarëvajtjen e punës së
Shkollës Shqipe në këtë vend të Gjermanisë. Xhyma (Xhymshiti) është nënkryetar i Kryesisë së
këtij asociacioni. Ai tregon se viteve të fundit kanë hapur e rihapur më shumë
se 36 shkolla të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Bavari dhe, siç thotë
Xhyma, Kryesia e LAPSH-it, bashkë me të gjithë koordinatorët dhe aktivistët e
tjerë, që të gjithë me punë vullnetare, nuk pushojnë asnjëherë angazhimin që në
qytetet ku ka numër të mjaftueshëm nxënësish shqiptarë të shtohet numri i
shollave shqipe.
Firma
“TAFA” vazhdimisht e ndihmon LAPSH - in edhe financiarisht.
Faruku,
vëllai më i vogël, nuk rrinë asnjëherë duarkryq. Ai, përveç punës në firmën
“TAFA” që bashkë me Xhymën e kanë rolin kryesor për gjetjen, mbikëqyrjen dhe
kryerjen me sukses të punës së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tyre kryejnë edhe
punë të tjera. Që nga hapja e firmës së tyre, asnjëherë nuk kanë mbetur pa
punë. Faruku për çdo fundjavë organizon, me bashkëpunëtorët e tij dhe të rinjtë
e tjerë lojë futbolli. Për çdo të shtunë, në mbrëmje, ata janë në njërën fushë
të futbollit në periferi të qytetit dhe ndiejnë kënaqësi kur takohen të gjithë
së bashku ...
Edhe bijtë e Emrushit, Labinoti dhe Atdheu, në vitin 2006, kanë hapë firmën e tyre “LEO” e cila, po ashtu, po ecën gjurmëve të asaj “TAFA” të xhaxhallarëve të tyre.

Logo
e Firmës “LEO”
Tani
familja Tafa ka dy firma. Njëra “TAFA” nën drejtimin, si e përmenda edhe më
herët, të dy vëllezërve të Emrushit, Xhymës dhe Farukut, e tjetra është firma
“LEO” që është nën mbikëqyrjen e dy bijve të tij, Labinotit e Atdheut. Edhe kjo
firmë, si tregojnë Labinoti e Atdheu, që nga themelimi në vitit 2006 dhe deri
më tash është treguar e suksesshme. Në firmën që e udhëheqin Labinoti dhe
Atdheu janë të inkuadruar më shumë se 150 punëtorë. Edhe në këtë firmë, sipas
udhëheqësve të saj, dominojnë punëtorët që vijnë nga trojet tona etnike.
Dorën
në zemër, suksesi i këtyre afaristëve më gëzon pa masë dhe çdo takim me shokun
tim të klasës, Emrushin, nuk kalon e të mos flasim edhe për suksesin e tyre,
ndonëse Emrushi nga modestia që ka nuk flet shumë për këto suksese. Kështu janë
të gjithë pjesëtarët e kësaj familje.

Labinot
Tafa, njëri nga udhëheqësit e firmës “LEO”
Mirëpo,
unë kam mësuar se vëllezërit e Emrushit, Xhemshit e Faruk Tafa dhe bijtë e tij,
Labinoti e Atdheu, janë afaristë shembullor. Firma “LEO” kryen punë në
mirëmbajtjen e hekurudhave në Bavari pastaj mirëmban shumë autostrada të
Bavarisë. Kjo firmë kujdeset që drunjtë të cilët rriten rreth hekurudhave, e që
në Gjermani ka shumë, të mos jenë pengesë për lëvizjet e trenave.
Gjatë
takimit që e patëm një ditë me Labinotin, ai na foli shumë më shumë për punët
që firma e tyre “LEO” kryen në Bavari e më gjerë por, për këtë do të njoftohemi
një herë tjetër!
Dorën
në zemër, unë nuk kam bërë ndonjë studim për afaristët tanë që veprojnë në
Nuremberg e rrethinë, por jam i bindur se këto dy firma të familjes Tafa janë
më të suksesshmet në këtë nënqiell.
Nuremberg, 26 shkurt
2026