| E hene, 16.03.2026, 06:55 PM |
PREJ LIBRIT FRITZ RADOVANIT: PJESA E VI.
Tradhëtarët
Enver Hoxha
e Ramiz Alia
na nxorën
nga Europa...
Melbourne
2010
Ua kushtoj
të Parëve të mi,
Ejëllorëve
(ose Radovanve) të vjetër,
dhe
Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen,
punuen e u salvuen
për
Shqipninë Europjane të
Gjergj
Kastriotit - Skenderbeut!
Autori
Melbourne,
Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
PERËNDIA I DREJTËSISË
APO, KANDARI I TREGËTISË..?
Edhe
pse ishim në Europë, na ishte mbushë mendja që shumë nga fjalët e mbetuna prej
pushtimeve shekullore, me vazhdue me i përdorë ashtu si i kanë përdorë gjyshat
tonë...Edhe pse ishin importue shumë nga peshoret moderne dhe mjaft praktike,
ndër fushat e gjana të tregut fshatarë vazhdohej me u peshue malli me kandarin
me shkop...kështu, thirrej ai... jo pse na dukej ma i saktë, po ishte ma
praktik për atë që peshonte.
Mbi
botkuptimin e formuem tek njeriu në lidhje me peshoren, që nga të gjithë njerëzit
nënkuptohej saktësia apo pesha e saktë e një objekti material, ashtu edhe në
veprime të njeriut kërkohej veprimi i saktë, pa lakime, por gjithmonë i drejtë.
Kjo kërkesë themelore e veprave të njeriut ka vue themelin e asaj që na e
quejmë drejtësi. E mbi këte koncept njerëzor ze vend edhe drejtësia me të cilën
shteti peshon njeriun për veprat e tij.
Shqiptari
prej kohësh, e pothuej ndër të parët në Evropë, ka njohtë ligjet e drejtësisë,
që i ka trashigue nëpërmjet Kanunit të vet. Peshoren e asaj drejtësie e mbante
në dorë ma plaku, i njohun si ma i drejti. Sigurisht, me kalimin e kohës,
filloi edhe ndryshimi i gjykimit të njeriut, ndonse “peshorja” ishte në duertë
e pushtuesit të huej, kështu, b.fj. ndryshoi dënimi i një Kleriku katolik
shqiptar, që turqit e vinin në hu, ose e merrnin zvarrë me e çue për me e
mbytë, e që shumica mërrinin të vdekun tek vendi ku do të egzekutohej, pra, në
vend të “kandarit” turqit përdorën armë e zjarrit...
Kur
krimet kalonin masën e peshores së drejtësisë dhe nuk kontrolloheshin ma me
shifrat e njohuna të saja, atëherë mbet në gjithë Europën dënimi me varje në
litar. Edhe egzekutorët e këtij lloj dënimi zgjidheshin nga shteti, mbasi ishte
e vështirë me pranue kush me shkue tek trekandshi i vumë për me i hjekë stolin
njeriut që do t’jepte shpirt i varun në konop. Nëse do të këputej konopi,
njeriut që do të varej, do ti falej jeta.
Në
vitin 1913, porsa malazezët kapën At Mati Prennushin, veprues me Dedë Gjo’
Lulin në Deçiq në 1911, kur gjykatsi i njoftoi “varjen në litar”, i tha: “E
sheh litarin që ke në brez, në atë litar
do të varim...”, dhe At Matia, me humor, iu përgjigj: “Jua di për nder me më
varë në konopin tim, mbasi me siguri litari im ka me ma falë jetën...!”, mbasi
At Matia kishte besim që pesha e randë e trupit të tij të shndetshem kishte me
e këputë konopin...
Në
vitin 1927 Ahmet Zogu vari në litar Don Gjon Gazullin... tek tregu i Shkodres.
Ai u varros në vorret e Rrëmajit. Ishim fëmijë, kur tek vorri i Don Gjonit,
shiheshin njerëz të ulun ndër gjujë, me rruzare në dorë, tue ndezë qira e tue
lypë nder prej Tij. Kandari i Ahmet Zogut bani efekt të kundërt në popull, kur
ai zbatoi vendimin e tij barbar, varjen e një prifti të pafajshëm.
Njëheresh
Ai mendoi me aplikue edhe të tjera dënime të tilla.
Tek
libri i amerikanit Fischer, gjejmë të shkrueme:
“Mbas ngjarjeve të nandorit 1926, ku në atë revoltë
të Veriut mori pjesë edhe Kleri Katolik, kur ambasadori anglez nderhyni tek
mbreti për falje të dy klerikëve, Zogu shpërtheu
me duf: “Ah, sa shumë do të dëshroja t’i varja ashtu siç e meritojnë!”...
Mbas këtij rasti ambasadori amerikan, lidhun me
këte, tha:
“Ndrysh nga personifikimi i Drejtësisë Perëndimore, e cila është një Perëndi me sy të lidhur që mban në dorë peshoren e paanshme të fajeve të të
gjithë atyre që gjykohen prej Saj, Drejtësia
shqiptare është një zonjë muhamedane, e cila herë pas here vështron
vjedhurazi përmes perçes së saj se cili, apo çfarë ndodhët mbi pjatë, përpara
se të rregullojë gurin e peshores.” (fq. 125) Sigurisht, varja në litar e një
Prifti do të sillte pasoja.
Po,
mbas vitit 1944 si u përdor “kandari i drejtësisë”..?
Aranit
Çela ka deklarue se “ka zbatuar vetëm ligjin..!”
Kjo
përgjigje përputhet saktësisht me citatin e Fischer, mbasi nga “Përendi e
Drejtësisë Perëndimore” na ndrrueme prap “peshoren e saj” dhe u këthyeme tek
“kandari” me ligjet e shteteve orjentale e bizantine... të Lindjes komuniste
bolshevike, kështu, nuk bame kushedi se shka, veç shkyeme dhe dogjëm dy apo tri
fletore zyrtare të vjetra...dhe, i thame edhe Europës se “nuk duam as
drejtësinë tënde!”. Aty për aty nuk na u duk një veper kushediça, mbasi Europa
vetë kje ajo që pranoi “idenë e madhe” të Ruzveltit për pushtimin e aneksimin
tonë nga Jugosllavia bolshevike e Titos... ndonse, intelektualët dhe juristët
që u masakruen me ligjet e komunistëve, ngritën zanin e tyne, e disa edhe kanë
pranue me ndërgjegje të paster edhe pushkatimin, si av. Muzafer Pipa, av.
Paulin Pali etj., që si mbas ligjit që ka zbatue Aranit Çela, ende nuk kanë as
vorr, tue u pasë “vorrosë me ligjë”.. Jam tue folë për atë kohë kur “shoku”
Enver kërkonte me ditë për secilin njeri që pushkatohet edhe “vullnetin e tij
të fundit para plutonit të egzekutimit...”. Po vendin ku vorrosej ai, a e dinte
Enver Hoxha e mbas tij, Ramiz Alia?
Për
me vërtetue sesa me urrejtje asht veprue ndaj njerëzve që ishin pranë qendrave
apo urave të lidhjes me Europën, unë do t’ ju paraqes vetëm një fakt, që tregon
edhe zbatimin e përpiktë të porosive të qeverisë jugosllave për këtë qellim,
gja që u zbatue me përpikmëni nga tradhëtari anadollak Enver Hoxha, me të
gjithë kriminelët e “kandarit të drejtësisë”:
Me
datën 15 nandor 1946, ora 12.00, në mensën e Kuvendit të Françeskanëve,
arrestohet Provinçiali At Mati Prennushi. Mbasi i vihen prangat Atij,
Françeskanët tjerë njoftohen se “janë në gjendje arresti..”
Kuvendi i Françeskanëve në Gjuhadol u
kthye në burg dhe thirrej Burgu i Kishës së
Fretënve, burgu ma i mnershëm i komunizmit në Shqipni, e pse jo, i krejt
Lindjës komuniste. Porosia jugosllave ishte: “... të shkatrroni kulm e thëmel
çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT!” ... dhe, porosia e
mësuesëve
neoshovenistë jugosllavë po
realizohej nga Enver Hoxha.
Pa hy fare ndër shifrat e Klerit Katolik apo intelektualëve e njerëzve të
thjeshtë që janë pushkatue, mbytë në hetuesi, në kufi, piramida apo shetitë
ndër kamjona të lidhun me tela me ferra, pa kërkue me dijtë sa djelm të ri që po kryenin shërbimin
ushtarak janë vra dhe therë me bajoneta, apo sa vetë u groposen kur filloi
revolta antikomuniste më 1990 e 91...unë do t’i referohem një shpjegimi të
saktë që kam publikue:
Tregon ish shefi i arrestuem i një kasaforte...në kampin e Spaçit..
...“Jo,
asnjëri nuk dinte se çka kishte të dyllosur kasaforta ime...! Kurrë, asnjëri,
nuk e ka çelur ate përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë...Edhe ay
është zhdukur...e, ndoshta, fatin e tij do kem dhe unë...ti, je i ri dhe një
ditë do dalësh...si shkodran do të besoj...deri ditën që jam arrestuar, në
shkurt të këtij viti (1974) numuri i të pushkatuarëve, të vrarëve me gjyq e
pagjyq, të të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurëve në kampe pune dhe
çfarosje, në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psikiatrike dhe
çmendira, të vrarë në kufinjë dhe reparte pune e ushtarake, se gjoja janë
“vetvrarë”...pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, ata
nuk ishin në kasafortën time, shifrat janë:
45.000 Shqiptarë pa
varr...në tokën e tyre shqiptare..! Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të
burgosur, ose të riburgosur dy ose tre herë, të internuar, të dëbuar, të
zhdukur... dhe, që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të
diktaturës së terroristit Enver Hoxha, lakejve spijunë të tij dhe pasuesve komunistë
bolshevikë të partisë që lufton e punon për të siguruar kolltukun e tij, me pasuesit,
po kurrë, të Popullit Shqiptar dhe Shqipërisë..!
Mallkuar
qoftë ai që i shërben këtij shteti terrorist!”
Sikur
këto shifra të derdheshin në bronz dhe mbi një pllakë prej mermeri të
vendoseshin para ministrisë së “drejtësisë” bashkë me një shtatore të “Aranit
Çelës me sy të lidhun”, apo para Kuvendit Popullor të “Nexhmije Hoxhës, me
perçe e me kandar”, apo para kryeministrisë të “Mehmet Shehut me thikë në
dorë”, apo tek piramida “Enver Hoxhën me Stalinin tue ...hangër bar”, apo në
Tivar “Ramiz Alinë me drapen e çekan tue korrë kosovarë...” atëherë, Shqiptarët
do të kujtonin një thanje:
Amerikani Harold Uajzberg shkruen: “Vrasesi tipik e shikon veten si
ndonje hero.” Kjo thanje përputhet me portretet e dy diktatorëve që pat
rrezik me provue Populli Shqiptar në rregjimin komunist. Askujt nuk ka me i
shkue mendja mbas pak vitesh se vrasjet në Shqipni planifikoheshin dhe
organizoheshin me detaje të caktueme nga komiteti qendror i PPSh, dhe se, me “buletine sekrete”
sigurimi i shtetit vepronte në mënyrën ma të djallzueme me realizue planet e
diktatorit. Sigurisht, në terrorin shtetnor sadizmi i sigurimit të shtetit asht
i përhapun ndër metastazat e tij anë e kand vendit në forma të
institucionalizueme, ku veprohet si e si me prishë dhe me shpartallue njeriun e
pafajshem deri aty sa ai me pranue me gojen e vet “fajsinë” vetëm me shpëtue
nga duart e atyne torturuesve katil, që nuk u ngopnin pa e pa viktimën të
tejdepersonalizuem, tue nënshkrue me dorën e vet procesin që sot na e quejmë “vetvrasje”. Këto vepra
terrorit janë tipike për sistemin komunist, ku hetuesit mobilizohen me të
gjitha mjetet e tyne të torturës me realizue planet skllavnuese të diktatorit,
për friksimin dhe pasigurinë e secilit, që kurdoherë duhet të mendojnë se neser
“unë mund të ndodhem në duertë e një katili për me plotsue numurin e viktimave që kerkon PPSh.”
Qenjet
ma të pamëshirshme në këte institucion ishin hetuesit dhe torturuesit e mija
njerëzve të pafajshëm, që punonin me andje me vra e pre njerëzit e pranguem
ndër hekura, shumica e të cilve nuk dinte pse ndodhej aty..? E kjo vepër e
shemtueme, e brumosun me një urrejtje aq të madhe e të pashoqe, nuk kje e një
periudhe të shkurtë, por vazhdoi gjysë shekulli, e fatkeqsisht, ma parë u
harruen kriminelët përbindsha se viktimat e tyne.
Shumë
e vështirë ka me kenë ma vonë me u kuptue sesi një hetues torturonte një njeri
për vdekje vetëm se ai ishte “klerik” …apo, e “shkynë për gjymtyrësh” pse ai
ishte me veladon, apo “i futën hekurin e skuqun në muskujt e krahëve”, pse
mbron një njeri të pafajshem, apo “i ngjeshën për gjoks xhamadanin metalik” për
me vra një dijetarë, apo “e shtynë me cfurk deri sa të mbytet në xhiriz” një
njeri “të pafajshëm”, por i urryem
prej teje…E ndoshta, shumë herë ka me u diskutue edhe saktësia e fjalës së atij
që e ka shkrue, mbasi do të bahet edhe pyetja: Mirë se të gjitha këto i bani
Enver Hoxha e Ramiz Alia, po çfarë qendrimi ndaj këtyne njerëzve u mbajt tash
njëzet vjet mbas tyne, prej presidentëve “demokratë”, që ishin të çveshun nga
“teserat” komuniste..?
–
Presidentët shqiptarë sjellin fletët e kalendarit…dhe, presin që të “harrohet”
në kujtesën e Popullit kriminaliteti i terroristëve të vjetër, tue “dekorue”
ndonjë viktimë “nderi i kombit”, që shpesh, edhe ai vetë, tue dashtë me
“harrue”, kërkon me risjellë në zyret e “kandarit të drejtësisë” nga ata
“profesionistë” që i rikujton në darkat e drekat presidenciale kur ngrejnë
dollitë, tradhëtari gjakatar Ramiz Alia e shokë e tij…
Secila
viktimë e terrorit ka një firmë të projektuesit të akuzës, ka firmën e një
hetuesi, ka një torturues, ka një polic që e dhunonte, ka një prokuror që e
akuzonte, ka një gjykatës që e dënonte pa faj, ka një grup të tanë të gjykatës së naltë që
shqyrtonte fajsinë e të pafajshmit, ka një grup tjeter deputetësh të kuvendit
popullor, që ishin prap ma nalt e që, me një “kandar special”, ia venin mbi
tavolinë viktimën ma të naltit,
“presidentit” të Republikës, për shqyrtimin e fajit dhe miratimin e dënimit me
vdekje. Dhe, mbasi “mendonin e peshonin viktimën se kush ishte dhe kush e
kishte sjellë në kandar, ulnin perçen dhe “lëviznin
gurin e peshores”…tue, mos harrue me njoftue edhe “shokun” “komandant” për
“vullnetin e fundit të tij…”
Të
gjithë këto bisha janë ushqye me gjak dhe, “harresa” e tyne prap gjak
njell…nëse do të lejohen me iu afrue Tempullit të Perëndisë së Drejtësisë,
prandej, Populli Shqiptar duhet të luftojë për Drejtësi të Vertetë, të
mbështetun mbi moralin njerëzor dhe me përgatitje të mirë profesionale për
përdorimin e peshores me sy të mbyllun…
Drejtësia
asht faktori kryesor i vendosjes së Demokracisë!
Nëse
Koka drejtuese e Shtetit Shqiptar do të vazhdojë me ngritë “dolli” me
tradhëtarët e Atdheut dhe të Popullit, nuk asht e largët mungesa e Paqës dhe e
Lirisë, Demokracia e brishtë do të venitet...
Dënimi i tradhëtarve t’
Atdheut asht garanci për Paqen dhe Drejtësinë, mjete të Shejta që sigurojnë
Demokracinë në Shqipni!
B U B R R E C A T…
Bubrrecat, ose milingonat,
përcaktohen kështu në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe: “Milingona – zool.
Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të
bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese, thnegël...” (fq. 1138).
Kishe me thanë se asht ndër
insektet ma të njohuna dhe të përhapuna. Porsa njeriu fillon me kenë i pavarun
në jetë me lojnat e tij të fëminisë, mbas mizave, njihet me bubrrecat e vogla,
që shpesh sulmojnë raftet e bukës dhe të ushqimeve në shtëpijat tona. Në dukje
të parë nuk janë aspak të frikëshme, madje shpesh i largon me frymë ose i
shkundë për mos me i mbytë, mbasi ke njëfarë dhimbje kur i sheh aq të vogla,
gjithënjë tue punue. Grumbullohen shumë mbas sheqerit dhe produkteve të tjera
të ambla. Kur ishim të vegjël, u hidhnim një dramcë bukë me pak sheqer në tokë
dhe i vrojtonim me kënaqësi sesi mblidheshin, e rrethonin, po dhe organizonin mënyren si me e bajtë dhe
me e çue në folenë e tyne. Janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimëve të motit. Ka
raste që bubrrecat të tregojnë se koha do të ndryshojë, moti do të
keqësohet....
Ato rreshtohen në një mënyrë
aq të çuditëshme, sa të duket sikur
vargu i njenës palë, që ecin me ushqim në gojë tue e bajtë me e çue në
fole, dhe në kahun e kundërt pala tjetër, tue vrapue me shkue tek grumbulli me
marrë edhe ate çka ka mbetë aty; mënyra sesi vehen përdy pa prishë rendin
asnjena palë, të ban me mendue se ai veprim nuk asht instinkt, se ata e bajnë
me aq kujdes, sa gati-gati me t’u dukë se edhe ruhën mos me hasë për shoqet e
veta të ngarkueme.
Mënyra sesi ato rreshtohen në
një varg të pafund... më ka ba me mendue krejt ndryshe nga njohja e parë si
fëmijë me to...
Mund të them pa ngurrim, se
bubrreca asht insekti ma i urryem prej meje…Ajo më kujton rradhët e pafund të
njerëzëve në të gjitha sheshet, qoshet e skutat e jetës në krejt vendet
komuniste ... Ato rradhë njerëzish “të pranguem”, që fillonin nga Shqipnia deri
në Vendet Baltike dhe nga Berlini deri në kampet e t’internuemve në
Vladivostok...
Ajo më kujton tribunat e nalta
të diktatorëve me gjokse të mbylluna hermetikisht nga dekoratat, tue shikue me
perçmim miljona njerëz si milingonat, që brohorasin në gjithë kampin socialist
ditën e 1 Majit...nën valvitjet e flamujve të kuq...të proletariatit para hotel
“Dajti”, apo në “Sheshin e kuq” të Moskës, tue vrojtue fëtyrat e perçudnueme të
dy diktatorve në tribunën e naltë të “kampit” të hekurt bolshevik…
Ajo më kujton rradhët e gjata
të fëtyrave të verdha e anemike të bukës kollomoqe si tullë deri në vitet 1953
– 54.
Ajo më kujton “triskat”,
rracionet, sasinë minimale për jetesë, deklaratat e kryetarëve të lagjeve për
me i përfitiue këto “triska”, pra, nënshkrimet e atyne fudullëve spijunë për me
tërhjekë një copë letër, që ishte “privilegji” i pushtetit “popullor
demokratik”, për katerqind gram bukë kollomoqi, e që duhej edhe ajo me u pague
me pare...
Ajo më kujton njerëzit e
depersonalizuem dhe të pacipë ndër rradha, tue veshtrue kush “fshanë”?...
Ajo më kujton pleq e plaka të
mbështjellun me zhele, gra të shpupurishuna flokësh dhe fëmijë të zbathun në
pikën e acarit të dimnit, tue iu rrah fëtyren, mollzat e faqeve e duert e
ngrime si akulli tue iu ra përthonjësh, nga të ftohtit e veriut apo murrlani i
pashpirtë i Shkodrës....
Ajo më kujton rradhët e pafund
të rracioneve të druve e të qymyrit, në borën e madhe të njerëzve me shkarpa e
të çveshun.
Ajo më kujton rradhët e vume
me gurë e rrasa mbas mesnate, për një shishe qumësht...
Ajo më kujton rradhët e pafund
për një gjysë kile djathë në javë për çdo familje...
Ajo më kujton vrapimin e
Nanave Shqiptare, para se me shkue në punë, tue ble 100 gr. burro në javë për 5
– 6 fëmijë...
Ajo më kujton rradhët e një
kileje mishit për familje në javë...
Ajo më kujton rradhët për një
kile domate, një kile patate, fasule apo spinak...
Ajo më kujton gëzimin se
muejta me marrë një kile gjuca pa u mbarue koshi...
Ajo më kujton ankthin e
njerëzve dhe krizmat e bidonave të vojgurit, kur shkapeteshin...se u mbarue...
Ajo më kujton mija të
internuem, rreshtue për një kafshatë bukë ndër ferma...
Ajo më kujton kilen e mollave
e të portokaleve që gëzonte fëmijët për natën e vitit të ri...
Ajo më kujton rradhët e
njerëzve fatzezë me sofratasa tek dyert e Sigurimit të Shtetit...me ngopë
zagart e policisë…
Ajo më kujton rradhët e
njerëzve të përlotun tue pritë “takimin” tek Burgu i Madh...
Ajo më kujton “apelet” ndër
ngrica, n’oborr të burgut të Burrelit...
Ajo më kujton policët katilë,
tue na thanë: “Mos sillni më, është i ngordhur në Zallin e Kirit...shko po
deshe, sa nuk është qelbur!...”.
Ajo më kujton Nanat tona si
shkambi, tue iu dridhë buza e tue na tregue: “E kanë pushkatue sot!”
Ajo më kujton gjyshën... tue
pritë përditë në dritare: “Kur po i vjen djali!?...”
E, çka nuk më kujton ti...o
bubrrecë e zezë si futa e Malësisë!...
Ti më kujton shpellat, ti më
kujton Shqipet... ti më kujton orlat që kanë ndi erë gjaku!
Ti më kujton rreshtat e pafund
të Atyne Burrave, që mbyllen jetën ndër galeritë tueja të Spaçit, Qafë Barit,
Rrubikut, ndër këneta të Maliqit, Bedenit, Levan Fierit... ndër kryporet e
Vlonës apo brigjet e Sarandës, ndër Kodrat e Tepelenës apo barakat e akullta të
Vloçishtit e të Ballshit, ndër aeroportet e Tiranës apo kanalët e Torovicës...e
ku nuk e kishe ti një fole të errtë e të zezë si nata?...
E pra, ti o bubrrecë, jé
krejtë e pafaj...e di...
Por, edhe mue, më asht ba
instinkt me i mendue të gjitha këto... kur, të shoh ty! …Edhe këtu, në
Melbourne....
NA ISHTE NJË...KALA !
Tue kalue nëpërmend këto data
me ngjarjet që i pasojnë do të bindeni se tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia
na nxoren nga Europa...
Me 8 nandor 1941...tradhëtari Enver Hoxha bahet shërbëtor e vasal i partisë komuniste
jugosllave, me kusht me braktisë Europën... dhe, njëherit në 1943 fillon edhe
lufta civile kundër Atdhetarëve.
29 nandor 1944... dita ma e zezë e robnisë komuniste të
Shqipnisë.
4 – 11 shkurt 1945, në Jalta...Nga Ruzvelti Shqipnia lihet nën robninë
e shovenistëve komunistë jugosllavë të Titos. Amerika dhe Anglia përkrahin
Rusinë bolshevike për shkëputjen e Shqipnisë nga Europa. Në Shqipni vendoset
diktatura robnuese komuniste.
Janar 1945 - Malësorët e Veriut kundërshtojnë pushtimin
sllav.
25 Mars 1945 - pushkatohet
Prekë Cali me grupin e Malësorëve që luftojnë për Liri e me ta edhe
Kleriku katolik Don Ndre Zadeja.
24 Prill 1945 - nxirret jashtë nga qeveria shqiptare delegati
Apostolik i Vatikanit Imz. Leone G.B. Nigris. Shqipnia këputë edhe marëdhanjet
diplomatike me Vatikanin përfundimisht.
29 Prill 1945 - pra, mbas 5 ditësh, Jugosllavia njeh Qeverinë e
Tiranës komuniste me kryetar Enver Hoxhën.
Në fillim të Majit 1945
formohet Organizata e Parë Antikomuniste
në Shqipni me emnin “Bashkimi Shqiptar”, nga Mark Çuni.
27 nandor 1945 - sigurimi i shtetit zbulon organizatën
antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Arrestohet edhe Kryetari i saj.
2 dhetor 1945 - bahen zgjedhjet e para antidemokratike.
2 dhetor 1945 - BRSS me Stalinin në krye vendosë marrdhanje
diplomatike me Tiranën bolshevike.
4 Mars 1946 - pushkatohen drejtuesit e organizatës “Bashkimi Shqiptar” e bashkë me
ta edhe tre klerikë katolikë të pafajshëm.
Me 20 shkurt 1946 - pushkatohet At Anton Harapi, Lef Nosi dhe Maliq
Bushati, anëtarë të Rregjencës Shqiptare.
Me 1945 – 46 pushkatohen ish
deputetë e qeveritarë të shtetit shqiptar.
1 korrik 1946, në Beograd, Tito dekoron E. Hoxhen “hero i popujve
të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot.
9 Shtator 1946 - dështon Lëvizja Antikomuniste e Postribës.
15 nandor 1946 - në Prizren pushkatohen shqiptarët e akuzuem nga
UDB për organizatën “Katoliçeskaja Banda” në Kosovë.
15 nandor 1946 - Kuvendi Françeskan kthehet në burg.
Natën në mes 16 e 17 nandor 1946, sigurimi i shtetit
futë armët në Kishën Françeskane në Shkodër dhe në Kishën e Oroshit Mirditë.
19 maji 1947 - arrestohet Argjipeshkvi Metropolit i Tiranës
Imz. Vinçenc Prennushi, i cili vdes në burg me 19 mars 1949.
11 mars 1948 - pushkatohen në Shkoder prelatët e Klerit
Katolik.
11 maji 1949 - fillon gjyqi kundër tradhëtarit Koçi Xoxe.
Në vitin 1949 - pushkatohet Imz. K.Kissi, kryetar i Kishës
Ortodokse.
11 tetor 1950 - Jugosllavia ndërpret marrdhanjet diplomatike me
qeverinë e Tiranës, po UDB vazhdon lidhjet me sigurimin e shtetit.
31 korrik 1951 - Kleri katolik nënshkruen “Statutin e Kishës”.
Në vitin 1952 - në Tiranë organizohet nga shteti “Konferenca e
Paqes” me besimet në Shqipni.
5 mars 1953 - vdes Stalini dhe me 22 dhetor 1953, qeveria e
Tiranës rilidhë marëdhanjet diplomatike me qeverinë e Beogradit.
14 Maji 1955 - Shqipnia bahet anëtare e “Paktit të Varshavës”.
14 dhetor 1955 - Shqipnia anëtarsohet në OKB.
Shtator 1956 - Revolucioni antikomunist Hungarez.
Në vitin 1957 – 58 - dënohet kulti i Stalinit në kampin komunist.
Në vitet 1958 – 59 - pushkatohen klerikët që nuk kanë firmue Statutin
e Kishës Katolike.
Në maji 1959 - Hrushovi viziton Shqipninë.
16 nandor 1960 - bahet konferenca e 81 partive komuniste ku, E.
Hoxha, dënon politikën sovjetike për mos me lëshue kolltukun.
2 shkurt 1961 - lidhen marëdhanjet me Kinën komuniste.
Me 2 prill 1961 - vdes në Paris Ahmet Zogu.
Në vitin 1961 - E.Hoxha nuk lejon Nanë Terezen me hy në Shqipni.
3 dhetor 1961- priten
marëdhanjet diplomatike me BS.
10 janar 1964 - viziton Shqipninë kryeministri kinez Çu En Lai.
Me 6 shkurt 1967 - E. Hoxha shpallë “luftën kundër besimeve” në
Shqipni. Fillon fushata për realizimin e “Revolucionit Ideologjik”
Në vitin 1967 - fillon prishja e 2169 objekteve të kultit fetar.
13 shtator 1968 - Shqipnia largohet nga Traktati i Varshavës.
Në 1968 - tanket sovjetike pushtojnë Pragen...
Maji 1971 - Shqipnia lidhë marëdhanje diplomatike me Greqinë.
20 – 25 nandor 1972 - në Tiranë mbahet kongresi i “njësimit” të
gjuhës, ku përjashtohet nga “gjuha shqipe” Gegënishtja.
Në 1974 - në Shkoder, në Kishën Kathedrale të kthyeme “pallat sporti” zhvillohet
kongresi i grues, ku merr pjesë edhe E. Hoxha.
Dhjetor 1976 - shpallet kushtetuta e RSSH. Shteti i parë ateist
në botë, Shqipnia nxjerr jashta ligji Fenë.
18 dhjetor 1981 - Mehmet Shehu ndjeh i vdekun...
Në gusht 1984 - Kryetari i Bavarisë, F.J. Straus viziton
Shqipninë.
Përsëriten vizitat e Tij edhe
në vitet 1986, 1987.
11 Prill 1985 - ma në fund vdes edhe Enver Hoxha. Me 13 prill në
vendin e tij vjen Ramiz Alia.
2 tetor 1987 - lidhen marrdhanjet diplomatike me RF Gjermane.
Në gusht 1989 - pranohet në Shqipni për vizitë Nanë Tereza.
Me 9 Nandor 1989 bie Muri i
Berlinit.
14 janar 1990 - në Shkodër, bahet demonstrata e heshtun për
heqjen e bustit të Stalinit. Në kufi fillojnë vrasjet e të rijve..
Maji 1990 - Kuvendi Popullor i
RPS të Shqipnisë heqë nenin 35 të kodit penal kundër “propagandës
fetare”. Mbyllet në qytetin e Shkodrës “Muzeu ateist” i inauguruem nga Ramiz
Alia.
Me 13 qershor 1990 - populli shkon në gërmadhat e Shejtores së Shën
Ndout në Laç të Kurbinit.
Korrik 1990 - bahet protesta në Shkodër për vrasjen e djaloshit
P. Pllumaj në kufi. Rreth Shqipnisë vriten të rijë e nuk vorrosen!
2 – 3 korrik 1990 - shqiptarët dynden ndër ambasada të hueja.
Shqiptarët i trokasin dyerëve të Europës
Perëndimore...
Me 4 dhe 11
Nandor 1990 - ora 11.00 në Vorrezat e
Rrëmajit në Shkodër, Don Simon Jubani, në prani të 50.000 shkodranëve pa leje
të tradhëtarit Ramiz Alia, shpallë: “Vëllazen e Motra, Le të kujtojmë për një
minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të
gjithë Ata vëllazen e motra, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme...”
Deri këte ditë ishim “Në mes të Europës”... por, jashta Saj!..
Ky ishte Populli Shqiptar i
njohun në Europë e në gjithë Botën me Dy nga Simbolët e Paqës dhe të Lirisë së
të Drejtave njerëzore : Të Madhin Gjergj
Kastriotin - Skenderbeun e Nanë Terezën e Shqipnisë...
Shenim nga F.Radovani: Vazhdon Pjesa VII
dhe e fundit.
Melbourne, 14 Mars 2026.