| E shtune, 14.03.2026, 07:00 PM |
Beteja gjuhësore historike e Sotir Koleas
kundër gjuhëtarit
Antoine Meillet
Ekskluzive nga Fotaq Andrea
E theksojmë që në fillim se me këtë
shkrim, nuk kemi assesi për qëllim të ulim sadopak vlerat e njohura të gjuhëtarit
kryesor francez Antoine Meillet (Antuan Meje) gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të
shekullit XX, dijetar që rroku me veprën e tij fusha të tëra të gjuhësisë së
përgjithshme, e sidomos të gjuhësisë së krahasuar. Jo, nuk na takon neve të masim
e të peshojmë rëndësinë e veprës së tij, rolin që ai luajti historikisht sidomos
në njohjen e gjuhëve indoeuropiane, ku përfshihet domosdo edhe gjuha e lashtë
shqipe.
Veçse, nuk ka si të mos rreshtohemi
përkrah rilindasit tonë të shquar Sotir Kolea në betejën e tij gjuhësor kundër
pikëpamjeve, sidomos politike, të Antuan Mejesë në kulmin e Luftës I-rë
Botërore më 1915, kur në Ballkan e Europë luhej me fatet e Shqipërisë, të lirisë
dhe pavarësisë së saj.
Nga ana tjetër, duke mbështetur Sotir
Kolean tonë në “duelin” e tij gjuhësor kundër gjuhëtarit francez, e shohim me
vend të vëmë në dukje rrezikun e madh që i vjen shkencës kur një dijetar, i angazhuar
politikisht me frymën e kohës, del me konkluzione politike të gabuara, në
mbështetje të shovinizmave, gjë që Shqipërisë i ka ndodhur mëse një herë në Histori,
konkretisht kur kombi i lashtë shqiptar e ka parë veten viktimë të interesave
dhe politikave të Fuqive të mëdha, në mbështetje të politikave antishqiptare
serbo-greke.
Asgjë të përbashkët nuk ka dhe nuk mund
të ketë midis shkencës dhe politikës, si të papajtueshme me njëra-tjetrën që
janë. Për fat të keq, një gjë të tillë e shohim si dje, me lingustin francez Antoine
Meillet, ashtu dhe sot, me linguistin amerikan Noam Chomsky, tezat e të cilit
kundër UÇK-së dhe ndërhyrjes së armatosur të OKB-së në Kosovë “përbëjnë thjesht
një mashtrim për të relativizuar krimet e spastrimit etnik serb”, apo gjenocidin
e ushtruar ndaj popullsisë kosovare, siç është shprehur me të drejtë eseisti
dhe shkrimtari zvicerian Yves Laplace.
Le të përmbledhim shkurtazi tezat e
francezit Antuan Meje në shkrimin e tij të vitit 1915 për kombin shqiptar dhe gjuhën
shqipe, shkrim që përbën vetë objektin e reagimit të ashpër të Sotir Koleas
ndaj tij nëpërmjet një analize gjuhësore erudite. A. Meje, as më shumë e as më
pak, shprehet arbitrarisht:
1) Shqipëria e vitit 1915 është shtet
artificial, i krijuar nga administrata austriake;
2) Shqipëria është e paaftë për të
krijuar unitet kombëtar, e përçarë nga feja;
3) Shqiptarët asnjëherë nuk u organizuan
në njësi kombëtare;
4) Vendosja e Princ Vidit në Shqipëri
ishte zhgënjim, dështim;
5) Kombi shqiptar ekziston, por është
amorf, pa shpirt, pa ndjenjë kombëtare;
6) Kombësia shqiptare ka qenë e vogël
në tërë kohërat, nuk ka ushtruar ndikim të jashtëm;
7) Shqipja, si gjuhë më vete, është një
dialekt i gjuhëve lindore, derivat apo mbetje nga tërësi e gjuhëve
indo-europiane, nga ku kanë dalë gjuhët e mëdha, galikja, gotikja,
gjermanishtja, anglishtja, irlandishtja, sllavishtja, armenishtja, etj.;
shqipja mbetet gjuhë e vogël;
8) Shqipja nuk ka monumente të saj
(nënkupton të shkruara) para shekullit XVII, nuk ka tekste shqipe para epokës
së krishterë;
9) Asgjë nuk të bën të mendosh që
shqipja të ketë qenë gjuhë e një kombi të madh, të ketë qenë gjuhë perandorake;
10) Shqipja nuk ka ushtruar asnjëherë
veprim mbi një gjuhë tjetër, por ka huazuar nga gjuhë të tjera; shqipja është e
mbushur me fjalë latine, etj. etj.
Konkluzioni i A. Meje, si një pretencë
antishqiptare është: gjuha shqipe nuk e përligj krijimin e një shteti autonom
shqiptar.
Për fat të mirë, vetë Historia e po atyre viteve hodhi poshtë tezat e tij të gabuara, “kompetencat politike” që ai i veshi vetes me konkluzionin rokambolesk që i shoqëronte, kundër ekzistencës së gjuhës shqipe dhe kombit shqiptar. Në fund të fundit, vendimet e Konferencës së Paqes në vitet 1919-1920, as që morën parasysh “argumentet” e Antuan Mejesë me shokë që Shqipëria të vihej nën suazën e Italisë, të bashkohej me të, gjë që do të thoshte thjesht aneksim i Shqipërisë nga Italia. Nuk mund të zhdukej me një të rënë të lapsit - se kështu ia donte mideja Mejesë -, historia e lashtë e shqiptarëve dhe e shqipes, vitaliteti i tyre i fuqishëm, përpjekjet titanike të kombit shqiptar për liri e pavarësi, që nga koha e Ilirisë së lashtë deri më 1912 me shpalljen e pavarësisë. Nuk mund të harroheshin periudha të tëra mbijetese shqiptare të ethshme, por të guximshme, nga kohët romake e bizantine deri në epokat e sllavëve të Jugut e të osmanëve, kur do shkëlqente epopeja kastriotine në mbrojtje të Europës. Nuk mund të fshihej si me gomë periudha e artë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, fryt i së cilës ishte vetë pavarësia dhe krijimi i shtetit shqiptar të lirë e të mëvetësuar.
Përballë pretencës së Mejesë kundër
shqipes, shohim të lartohet pleduaria e Sotir Koleas, me argumente të themelta
historiko-shkencore dhe gjuhësore që ai parashtron me guxim, tek konkludon pa
asnjë mëdyshje: “Antuan Meje nuk e njeh shqipen!” Dhe me të drejtë, përderisa gjuhëtari
francez i ilustron tezat e tij vetëm me 12 fjalë të gjuhës shqipe për të ndëshkuar
një komb të tërë. Nëse albanologu i njohur gjerman Gustav Mayer “nuk arriti, sipas
shprehjes së Eqerem Çabejit, ta kapë shqipen nga rrënjët, por nga degët”,
francezi Meje nuk arriti dot, siç do e shohim më poshtë, ta kapë shqipen as nga
maja e gjetheve.
110 vjet më vonë, pas Sotir Koleas,
edhe historiani i sotëm zvicerian i gjuhësisë Dr. Sebastien Moret arrin po në
këtë përfundim: “... që shqipja ishte e vetmja gjuhë indoeuropiane që ai
(Meillet) nuk e njihte, ... që ai kishte një ndjenjë hedhjeje poshtë të
shqipes, njëlloj si me atë të hungarishtes, të cilën, po ashtu Meillet nuk e
njihte”.
Prof. Kolec Topalli i ka kushtuar
veprës së gjuhëtarit francez studimin e tij “Gjuha shqipe në veprat e A.
Mejesë”, botuar në vëllimin “Dijetarët francezë për gjuhën, letërsinë dhe
kulturën shqiptare”, botim i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër 2005. Pasi
nxjerr në pah vlerat e veprës së tij në gjuhësi të përgjithshme, prof. K.
Topalli, ndalet edhe në tre punime të veçanta gjuhësore të A. Mejesë në vitet 1919-1934,
në të cilat trajtohet problemi i gjuhësisë ballkanike dhe i zhdukjes së
paskajores në to. Këtë radhë, mes krahasimeve të gjuhëve indoeuropiane, A. Meje
e shton inverntarin e tij të fjalëve të lashta shqipe, nga 12 fjalë fillimisht,
në 30 fjalë të tjera, duke i krahasuar ato etimologjikisht me latinishten,
greqishten, gotishten, trakishten e irlandishten. Po përsëri, siç vë në dukje
prof. K. Topalli me frymë kritike, A. Meje vazhdon të këmbëngulë në idetë e tij
steriotipe se “gjuha shqipe është shkruar pas shekullit XVII”, se “shqipja nuk
u ka dhënë asgjë gjuhëve që e rrethojnë” dhe se “ajo është e mbushur me
huazime”. Këto teza ishin hedhur poshtë me kohë gjatë shekujve XIX-XX nga mjaft
albanologë e gjuhëtarë të huaj, veprat e të cilëve A. Meje ose nuk i njihte,
ose i mohonte qëllimisht. Por merita e parë dhe e pakrahasueshme gjer më sot
kundër tezave të A. Meje për shqipen dhe shqiptarët i takon plotësisht dhe pa
ndërdyzje rilindasit Sotir Kolea, studimin e të cilit po e japim të plotë për
herë të parë.
Gjithë tezat antishqiptare të Mejesë
përbëjnë shigjeta vrasëtare për kombin shqiptar, por nga ana tjetër, janë teza
të prirura për të dështuar. Nëse shteti shqiptar u krijua më 1912 dhe do vinte
duke u forcuar përmes tallazesh historike, kjo përbën një të vërtetë të madhe
realizuar falë qëndresës heroike shqiptare përgjatë shekujsh si një faktor i
brendshëm themeltar, si dhe “falë vullnetit të të gjitha Fuqive, e sidomos të
Fuqive të mëdha liberale, përfshirë edhe Rusinë kundërshtare”, siç argumenton
politikisht Sotir Kolea në studimin e tij lidhur me faktorin e jashtëm. Dhe kjo
nuk u arrit aspak a thjesht falë vullnetit të Austrisë apo Italisë, të cilat i
kanë ndenjur më afër Shqipërisë në radhë të parë për interesat e tyre
gjeo-politike.
Në tërë betejën e S. Koleas ndaj A. Mejesë,
kryesorja, themelorja dhe thelbësorja mbetet argumentimi i fuqishëm gjuhësor që
rilindasi shqiptar parashtron me erudicion, tek nxjerr në pah vitalitetin e
gjuhës së lashtë shqipe si gjuhë më vete, e pakrahasuar me asnjë tjetër, duke
qenë se shqipja “është pasardhëse e të folmeve iliro-trake-maqedone, që kanë
qenë të shkruara që prej Lashtësisë më të hershme”. Ky vitalitet, - lartuar nga
Kolea, që gjuha shqipe, me rrënjë të thella mes gjuhëve ballkanike vjen si degë
më vete e gjuhëve indoeuropiane -, është shembull origjinal në Histori për një
komb me zanafillë të hershme. Një e vërtetë kjo historiko-shkencore e vendit të
veçantë që zë gjuha shqipe në pemën e gjuhëve idoeuropiane, kur është vërtetuar
tashmë nga albanologë vendas e të huaj se substrati para-proto-shqiptar është me
prejardhje ballkanike, mbështetur drejtpërdrejt në substratin gjuhësor para-indoeuropian,
dhe kur prejardhja e proto-shqipes është e lidhur drejtpërdrejt me ilirishten.
Nga ana tjetër, duke iu kundërvënë A.
Mejesë, që shprehet se e shkuara e shqipes është e panjohur, Kolea e sheh
shqipen si të mbijetuarën energjike të pellazgjishtes, që njihet historikisht
nën dëshmitë e Herodotit, Demostenit, Tukiditit, Strabonit, Diodorit, Polibit,
Plinit, Ptolemeut e me radhë. Po ashtu, ai e vendos shqipen në krye të grupit
greko-latin, shumë më afër sanskritishtes se asnjë gjuhë tjetër, duke e parë si
gjuhë me pasuri leksikore, zgjedhime e lakime gramatikore të zhdërvjellta, me
rregulla morfologjike e ndërtime të veçanta sintaksore e stilistikore. Dhe jo
vetëm kaq, por e trajton atë si gjuhë me kulturë të lashtë, ku elementë të
shumtë parakrishtërues ekzistojnë mirë e bukur dhe dëshmojnë për zanafillën
paleo-ballkanike pagane të vetë mitologjisë dhe folklorit shqiptar.
Me studimin e tij etno-gjuhësor, rilindësi shqiptar hedh poshtë pretendimet e Mejesë kur shprehet se “e shkuara e shqipes është e panjohur”. Në fakt, “e panjohur” nuk do të thotë asgjë, sepse nuk mund të zhdukësh nga Historia një gjuhë dhe një komb ngaqë s’njeh apo nuk dashke të njohësh të shkuarën e tyre. Nuk ishte faji i gjuhës shqipe të hidhej poshtë ngaqë mbart në vetvete lashtësi përherë vitale, dhe që mbijetoi mrekullisht deri në kohët e sotme si një fosil i gjallë përpunuar hijshëm në rrjedhë të kohës, me pasuri të veçantë fonemash e fuqishmëri tejet shprehëse. Nuk ishte faji a fati i mbijetesës së shqiptarëve të ndëshkoheshin aq rëndë nga A. Meje, veshur kësisoj gjuhëtari me petkun e politikanit. Dhe nëse medët e persët si dy popuj iranianë ishin “vëllezër të një race me helenët”, siç thotë Antuan Meje më 1930 (në Revue des Sciences Religieuses, t. 12, fashikull 4, 1932), po aq ishin vëllezër të një race me ta edhe iliro-shqiptarët me gjuhën e tyre të lashtë shqipe, që mbart e pasqyron trashëgimi të përbashkët me familjen e gjuhëve indo-europiane.
Edhe pse janë parashtruar teza e hipoteza
të ndryshme rreth origjinës së kombit shqiptar, Sotir Kolea këmbëngul, si gati
tërë rilindësit shqiptarë, në teorinë e pararendësve pellazgë si banorët më të
hershëm të Ballkanit, ku përfshiheshin trakët, frigasit, iliro-maqedonët,
qipriotët, etruskët. Nga ana tjetër, vetë shkronjat e quajtura fenikase, Kolea
i sheh me prejardhje pellazgo-ilire. Dhe jo vetëm kaq, por Kolea sfidon deri
edhe shkencën e epigrafistëve, kur bën thirrje me guxim që të vendoset shqipja
në themel të mbishkrimeve të padeshifruara për të zbuluar sekretet e tyre
shekullore.
Është e vërtetë, që edhe sot e kësaj
dite e kërkojnë origjinën e hershme të gjuhës shqipe në teorinë pellazgjike por
me argumente parashkencore, ashtu siç kanë dashur ta shohin zanafillën e saj në
malin e gjuhëve në Kaukaz, në një gjuhë romake a italiane të paidentifikuar apo
thjesht si derivat i një gjuhe dako-trake. Teza të tilla janë hedhur tashmë poshtë,
kur origjina paleo-ballkanike e shqipes është e lidhur historikisht drejtpërdrejt
me ilirishten dhe para-ilirishten në trevën ballkanike. Megjithatë, nuk ka pse flitet
me rezerva a dorashka për lashtësinë pellazgo-ilire të shqipes, ngaqë ende duan
të thonë se “të merresh me pellazgjinë do të thotë të merresh me gjuhët e
vdekura që kanë pasur lidhje me të”, “të merresh me parahistorinë”, “me të
pashkruarën”, “me të pavërtetuarën”, “me të panjohurën”, me mundin kot! Dhe “harrohet”
kësisoj se “E para ishte fjala”, evolucioni i saj fonetik determinues, që prej
onomatopeizmave, se një pemë, si indo-europianishtja, po aq sa është e tillë sot
mbi tokë, është edhe pemë nën tokë, me rrënjët e thella si degë të fuqishme
nëntokësore që kanë prodhuar lëngun jetësor të pemës në ajër.
Me studimin e tij polemizues “Gjuha
shqipe”, Sotir Kolea, i njohur me pseudonimin SOKOL, themelues i Bibliotekës së
parë kombëtare shqiptare, hartues i mjaft fjalorëve dygjuhësh e shumëgjuhësh,
kryeredaktor i revistës patriotike “L”Albanie”, botuar në Lozanë në vitet
1915-1920, ky sokol i gjuhës shqipe dhe ky mjeshtër i penës, me epistolar të pasur
arkivistik, zë një vend të nderuar mes dijetarëve albanologë klasikë dhe rilindësve
shqiptarë, të cilët frymëzuan e ushqyen me idetë e tyre dritëdhënëse Lëvizjen partiotike
kombëtare deri në arritjen e saj më të shkëlqyer: pavarësinë e Shqipërisë dhe
themelimin e konsolidimin e shtetit shqiptar.
Fjala e tij historike, në mbrojtje të
gjuhës shqipe, mbetet përherë frymëzuese, shembull dinjiteti të lartë kombëtar,
sikurse tërë vepra madhore e madhështore e plejadës së Rilindësve shqiptarë.
Fotaq Andrea,
Strasburg, 9 mars
2026.
GJUHA
SHQIPE
Nga Sotir Kolea
La «Nouvelle Albanie» (Shqipërija e Re), n° 316 e 317 e prillit
të shkuar, botoi nën firmën e Z. I.N.Duployen dhe nën titullin e mësipërm një
pjesë të artikullit që me po atë titull kishte shkruar A. Meillet për Revue Hebdomadaire të Parisit, n° 32 e 7
gushtit 1915.
T’i rikthehesh subjektit në largësi prej trembëdhjetë vjetësh, mund t’i duket shumëkujt fare e kotëi; mirëpo, duke qenë se ribotimi nga ana e Z. Duployen, i jep artikullit në fjalë tone nderimi me aktualitet, na lejohet në këtë rast t’i parashtrojmë lexuesve të “Shqipërisë së Re” shkrimin e plotë të Z. A. Meillet, ashtu siç është botuar në revistën parisiane.
[Antoine Meillet
shkruan si më poshtë]
“Shpesh është thënë
se një shtet si Austria ishte i dobishëm për të organizuar kombet e ndryshme,
të detyruara të bashkëjetonin dhe të paafta për t’u vetëgrupuar. Ngjarja
përkundrazi, sapo tregoi se në një Europë të sunduar nga parimi i kombësive,
një shtet që – thjesht nisur nga një parim i zakontë në Mesjetë, por i huaj në
botën moderne –, është agregati i vendeve që i përkasin një familjeje
mbretërore, një shtet i tillë ka arsye për shkrirje; dhe pikërisht nga Austria
erdhi lufta e madhe e sotme, e dëshiruar pa dyshim nga shumë njerëz në
Gjermani, por që u provokua nga Austria.
“E mësuar të jetojë
me luftëra midis kombësive që orvateshin të krijoheshin apo të rikrijoheshin,
administrata austriake ngjalli në Shqipëri një shtet artificial me shpresë për
ta sunduar. Kurrë shqiptarët nuk ia kanë dalë mbanë të krijojnë për vetvete dhe
nga vetvetja një unitet kombëtar. Edhe pse janë në numër mjaft të kufizuar,
ndoca dy milionë individë, janë megjithatë të përçarë në “tri besime fetare”:
një pjesë myslimanë, të tjerë ortodoksë dhe të tjerë katolikë. Austriakët, falë
organizimit të fortë të misioneve katolike, të cilat ata i drejtonin, duke e
bërë grupin katolik të vetmen qendër të mundshme bashkimi, mendonin kësisoj të
drejtonin Shqipërinë. Por nuk është rastësi që shqiptarët asnjëherë nuk u
organizuan në njësi kombëtare; dhe minoriteti katolik hasi kësisoj në
armiqësinë e krejt pjesës tjetër të popullsisë; mjaftoi fakti që princi i
caktuar nga Austria të ishte përfaqësues i kësaj pakice, që krejt vendi të
ngrinte krye kundër tij. Ky zhgënjim, tek i bashkëngjitet dështimeve të tjera
të politikës së saj ballkanike, u shkaktua për shumëkënd nga angazhimi i
Austrisë për të fituar me anë lufte atë që nuk mund të arrinin intrigat e
administratës dhe të misioneve të saj.
“E megjithatë, ka
vërtet një komb shqiptar, por amorf. Gjuha shqipe, që është krejtësisht e
mëvetësuar, jep një ide të karakterit të kombit dhe ia vlen ta marrim në
shqyrtim.
Antoine Meillet (1866-1936).
* * *
“Gjuha shqipe nuk
njihet veçse që prej një kohe mjaft të shkurtër. Nuk kemi monumente të saj para
shekullit XVII. Dhe kjo është tashmë domethënëse. Nuk ka pse të na çudisë që
nuk ka tekste shqipe para epokës së krishterë; shumë pak gjuhë janë shkruar në
Europë në një periudhë më të lashtë. Por, nga dita kur u përhap krishterimi,
përgjithësisht u ndie nevoja të fiksoheshin me anë të shkrimit gjuhët që kishin
njëfarë rëndësie kombëtare. Përhapja e krishterimit, që përdori gotiken
gotishten, gjermanishten, anglishten, irlandishten, sllavishten, armenishten, e
la pas dore shqipen.
“Edhe pse u shkëput
nga epoka e bashkësisë indoeuropiane prej një periudhe të gjatë shndërrimesh të
thella, shqipja u njoh shumë shpejt si gjuhë indoeuropiane. Paraqet ende mjaft
veçanti gramatikore që janë mbetje të tipit indoeuropian, dhe format
indoeuropiane lejojnë të shpjegohet tërësia e gramatikës së saj. Një numër i
konsiderueshëm termash të fjalorit që përmban, janë me burim indoeuropian dhe
shqyrtimi i këtyre fjalëve lejon të përcaktohet kalimi nga sistemi fonetik
indoeuropian në sistemin shqip: teoria e përputhshmërive fonetike midis indoeuropianishtes
dhe shqipes shfaqet në linjat më të përgjithshme.
“Që tani dihet se
ndër gjuhët indoeuropiane shqipja i përket grupit të dialekteve lindore, me
sllavishten, armenishten, iranishten dhe sanskritishten. Por kjo ka vlerë
thjesht për një periudhë të lashtë, përpara shpërndarjes së dialekteve
indoeuropiane.
“Pas kësaj
shpërndarjeje, asgjë s’të bën të mendosh, në asnjë çast, që shqipja të ketë
qenë gjuha e një kombi të madh. Nuk ka gjurmë të saj askund në lashtësi. Dhe
grupi nuk përfaqësohet tashmë veçse nga një numër i kufizuar të folmesh që
dallojnë ndjeshëm nga njëra-tjetra, megjithëse përngjashmëritë midis këtyre të
folmeve lokale janë ende shumë të mëdha, dhe kur tërë individët që flasin shqip
arrijnë me pak përpjekje të merren vesh mes tyre. Krahasimi me keltishten është
i dobishëm; ashtu sikurse shqipja, edhe keltishtja nuk përfaqësohet sot veçse
nga grupe mjaft të vogla popullsish. Por, pa përmendur çka na mëson historia
për perandorinë gale, dhe duke bërë abstragim për krejt letërsinë e lashtë
irlandeze e gale, larmia e sotme e të folmeve kelte, ato të tipit gaelik nga
njëra anë, në Irlandë e në Skoci, ato të tipit britonik, nga ana tjetër, në
vendin e Galëve dhe në Amerikën franceze, tregon se të folmet kelte të
përdorura sot janë mbetje gjuhësh më të mëdha, përdorimi i të cilave shtrihej
më larg. Asgjë e tillë për shqipen: ajo thjesht përbën një grup të vogël, me
pak larmi, me një të shkuar të panjohur dhe që kurrë nuk ka qenë perandorake.
“Deri vitet e fundit,
ajo nuk ishte shndërruar në gjuhë letrare të shkruar, të përbashkët për tërë
shqiptarët. Duke qenë në pjesën më të madhe nën ndikimet e huaja, dhe
konkretisht nën ndikimin e misioneve, u arrit të organizohej një gjuhë e tillë,
por rëndësia e saj mbeti e papërfillshme. Ortografia e kësaj gjuhe letrare
filloi të fiksohej para tridhjetë vjetësh dhe një kongres i mbajtur në Manastir
më 1908 vendosi ndoca rregulla. Por shihet qartë se sa e tërë kjo është e
kohëve të fundit dhe artificiale.
* * *
“Tipari sundues i
historisë së shqipes është se nuk shihet të ketë
ushtruar ndonjëherë një veprim të dukshëm mbi një gjuhë tjetër, ndërkohë që
vetë si gjuhë ka huazuar prej të tjerave me duar të shtrira gjithandej.
Shqipja sillet nga kjo pikëpamje si gjuha baske, që është tërësisht e depërtuar
nga fjalë të huaja dhe që ka ruajtur megjithatë mes të folmeve romane që e
rrethojnë një karakter krejtësisht të vetin, por pa dhënë ajo vetë elemente
fjalori për këto të folme.
“Ndonëse
qëndrueshmëria e elementeve vendase, e në mënyrë të veçantë e një gramatike që
e dallon nga gjuhët e tjera, vërteton vijimësinë e një jete kombëtare, janë
pikërisht huazimet e fjalëve që përcaktojnë ndikimet qytetëruese.
“Fakti që shqipja
është, ndër idiomat indoeuropiane, një gjuhë tërësisht më vete, dhe që nuk
lidhet me asnjë tjetër, dhe po aq e pavarur nga sllavishtja e nga armenishtja
sa ç’mund të jenë sanskritishtja e iranishtja, ky fakt provon se, kombësia
shqiptare, megjithëqë ka qenë e vogël në tërë kohërat, përherë ka pasur
karakterin e vet të veçantë dhe të pavarur. Ka aty një komb të vogël që nuk ka
lejuar të përthithet nga asnjë tjetër, të paktën atje ku karakteri malor i
vendit lejonte t’i bëhej qëndresë absorbimit nga një kombësi tjetër më e
zhvilluar.
“Por shqipja, nga sa
duket, nuk u ka dhënë asgjë gjuhëve të tjera në asnjë epokë. Gjuhët fqinje të
shqipes nuk i detyrohen asaj pothuaj asnjë huazim, dhe kjo tregon se kombësia
shqiptare nuk ka ushtruar ndikim jashtë. Si në të shkuarën, ashtu edhe sot, ajo
është përbërë nga individë shpesh energjikë dhe të vështirë për t’u asimiluar,
por që nuk u nënshtrohen disiplinave që kërkon qytetërimi dhe që nuk kanë
shërbyer si model për askënd.
“Në të kundërt,
shqiptarët, më pak të qytetëruar se shumica e fqinjëve të tyre, u kanë marrë
këtyre shumë fjalë.
“Nga greqishtja e
lashtë asgjë nuk duket se u ka shkuar; është një fakt i shquar që greqishtja e
vjetër nuk ka vepruar mbi gjuhët e ndodhura në veri të fushës së saj. Ndoshta
greqishtja kishte vepruar mbi maqedonishten, që u zhduk herët dhe nga e cila
nuk dihet pothuaj asgjë. Por nuk i ka dhënë asgjë shqipes, e po ashtu edhe
sllavishtes apo germanikes para periudhës së krishterë. Gjuhë e rajoneve
bregdetare, greqishtja e vjetër nuk ka rrezatuar në Europën kontinentale.
“Në të kundërt,
pushtimi romak vendosi latinishten në provincat romake të Dalmacisë, Panonisë,
Moesisë e të Dakisë. Rumanishtja, që zë ende një vend të rëndësishëm në
Gadishullin Ballkanik dhe në perëndim të Karpateve, dëshmon për një zgjerim të
tillë të domenit latin. Ishujt dalmatë, që janë sot të gjuhës serbo-kroate, pra
sllave, dikur kanë pasur të folme latine, të gjitha tani të zhdukura; por të
fundit syresh reshtën së përdoruri vetëm në kohë të vonë. Ende në vitet e
fundit të shekullit XIX Z. Bartoli ka mundur të vjelë në ishullin Veglia, nga
goja e një plaku, mbetje të rëndësishme nga e folmja e vjetër romake e
ishullit. Në rajonin ku flitej në epokën e Perandorisë Romake ajo gjuhë që u bë
shqipja – e nga e cila kuptohen sigurisht kufizimet, po edhe vendosja e saj,
por assesi kufijtë aktualë të Shqipërisë – latinishtja nuk e zëvendësoi gjuhën
vendase, siç bëri në rajonin ku u fol dialekti latin që përfundoi në rumanisht.
Veçse ndikimi romak u ndje shumë fuqishëm dhe fjalori shqip u mbush me fjalë
latine. Kur diplomacisë i lindi ideja mjerane për t’i dhënë Shqipërisë një
unitet politik, dhe me këtë unitet politik, një mbret, ky, veç kur mori emrin
mbret. Mirëpo, mbret është thjesht forma që mori në shqip fjala latine
imperator. Terma aq të zakonta si fjalë (paroles), flas (je parle), janë me
zanafillë latine; është fjala për termin latin abella (italisht favella),
fabulare, (spanjisht hablar). Le “chien” quhet qen (latinisht canis). Shqipja
është aq e mbushur me fjalë latine, sa romanistët janë të detyruar në punimet e
tyre mbi latinishten vulgare t’i konsiderojnë gati si gjuhë romane. Huazimet
nga latinishtja në epokën perandorake janë më të vjetrat që njihen në shqipe.
Tregojnë nga ç’anë kanë ardhur ndikimet e para të mëdha qytetëruese që vërehen
mbi kombin shqiptar.
“Por, megjithëse
krejt ditët e saj janë mbi Adriatik dhe rrjedhimisht, ajo ka orientim drejt
Italisë, Shqipëria, duke qenë pjesë e Gadishullit Ballkanik, ka pësuar ndikime
ballkanike dhe fjalori shqip përmban një numër të madh fjalësh të greqishtes
moderne dhe po ashtu fjalësh sllave. Jo vetëm fjalë si fron “siège” (greqisht
thronos), por edhe shprehje si lypset “il faut” (greqisht eleipsa “j’ai
laissé”) papsem “je me repose” (greqisht epafsa) janë greqisht. Huazimet nga
sllavishtja zënë një vend më të vogël, ngaqë prestigji i qytetërimit sllav
ishte më i paktë. Nuk mungojnë megjithatë fjalë të tilla si zakon “habitude”,
fjalë sllave që për më tepër e ka përshtatur edhe greqishtja moderne.
“Sundimi turk i solli
shqipes shumë fjalë “islamike”: arabe, perse apo thjesht turke. Kështu, sikurse
pothuaj kudo ku u shtri ndikimi i Islamit, “l’heure” [ora] thuhet sahat, “le temps”
[koha], thuhet zaman, fjalë perse që ka marrë po ashtu përhapje të gjerë, etj.
“Por ndikimi i madh
qytetërues ka mbetur ai që vjen nga Italia dhe, pasi mori shumë lashtësisht
fjalë latine të epokës perandorake, shqipja mori edhe një mori fjalësh nga italishtja;
kështu “le gain”, “le profit” (italisht profitto) thuhet në shqip fit. Mbiemri
fortë “fort” dhe folja e prejardhur forcoj “force” nuk janë tjetër veçse
italishtja forte, forzare; shqipja pagoj “je paye” është italishtja pagare;
shembujt janë kësisoj të panumërt.
“Kudo nga kanë
ardhur, huazimet që ka bërë shqipja nga gjithfarë gjuhësh janë asimiluar dhe
kanë marrë pamjen e fjalëve vendase. Kjo nuk do të thotë se shqipja na paskësh
apo paskërka ende një forcë përvetësuese të veçantë, por thjesht ngaqë këto
huazime janë bërë në gjuhën e folur nga njerëz që as e shkonin nëpër mend ta
shkruanin gjuhën e tyre.
“Nga ana tjetër, nuk
bëhet fjalë përgjithësisht për terma teknike apo për ato grupe shprehjesh që
huazohen sistematikisht nga jashtë, duke kërkuar t’u mbahet tipari i tyre i
huaj. Duke folur gjuhën e tyre, ngaqë këmbëngulin të ruajnë karakterin e tyre
të veçantë, shqiptarët nuk kanë kërkuar të riprodhojnë forma të huaja. Nëse
kanë përshtatur terma të huaj, kjo ngaqë ndienin nevojën për to, dhe ngaqë
idioma e tyre nuk u jepte barasvlerësin përkatës. Mirëpo e huaja nuk ka pasur
mbi ta aq forcë tërheqëse sa të përshtasnin huazime të tilla nga gjuhë të
tjera, dhe fjalët e shumta që morën nga jashtë ia nënshtruan idiomës së tyre.
“Gjuha shqipe jep
kështu një ide të saktë të atij kombi të vogël që nuk ka bërë asgjë për t’i
dhënë vetes një unitet e për të vepruar mbi fqinjët si komb, që ka pasur e ka
të qenët e tij më vete, pa ndikim të jashtëm, por që, për aq sa pëson ndikime,
e përshtat çka huazon dhe ruan në gjithçka një karakter të veçantë; ky karakter
nuk përmban as shumë inovim, as shumë origjinalitet; por që s’plekset me asgjë.
Shqipja nuk i shton kurrgjësend asaj që shfaqet gjetiu; thjesht është tjetër
gjë.
“Forca e qëndresës që
i kundërvënë shqiptarët asimilimit shihet në Itali, ku kolonitë shqiptare
vazhdojnë të jetojnë prej kohësh, pa u shkrirë me popullatat përreth. Hasim
koloni të tilla në Abruzzo, Kalabri e Sicili, me zanafillë që nga shekulli XV.
Gjetiu shqiptarët kanë rezistuar shumë më pak, dhe dihet se në mbretërinë e
Greqisë, dhe konkretisht në Atikë, shumë njerëz që sot flasin greqisht, janë
shqiptarë të helenizuar.
“Mbijetesa e një
gjuhe të vogël si shqipja është e të njëjtit karakter si ngulmi i gjuhës baske,
ajo nuk e përligj krijimin e një shteti autonom. Partikularizmi i një gjuhe që
nuk ka asnjë rrezatim për së jashtmi, që nuk ka qenë organ i asnjë letërsie, i
asnjë mendimi të ri, dhe që ka mbetur e kufizuar thjesht brenda një kombi të
vogël, zhveshur nga qytetërimi i vet nuk jep shkak për krijim artificial të një
shteti.”
MEILLET.
* * *
[Dhe Sotir Kolea që i përgjigjet si
më poshtë.]
Autori i artikullit që sapo lëçitëm nuk
tregohet zemërbutë ndaj kombësive të vogla; këto, për mendimin e tij,
shumë-shumë lypset të fshihen përgjithnjë nga faqja e dheut.
Ky shenjtërim i ri i parimit të forcës
- që vihet përpara së drejtës, ardhur nga një qytetar francez, e për më tepër
që është profesor në Kolegjin e Francës -, ka çuditur në mënyrë të dhembshme
tërë ata që e kanë dashur dhe e duan përherë Francën e Lirisë, Barazisë e të
Vëllazërisë, Francën e të Drejtave të Njeriut.
As që e vëmë në dyshim se tashmë, në
kohën kur u botua artikulli në fjalë, shumë francezëve u është dashur të ngrenë
fuqimisht zërin e të reagojnë.
Fakti që nën nxitjen e Francës,
Areopagu i Versajës u interesua aktivisht për fatin e të gjitha kombësive, edhe
për ato më të voglat, është një provë e shkëlqyer që teoria e predikuar nga Z.
Meillet nuk pati jehonë në mendjet dhe ndjenjat e shumicës dërrmuese të
francezëve.
Sidoqoftë, nuk është më çasti të rrimë
e të trajtojmë subjektin në vetvete.
Le të përpiqemi të shohim qartë në
tymnajën e thënieve pa baza që Z. Meillet ka lëshuar katrahurazi në artikullin
e tij dhe le të përpiqemi të nxjerrim në pah pasaktësitë e shumta, si dhe të
hedhim poshtë, për aq sa na lejojnë mundësitë tona të pakta, tezën për të cilën
ai mbahet kampion lidhur me gjuhën dhe kombësinë shqiptare, sepse duke u
ngritur pikërisht kundër saj, Z. Meillet lëshon shigjetën e parë në luftën
kundër kombeve të vogla.
Duke qenë se argumentet mbi të cilat
mbështetet autori për të vajtuar shumë herë “idenë e dëmshme që patën Fuqitë e
Mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një unitet politik” janë të karakterit gjuhësor,
me digresione në fushën e historisë dhe të moralit politik, jemi të detyruar ta
ndjekim atë në tërë këto fusha, duke i bërë njëkohësisht thirrje zemërgjerësisë
së lexuesve të paanshëm, po qe se parashtrimi i fakteve do të na detyrojë të
zgjerohemi më shumë nga sa e kishim dëshiruar.
* * *
Le të shfaqim fillimisht, ndër
kontradiktat e shumta në të cilat bie autori, çka u intereson më nga afër
kombësive të vogla.
Ndërsa që në fillim Z. Meillet pranon
se “Europa moderne sundohet nga parimi i kombësive”, ai, prapëseprapë, as që
merakoset të mbështesë në artikull ide diametralisht të kundërta me këtë
premisë.
Pasi pranon se “ka realisht një komb
shqiptar”, dhe se ky komb “përherë ka pasur karakter të vetin e të pavarur, dhe
kurrë nuk ia ka lejuar vetes të asimilohet nga askush tjetër”; dhe më tej, se
“përbëhet nga individë shpesh energjikë, të vështirë për t’u asimiluar, e që
flasin gjuhën e tyre ngaqë ngulmojnë të ruajnë karakterin e tyre më vete”; dhe
më tej akoma, se ky komb shqiptar “ka pasur të qenët e tij më vete dhe ruan në
gjithçka një karakter të veçantë”, Z. Meillet përfundon se e tërë kjo “nuk
përligj krijimin e një shteti autonom”.
E çfarë atëherë, do t’u dashkësh më
shumë për të përligjur në sytë e tij krijimin e një shteti autonom shqiptar në
një Europë të sunduar, siç thotë ai, nga parimi i kombësive?
* * *
Z. Meillet pretendon se është Austria
ajo që ka “ngjallur në Shqipëri një shtet artificial”. Nuk është pika e vetme
ku ai përbuz historinë; do të shohim edhe mjaft të tjera më pas.
Duke përkrahur një hop pikëpamjen e
tij, do thoshim se ai, ja ku harron Italinë, e për më tepër Italinë, e cila
prej shekujsh ka pasur shkolla e seminare ku të rinjtë shqiptarë, qoftë me
origjinë nga Shqipëria, qoftë të lindur në kolonitë shqiptare të Italisë
arsimoheshin në gjuhë të tyre. Nga këto shkolla e seminare doli një plejadë e
tërë shkrimtarësh patriotë shqiptarë të cilët, qytetarë apo banues në një vend
të lirë, mund të shkruanin e të vepronin lirisht për të lartësuar patriotizmin
shqiptar e për të çelur udhët drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Asgjë e tillë në Austri.
Kjo, duke ndjekur nga afër thjesht
pikëpamjen e Z. Meillet. Sepse, në fakt, e vërteta historike është krejt
tjetër.
Shteti shqiptar u krijua falë vullnetit
të të gjitha Fuqive.
Edhe pse Austria besonte se kishte aty interes të veçantë, përsëri kishte në anën tjetër të barrikadës një kundërpeshë aspak shpërfillëse; ishte Rusia e carëve, e cila shihte interesin e saj, ose më mirë atë të klientëve të vet ballkanikë: thjesht zhdukje të kombësisë shqiptare. Vendimi pra, varej në radhë të parë nga Fuqitë e Mëdha liberale!
Mirëpo, Anglia, Franca e Italia nuk
mund, nuk duhej të lejonin krimin kundër njerëzimit të dëshiruar nga Z.
Meillet, pa hequr dorë nga parimet që Europa moderne i kishte shpallur të
shenjta e të paparashkrueshme.
Ka raste kur diplomacia lypset
megjithatë të mbajë parasysh peshën e opinionit publik.
Europa mbase edhe mund të mos kujtohej për qëndresën heroike që shqiptarët, për një çerek shekulli, të udhëhequr nga Georges Castriote Skanderbeg, prijësi i tyre i pavdekshëm, i kundërvunë vërshimit të sulltanëve, qëndresë që i dha mundësi qytetërimit perëndimor të mblidhte veten; futur në rrugë të gabuar nga një propagandë e guximshme dhe e turpshme, Europa sikur u qorrollis në vlerësimin e karakterit të vërtetë të luftërave që po ata shqiptarë nuk reshtën së ndërmarri me guxim përgjatë shekujve në vazhdim kundër turqve, udhëhequr nga prijës të cilët, pavarësisht nga bindjet e njëjta fetare me ato të pushtuesve, u treguan jo më pak trashëgimtarë të denjë nga vëllezërit e tyre të mëparshëm në urrejtje kundër sundimit të huaj. E megjithatë, opinioni publik europian nuk mundej assesi të harronte aq shpejt fakte nga më të fundit, si Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe kryengritjet e shumta shqiptare kundër absolutizmit hamidian dhe më pas, kundër veprimeve panturkiste të xhonturqve.
Ishin tërë këto, prova të
pakundërshtueshme të vitalitetit të pamposhtur kombëtar shqiptar, dhe sa për
revoltat e armatosura, ato ishin nga ana e tyre goditje të fuqishme vendimtare
që u bënë shkaku kryesor i shembjes së Turqisë.
Nëse profesorë të llojit Meillet
kujtojnë se tërë këto fakte mund të fshihen me një të rënë të lapsit,
diplomatët e Londrës, nga ana e tyre, e ndjenë më së miri se autonomia e
Shqipërisë ishte në rend të ditës, pa qenë as nevoja e një ndërhyrjeje të
Austrisë, “duke i dhënë kështu kombësisë shqiptare një unitet politik”, me
gjithë kundërshtinë e Rusisë.
* * *
Z. Meillet thotë: “Gjuha shqipe nuk
njihet veçse që prej një kohe mjaft të shkurtër. Nuk kemi monumente të saj para
shekullit XVII. Dhe kjo tashmë është domethënëse.”
Z. Meillet gabon. Pothuaj menjëherë pas
zbulimit të artit të shtypshkrimit botohet një libër i parë shqip. Është libri
i lutjeve i D. Gjon Buzukut, shtypur më 1555 në 4°, me dy kolona. Ekzemplari,
që kemi pasur rastin ta shfletojmë, përbëhet nga 188 faqe të pacenuara, nga
shumë copa fletësh, veç atyre që mungojnë plotësisht.
Pak kohë më pas, më 1592, doli
“Doktrina Arbërisht” e Lluk Matrangës dhe, më 1621, libri i Pjetër Budit,
peshkop shqiptar me origjinë nga Kruja, nën titullin “Pasqyra e të rrëfyemit” (Speculum confessionis).
Më 1635, botohet sakaq në Romë fjalori
shqip i Frano Bardhit (Franciscus Blancus), peshkop shqiptar nga Mati, që i
referohet shkrimeve para vitit 1500.
Vëmë në dukje po ashtu se autorë
shqiptarë të shekujve XVI e XVII përmendin dorëshkrime shumë më të hershme nga
koha e tyre, që i kanë parë e konsultuar, apo për të cilat kanë dëgjuar të
flasin vëllezërit e tyre të mëparshëm.
Kjo, thjesht sa për të saktësuar
gjërat, pa prekur në asgjë kritikën që Z. Meillet i bën shqipes se nuk ka qenë
e shkruar në një epokë shumë më të lashtë, dhe sidomos në epokën kur
“krishterimi u përhap dhe kur u ndie përgjithësisht nevoja për të fiksuar me
anë të shkrimit gjuhët që kishin njëfarë rëndësie kombëtare”.
Me shikim të parë, kjo mund të duket
krejt e vërtetë. Po të kishte qenë me të vërtetë kështu, shqiptarët megjithatë
edhe mund të ngushëlloheshin deri në njëfarë mase duke menduar se nuk janë të
vetmit në rastin konkret. Shumë popuj të tjerë, dhe jo nga të vegjlit, nuk e
kanë shkruar gjuhën e tyre veçse shumë vonë.
Për shqipen megjithatë, ky qortim nuk
duket krejt e përligjur. Ka tregues – dhe shumë filologë janë të bindur për
këtë – se shqipja e sotme, dhe para saj të folmet iliro-thrako-maqedone, prej
të cilave ajo ka mbijetuar pa kundërshti të mundshme, kanë qenë të shkruara që
prej lashtësisë më të hershme.
Vetë gjendja e sotme e gjuhës shqipe,
pasuria e fjalorit të saj, zgjedhimet dhe lakimet gramatikore që përmban, të
pasura e të larmishme në mënyrë të jashtëzakontë, rregullat e morfologjisë së
fjalëve dhe të ndërtimit të fjalive, janë, të tëra këto, një provë e
mjaftueshme se bëhet fjalë për një gjuhë jo plotësisht e zhveshur nga kultura.
Po ku janë provat e dukshme? Ku janë
dokumentet e shkruara? Në kanë ekzistuar, ç’u bë me to?
E pra, këto prova, këto dokumente
ekzistojnë, dhe nëse nuk janë aq të shumta sa do ta dëshironte shkenca, shkenca
e vërtetë, shkaku duhet kërkuar në përmbysjet që ka njohur Shqipëria dhe trojet
e stërgjyshërve të shqiptarëve të sotëm.
Në fakt, një vështrim i shpejtë hedhur
në histori mjafton për të treguar se që prej kohësh parahistorike dhe deri në
ditët tona, këto troje, të marra në tërësinë e tyre ose veç e veç kanë qenë
teatër tronditjesh të tilla, që pak rajone të tjera kanë njohur. Bulevard nga
ku zinin fill tërë invadimet e mëdha, viseve shqiptare u është dashur të mbanin
krejt peshën e tyre. Në intervale pothuaj periodike prej 4–5 shekujsh, këto
vise janë përmbysur me themel dhe çdo gjurmë mundi e përpjekjesh të popullatave
gjatë intervalesh paqësore e qetimi do bëheshin pluhur e hi.
Veprat letrare shqipe – në ka pasur të
tilla – përqendruar në një rreze relativisht të ngushtë, duke qenë se nuk bëhej
fjalë për një gjuhë perandorake si
greqishtja e latinishtja, kanë njohur fatin e keq të zhduken lehtë e
përgjithnjë nën rrënojat e qytezave të rrafshuara gjatë fushatash rrënuese të
pushtuesve. Dhe për këtë, shembujt për fat të keq janë të shumtë në historinë e
popujve. Nuk ka pra këtu asgjë të çuditshme a të papranueshme; madje e kundërta
do duhej të çudiste e të konsiderohej si një mrekulli. A nuk ndiejnë njerëzimi
dhe shkenca keqardhje të thellë për humbjen e pandreqshme të pjesës më të madhe
të letërsive greke e latine, megjithëse perandorake
e të përhapura anë e kënd botës?
E megjithëkëtë, le të përpiqemi të
nxjerrim në dritë disa tregues, qoftë edhe për të nxitur të rinjtë të
ndërmarrin hulumtime e studime që mbase do të ishin të frytshme.
Le t’ia nisim nga Shqipëria e sotme.
Është tashmë pothuaj jashtë çdo dyshimi se në rajonet e Veriut (Iliri e Dalmaci), gjuha kombëtare ka qenë shkruar që herët.
Duke qenë se jeta intelektuale në ato
kohë të shkuara ka qenë në duar të klerit, del rrjedhimisht se shumica e
shkrimtarëve parapëlqenin të përdornin latinishten, ose ngaqë kishin bërë
studimet në këtë gjuhë nëpër seminare, ose pastaj ngaqë donin t’i referoheshin
një numri më të madh leximesh. Autorët shqiptarë që kanë shkruar në latinisht
janë të shumtë.
Po prapë, popullsitë e këtyre rajoneve
nuk e kanë lënë plotësisht pas dore idiomën e tyre kombëtare, për të cilën
përshtatën që herët sisteme shkrimi sipas nevojave të saj fonetike.
Kemi fillimisht shkrimin glagolitik,
shpikja e të cilit i njihet Shën Jeronimit, që sidoqoftë është shumë më i
lashtë nga shkrimi cilirik. Marrë nga sllavët, pas shkombëtarizimit të krejt
Dalmacisë dhe të një pjese të Ilirisë, shkronjat glagolitike u konsideruan si
shkrim sllav, por gabimisht, sepse ato janë më të hershme nga zbritja e sllavëve
në këto rajone; për më tepër, filologët, sllavë pikërisht, e kanë pranuar se
shkrimi glagolitik është një alfabet i vjetër shqip.
Por ka edhe një shkrim të dytë kombëtar
shqip përdorur deri edhe kohët e fundit në Shqipërinë e Veriut, të cilin e
njohin si alfabeti i Skutarit (Shkodrës), për ta dalluar nga shkronjat që janë
sot në përdorim.
Ky shkrim i përket një periudhe para
shekullit XV, dhe librat e parë shqip të njohur, dorëshkrime të të cilëve
datojnë nga shekulli, XIV janë shkruar me shkronja skutarine. Filologë
arbëreshë na sigurojnë se dorëshkrime të tjera të së njëjtës periudhë, por ende
të pabotuara ndodhen në Bibliotekën e Vatikanit.
Le të vijmë tani në Shqipërinë e Jugut
e në Epir.
Popullsive të këtyre viseve me siguri u
është dashur të ndjekin shembullin e vëllezërve të tyre të Veriut. Por, a
përdorej shkrimi skutarin, apo ai i quajtur më pas glagolitik? Apo mos vallë
kishin përshtatur një alfabet të veçantë? Përgjigja është shumë e vështirë,
sepse dokumentet mungojnë plotësisht gjer më sot.
Të nënshtruara politikisht që prej
shekullit III nga perandoria e Orientit dhe të varura nga pikëpamja shpirtërore
nga patriarkati grek i Kostandinopojës, këto rajone kanë qenë pika drejt së
cilës konvergjonin përpjekjet e propagandës greqizuese të ndërmarra nga
politika bizantine shumë më herët nga shekulli VII. Nën perandorin Konstandin
Koproni, kjo propagandë, ngritur në sistem politik, e intensifikoi fushatën
shkombëtarizuese ndaj alogjenëve nëpërmjet vendosjes së kolonive greke në
Traki, Maqedoni e Epir. Pasuesit e këtij perandori ndoqën të njëjtat rrugë.
Marrja e Kostandinopojës nga turqit as
që e ngadalësoi veprimtarinë e një propagande të tillë; përkundrazi, u gjetën
forca të reja për rrënim të mëtejshëm. Gjithë përpjekjet që bënin popullsitë
vendase për t’u ringritur nëpërmjet kulturës së gjuhëve të tyre kombëtare,
shtypeshin pa mëshirë nga kleri grek, mbështetur nga qeveria turke që s’njihte
as interesat e saj të vërtetë.
Tërë shkrimet e vjetra shqipe u zhdukën
sistematikisht; shkrimi i gjuhës ishte i ndaluar, nën kërcënimin e
shkishërimit, dhe gjithçka u vu në zbatim për t’i bërë popullsitë e krishtera
të harronin gjer edhe të folurën e tyre kombëtare.
Dorëshkrimet shqipe, të ruajtura në
disa kuvende myslimane janë të periudhës turke; sa për ato të zbuluara në
gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, në Shqipërinë Qendrore, asgjë nuk lejon
të përcaktohet origjina e tyre para shekullit XV, ndonëse për nga forma e
germave duken se kanë lidhje me shkrimin pellazgjik.
I vjen radha tani të folmeve
parashqipe, kur vetë shqipja është pa mëdyshje e mbijetuara e tyre.
Nuk ka më njeri në botë, për mendimin
tonë, që mund të vërë në dyshim se pellazgët (trakët, frigasit,
iliro-maqedonët, qipriotët, etruskët, etj.) nuk e kanë pas shkruar gjuhën e
tyre që prej kohëve më të lashta.
Autorët grekë na mësojnë se shkronjat e
quajtura fenikase kishin prejardhje pellazge dhe se prej kohësh këto shkronja
njiheshin si pellazgjike.
Për më tepër që dokumentet nuk
mungojnë; mbishkrime të shumta kanë dalë në dritë, një pjesë e të cilave janë
deshifruar, por që ka qenë deri më sot e pamundur për t’i interpretuar.
A do të na e merrnin për mendjemadhësi
sikur ne të guxonim t’u sugjeronim epigrafistëve të përpiqeshin të zbulonin
sekretin shekullor të këtyre monumenteve duke u mbështetur te shqipja?
Kjo mund të sillte të papritura në
fushën e linguistikës, e ndoshta edhe në mjaft fusha të tjera.
Z. Dr. Thomopoulos i Athinës, me
ndihmën e shqipes ka mundur të gjejë, me sa duket, zgjidhje shumë të pranueshme
për problemet që parashtrojnë shumë mbishkrime, për të cilat nuk ka qenë e
mundur të kishte një interpretim të arsyeshëm me rrugë të tjera.
Studimet e Z. Ibrahim Grandi, mbetur
mjerisht të pabotuara deri më sot, janë të orientuara në të njëjtin drejtim.
Nga ana tjetër, ka vend të shpresohet
se kërkimet e ndërmarra në Shqipëri nga misione të ndryshme dijetarësh, të
cilave qeveria mendjendritur e Republikës Shqiptare u jep krejt ndihmesën e
vet, mund të nxjerrin nga thellësi e tokës monumente të reja për të folmen e
lashtë të vendit. Po ashtu, një studim më i thelluar i palimpsesteve dhe
dorëshkrimeve të tjera që përgjumen skutave të kuvendeve apo në fondet ende të
paekpsloruara siç duhet të bibliotekave publike mund të nxjerrin edhe ato në
dritë dokumente të tjera të çmuara për të pasuruar fushën e glosologjisë
pellazgjike.
* * *

Pema e gjuhëve indo-europiane. Gjuha shqipe - degë e parë më vete, ndër
gjuhët më të lashta
Duke pranuar që shqipja i përket
familjes së madhe të gjuhëve indogjermanike, Z. Meillet e klasifikon atë në
grupin e dialekteve orientale, përkrah sllavishtes, armenishtes, iranishtes dhe
sanskritishtes, dhe pretendon se “në asnjë çast shqipja nuk ka qenë gjuha e një
kombi të madh. Nuk ka gjurmë të saj askund në lashtësi”.
Që shqipja është një e folme
indogjermanike, këtë askush nuk mund ta kundërshtojë; por që u lidhka në mënyrë
të veçantë me grupin oriental, siç e vendos Z. Meillet, kjo duket si diçka e
re.
E dimë se të tjerë, më modestë ndoshta,
nuk e kanë parë veten në gjendje për të dhënë një mendim të caktuar për
çështjen. Por ka megjithatë gjuhëtarë që kanë bërë studime të thelluara në këtë
fushë dhe që kanë vërtetuar se shqipja, e mbijetuara e pellazgjishtes, vjen në
krye të grupit greko-latin, shumë më afër sanskritishtes se asnjë idiomë tjetër
e këtij grupi.
Z. Meillet parashtron se “e shkuara e
shqipes është e panjohur”. Përsëri është një thënie krejt pa baza.
E shkuara e shqipes njihet për bukuri;
historia, të paktën ajo që nuk mund të deformohet më sipas dëshirave, apo sipas
interesave, është kategorike në këtë pikë.
Herodoti deklaron se ilirët, epirotët,
maqedonët, trakët, nuk ishin grekë; mes tyre, ata formonin një familje të
vetme. Diku gjetkë, si për të vënë më në dukje këtë dallim, shton se grekët
kishin themeluar koloni në Maqedoni, sidomos përgjatë bregdetit.
Zotër të krejt lëvizjes tregtare,
grekët ia arritën t’i sigurojnë gjuhës së tyre njëfarë epërsie në zonat
bregdetare; kështu ka ndodhur pak a shumë kudo; në Azinë e Vogël, në Itali, në
Sicili, në Francë, në Iliri, në Detin e Zi, në Libi e gjetkë. Fakti
ripërsëritet edhe në kohët e mëvona në bregun e Maqedonisë e të Trakisë;
qytetet, në shumicën e tyre, u helenizuan, ndërkohë që fshati dhe hinterlandi
mbetën siç ishin.
Demosteni, në Filipiket e veta ngre
zërin kundër mbretit të Maqedonisë, Filipit barbar.
Një stërgjysh i Filipit, Aleksandri I,
që u kishte bërë tërë ato shërbime grekëve gjatë luftërave medike, nuk u pranua
në Lojërat Olimpike si i huaj që ishte, dhe vetëm pas ndërhyrjesh të fuqishme u
pranua në cilësinë e filohelenit, që iu njoh për nevoja të rastit.
Aleksandri i Madh asnjëherë nuk arriti
të shprehej rrjedhshëm në greqisht dhe në çaste zemërimi lëshonte zakonisht
sharje në gjuhën e vendit të vet.
Pas fitores së Granikës, dhe për të
çoroditur mendjet e grekëve, Aleksandri u dërgoi tempujve të Athinës 300 cjep
të lidhur me përkushtimin “Aleksandri, i biri i Filipit, me bashkëpatriotët e
tij dhe grekët, pa spartanët”.
Ezumeni, sekretar i Filipit, dhe më pas
po ashtu i Aleksandrit, që ishte me origjinë greke, shihej me sy të keq nga
trupat maqedone, të cilat ua dorëzuan më në fund kundërshtarëve të tyre.
Tukididi, Straboni, Polibi, Diodori,
Ptolemeu, Plini e të tjerë janë të gjithë në një mendje për unitetin etnik të
ilirëve, maqedonëve e trakëve; mirëpo, këta të fundit, për mendimin e krejt
lashtësisë ishin kushërinj të afërm me frigasit, me bitynët, etj. të gjithë të
racës pellazgjike.
Dihet nga ana tjetër se teogonia helenike
është pothuaj e gjitha me origjinë trako-frigase dhe arkadine; mirëpo, pjesa më
e madhe e emrave të perëndive të Olimpit grek kanë përngjashmëri me rrënjët e
ruajtura në shqipen moderne.
Një pafundësi emrash të përveçëm,
emërtimesh gjeografike dhe të tjera, prejardhur nga vise frigo-ilirike, dhe
shumica e fjalëve të idiomave të tyre të veçanta, ardhur gjer tek ne, përmbajnë
rrënjë, gjurmë të të cilave i hasim në gjuhën e folur prej shqiptarëve.
Në fjalët që Aristofani vë në gojën e
një perëndie tribale gjejmë, pa vështirësinë më të vogël fjalët dhe ndërtimin e
tyre në shqipen e folur të ditëve tona; një shqiptar nuk do mund të shprehej
ndryshe; dhe kjo daton që prej 24 shekujsh.
Platoni thotë se grekët e morën nga
frigasit fjalën PYR (= zjarr); po të jetë kështu, vërejmë se fjala frigase
ekziston në gjuhën e folur nga shqiptarët. A mos vallë këta e paskan huazuar
nga grekët? Apo e kanë të trashëguar nga të folme stërgjyshore? Pas gjithë
kësaj që thamë, përse të mos pranohet kjo alternativë e fundit?
A mund ta përmbledhim gjithë sa më
sipër?
Për aq sa parashtruam shkurtimisht –
dhe nuk bëhet fjalë këtu për kurs historie a gjuhësie – mendojmë se dalin
qartë:
1° që shqiptarët janë stërnipërit e
ilirëve, maqedonëve, trakëve, frigasve dhe popujve të tjerë të së njëjtës
familje, idiomat e të cilëve nuk ndryshojnë mes tyre veçse në nuanca
dialektore.
2° që shqipja moderne është e
mbijetuara e gjuhës që flisnin këta popuj të paktën para 24 shekujsh.
3° që, rrjedhimisht, e shkuara e saj
nuk është e panjohur, siç e do Z. Meillet.
4° që, ashtu si keltishtja, ajo ka qenë
e folur nga një numër i madh popujsh, gjë që, për mendimin tonë, e plotëson më
së miri postulatin e “kombit të madh” që parashtron Z. Meillet.
Z. Meillet shton se “Deri vitet e
fundit, ajo nuk ishte shndërruar në gjuhë letrare të shkruar, të përbashkët për
tërë shqiptarët.”
Besojmë se vërtetuam mjaftueshmërisht
se u krijua një e tillë: veprat e shumta letrare, të botuara që prej shekullit
XVI janë të tilla që i heqin çdo vlerë kësaj thënieje, dhe se kjo gjuhë ishte
mirë e bukur “e përbashkët për të gjithë shqiptarët”, duke qenë që vetë autori
e pranon shprehimisht se “përngjashmëritë midis këtyre të folmeve lokale janë
ende shumë të mëdha, dhe se tërë individët që flasin shqip arrijnë me pak
përpjekje të merren vesh mes tyre”.
Nëse lëvizja letrare nuk ka mundur të
arrijë në një zhvillim më të madh, faji nuk mund të kërkohet veçse në kushtet
politike në të cilat, gjatë shekujve, është përpëlitur kombi shqiptar, nën
zgjedhën e dyfishtë tiranike të qeverive bizantine e turke nga njëra anë, dhe e
patriarkatit grek, nga ana tjetër.

* * *
Z. Meillet sigurisht që gabon për sa
thotë lidhur me kongresin e mbajtur në Manastir më 1908. Nuk bëhej fjalë aty
“për të përcaktuar ortografinë e shqipes”, por për të unifikuar sistemet e
ndryshme të shkrimit të gjuhës.
Deri në atë kohë, atyre që shkruanin
shqip u ishte dashur t’u përshtateshin mundësive dhe burimeve që u jepnin
rrethanat dhe mjedisi në të cilin ishin të detyruar të punonin, nga ku dhe
larmia e shkronjave alfabetike sipas vendeve nga shkruanin, nga Amerika,
Bullgaria, Egjipti, Franca, Italia, Rumania apo gjetiu.
Kongresi i Manastirit, i mbajtur në
rrethanat e shpresës që kishte ushqyer në një çast të caktuar ardhja në fuqi e
xhonturqve, vendosi pikërisht t’i jepte fund kësaj shumësie sistemesh të
shkrimit.
* * *
Duke ndjekur pretencën e tij kundër
shqipes, Z. Profesor A. Meillet deklaron se kjo idiomë “nuk shihet të ketë
ushtruar ndonjëherë një veprim të dukshëm mbi një gjuhë tjetër, ndërkohë që
vetë si gjuhë ka huazuar prej të tjerave me duar të shtrira gjithandej”.
Asgjë e jashtëzakontë dhe e çuditshme
në faktin – nëse është e vërtetë – se shqipja nuk ka ushtruar ndikim në gjuhët
e tjera.
E tërhequr përherë e më shumë në një
qoshk të vogël të territorit të gjerë që zotëronin stërgjyshërit e tyre në agim
të kohëve historike; e rrethuar dhe e shtrënguar të luftojë pa pushim kundër
fqinjësh përherë e më shumë gllabërues që nuk reshtnin së lakmuari deri edhe
copëzën e fundit të trashëgimisë së tyre, shqiptarët nuk mund të kishin, në
rrjedhë të shekujve, as kohën, as qetësinë shpirtërore, as mjetet materiale të
nevojshme për zhvillimin intelektual e letrar dhe për rrezatimin tregtar, të
vetmet mundësi për të ushtruar ndikim mbi të tjerët.
E tani, le të shtojmë se nuk e shohim
pa vend t’i këshillojmë të gjitha ata që ndajnë të njëjtat mendime me Z.
Meillet të studiojnë me më shumë paanësi greqishten moderne. Mund të ndodhë të
gjejnë në të, qoftë në fushën fonetike, qoftë në atë të ndërtimit të fjalive,
elemente që ndoshta do t’i bënin të ndërronin mendim në këtë çështje; kjo,
pavarësisht nga tërë fjalët pellazgjike të pranuara si të tilla në greqishten e
vjetër, dhe tërë fjalët shqipe, depërtuar në greqishten popullore dhe që kanë
aty përdorim të gjerë, pavarësisht përpjekjeve që bëjnë për pastrim të tyre.
Që shqipja ka huazuar nga gjuhë të
tjera, më të përparuara se ajo nga pikëpamja politike apo letrare e tregtare,
kjo është e pamohueshme; dhe në këtë çështje, nuk është as e para, as e fundit
në krahasim me të tjerat.
Megjithëkëtë, këto huazime nuk duket se
kanë rëndësinë që pëlqen t’u japë Z. Meillet, i cili flet vetëm me sa ka
dëgjuar; sepse shihet qartë që ai nuk e njihte shqipen.
Pavarësisht nga kjo padije, autori nuk
ka ngurruar aspak t’u hyjë hulumtimeve etimologjike për gati dhjetë fjalë që,
siç shihet më së miri, i janë paraqitur nga të tjerë, të interesuar për
denigrimin sistematik të shqiptarëve e të gjuhës së tyre.
Amatorët e barcaletave e të shakave do
vinin tellallin sikur një politikani me mend në kokë e vlerë të veçantë t’i
mjaftonin vetëm dy rreshta përshkrim thjesht për të gjykuar e ndëshkuar një
njeri. Z. Meillet, profesor gjuhësh në Kolegj të Francës nuk është se kërkon më
shumë se kaq: me dymbëdhjetë fjalë pa rëndësi, jep ndëshkim kundër një populli
të tërë.
Nga ana jonë, ne do kishim dashur të
ndaleshim këtu, sepse çka pason, domethënë argumentet etimologjike të
rreshtuara nga Z. Meillet nuk janë veçse vogëlsira të kota. Por prapëseprapë,
duke marrë parasysh cilësinë e autorit, meqë mund të qëllojë t’u kushtohen
këtyre vogëlsirave më shumë vlerë nga sa mund të kenë në realitet, jemi të
detyruar të mos lëmë në heshtje as këtë pikë të fundit.
“Mbret
(= roi), është thjesht forma që ka marrë në shqip fjala latine imperator”, thotë Z. Meillet.
Vërejmë kalimthi se mendimet janë të
ndara rreth zanafillës së kësaj fjale.
Disa mendojnë se: imperator (= perandor) nuk ka veçse një përngjashmëri homografike
me termin imperator (që komandon, e
rrjedhimisht, gjeneral ngadhënjimtar). Dihet se vetë romakët nuk e honepsnin
fjalën mbret (rex); andaj, kur u ndodhën përpara domosdoshmërisë të shprehnin
dinjitetin mbretëror, e plotësuan këtë nevojë duke huazuar termat e
përshtatshme nga të folmet e lashta italioteii. Kështu, nga sa thuhet, e morën nga
oskët termin embratur apo mbratur (mbret, e përafërt me greqishten
e vjetër Pratos) që gramatikanët do
ta kenë përshtatur për ta pleksur e shkrirë fonetikisht me fjalën latine.
Kështu do ndodhte edhe për fjalën Caesar
përshtatur nga gjuha etruske: Kaesar
(= mbret), fjalë që falë një përkimi jo krejt e rastit, duke qenë se etruskët
ishin pellazgë, haset në shqipe: këzar
(= ai që vë në kokë kurorë).
Po kjo thjesht sa për kujtesë.
Z. Meillet gati sa nuk ua quan krim
shqiptarëve se na paskan përshtatur këtë fjalë; por ç’ka në këtë mes gjë të
jashtëzakontë? Shqiptarët nuk i njohën perandorët veçse me sundimin romak; nga
ai çast, ishte krejt e natyrshme që ta merrnin fjalën në përdorim nga
sunduesit; kjo është parë kudo e në tërë kohët.
Sidoqoftë, shtojmë se në shqipe nuk
mungojnë kurrsesi termat barasvlerës si: kren,
rregjë, prenn, (dhe prent), prekë (dhe prenk), çelë, cekë, dhe
ndoshta të tjera të barasvlershme me mbret,
prijës, fisnik etj., disa syresh të përafërta me termat me të njëjtin
kuptim të grecitetit parahistorik dhe të galishtes pararomake.
Fjalë dhe flasij “terma po aq të zakontë, janë me
origjinë latine; bëhet fjalë për latinishten fabella, italisht favella,
fabulare (spanjisht hablar)” – parashtron Z. Meillet.
Sipas kësaj, na dalka se shqiptarët
paskan pritur pushtimin romak – dhe pse jo edhe formimin e italishtes moderne e
të spanjishtes? – që të arrinin të shprehnin ide nga më të thjeshtat e më të
përdorshmet në tregtinë e çdo shoqërie njerëzore, qoftë edhe primitive!
E vërteta lumturisht është krejt
tjetër. Kishte në bagazhin indogjermanik rrënjë si fly, flo, fle, fel, fol, të cilat grekët i bënë të tyret: flyso (flas), e njëgjinishme ndoshta me
latinishten flo me të njëjtin kuptim
dhe e përngjashme me shqipen fjalë (për
flalë), dhe flasij (fola, flet, flit, fliste).
Këtu i afrohemi rrënjës indogjermanike: faf
( f- ja e fundit për digama) dhe fah (h-ja
për digama si shenjë diakritike), nga e cila grekët nxorën : faoo dhe femi, latinët: fari (nga
ku fabula, me zvogëluesin fabella, ndërkohë që shqiptarët e ruajtën
tek them (thënë, thashë, thuaj, thoshte, theshte, etj.).
Qen, nga
latinishtja “canis”- sipas Z. Meillet; mirëpo canis është e njëjtë me greqishten kyoon dhe me sanskritishten çvan
(apo svan) dhe kvan, që haset edhe te shunah, çunas, shuni. Për fjalën greke kyoon (gjinorja kynos), Platoni thotë se “grekët do ta kenë marrë nga frigasit, që
e shqiptojnë me një dallim të vogël”.
Sidoqoftë, shqiptarët, që prej
parahistorisë, rrisnin qentë e tyre molosë, zotëronin në gjuhën e tyre fjalët qën, qen dhe çen, të prejardhura, me sa duket, nga një rrënjë e përbashkët
indogjermanike.
Por, duke pranuar se – gjë e pamundur –
fjala qen qenka huazuar nga
latinishtja canis, kjo nuk përbën
aspak një provë të varfërisë së gjuhës, siç pandeh Z. Meillet; shqipja ka
ruajtur gjer në ditën e sotme sinonimet: shak
dhe për femrën shagë, e po ashtu, bicë, becë, buçe, bushtër, mecë, gore, kute,
e të tjera.
Fron, nga
greqishtja thronos. Shkëlqyeshëm; por
përkrah kësaj fjale, që është njëfarësoj e specializuar, ka në shqip edhe
sinonimet: shkam e selijë të një përdorimi shumë më të
gjerë. Por në fakt, a është e drejtë të qortohen shqiptarët për këtë huazim, i
imponuar nga sundimi bizantin dhe nga kisha greke, ndërkohë që kombe të tjera,
dhe ndër më të përparuarit i kanë huazuar greqishtes, pa qenë aspak të
detyruar, të njëjtën fjalë?
Lypset (dhe lipset), ”nga greqishtja eleipsa = kam lënë”, thotë Meillet.
Shënojmë se për greqishten, kuptimi është: mungon,
duhet.
Sidoqoftë, shqipja zotëron foljet: lypij e lipij, së bashku me të prejardhurat e tyre, kuptimi i të cilave,
pothuaj i ngjashëm, është: kam nevojë,
kërkoj, ngulmoj, dua, lutem, përgjërohem, shtrij dorën, etj.
A do të ishte e guximshme, pas tërë
këtyre, të parashtrohej se shqiptarët as që kishin nevojë të huazonin nga
fqinjët e tyre të Jugut termin në fjalë, të përafërtit e të cilit do duhej të
kërkoheshin në fakt në një fond të përbashkët indogjermanik?
Papsem (=
prehem), “nga greqishtja epafsa”.
Krejtësisht e panjohur në shqip, kjo fjalë mbase është në përdorim te kolonitë shqiptare
të Greqisë.
Për të shprehur idenë e prehjes,
shqiptarët kanë: pushoj, qetem, çlodhem,
prëhem, mërxej, e të tjera sinonime.
Zakon. Fjalë, në
fakt sllave, me përdorim shumë të gjerë në Shqipëri.
Megjithatë, gjuha zotëron edhe më shumë
sinonimet: dokë, xajë, ojtnijët, sull,
e ndoshta edhe të tjera.
Sahat. Fjalë e
futur gjatë sundimit turk, dhe si e tillë, e treguar me gisht nga shqiptarët.
Barasvlerësit shqip herë e herëzë pothuaj e kanë zëvendësuar
plotësisht.
Zaman. Fjalë po
ashtu e ardhur gjatë sundimit turk. Z. Meillet siguron se “është gjerësisht e
përhapur”. Qofshim të lejuar për ta vënë në dyshim. Në Shqipëri është dëgjuar
prej kohësh e kudo fjala kohë; mund
të qëllojë, dhe rrallë e në raste të veçanta, shqiptarë të turqizuar apo turq,
duke e njohur jo mirë shqipen, të përdorin termin zaman. Le të shënojmë se termi në fjalë është në përdorim të
zakontë edhe në vende të tjera ballkanike.
Fitim (dhe jo fit) nga italishtja proffitto, mendon Z. Meillet. Do të josheshim drejt së kundërtës,
se ç’do thuhej sikur të shpreheshim që nga një fitim italisht të mund të përftohej një profitto shqip; po ja që nuk shkojmë gjer aty.
Vëmë thjesht në dukje që profitto
vjen nga folja latine proficio, vetë
kjo e përbërë nga pro dhe facio, nga ku pamundësia që fitim të rrjedhë prej këtej, e po ashtu,
edhe fjalët e tjera të së njëjtës familje në shqip.
Por nëse këmbëngulet absolutisht në atë
që fjalët e shqipes vijnë nga latinishtja, pse të mos orientojmë hulumtimet nga
ana e vincere dhe victoria?
Domosdo, ne nuk e përkrahim një lidhje
të tillë. Ne thjesht priremi të themi se fjala shqipe [fitim] është mirë e
bukur shqip, dhe lidhet me një rrënjë indogjermanike, që rihaset në
latinishtet: vigor, victoria, e të
tjera, e ndoshta edhe në greqishtet ishys,
ygjeia etj.
Fortë, “dhe
folja e prejardhur forcoj (fortësoj më mirë), nuk janë veçse
italishtja: forte, forzare”, pohon
doktoralisht Z. Meillet. Gabimi i tij vjen ngaqë nuk ka mbajtur parasysh
latinishtet: fortis, fortesco (=
bëhem i fortë); greqishtet ferteros,
fertatoz, sfodhra; gotishten hart;
sllavishten vreden, si dhe të
tjera. Shqipja zotëron nga ana tjetër
fjalët: fërtymë dhe vërtik, që në rast nevoje do të
mjaftonin për të provuar se Z. Meillet gabon të paktën portën e hyrjes. Pagoj, “nga pagare e italianëve”. Mirëpo, kjo e fundit me sa duket vjen nga një
pacare (= qetësoj) latine, ashtu
sikurse franko-romaket: payer, poyër,
paiar, pagar, paguar, etj., spanjisht pagar,
dhe anglisht to pay; të paktën
për një herë, ja që shqiptarët na qenkan mes një shoqërie të shkëlqyer; do t’u
mbetej qejfi sikur t’i shkëpusnin. E u takon linguistëve, që njohin gjithashtu
latinishten: placare, dhe rrënjët
sllave plat, plak plaq, të cilat
hasen gjithashtu, në mos lajthitemi, në rumanishte, të na thonë nëse po gabojmë.
S. KOLEA
Tiranë, 30 qershor
1928.
Përktheu nga origjinali frëngjisht Fotaq Andrea.
Redaktoi prof. Emil Lafe.
© Fotaq Andrea
© Zemra Shqiptare
i Një
keqinformim i rëndë në qershor 1928, kur është shkruar ky artikull, e ka shtyrë
Sotir Kolean ta konsiderojë gabimisht të vdekur gjuhëtarin francez Antoine
Meillet (1866-1936), tek shkruan konkretisht në hyrje të studimit të tij: “La
« Nouvelle Albanie » (Shqipërija e Re) n°316 e 317 e prillit të
shkuar, botoi nën firmën e Z. I.N.Duployen dhe nën titullin e mësipërm një
pjesë të artikullit që me po atë titull kishte shkruar i ndjeri A. Meillet për Revue Hebdomadaire të Parisit, N° 32 të 7
gushtit 1915. T’i rikthehesh subjektit në largësi prej trembëdhjetë vjetësh, e sidomos pas vdekjes së autorit, mund
t’i duket shumëkujt fare e kotë” (nënvizimi ynë – F.A.).