| E diele, 15.03.2026, 06:57 PM |
SI TË SHPËTOJMË NGA UDHËHEQËSIT?...
NGA
NDUE DEDAJ
Ju
mund të prisnit që fjalën shpëtojmë ta vinim në thonjëza, por jo. Po ashtu mund
të prisnit që të përmendnim emra udhëqësish të sotëm “historikë”, por jo.
Besojmë se është e kuptueshme pse nuk kanë rëndësi emrat në këtë qasje. Jo
vetëm se nuk janë një e dy, as tre e katër, porse thelbësore është dukuria.
Ata, herët a vonë, një ditë ikin, por zakoni e tyre mbetet i pandryshuar. Në
mbi njëqind vjet shtet, kemi pasur në krye udhëheqës të llojllojshëm, po që
shumica e tyre kanë pasur një të përbashkët tipike, diktatin mbi të tjerët,
pavarësisht formës së regjimit. Thënë ndryshe, ajo që njihet në histori si
“shteti jam unë!”...
Në
fund dhe mund të përmendim ndonjë emër, por në sensin e kundërt, nga ata prej
të cilëve shqiptarët nuk ka qenë e nevojshme të “shpëtonin”, përkundrazi, por
të mos e ndërpresim rrjedhën e shkrimit. Çështja është si të shpëtojmë nga
VIP-at tanë të dashurive të zjarrta elektorale, ata për të cilët brohoritëm aq
fort, sa na u ngjir zëri e na u rrëmbushën sytë, bëmë aq shumë selfie kacarruar
me ta, kërcyem e kënduam katundçe mes pluhurit e baltës, se po mundnim
kundërshtarin politik, domethënë “armikun” vëlla dhe po i siguronim vetes
pushtet të pakufizuar. As që e vinim në diskutim se po bënim zgjedhjen më të
mirë, me fitoren plebishitare tashmë BE-në e kishim në derë. Apo ne i kishim
mbetur në derë?...
Mirëpo,
me gjasë, udhëheqësit tanë kanë qimen e dragoit në gjoks, ata befas tjetërsohen
e egërsohen sapo marrin pushtetin, partinë e lënë në stol dhe kabinetin
qeveritar, agjensitë e zhvillimit që kanë pará i qeverisin me miq e me shokë të
“fisit” politik. Kësaj i thonë pushteti nuk buron nga vota, por nga lideri
fuqiplotë; pushtetarët që vijnë nga anonimati nuk kanë parti, por vetëm një
“perëndi” që i falen, ndaj dhe s’e kanë për gjë ta grabisin Shqipërinë mbi tokë
e nëntokë, t’i çojnë lekët e shqiptarëve në xhepat e vet dhe të djallit. Njësoj
si në një çiflig mesjetar, kur “çifligarët” e ministrive veprojnë me pasuritë
publike sikur t’i kishin të trashëguara nga gjyshërit e tyre. Gjatë qeverisjes
tonë do të bënim vepra publike si asnjëherë më parë, të gjitha në standarde...
për t’u shembur pa u prerë mirë shiriti! Reforma si kurrë më parë, sidomos ajo
në drejtësi, pa kurrë një gur në rrota!... Dhe rezulati, vërtetë impresionues,
një qeveri me gjysmën e ministrave në zyrë e gjysmën tjetër në qeli, e
megjithatë, karvani shkon përpara pa u ndalur...
Opozita,
kuptohet, nuk ka asgjë të përbashkët me pushtetin e korruptuar të më shumë se
një dekade, po kur vjen puna te funksionimi si e tillë, dhe ajo rreshtohet me
besnikë në foltoret e saj, me molotov e ecejake kuturu nëpër Tiranë, pa asgjë
të re, edhe pse ka një elitë të afirmuar që nuk lihet të dalë në krye, ku
spikasin tre-katër emra liderësh të mundshëm që lakohen nën zë nga të gjithë e
që do ta çonin opozitën në fitore, ndër ta dhe ndonjë politikane e re. Edhe
atje problemi është pushteti i njëshit historik, gjë që ka bërë që ai të jetë
në krye dhe partia të jetë në fund. Demokracia ka shkuar aq shumë përpara, sa
në vend të partive të vogla dikur, sot kemi individë të vetmuar - “parti”, që
protostojnë me një karrige në trotuar, apo individë po të vetmuar që rendin
andej-këndej nëpër qytete të sajojnë takime të vogla politike të njohurish.
Ngado që ta marrësh, një udhëheqësi politike që veç thërmohet, veç
bunkerizohet, iu shërben interesave të ngushta të udhëheqësve “supremë”, si nga
e majta, si nga e djathta. O, po, ç’thoni kështu, ku ka krahasim mes pozitës
dhe opozitës, opozitës dhe pozitës, janë si nata me ditën!? Doemos, militantët
politikë këtë punë kanë, ne e kemi fjalën për shqiptarët e papolitizuar, edhe
ata të partive, që duan politikë europiane, pluralizëm real dhe rotacion
politik. Pa sofizma, pa tjerrje fjalësh të kota për demokracinë.
Veçse
duhet ta themi shqip, që nuk shpëtojmë nga udhëheqësit autokratë jemi (dhe) ne
fajtorë, iu bëjmë fresk, kur duhet t’i braktisim, t’ua lëmë sallat e
konferencave e mitingjeve zbrazët! T’ua kursejmë lëvdatat, heroizmat,
puthadorjen. Mos u trembni se na mbetën sheshet bosh! Kur ato nuk dominohen nga
partiakët shterpë, i mbush publiku, qytetarët, që nuk bëjnë kompromis me
liderët e zvetënuar e të korruptuar, siç kemi parë të mbushën në rastin e
“armëve kimike” etj.
Nga
ana tjetër, ndër ne shqiptarët, sheh rrushi rrushin dhe s’piqet. E njëjta
gjendje, për më tepër bllokuese, dhe në anën tjetër të Morinit. Një
kryeqeveritar që vë veton dhe e çon vendin në zgjedhje të parakohshme, vetëm që
të bëhet e tija, të zgjidhet një emër dhe vetëm ajo në krye të Kuvendit!? Po
ashtu një kryetare shteti, që e çon vendin në zgjedhje të reja, vetëm se ajo
nuk rizgjidhet vetë sërish në postin e lartë që mban!? Të gjithë betohen se po
zbatojnë kushtetutën, bile me minuta e sekonda, por siç dihet ai që e paguan në
kurriz këtë kolaps institucinal në Kosovë është populli, që nga fatura
financiare e zgjedhjeve të stërpërsëritura, që nuk arrijnë të “prodhojnë”
pushtet, institucione të qendrueshme, duke mos marrë shërbime e duke mos u
përfunduar rrugët, gjithandej mbetur përgjysmë etj.
Dhe
të gjithë shtetarët, si këndej, si andej vënë dorën në Kushtetutë! Kurse ti nuk
di se ku ta vësh dorën... për të veçuar ndonjërin prej tyre si thellësisht të
përgjegjshëm për postin që i është besuar! Njëlloj si kur janë pak më shumë se
80 vjeç, si kur janë pak më pak se 40 vjeç! Si kur janë meshkuj, si kur janë
femra. E njëjta mendësi, e njëjta sjellje kokëfortë, inatçore, meskine. Pas
meje u bëftë kiameti! Të tundin parasysh fotografinë në Shtëpinë e Bardhë, a
thua se ajo është kartë që të mban në pushtet pa fund, kur amerikanët u kanë
vënë caqe kohore të vetëve, dy mandate dhe kaq, çka nuk do të thotë se
domosdoshmërisht çdo lider mund t’i “gëzojë” të dy mandatet! Sidomos kur
politika nuk të rrit, nuk të pjek, por të mbrunë me zakonet e rënda të liderëve
tradicionalë. Sapo zemërohen, kur iu prishet interesi vetjak - si burra, si gra
në pushtet - nuk janë më të parët, që bilbilonin para kamerave për demokracinë
dhe shtetbërjen, duke mbajtur qendrime “parimore”, gjithnjë në emër parlamentarizmit,
pavarësisë së pushteteve etj. Fjala kompromis është e huaj për ta, ajo është e
mirëqenë vetëm po qe në favorin tim. Aq sa dhe fjala tjetër magjike, dorëheqje!
Jo, këto nuk janë për politikanët shqiptarë.
Të
kuptohemi, problemi nuk janë domosdo vetëm liderët e ekzekutivit apo ata
presidencialë, mund të shfaqën dhe nga gjyqësori prokurorë të “fortë”, që në
emër të pushtetit që iu jep ligji dhe mbështetjes së ndërkombëtarëve, e
mendojnë vetën të pagabueshëm. Mund të jetë diku zelli i tepruar i ndonjërit
sosh, mund të jenë mangësitë ligjore, por në sytë e publikut, votuesit, atij që
“emëron” dhe gjykatësit e prokurorët, sipas analistëve të fushës juridike është
i papërligjur paraburgimi i një njeriu të zgjedhur, të mandatuar për të
qeverisur në pushtetin vendor apo qendror, kur nuk ka diçka që vërtetë e
rrezikon procesin. Pushtet mbi pushtetet e tjera nuk mund të ketë. As
legjislativi. As ekzekutivi. As gjyqësori. Për mendimin tonë, në një shtet
demokratik, prangat vend e pavend nuk janë zgjidhja, marrja e pasurive të vëna
në mënyrë të paligjshme, duhej të ishte finalja, por që nuk ndodh.
I
pari për nga rëndësia është qytetari, marrja e shërbimeve dhe e drejtësisë prej
tij, pika më kritike e kësaj shoqërie. Rrjolli është drama e të gjithëve.
Pasqyra ku qeveria dhe drejtësia duhet ta shohin veten. Atje nuk kanë punë
policët, por shtetarët e ekzekutivit dhe të ligjit. “Rendi” në breg të detit
nuk vihet me shkop gome, por me akte ligjore në favor të pronarëve legjitimë.
Njerëzit prandaj ikin, ikin, ikin, duke na lënë ne të diskutojmë këtu me ditë e
me net, me javë e me muaj... imuniteti, provat, burgu!? Një tërkuzë që nuk
mbaron kurrë. Problemi ynë janë gjithnjë procedurat dhe jo thelbi, që ky vend
është vjedhur pa “procedura” dhe këtu ndëshkimi lypet të jetë shembullor, veçse
me prova të pakundërshtueshme e jo me ato mijëra faqet e dokumenteve të
sekuestruara nëpër zyra, shpesh praktika shkresore rutinë të administratës
shtetërore. Kësaj i thonë, në një anë “shumë zhurmë për asgjë”, në anën tjetër,
atë që është themelore për ekzistencën e një vendi, arat i kemi pa mbjellë
thuajse në krejt territorin e republikës!...
Mund
të vazhdojmë gjatë kështu, por ky është një veçse fejton politik, sa për një
fshikullim të dukurisë së pushtetomanisë, individëve keqqeverisës të veshur me
pushtet, që i mbajmë ne kaluar, pa iu zënë këmbët në tokë. E tash që morali i
fabulës është rrokur nga të gjithë, po përmendim ndonjë emër nga ata liderë që
shqiptarët nuk ka qenë e nevojshme me shpëtue prej tyre, si, në fillim e shekullit
XX, Ismail Qemali dhe në kohët e vona, Ibrahim Rugova.