| E enjte, 12.03.2026, 07:00 PM |

DEMONSTRATAT E 1981-shit NË KOSOVË
NGJARJET QË NDRYSHUAN
RRJEDHËN E HISTORISË
FUNDI I DIMRIT TË MADH DHE FILLIMI I PRANVERËS
SË ’81-shit, SHËNON FILLIMIN E MBARIMIT TË AMALGAMËS JUGOSLLAVE
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Për t’i
ndalur demonstratat, Beogradi dërgoi në Kosovë forca speciale apo rreth 30.000
Më 1 dhe 2 prill shpërthyen trazira në mbarë Kosovën. Kundër
protestuesve autoritetet jugosllave përdorën forcë. Ndërhyri ushtria
jugosllave, nëpër rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera qarkullonin
tanket dhe automjetet e blinduara. Aeroplanët luftarakë dhe bombarduesit
fluturonin mbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera. Beogradi e
shumëfishoi numrin e milicëve dhe të ushtarëve në Kosovë. Pasuan arrestimet,
burgosjet, hetimet, torturat nëpër biruca, qeli dhe zandanë, proceset
gjyqësore, dënimet drakonike. Çizme dhe shkopinj gome apo pendrekë milicësh,
xhandarësh dhe gardianësh. UDB-ja, d.m.th. shërbimi sekret jugosllav vepronte
pareshtur. Kosova as jepej, as shtrihej, as dorëzohej. Si një mal i vetmuar,
përballë stuhive, e patundur qëndroi. Deri në liri, pavarësi dhe demokraci ende
duhej derdhur gjak. Orakulli paralajmëronte agimin e një mëngjesi plot dritë.
* * *
E tërë
rrjedha e demonstratave është përcjellë nga lufta speciale e ”Doktrinës së Shenjtë Serbe.” Që nga
fillimi i revoltës në mensën e konviktit të studentëve në Prishtinë deri te
dalja në skenë e forcës së armatosur, kjo doktrinë ka vepruar nga prapavija me
metodat pasive dhe aktive të saj. Në katër vitet e para pas demonstratave, nga
organet e shërbimit sekret jugosllav janë dënuar 4 mijë veta. Në periudhën e
viteve 1981-1990, si rrjedhë e zinxhirit të demonstratave janë vrarë 183 civilë
shqiptarë. Në Armatën Popullore Jugosllave janë vrarë 63 ushtarë shqiptarë.
Janë dënuar 1346 ushtarë shqiptarë dhe 10.000 civilë për kundërvajtje politike.
Dënim me burg, mesatarisht 7,1 vit kanë vuajtur 3500 veta. Çdo i treti shqiptar
në Kosovë është keqtrajtuar nga policia serbosllave, kurse në vitin 1990 janë
helmuar mbi 7000 nxënës dhe studentë, kryesisht femra. Është folur edhe për
sterilizimin e femrave shqiptare me qellim zvogëlimin e përqindjes së lindshmërisë
së në Kosovë.
* * *
Parulla të demonstratave të ’81-shit, midis tjerash kanë
qenë:
“Kosova Republikë”, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me
dhunë”, “Jemi shqiptarë, s’jemi
jugosllavë”, “Trepça punon, Beogradi
ndërton” etj.
Protestat në Prishtinë shpërthyen më 11
mars 1981. Më 1 dhe 2 prill ato u përhapën në mbarë Kosovën. Sipas disa të
dhënave, u vranë 11 vetë: 4 nga pala e shtetit dhe 7 nga pala e protestuesve. U
arrestuan 4.200 vetë. Nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës u përjashtuan 1500
vetë. Për numrin e të vrarëve dhe të të arrestuarve, burime të tjera japin
shifra të tjera.
* * *
Në mars dhe në prill të viti 1981, një
protestë studentore në Prishtinë çoi në protesta të gjera në Kosovë. Shqiptarët
kërkonin më shumë të drejta për Kosovën. Kryesia e Jugosllavisë shpalli gjendje
të jashtëzakonshme në Prishtinë dhe në Mitrovicë, gjë që çoi në
trazira. Trazirat u shtypën nga ndërhyrja e ashpre e policisë jugosllave. Kjo shkaktoi
viktima të shumta. Pasoi një periudhë e trysnisë politike.
Sipas të dhënave të vitit 1975,
ekonomia e Kosovës, krahasuar me mesataren jugosllave, ishte shumë më pak e
zhvilluar. Me fjalë të tjera, Kosova ishte entiteti më pak i zhvilluar brenda
Jugosllavisë.
Universiteti i Prishtinës ishte pika
fillestare e protestave studentore të vitit 1981. Izolimi kulturor i Kosovës
brenda Jugosllavisë dhe ngecja endemike e saj, krahasuar me pjesët e tjera të
vendit, rezultuan me numrin më të lartë, si të studentëve, ashtu edhe të
analfabetëve në Jugosllavi. Arsimimi universitar nuk konsiderohej garanci për
punësim në të ardhmen. Në vend të përgatitjes së studentëve për profesione
teknike, universiteti përgatiste studentë në lëmin e arteve, në veçanti në
albanologji, të cilat mezi gjenin punë përveç në administratë ose në
institucionet kulturore vendore, apo edhe jashtë Kosovës. Kjo krijoi një grup
të madh të rinjsh të papunë me arsim të lartë dhe të pakënaqur, rekrutë
kryesorë për ndjenja nacionaliste.
Demonstrata u organizuan nga disa
profesorë dhe studentë. Midis tyre mund të përmendim Besim Baraliun, Fehmi Lladrovcin* dhe të tjerë.
Shënim: Fehmi Lladrovci (Fshati Shkabë, dikur Gllanasellë,
Komuna e Drenasit, 15.05.1956 – 22.09.1998) një nga komandantët dhe luftëtarët
më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ra dëshmor gjatë luftimeve të
ashpra kundër forcave pushtuese serbe në vendin e quajtur “Gradinë” afër
fshatit Gllanasellë. Po atë ditë, bashkë me të ra në altarin e lirisë edhe
bashkëshortja e tij Xhevë
Krasniqi-Lladrvci* (Drenoc të Klinës, më 01.06.1955 - 22.09.1998 ). Pas mbarimit të luftës, u
shpallën heronj të Kosovës. Një prej organizuesve kryesorë të pranverës së 1981-shit
ka qenë edhe Hydajet Hyseni (fshati
Përlepnicë i Gjilaanit, 1954- ). Në vitin 1973 u përket radhëve të “Grupit Revolucionar.” Ishte në një
celulë të formuar nga heronjtë e kombit Rexhep
Mala (1951-1984), Hilmi Ramadani (fshati
Novosellë, Bujanoc, 26.04.1953 - 2025) dhe Kadri
Zeka (fshati Poliçkë, Malësi e Dardanës / Kamenicës, 25.04.1953 – 17.01.1982).
Në vitin
1981 Hydajeti u burgos nga forcat
serbo-çetnike.
Shënim: Rexhep Mala (1951-1984) ka qenë truri i Lëvizjes Kombëtare. Ai dhe Nuhi Berisha (lindi në Svircë të Dardanës
/ Kamenicë, më 03.10.1961. Ra heroikisht më 19.01.1984) ranë heroikisht në janar
të vitit 1984, gjatë përleshjes me forcat policore fashiste serbe në Kodrën e Trimave
në Prishtinë.
Shënim: Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e
Bardhosh Gërvalla vriten tinëzisht
nga UDB-ja jugosllave më17 janar 1982 në Untergrupenbach afër qytetit Heilbronn,
landi i Shtutgartit, Gjermani.
* * *
Deri në vitin 1981 Universiteti i
Prishtinës kishte rreth 20000 studentë - një në dhjetë banorë të popullsisë së
përgjithshme të qytetit.
Protestat e
studentëve - Demonstratat filluan më 11 mars 1981,
fillimisht si një protestë spontane në shkallë të vogël për ushqim më të mirë
në mensën e konviktit studentor dhe për kushte më të mira jetese në konvikte.
Të lodhur nga pritjet në radhë me orë të tëra për ushqimin me cilësi të dobët,
studentët filluan të demonstrojnë me nismën e Gani Kocit, i cili më vonë u arrestua. Dy deri në katër mijë
demonstrues u shpërndanë nga policia, me rreth njëqind arrestime të kryera.
Shënim: Gani Koci (Polac, Skenderaj, 20.06.1958-
) në vitin 1981 u burgos nga pushtuesit serbo-sllavë dhe u dënua me 15 vjet
heqje lirie, si një prej organizatorëve të demonstratave të pranverës së vitit
1981. Nga viti 1996 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka
studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Politeknikes, në Universitetin
e Prishtinës. Po në atë universitet ka kryer edhe drejtësinë. Ka qenë deputet i
Kuvendit të Kosovës nga Grupi parlamentar i PDK-së në periudhën e shpalljes së
pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
* * *
Protestat e studentëve rifilluan dy
javë më vonë, më 26 mars 1981. Mijëra
demonstrues brohoritën parulla gjithnjë e më nacionaliste. Policia pushtuese
jugosllave përdori forcën për t'i shpërndarë ata. Me këtë rast u plagosën 32
persona. Shumë studentë u arrestuan dhe kjo nxiti edhe shtrirjen e protestave.
Më 30 mars, studentët e tre fakulteteve më të mëdha të universitetit shpallën bojkot,
duke thënë se pushtuesit serbo-sllavë po synojnë kthimin e rankoviqizmit. Kërkesat e
studentëve shqiptarë ishin nacionaliste. Kërkohej njëherazi që
ekonomia e Kosovës dhe shkalla e zhvillimit të saj të barazohet me shkallën e
zhvillimit te pjesëve të tjera të RSFJ-së.
Përshkallëzimi i
protestave - Më 1 prill 1981, demonstratat u
përhapën në mbarë Kosovën. Gjatë përleshjeve me demonstruesit u plagosën 17
policë të forcave pushtuese jugosllave. Policia nuk ia doli t’i shpërndante
kryengritësit.
Ushtria ndërhyri “për t’i siguruar institucionet shtetërore”. Një prej politikanëve
të njohur të saj kohe në Kosovë ishte edhe Mahmut
Bakalli (1936-2006).
Brenda disa ditësh, protestat për
kushte më të mira për studentët, u shndërruan në revoltë për shtypjen dhe shfrytëzimin e shqiptarëve nga shumica serbe.
Më pas pasuan trazira dhe kërkesa nacionaliste shqiptare. Kërkesa
kryesore ishte që Kosovës t’i njihej statusi i republikës dhe ajo të bëhej një
prej shtatë republikave të RSFJ-së.
Autoritetet fajësuan për protestat
nacionalistët radikalë. Në maj të vitit 1981 autoritetet jugosllave thanë se
qëllimi i protestuese ka qenë që Kosovën tanimë republikë, ta ndajnë nga
Jugosllavia dhe t’ia bashkojnë Shqipërisë.
Autoritetet jugosllave ndaluan
njoftimet e agjencive të huaja për ngjarjet në Kosovë. U ndaluan po ashtu edhe
informimet vendase, për dallim nga ato të protestave të vitit 1968 në Kosovë.
Ato kishin për detyrë të transmetonin vetëm deklarata zyrtare të organeve të
shtetit jugosllav apo serbo-sllav Deklaratat zyrtare ishin në thelb të pasakta
dhe të pavërteta. Ato flisnin "për armiq të brendshëm dhe të
jashtëm". Ato provokuan një sërë teorish konspiracioni që nxitën ndjenja
nacionaliste diku tjetër në Jugosllavi. Një nga teoritë e konspiracionit të
autoriteteve jugosllave ishte edhe ajo sipas së cilës thuhej: “Ka të dhëna se në protestat e studentëve është
i implikuar edhe shërbimi i sigurimit i
Shqipërisë”. Në këtë kohë, funksionar i lartë i Kosovës ishte edhe Azem Vllasi (Kamenicë, sot Dardanë,
Kosovë, 1948- ).
Kërkesa që Kosova të
bëhet republikë e shtatë e Jugosllavisë ishte e papranueshme për Serbinë dhe për
Maqedoninë.
Një bllokim ndodhi pranë Podujevës, ku
përforcimet policore që vinin prej Serbie u ndaluan nga demonstruesit.
Sipas autoriteteve jugosllave, disa
prej grupeve të protestuesve kanë qenë marksistë-leninistë, ideologjia e të
cilëve qenkësh formuar nga pikëpamjet e Enver
Hoxhës (1908-1985). Autoritetet jugosllave akuzuan Shqipërinë për ndërhyrje
në çështjet e tyre të brendshme. Sipas disa studiuesve, shkalla e ndikimit të
ushtruar nga qeveria shqiptare në protesta është e diskutueshme.
Profesoresha
për Studime të paqes dhe të konflikteve në American
University, Washington, D.C. Xhuli A. Mertus (Julie A.
Mertus, 1963 - ) thotë: “Disa studentë kanë
mbajtur pankarta me mbishkrimin: ‘Ne jemi ushtarë të Enver Hoxhës’, por numri i
tyre ka qenë i vogël.” “Shqipëria
përdori radion dhe televizionin dhe dërgoi libra për t’i inkurajuar shqiptarët
e Kosovës "të bashkoheshin me atdheun",
pohon Xhuli A. Mertus.
Gjendje e jashtëzakonshme - Udhëheqja
e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë e pa kundërshtimin e protestuesve ndaj
vetëqeverisjes socialiste. Nacionalizmin e tyre e definoi si një kërcënim të
madh ndaj Jugosllavisë. Federata jugosllave mori vendim që "t'i shtypte ata me të gjitha mjetet që i kishte në dispozicion".
Më 2 prill 1981, Kryesia e Jugosllavisë
nën udhëheqjen e serbit nga Bosnja dhe Hercegovina, Cvijetin Mijatoviqit (Llopare afër Tuzllës, BH, 1913 – Beograd,
1993) shpalli në Prishtinë dhe në Mitrovicë gjendje të jashtëzakonshme e cila
zgjati një javë.
Shënim: Prej 15 maj 1980
deri më 15 maj 1981, Cvijetin Mijatoviqi
ka qenë Kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë.
* * *
Për t’i ndalur demonstratat, Beogradi dërgoi
në Kosovë forca speciale apo rreth
30.000 Më 1 dhe 2 prill shpërthyen
trazira në mbarë Kosovën. Kundër protestuesve autoritetet jugosllave përdorën
forcë. Ndërhyri ushtria jugosllave, nëpër rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve
të tjera qarkullonin tanket dhe automjetet e blinduara. Aeroplanët luftarakë
dhe bombarduesit fluturonin mbi ndërtesat e Prishtinës dhe të qyteteve të
tjera. Beogradi e shumëfishoi numrin e milicëve dhe të ushtarëve në Kosovë.
Pasuan arrestimet, burgosjet, hetimet, torturat nëpër biruca, qeli dhe zandanë,
proceset gjyqësore, dënimet drakonike. Çizme dhe shkopinj gome apo pendrekë
milicësh, xhandarësh dhe gardianësh. UDB-ja, d.m.th. shërbimi sekret jugosllav
vepronte pareshtur. Kosova as jepej, as shtrihej, as dorëzohej. Si një mal i
vetmuar, përballë stuhive, e patundur qëndroi. Deri në liri, pavarësi dhe
demokraci ende duhej derdhur gjak. Orakulli paralajmëronte agimin e një
mëngjesi plot dritë.
Më 3 prill, demonstratat e fundit zhvilluan
në Vuçitërn sot Vushtri, në Ferizaj, në Viti dhe në Mitrovicë. Ato
u shtypën nga përqendrimi i numrit të madh të forcave policore të armatosura
deri në dhëmbë. Sipas disa të dhënave, në gjashtë qytete ishin përfshirë mbi
20.000 kryengritës.
Në fund të prillit, New York Times raportoi se gjatë
protestave ishin vrarë nëntë persona kurse mbi pesëdhjetë ishin plagosur. Në
korrik, media raportoi se deri në fund të protestave ishin plagosur mbi 250
persona.
* * *
Nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës u
shkarkuan disa figura kyçe, përfshirë edhe kryetarin e saj. Mahmut Bakalli (Gjakovë, 19.01.1936 – Prishtinë, 14.04.2006) u zëvendësua
nga udhëheqësi i lartë komunist i Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, Veli Deva (Gjakovë, 18.10.1924 – Prishtinë, 25.11.2015). Pas
demonstratave, nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës u përjashtuan
studentët që konsideroheshin separatistë. Me dënim burgu deri në 15 vjet u dënuan 226 studentë
dhe punëtorë. Shumë veta, përfshirë edhe disa udhëheqës dhe profesorë
universitarë u përjashtuan nga puna. Ata u zëvendësuan nga përfaqësues të linjës së ashpër të Lidhjes së
Komunistëve.
Universitetit iu ndalua të përdorte
tekste universitare të importuara nga Shqipëria. Që nga ajo kohë, universitetit
iu kërkua të përdorte vetëm libra të përkthyer nga serbokroatishtja.
Akademikët dhe politikanët serbë rendën
t’i shfrytëzojnë demonstratat në Kosovë si pretekst për të kërkuar centralizimin
e pushtetit jugosllav, krijimin e një Jugosllavie unitare, suprimimin e Kushtetutës së viti 1974,
reduktimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve, suprimimin e
autonomive të Kosovës dhe të Vojvodinës, bashkëngjitjen Serbisë të territoreve
të banuara me serb. Universitetin e Prishtinës Beogradi e quajti "bastion
të nacionalizmit shqiptaromadh".
Kryesia e Jugosllavisë nuk pranoi ta
suprimonte autonominë e krahinave, siç kërkonin disa komunistë serbë. Lidhja e
Komunistëve të Kosovës i shpalli trazirat si produkt të nacionalizmit shqiptar.
Serbia tentoi të zvogëlonte pushtetin e
shqiptarëve në Kosovë. Ajo zhvilloi një fushatë propagandistike që thoshte se
serbët dëboheshin nga Kosova kryesisht nga popullsia në rritje e shqiptarëve
dhe jo nga gjendja e rëndë ekonomike. Ky pretendim i Serbisë s’ishte veç se një
gënjeshtër e madhe e trilluar dhe e sajuar.
Policia jugosllave apo serbo-sllave
thotë se ka shpërbërë 33 grupe nacionaliste shqiptare. Janë dënuar rreth 280
persona, 800 janë gjobitur, 100 i janë nënshtruar hetimit. Janë sekuestruar
arka armësh dhe materiale propagandistike.
Demonstratat në
Kosovë ishin fillimi i një krize të thellë në Jugosllavi që më vonë çoi në
shpërbërjen e saj. Përgjigja e qeverisë jugosllave ndaj
demonstratave e ndryshoi diskursin politik në vend dhe e dëmtoi aftësinë e saj për
të ndërtuar të ardhmen.
Në letërsi dhe art - Ngjarjet në Kosovë e frymëzuan Ismail Kadarenë (1936-2024) për ta shkruar romanin „Krushqit janë të ngrirë“. Vepra u
shkrua në vitet 1981-1983 dhe u botua në vitin 1986 në një përmbledhje me vepra
të tjera. Autori e paraqet aty mjeken Teuta Shkreli e cila kujdeset për
studentët e plagosur. Figura e Teutës u frymëzua nga veprimet e gjinekologes Sehadete Doko- Mekuli (Ohër, 16.10.1928
– Prishtinë, 12.11.2013) e cila ishte bashkëshorte e poetit, kryetar i parë i
Akademisë së Shkencave të Kosovës, Esad
Mekulit (Plavë, 17.12.1916 -
Prishtinë, 06.08 1993).
