| E merkure, 11.03.2026, 06:44 PM |
Shqiptarët synojnë përfaqësim në zgjedhjet komunale në Belmont- Broye të Zvicrës
Nga Sevdail Hyseni
Në Kantonin e Friburgut në Zvicër, më 8 mars të këtij viti
mbahen zgjedhjet komunale, një proces i rëndësishëm demokratik për përfaqësimin
lokal dhe për drejtimin e komunave në pesë vitet e ardhshme. Mes komunave ku
këto zgjedhje priten me interes të veçantë është edhe Belmont-Broye, një komunë
e njohur për praninë dhe angazhimin aktiv të komunitetit shqiptar në jetën
shoqërore dhe politike.
Kjo komunë ka qenë tashmë e njohur edhe për kontributin e
përfaqësuesve me prejardhje nga Lugina e Preshevës, konkretisht nga fshati
Tërnoc Komuna e Bujanocit, të cilët në vitet e fundit kanë qenë pjesë e
strukturave vendimmarrëse lokale. Njëri ndër ta është edhe Ismail Ismaili, i
cili për dy mandate radhazi, nga pesë vite secili, ka qenë anëtar i Kuvendit të
komunës (Conseil général), duke përfaqësuar qytetarët dhe duke dhënë kontribut
në zhvillimin dhe funksionimin demokratik të komunës.
Pas dy mandateve të suksesshme në këtë institucion lokal,
Ismaili këtë herë nuk do të garojë më në zgjedhjet e radhës. Megjithatë,
tradita e angazhimit qytetar në familjen e tij pritet të vazhdojë përmes vajzës
së tij, Valentina Ismaili-Xheladini, e cila ka vendosur të kandidojë dhe të
synojë vazhdimin e përfaqësimit në Kuvendin komunal të Belmont- Broye për
mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.
Kandidatura e saj shihet si një vazhdimësi e përfaqësimit të
komunitetit shqiptar në këtë komunë dhe një dëshmi e integrimit të suksesshëm
të diasporës shqiptare në jetën institucionale dhe politike të Zvicrës.
Një tjetër risi në këto zgjedhje është edhe kandidatura e
Din Rexhajt, me prejardhje nga Peja, i cili garon në listën e Partisë
Socialiste dhe të Gjelbërve. Kandidimi i tij pasqyron gjithashtu rritjen e
rolit dhe të angazhimit të shqiptarëve në politikën lokale zvicerane, duke
sjellë energji dhe ide të reja për zhvillimin e komunitetit dhe të komunës ku
jetojnë.
Prania e kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet komunale të
Belmont-Broye është një tregues i qartë i integrimit të diasporës shqiptare në
shoqërinë zvicerane, por edhe i besimit që komuniteti ka fituar ndër vite
përmes punës, përkushtimit dhe kontributit në jetën publike.
Zgjedhjet e së dielës priten me interes të veçantë nga
komuniteti shqiptar në këtë komunë dhe më gjerë, me shpresën që Valentina Ismaili-Xheladini
dhe Din Rexhaj të fitojnë mbështetjen e qytetarëve dhe të bëhen pjesë e
Kuvendit të ri komunal për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.
Një sukses i mundshëm i tyre do të ishte jo vetëm një
arritje personale, por edhe një dëshmi tjetër e rolit gjithnjë e më të
rëndësishëm që shqiptarët po luajnë në jetën politike dhe shoqërore të Zvicrës.
Legjenda:
Ismail Ismaili ish
deputet në Belmont- Broye të Zvicrës;
Deputetët e PS së bashku
me dy kandidatë shqiptarë të munshëm për deputetë: Valentina Xheladini -
Ismaili dhe Din Rexhaj;
Deputetet e PS së bashku
me dy kandidatë shqiptarë të munshëm për deputetë: Valentina Xheladini -
Ismaili dhe Din Rexhaj.

