| E merkure, 11.03.2026, 06:27 PM |
Drama morale dhe fati i individit në romanin "Ku(rvë)nata" (1) të Gjon Markut
Nga Prof. Dr. Tefë
Topalli
Në hapësirën romanore të Gjon Markut, janë dy vepra në prozë brenda
një viti (2020): "Kurvënata" dhe "...drejt Arbërisë". Thuhet se
guximi për të dalë para lexuesit me këtë gjini të gjatë narrative nuk vjen
shpejt; autorët duhet të sprovohen gjatë më parë në vjershëri, pastaj me
tregimin, novelën dhe novelat.
Kështu ka
ndodhur me autorin tonë: ai kishte vite që punonte me tregime, hartoi dhe
publikoi shumë përmbledhje me këtë lloj letërsi. Për syrin e studuesit, ai
arriti të depërtojë në strukturën e këtyre krijimeve, të ruajë raportet e
ngjarjeve që përshkruan me veprimin e personazheve - protagonistëve,
personazheve të dorës së dytë - dhe marrëdhëniet midis tyre. Ai u stërvit në
shkallë të lartë për të përcaktuar hyrjen, zhvillimin e ngjarjeve, mbylljen apo
epilogun e një vepre. Mund të thuhet gjithashtu se shkrimtari Gjon Marku njeh
dhe di të përdorë mjetet e gjuhës për karakterizimin e personazheve; ia del të
nxjerrë në pah bukurinë e natyrës, shëmtinë e veprimeve jo-morale të njeriut të
vogël e të zvetënuar, në antitezë me madhështinë e njeriut human, demokrat dhe
të drejtë, me qëndrim të pranueshëm dhe të lakmuar në komunitetin shoqëror.
Lexuesi i
menduar i këtij libri ndodhet para një befasie të pakëndshme, ashtu si vetë
autori, kur sheh dhe njeh këtë realitet absurd të një gjendjeje subkoshience,
me skena Sodome e Gomorre biblike, apo ndoshta nga M. Proust në "Në kërkim të kohës së humbur";
emra qytetesh mëkatarë që presin ndëshkimin e Perëndisë... Engjëlli student,
ëndërrimtar e romantik, ndërsa nis një jetë të re me të ardhme, papritur humb
gjithçka: vajzën e dashur Manjola dhe të atin, që e kishte drejtuar në jetë dhe
priste ta gëzonte me një familje të re.
Siç është
e zakonshme në narrativën e gjatë, autori ynë nis me një prolog shumë
domethënës: vëlla e motër, së bashku në vendlindje, më 3 prill, i shkojnë
babait tek varri, një rit që personazhi kryesor i veprës e përsërit vit për
vit; në këtë segment, ai shoqërohet nga e motra, me të cilën ndajnë dhimbjen e
përbashkët si vëlla e motër.
Protagonisti
i veprës ka pësuar zhgënjim e goditje, sepse nuk i kanë dhënë degën që donte më
tepër, edhe pse meritonte të zgjidhte mbi bazën e rezultateve shkollore:
mjekësinë. Kur merr vesh se kushëriri i Sekretarit të Parë, bile bashkë me të
dashurën e tij, i kishin caktuar të studionin në këtë degë, ai do të dilte inxhinier
dhe nisi punë; u bë edhe familjar, kur i ndodh e papritura në jetë: kunata,
mjeke, i dorëzohet dhe do ta "tundojë" me të gjitha mënyrat, edhe
duke iu zhveshur para tij! Orgji... kurvëri, e thënë troç!
Është një
skenë zwaigiane, ndryshe pasazh venerian, si në novelën "Amok" të shkrimtarit të madh
austriak. Është një skenë e atillë me dy tablo: inxhinieri ndjen neveri e
urrejtje ndaj zvetënimit moral të kunatës mjeke, që bie në gjendje të
papranueshme për botën intelektuale dhe njerëzore. Është një roman plot ngjarje.
Me luftë
ndjenjash, njëra palë do të përpiqet të qëndrojë në pozita morale qytetare,
ndërsa tjetra të bjerë sa më shumë në batakun e papastërt të shpirtit njerëzor.
Është, më në fund, një skenë që, në moralin shqiptar, zë vend edhe pranë rrethit
të incestit, pasi, shprehur brenda normave morale tona, kunata konsiderohet si
motër në çdo familje shqiptare. Do t'ia lëmë lexuesit të mësojë çfarë mund t'i
ngjasë njeriut nëse bie në llumin e veseve, të zvetënimit dhe të subkoshiencës.
Modele të rënies morale nuk janë vetëm brenda ngjarjes së Engjëllit, por
gjithandej ka degradim të shoqërisë, dalje nga normat e së drejtës dhe
mirëkuptimit; përkundrazi, kudo zë e sundon mashtrimi, gënjeshtra, padrejtësia,
fshehja, synimi për t'i bërë keq tjetrit etj.
Saga e
jetës së Engjëllit në padrejtësi dhe nën pushtetin e së keqes – kryesuar vetëm
nga njerëz të këqinj e aq të zvetënuar moralisht - është fati i individit që ka
vendosur të kalojë një jetë sipas parimit "më mirë gur se urë". Këtij
inxhinieri të drejtë e të shëndoshë moralisht, me parime të qytetarisë krenare,
i takon të provojë sulme e dënime, poshtërime dhe pabesi, shpufje dhe të
pavërteta. S'ka më keq: të provojë edhe burgun e Shën Kollit, madje të kalojë
kohë midis shumë të dënuarve, në një dhomë të ngushtë që mblidhte 12 burra –
dënuar për dhunë familjare prej grave! Po, prej grave, që po mësonin të
kërkonin edhe urdhër mbrojtjeje, për hiçgjë, vetëm e vetëm që të siguronin
nëntëdhjetë mijë lekë shpërblim! Të gjitha këto ndodhnin për ta mposhtur dhe
poshtëruar Engjëllin, për ta goditur dhe vrarë (se fjala vret si rrufeja, ajo
fjala fyes dhe e pavërtetë).
Një tufë
njerëzish, që nuk meritonin të quheshin njerëz, e quanin
"kryemëvete", duke përhapur opinionin e zi se "Ai ka luajtur
menësh!" U bë çfarë s'u bë: u paguan para dhe ryshfeti gjyqtarit, derisa
të realizohej ajo që shpalli gjyqtarja e mirpaguar, me emrin Parshqevi, e cila,
si përfaqësuese e (pa)drejtësisë, i priste fjalën dhe tërhiqej për të shpallur
vendim: burg në Shën Koll... për të kryer hetime të tjera dhe plotësuar dosjen,
pa një të vërtetë. Një delikt para të akuzuarit, që po kupton gjithçka, çfarë
krimi po kryen vetë e ashtuquajtura "drejtësi" e padrejtë, figuruar
aq keqas nga gruaja-mosntër e jurisprudencës, me emrin Parshqevi, për të cilën,
pa kaluar tri ditë, bëhet lajm arrestimi i saj për korrupsion.
Prandaj
shprehet inxhinieri:
"Syri, nisi të flasë Engjëlli, është dritëza e
trupit. Në qoftë se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i
ndriçuar. Por nëse ai është keq, i tërë trupi do të jetë i errët. Njeriu, me
shikimin e tij, zotëron fuqi marramendëse, me anë të së cilës ai mund të bëjë
punë të mira dhe punë të liga."(2)
Mbi 100
faqe (77–185) autori ia kushton jetës dhe marrëdhënieve me të burgosurit e
tjerë të inxhinier Engjëllit, duke dalluar midis tyre, duke bërë shokë e miq,
të cilët e adhurojnë për qëndrimin burrëror dhe peshën e njeriut të thjeshtë e
të moralshëm. Por padrejtësia nuk ka mbaruar: njeriu ndërshëm, intelektuali i
ditur dhe specialisti në fushën e tij, do të vuajë edhe më tej, pasi takon
babain e Nikë Marashit, ardhur në burg për ta parë si të dënuar.
Shfletojmë
romanin dhe na dalin skena të Dhimbjes së Madhe mbarëshqiptare: tragjedia e
Kanalit të Otrantos, aksidenti tragjik me studentë në Himarë etj. Njohja me
skena të jetës në...
Dukagjin,
afrimi me Lulashin, i cili kishte nisur një jetë të re me ndërtimin e kullës në
vendlindje, nusja italiane e djalit Nikë, migrant në Itali, por nusja rezulton
se ishte me origjinë nga Kina... Çifti vjen dhe mirëpritet nga prindërit, midis
atyre bukurive epike, natyrore të Dukagjinit.
Inxhinieri
ynë, protagonisti i romanit të Gjon Markut, do të përballet edhe me sfida më të
mëdha: ka humbur shtëpinë – kthyer e huaj me dokumente fallso nga njerëz të
këqinj: "Qen e njeri bashkë!" (f. 241). Nuk sosin vuajtjet për
inxhinier Engjëllin: ai ka nisur të verifikojë falsifikimin e firmave të tij në
kontrata kredie dhe kontrata hipotekimi, me anë të të cilave ishte vërtetuar
vjedhja e milionave në emër të tij.
Fragment:
"Engjëlli ishte nisur për në gjyq; tashmë ishte
vërtetuar falsifikimi i firmave të tij në kontrata kredie dhe kontrata
hipotekimi, pra ishte vërtetuar vjedhja e milionave në emër të tij. Por
pavarësisht kësaj, dhe pavarësisht se gjykata e shkallës së parë i kishte dhënë
të drejtë Engjëllit, ai duhej të ballafaqohej në Gjykatën e Apelit, dhe padinë
e kishte bërë noterja që kishte noterizuar dhe ligjëruar vjedhjen e milionave.
Nuk ka gjë më të keqe se ambicja e njerëzve të rëndomtë që mendojnë se
lartësohen duke poshtëruar të tjerët. Eh, medet! Qysh kur thua të vërtetën,
duhet ta dish mirë dhe të përgatitesh, sepse të gjithë të padrejtët, të
pafytyrët dhe të pamoralshmit bashkohen kundër teje. E, për të bërë armiq, nuk
ke nevojë t'iu shpallësh luftë; mjafton t'iu thuash të vërtetën. Gjithsesi, në
këtë botë nuk ka jastëk më të butë se ndërgjegjja e pastër; Engjëlli ndihej me
ndërgjegje të pastër, pavarësisht gjithçkaje..."(3)
Puna
kishte mbërritur deri atje sa të dilte në dritë gjithçka e keqe, poshtëruese
dhe e padrejtë që i ishte bërë këtij pinjolli të virtytshëm e të padorëzuar
para së keqes. Në kujtesë na mbetet, në faqet e prologut të romanit,
portretizimi që autori i bën personazhit Prengë: i pabesë, pa moral, që nuk
ndalet para së keqes, duke humbur gjithë karakterin e njeriut.
Fundi i
pashmangshëm:
"Miqtë
e rrejshëm janë si zogjtë shtegtarë; ikin kur prishet moti!"
Sa
fatzinj janë të vafërit, shkruan autori për personazhin e dashur të tij, me të
cilin ka kaluar nëpër ngrehinën e fabulës së këtij romani. Në udhëkryqet e
jetës, Engjëlli është ngulur dhe pret, i fillkëputur keq nga lëmshi i jetës.
Takon një i njohur dhe... në xhep nuk kishte veç lekët e kafes që pas burgut e
pinte krejt vetëm. Tjetri duket se e kupton trishtimin e thellë të Engjëllit.
Bëhen bashkë në kafe dhe dëgjon me vëmendje çfarë i tregon njëri prej miqve të
tij të vjetër; një mësim nga daja në Milot.
Në
thelb të ngjarjes, i thotë:
"Ngreje
kryet vrik, ngreje kryet dhe ec drejt, se sy të lig ka bota. Njerëzit pa
qëllime mblidhen kokë më kokë e me llafe merren; të tjerët s'e dinë çfarë bluen
koka jote që ti ecën kaq trishtueshëm dhe çfarë halli ke! Mos të të mundë halli
ty, por munde ti hallin. Jo gjithnjë rënia është humbje."
Në
mbyllje, sentenca aq e goditur e këtij romani:
"Më
mirë gur se urë..."
Literatura:
1. Gjon
Marku, Ku(rvë)nata, roman, EMAL,
Tiranë, 2020.
2. Po ai,
po aty, f. 74.
4. Po ai,
po aty, f. 264