| E merkure, 11.03.2026, 06:57 PM |

NË 70 VJETORIN E LINDJES SË SHKRIMTARIT BEDRI TAHIRI
Nga Xhemail Peci
Shkrimtari, profesori, publicisti, veprimtari, veterani,
atdhetari, e kronisti i kthesave të mëdha historike, Bedri Tahiri hyn në radhën
e atyre krijuesve, të cilët kanë më shumë vepra të shkruara se sa vite të
jetuara.
Vepra e tij shumëdimensionale, së bashku me dorëshkrimet e
tij që presin dritën e botimit, e dëshmojnë më së miri një pohim të tillë.
Krijuesi i gjithanshëm, Bedri Tahiri është mishëruar me
librin deri në atë përmasë, sa me dhuntinë dhe me dashurinë e tij për librin,
nuk ka sesi të mos na e kujtojë atë që është thënë për poetin e madh spanjoll
Federiko Garcia Lorkën, se ai mund të rrinte pa bukë, por jo edhe pa libra.
Intelektual i mirëfilltë, me ndjenjën e theksuar të
atdhedashurisë, ai bën pjesë në radhën e shkrimatrëve të cilët vendlindjen e
kanë qendër të frymëzimeve të tyre krijuese.
Nga një prizëm i tillë kundrimi, mund të themi se, fjala
vjen, Kafka mishërohet me Pragën, De Rada me Makin, Ramiz Kelmendi me Pejën, e
Bedri Tahiri me Galicën.
Galica është epiqendra e frymëzimeve të tij krijuese, sepse
ajo ka hyrë në histori me binomin e njohur kombëtarisht: Azem e Shote Galica.
Galica pra është sofra dhe votra e frymëzimit dhe e përkushtimit krijues e
intelektual të Bedri Tahirit. Ndërkaq, atdhedashuria është lajtmotivi kryesor i
të gjitha veprave të tij.
Sot, në 70 vjetorin e ditëlindjes së tij, e themi me krenari
dhe me kënaqësi, se këtij binomi i është shtuar edhe një emër, pena e të cilit
përjetëson lavdinë e kokave kryengritëse.
Ai bëhet kështu kronisti i një epoke të re, i një lavdie të
re të një lufte skënderfbejane, i Epokës së Adem Jasharit.
Marin Barleti sot e mot na kujton se Trumpeta e Krujës i
bashkoi arbërorët nën shqiponjën e Gjergj Kastriotit, Mihal Grameno dëshmoi se
po kjo trumpetë ra sërish në Prizren e në Mashkullorë, Bedri Tahiri me veprën e
tij na përkujton se pas Vlorës, Trumpeta e Krujës ra edhe në Prekaz.
Dy pena si dy krerë të shqiponjës, njëra e Mihal Gramenos
dhe tjetra e Bedri Tahirit, flasin me gjuhë gjaku. Bëhen dëshmitare të
vuajtjeve dhe të sakrificave më sublime të qenies shqiptare, bëhen ogur i
bardhë se liria e shumëpritur do të vijë dhe se një popull nga më të vjetrit e
Gadishullit të Ilirisë, nuk meriton të trajtohet si një turmë e përgjakur.
Në penën kryengritëse të Bedri Tahirit, lavdia
ademjashariane nuk është një lavdi përkëdheltare, por një lavdi e shkruar me
epope gjaku. Lavdia e Jasharajve është lavdi e sakrificës dhe e flijimit
familjar për idealin gjithëkombëtar. Prandaj, duke shkruar për këtë epope të
rrallë, krijuesi atdhetar Bedri Tahiri na e kujton epopenë e djelmënisë
shqiptare - të Martirëve të Fushës së Korçës më 16 e 17 korrik 1911, ku siç e
thonë edhe vargjet vargmal: Dëshmor i ati, therror i biri/Kështu vdes vetëm i
liri!
Ai dëshmon kështu për historinë, ai rrugëton me kombin e
tij, ai është bashkëudhëtar dhe bashkëmendimtar me atdhetarë dhe me çlrimtarë.
Ai u takon breznive orëmira, sepse me fisnikërinë dhe me
bujarinë e tij, ai gjithmonë e shtron dhe e lartëson në mënyrën më të denjë,
ate që Ernest Koliqi e ka pagëzuar si: Sofër të Vëllazërisë Gjithëshqiptare.
E gjithë vepra e tij, e cila më shumë se sasi është cilësi
me vlera të mirëfillta ideo-estetike, e dëshmon atë që e ka thënë pararendësi
ynë, Lasgush Poradeci, se: ‘Kosova ka bërë luftë skënderbejane dhe se të thuash
për kosovarët se janë trima, është pak.’
Bedri Tahiri fjalën e ka dritë, dhuntinë e të shkruarit e ka
bekim, tavolinën e punës e ka fushëbetejën e tij intelektuale, të lexuarit e ka
pasion, të vërtetën e ka mision, të drejtën e ka vizion, penën e ka dëshmi për
liri e për atdhedashuri: deri në përjetësi.
Vepra e tij na nderon, fjala e tij na bashkon, kontributi i
tij dhe shembëlltyra e tij na obligon, përvjetori i tij i 70-të nga gëzon dhe
na mbushë me shpresë për vepra e kryevepra të tjera të reja, sepse luftëtarë të
paepur e heronj të lirisë si Shaban Polluzha, Shote Galica, Marie Shllaku,
Tahir e Nebih Meha, Fehmi e Xhevë Lladrovci, presin penën e tij, presin dorën e
tij, presin ta shohin dritën e botimit e të përjetësimit, sa nëpërmjet dhuntisë
së shkrimit po aq dhe nëpërmjet fisnikërisë së nderimit.
Sot, në këtë ngjarje të shënuar me të cilën po nderojmë
njeriun, shkrimtarin, intelektualin, atdhetarin, dhe kronistin që beson se
fjala është firmamenti i breznive orëmira, testamenti i përjetshëm i të gjithë
atyre që vunë krenarinë përmbi lumturinë, ne po nderojmë kulturën tonë
kombëtare, prandaj sot si asnjëherë tjetër, duke e vënë dorën në zemër dhe
zemrën në letër, Bacit Bedri i urojmë shëndet, jetë të gjatë, mbarësi, mirësi,
begati dhe lumturi: pa kufi!

