| E marte, 10.03.2026, 06:55 PM |
NDREC NDUE GJOKA, MISIONAR I ARSIMIT
(Refklektim
me rastin e 7 Marsit)
NGA
NDUE DEDAJ
Hyrje për “keqkuptimin”
historik
Është
e vështirë t’iu qasesh figurave që kanë pasur lidhje sadopak me politikën në
shekullin XX, pasi ata për një palë ndrisin e për një palë tjetër janë me
“njolla” të përjetshme biografike. Ne ende nuk arrijmë të shohim dot punën e kryer
në dobi të shqiptarëve, trojeve tona, atdheut, por me cilin qe ky, me “tanët”
apo “ata kundra nesh”. Ende nga historiografia zyrtare dhe shteti demokratik,
nuk është vënë në piedestalin e merituar monumenti i pazakontë i Ernest
Koliqit, për shtrirjen e rrjetit të shkollave dhe të arsimit kombëtar - për
herë të parë - në gjithë trojet shqiptare, ndonëse nën pushtim. Në Akademinë
tonë të Shkencave mungon fotografia e akademikëve pararendës të atyre të
1972-it, anëtarëve të Institutit të Studimeve Shqiptare të viteve ’40-44, edhe
pse Eqerem Çabej e Aleksandër Xhuvani ishin dhe atëherë. Koha e re që erdhi pas
90-ës, në vend që t’i shihte gjerat jo më bardhë e zi, nuk bëri ndonjë hap
kushedi përpara, duke u përplasur sërish “komunistë” e “kolaboracionistë”! Edhe
kur u bënë përpjekje për një optikë ndryshe, nuk pati ridimensionim të
figurave, në mos, vetëm pjesërisht. Askush s’u mendua dy herë për t’iu vënë
gjerave emrin që kishin.
Para
30 vitesh, në shtypin e ri demokratik, pata botuar një shkrim për Mësuesin e
Popullit Ndrec Ndue Gjoka, në një vështrim më të plotë, përfshi dhe shërbesën e
tij si arsimtar në Kosovë, që deri atëherë këndej ishte thuajse e panjohur. Një
studiues i dëgjuar nga Tirana, në një takim me ngjyrim politik, në një sallë të
vogël province, u rrek ta përçmonte shkrimin (asokohe nuk njiheshim nga afër),
kinse po shkruhej prapë si dje për njeriun që hapi 50 shkolla në Mirditë!? I
them, sapo dolëm jashtë, se nuk ishte ashtu siç thoshte ai, se, veç të tjerash,
kisha përdorur dëshmi të reja rreth veprimtarisë së Ndrecës si mësues në
rrethin e Pejës etj. “Ndjesë, tha, por nuk e kam lexuar shkrimin, kam parë
vetëm titullin!” Sa shumë na ka kushtuar kjo, me fol pa e “lexuar” gjënë, por
duke e paragjykuar, ngaqë kishte qenë, o “i Zogut”, o “i Ballit”, o “i
Partisë”.
E
Ndreca është njëri nga rastet e kësaj qasjeje, edhe pse kontributi i tij
vlerësohet nga të gjithë, sigurisht për aq sa ishte. Është i habitshëm ky
qendrim, mbas 35 vjetësh shoqëri e hapur, kur ka dalë në dritë gjithçka rreth
këtij apo atij personaliteti arsimor, kulturor a politik dhe tashmë mundesh me
e vlerësue me realizëm.
Mësues në Shkodër, Pejë
dhe Mirditë
Ndreca
ishte njëri nga normalistët e Elbasanit në fundin e viteve ‘30, që nisi punën
si mësues për herë të parë në fshatin Linaj (Rrjoll) të Shkodrës, në vitin
shkollor 1939-1940 dhe mbase do të kishte vazhduar në ato anë si arsimtar.
Glorifikuesit
nostalgjikë të tij ia mitizojnë figurën ideologjikisht, a thua se ai ishte i
vetmi mësues shqiptar i kohës dhe jo se vite më parë kishte shkuar për të dhënë
mësim në Kosovë me firmën e një ministri “fashist”, Ernest Koliqit, në rresht
me dyqind arsimtarë të tjerë dhe merita e tij fillestare është se qe kontribues
në reformën e parë arsimore mbarëkombëtare – si mësues në shkollën e Zllakuqanit
të Klinës, me jo pak popullsi me rrënjë mirditase. Atje Ndreca shërbeu për tre
vjet, nga viti 1941 deri në verën e vitit 1944, në shkollën që kishte pasë
hapur me 25 korrik 1897 françeskani i madh At Shtjefën Gjeçovi e ku do të
shërbente si arsimtar dhe një tjetër mirditas, Ndue Vorfi. Në rrethanat e krijuara, Ndreca, në verën e
44-ës kthehet në Shqipëri në radhët partizane dhe më pas si kryemësues e
përgjegjës Arsimi në Shpal, kryeqendrën e Nënprefekturës së Mirditës, ku
shërbeu deri në mesin e shkurtit 1946. Në këtë periudhë tejet të shkurtër (as
një vit e gjysmë) ai vetëveproi si asnjë tjetër në përhapjen e arsimit, duke
hapur një varg kursesh kundër analfabetizmit e shkollash fillore në krejt
Mirditën etnologjike, deri në Qafë të Malit. Mësuesit e përkohshëm ishin në
shumicë nga kontigjenti i ish-nxënësve të Konviktit “Mirdita” të Oroshit
(ekziston lista emërore), që jo pak prej tyre do ta mbyllnin shpejt karrierën
si arsimtarë, pasi ose u arratisën, ose u burgosën politikisht, si bie fjala,
Pashk Llusku, njëri nga shefat e arsimit të viteve të para mbas Luftës.
Vendimin
për hapjen e shkollave e mori Komiteti Ekzekutiv i Mirditës, por aksionit i
priu me zell e përkushtim Ndreca, ndaj dhe hapja e shkollave u lidh fort me
emrin e tij. Ka një korrespondencë të admirueshme mes këtij funksionari lokal
të arsimit dhe Prefekturës së Shkodrës, për njohjen zyrtare nga qeveria të
shkollave të reja dhe pagesën e mësuesve.
Të
parit ngusht të rolit të Ndrecës vetëm si arsimtar në Mirditë e zvogëlon
kontributin e tij, duke e bërë lokal, në një kohë që është në rrafsh kombëtar.
Misionar i Arsimit, në
vazhdën e traditës
Për
herë të parë profili i këtij mësuesi u bë publik në shkallë vendi në vitin
1948, në një Kongres në Tiranë, me nxitjen e shkrimtarit Kol Jakova, që kishte
qenë mësues në Shpal të Mirditës në fillim të viteve ‘40. Nga udhëheqja e lartë
atëbotë u fol si për një “zbulim” të këtij njeriu dhe rolit të tij specifik,
duke e lëshuar më pas siç ishte zakon në “mullirin” e propagandës, që e
tjetërsonte individin, nga ç’kishte qenë, duke e heroizuar. Ndreca pas kësaj
nis e trajtohet si simbol revolucionar, si “i vetmi trim në luftë”, teksa
shtëpitë për shkolla i lëshoi populli dhe jo komunistët, që asokohe
numëroheshin me gishtat e dorës, aq pak në raport me numrin e shkollave të
hapura. Priftërinjtë edhe në këtë kohë i lëshuan qelat e tyre për shkolla,
ashtu si dhe bajraktarët kullat e veta etj. Në Malaj mësuesit e rinj të pas
Luftës flinin në qelë me priftin. Por propaganda erdhi duke e kanalizuar
politikisht misionin e tij. Shkollat asokohe ishin kombëtare, demokratike,
humaniste, popullore dhe ende jo socialiste, ndaj “kanonizimi” ideologjik i
tyre është i padrejtë në rrafsh historik, pa e zbehur aspak kontributin e çmuar
të fitimtarëve të Luftës për shkollimin masiv të popullatës dhe guximin në këtë
drejtim, pasur e pa pasur mundësi. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se
Ministri i Arsimit i asaj kohe ishte një figurë si Sejfulla Malëshova, rilindës
i spikatur, që dihet se si përfundoi pikërisht se nuk u përshtat me ideologjinë
bolshevike.
Në
Mirditë kishin shërbyer mbi 100 mësimdhënës dhe mësues të mirëfilltë para se të
vinte Ndrec Ndue Gjoka, që nga mësuesit e shkollës së Velës e asaj të Oroshit,
hapur nga Dom Nikoll Vladanji në shekullin XVII. Për të mos pasur një
përfytyrim të cunguar historik, që në vitin shkollor 1922-1923 në Mirditë
funksiononin 10 shkolla dhe dy vite më pas 11 shkolla, në Orosh, Rrëshen, Spaç,
Kashnjet, Ungrej, Simon, Fan, Vig, Gjegjan, Perlat, Bardhaj, Bushkash etj. Kemi
që nga shekulli XIX Kuvendin e Rubikut, ku dha mësim ajka e françeskanëve
shqiptarë, si At Anton Harapi etj.
Ndrecën
e cilësuan komisar të dritës, domëthenë i mveshën cilësitë e ushtarakut, pa
qenë i tillë, duke i vënë dhe “pushkën” në krah bustit të tij, kur atij i mjaftonte
abetarja, lapsat dhe fletoret për të qenë misionar i diturisë, siç dhe ishte.
Kështu duhej të thirrej, Misionar i Arsimit, nëse duhej patjetër një metaforë,
pasi ai ishte vazhdues i misionit të prelatëve të kishës katolike në këtë
trevë, si Abat Prend Doçi, Dom Zef Marashi, Dom Mark Vasa, Dom Ndre Simoni, Dom
Prend Suli, Dom Ndre Mjeda, At Berbardin Llupi, Dom Vlash Muça, Dom Prend
Malaj, por dhe i mësuesve laikë mirditas para Ndrecës, si: Zef Ndoci, Preng
Filopati, Mark Legisi, Nikoll Ndoi (Bajraktari), Kol Picaku, Nikoll Suma, Preng
Ndue Prenga, Ndrec Pjetri etj; doemos duke shënuar rolin e shquar të rreth 50
mësuesve shkodranë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, si: Kol Dema, Cin
Gurakuqi, Zef Mark Harapi, Kol Gurashi, Preng Jakova, Mikel Bytyçi, Kol
Margjini, Sandër Kraja, Zef Tarnaku, kryesisht në Konviktin “Mirdita” të
Oroshit, hapur më 1925. Libri “Rrugëtimi i Diturisë” (2017), botim i Zyrës
Arsimore Mirditë, është i mbushur me plot të dhëna për shkollat e krahinës në
shekullin XX, si dhe dhjetëra emra mësuesish që shërbyen nëpër vite në këtë
trevë.
Shkollat
e reja të pas Luftës nuk ishin vetëm nën ndikimin pedagogjik të Ndrecës, fryma
bolshevike nisi t’i përshkonte për fat të keq dhe ato, siç sundoi më pas gjithë
jetën e vendit. Agjitpropi komunist për ta theksuar rolin e Ndrecës si
revolucionar dhe për t’i dhënë Partisë lavdi për këtë çështje, i quan shkollat
e tij, të parat në Mirditë, ndërkohë që shkollat e para të krahinës ishin që në
shekullin XVII.
Ndreca
ishte një mësues karriere para se të ishte një veprimtar nacionalçlirimtar, që
punoi nën qeverisjet jo komuniste të Luftës dhe atë komuniste të pas Luftës,
çka do të thotë se ai bëri profesionin e tij, pavarësisht se kush ishte në
pushtet.
Dekoruar në të dy kohët,
më shumë sot se dje
Ndreca
është dekoruar tre herë me titujt më të lartë të shtetit, “Mësues i Popullit”
nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitin 1956, Urdhrin “Naim Frashëri” të
klasit të parë nga presidenti Republikës në vitin 1994 dhe “Nderi i Kombit” në
vitin 2021 po nga presidenti i Republikës. Për të janë shkruar disa monografi
dhe më së pari poema “Mësuesi” e Llazar Siliqit, është kënduar një këngë
qyetare nga këngëtari i njohur shkodran Xhevdet Hafizi dhe është realizuar
filmi “Komisari i Dritës” i Viktor Gjikës me aktor kryesor Rikard Ljarjen. Me
emrin e tij ka qenë emërtuar një shkollë në Tiranë dhe sot atë e mban shkolla e
mesme e Fanit, si dhe nderime të tjera. Në Rrëshen është busti i Ndrecës, vepër
e skulptorit Kristaq Rama. Në Qafë - Vorrës (Kaçinar) është lapidari dhe në ish
– minierën e bakrit aty ka qenë dhe një bust i punuar nga studentët e
Institutit të Lartë të Arteve në vitet ’70.
Vepra
arsimore e Ndrec Ndue Gjokës ka qenë një realitet historik, që vlen të
kujtohet, në radhë të parë nga institucionet shtetërore vendore dhe arsimore,
por asesi duke “zmadhuar” atë që ka ndodhur, kur ministri Koliqi ka hapur jo
pesëdhjetë, por dhjetëfishin dhe jo në një krahinë, por në krejt Shqipninë
etnike. Historia e arsimit kombëtar nuk mund të parcelizohet, në para Lufte e
pas Lufte!? Ai bëri pak e ky bëri shumë. Prej arsimtarëve të të gjitha kohërave
u shkolluan shqiptarët. Trupa arsimore përbëhet nga mësuesi i katundit,
kryemësuesi i rrethit te ministri i Arsimit…
Përkujtohet ditëvdekja,
pse jo ditëlindja?!...
Ndreca
përkujtohet gjithnjë me 17 shkurt, që është dita e vdekjes së tij dhe asnjëherë
në ditën e lindjes, që është 12 qershor 1919. Edhe Muzeu Historik Kombëtar,
vitin e kaluar e përkujtoi në ditën e vdekjes, duke shkruar “Ndreca ishte një
veprimtar i shquar në zhvillimin e arsimit në Shqipërinë e Veriut, si edhe
flamurtar i luftës kundër analfabetizmit të popullsisë së atjeshme”. Në takimet
lokale ende flitet me të njëjtin diskurs si në të shkuarën, teksa ka filluar të
ketë dhe një vështrim tjetër, si përpjekje për ta parë me realizëm rolin e tij
në rihapjen e shkollave ekzistuese dhe hapjen e shkollave të reja. Zef Nekaj,
Ndrec Ndue Gjoka, Marie Tuci etj. nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, si
arsimtarë të një kohe, të një krahine, pavarësisht kahjeve politike dhe
rrjedhave që iu mori jeta në një regjim klasor. Të gjithë kishin një altar,
shkronjat shqipe, njëlloj si rilindasit.