| E diele, 08.03.2026, 06:55 PM |

Kadri Tarelli Shkruan:
Për njerëzimin, “Vetëm dy gjëra janë të pafundme, gjithësia dhe
marrëzia njerëzore. Dhe unë nuk jam i sigurt për të parën”. Albert
Ainshtain.
HASAN M. SHAHINAJ
MES ARSIMIT, LETËRSISË DHE GAZETARISË
Përurim i romanit biografik. “Çili”. (Besniku i zemrës).
Në prag të festës së
mësuesit “7 Marsi”, pikërisht më, 03, të Marsit 2026, në një nga sallat pranë
Prefekturës së Durrësit, u zhvillua një kuvend letrar, kushtuar romanit
biografik “Çili”. (Besniku i zemrës), të mësuesit, shkrimtarit dhe
gazetarit veteran z. Hasan M. Shahinaj.
Salla u bush plot me miq
dhe dashamirë të librit, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga Tirana dhe Dibra.
Falënderim z. Hasan, mik
dhe koleg i nderuar, që na bëre pjesë të këtij kuvendi letrar, ku përurohet romani
biografik. “Çili”. Besniku i zemrës). Urime!
Bashkë njihemi prej
vitesh, si mësues e drejtues shkollash dhe më pas, si krijues në letërsi dhe
gazetari, ku ju kini një përvojë mjaft të gjatë.
Gjej rastin që t’u
falënderoj edhe një herë, si redaktor dhe korrektor letrar e gjuhësor, të
librit tim me poezi, “Koha në vargje”, botuar kohë më parë. Shkrimi titullohej:
“Rrugëtim në poezinë, sociale-atdhetare dhe satirike, të Kadri Tarellit” (Recension). Ndaj ju përmend kudo që bie
fjala, për durimin, zotësinë dhe kulturën gjuhësore, si askush tjetër. Për mua,
jeni i paarritshëm në korrektim gjuhësor. Nuk e them për t’u bërë qejfin, pasi
puna me librin më ka dhënë mundësi të shoh dhe të këndoj plot libra në prozë e
poezi. Kështu që e dalloj dhe e vlerësoj një punë cilësore me nivel të lartë
gjuhësor e drejtshkrimor.
Për librin tuaj,
“Çili”. (Besniku i zemrës), nuk kam ç’të them, pasi folën gjerë e gjatë
kritiku Vladimir Muça dhe Poete Merita Kuçi Thartori. E vlerësoj si një lloj
pasaporte për çdo krijues, jetëshkrimin dhe veprimtarinë letrare e publicistike
që e këndoi Agim Bajrami. Por jam i bindur se në këtë monografi kushtuar jetës
tënde, s’besoj se ke lenë pa shprehur të gjitha ndjesitë e kohëve, mundimet,
përpjekjet, arritjet, sukseset, fitoret, dështimet dhe zhgënjimet.
Kam përshtypjen, se në
jetën e krijuesve ka një ligj të pa shkruar lidhur me monografinë. Disa ia
besojnë studiuesve të tjerë, që sado të mundohen nuk mund t’i thonë dot të
gjitha. Libri mbetet disi i ftohtë. Ndërkohë ju zgjodhët një udhë tjetër, ta
shtrini jetëshkrimin në formë romani, duke vënë në të jo thjesht kujtime, por
edhe biseda aty pranë vatrës, apo në mal e lëndina, me “Çilin”, kalin, shokun e
zemrës. Jam i bindur se askush veç teje nuk mund t’i përshkruajë ndodhitë,
ndjesitë dhe përjetimet që të shpojnë kujtesën edhe kur nuk i mendon. Mjafton
një ngacmim dhe rikthehesh në ato kohë të shkuara, që nuk vijnë më. Janë
kujtime të fëmijërisë, pastaj të shkollës “Normale” të Elbasanit, ku u bëre
mësues. Më pas Arsimi lartë për gjuhë-letërsi dhe puna e gjatë në arsim, duke
bredhur shkollë më shkollë e fshat më fshat, në rrethin e Dibrës e më pas në
shkollat e Durrësit, si mësimdhënës dhe drejtues. Jo kushdo ka edhe një pasuri
shpirtërore që të nderon, si gazetar e krijues, një fushë që kërkon kohë
shtesë, jashtë ziles dhe orëve të mësimit. Kërkon njohuri, durim dhe shpirt
idealisti, vullnet dhe përkushtim të veçantë. Veçori që nuk ju mungojnë, pasi
gjallojnë edhe tani në moshë të thinjur.
Gjykoj se këndonjësi i
zellshëm do të zbulojë vlerat e librit, si mësime për jetën, veçanërisht brezi
i ri. Me dëshirë që përvoja dhe urtësia popullore, të bëjë vend dhe të ndriçojë
sado pak udhën e gjithsecilit, për ta vlerësuar e nderuar jetën, për ta dashur
dhe shërbyer vendit dhe kombit.
Në fjalën e miqve, mes
të tjerave vura re se flet me shumë dashuri e nderim , për shkollën “Normale”
të Elbasanit, simbolin e Arsimit shqip, si e para Shkollë e Mesme ku flitej dhe
mësohej shqip. Shkollë me histori të madhe, që u hap dhe mbijetoi në përudha të
trazuara e të vështira për historinë e shtetit dhe kombit Shqiptar. Natyrisht
të takon dhe ju takon juve “Normalistëve” të mburreni me mësuesit, nivelin
profesional dhe fryma kombëtare, që u kultivua në shpirtin tuaj, për t’i shërbyer
brezave si “Misionarë të dijes dhe edukimit”. Kongresi i Manastirit 1908, dhe
pas një viti Shkolla “Normale”, 1909, sollën “Mëvetësinë” e Shqipërisë.
“Normalja” ishte e gjithë kombit, jo vetëm e Elbasanit.
Besoj nuk do të
mërzitesh me mua....! Si gazetarë të vjetër mirëkuptohemi shpejt, pasi kam një
pyetje të pazakontë, por nuk dua përgjigje, sepse e di, po aq mirë sa edhe ju.....!
- Ku është sot kjo shkollë? Pasi në Elbasan nuk ka mbetur asnjë shenjë, për të
vendosur, së paku një tufë me lule, me shnimin, “Ndjesë pastë.....!”
Unë jam gjimnazist, pasi
arsimin 7-vjeçar dhe të mesëm e mbarova këtu në Durrës, kështu që nuk i kam ato
përjetime si ju, por si mësues e ndjej se kemi humbur shumë. Si t’u themi fëmijëve
tanë, nipave dhe mbesave, nxënësve, të rinjve dhe brezave: “Na ishte një
herë........!? Dhe pse....!?”.
Është po e njëjta pyetje,
që para tre vitesh ia bëra veteranit të arsimit kombëtar, elbasanasit Rudolf
Deliana, burrë i moshuar rreth 96-vjeç, kryetar i shoqatës “Normalisti”, i cili
besoj se na ndjek nga Parajsa.
U ndodhëm në bibliotekën
e qytetit, ku Profesor Selman Sheme, (i cili ka ndërruar jetë para një viti), përuronte
librin e tij studimor, kushtuar Çamërisë. Kisha edhe unë fjalën time, por i
mbylla letrat. As vetë nuk e di se si mu shkrep dhe i drejtohem kryetarit:
- Profesor i nderuar!
Besoj se “Normalisti” është shoqata që ka më shumë anëtarë se të gjitha
simotrat, madje të shpërndarë në gjithë trojet Arbnore. E përmendët në fjalën
tuaj, se shumica e nxënësve, kur u hap shkolla, në fillimet e saj, ishin nga
Dardania dhe Çamëria. - Po “Normalen” ku e kini........?
E pashë që u drodh, sytë
i u mbushën me lot. Nuk foli...! Nuk më dha përgjigje.....! Më erdhi keq që e
lëndova pa dashje. E preka në një plagë të pambyllur që na dhemb të gjithëve. Simboli
arsimit të Mesëm Shqip, me të cilin krenohej Elbasani dhe mbarë kombi, ishte
fshirë nga faqja e dheut. A e di kush, pse u mbyll....? Ç’ humbëm e di, po
çfarë fituam jo. Me qëllim apo pa dashje......!
Nuk dua të hyj në hollësi
që na trishtojnë. Por ndodhi fare çuditshëm: Një vendim, një firmë dhe pa
pritur, shkolla u mbyll në vitin 2010. Nuk shkoi shumë kohë dhe në vitin 2014,
shkollës iu dha titulli “Nder i kombit”. Një qeveri e vrau, tjetra e nderoi......!
Kë të shaj, e kë të mbaj,....!? Më thoni të qesh apo të qaj....!?
Dikush me shaka të
hidhur mund ta quajë, Shkolla Normale “Dëshmor i demokracisë”. Ndërsa unë do ta
quaja, shkolla “Dëshmor i marrëzisë shqiptare”.
Në fund të takimit, z.
Gani Roshi, sekretar i përgjithshëm i organizatës “Federata Universale e
Paqes”, ardhur nga Tirana, i dha mikut ton Hasanit, Certifikatë, “Ambasador i Paqes”.
Urime z. Hasan! Jetë dhe
shëndet të mirë. Nuk besoj se ky është libri yt i fundit.....! Dëshira dhe
vullneti nuk kanë shteruar.....!
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Fillim Marsi 2026.


