| E premte, 06.03.2026, 08:12 PM |

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike
Shkruan
Asllan Dibrani-Luani
Në
politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i vjetër: lufta për pushtet po
vendoset mbi interesin e shtetit. Kryeministri Albin Kurti gaboi rëndë kur e
injoroi Vjosa Osmanin dhe e shtyu vendin drejt një krize të re institucionale.
Por përgjegjësia nuk është vetëm e tij. Edhe opozita po tregon një mungesë
serioze vizioni dhe përgjegjësie përballë situatës.
Vjosa
Osmani është një figurë e përgatitur dhe e dëshmuar në skenën politike. Ajo ka
treguar se di të përfaqësojë institucionet me dinjitet dhe profesionalizëm.
Injorimi i saj nuk është vetëm një konflikt personal apo partiak; është një
gabim politik që dobëson institucionet e shtetit dhe krijon përçarje të
panevojshme.
Por
edhe opozita nuk mund të paraqitet si shpëtimtare e situatës. Në vend që të
ofrojë zgjidhje dhe përgjegjësi shtetërore, ajo shpesh mjaftohet me kritika dhe
kalkulime politike. Kosova nuk ka nevojë për një garë se kush e shfrytëzon më
shumë krizën politike, por për një klasë politike që di të vendosë interesin e
shtetit mbi interesin e partive.
Vendimi
për ta futur vendin përsëri në zgjedhje është një tjetër goditje për qytetarët.
Populli është lodhur nga votimet e shpeshta, nga konfliktet e pafundme politike
dhe nga mungesa e stabilitetit. Në vend që të ndërtohen institucione të forta
dhe funksionale, po krijohet përsëri një atmosferë pasigurie dhe tensioni.
Edhe
më shqetësuese është fakti se kjo ndodh në një kohë kur bota po përballet me
tensione dhe kriza të mëdha sigurie. Rajoni ynë nuk është i izoluar nga këto
zhvillime. Në një moment të tillë, një shtet i vogël si Kosova ka nevojë për
stabilitet, unitet institucional dhe lidership të pjekur.
Ta
lësh vendin në prag të një krize institucionale dhe pa stabilitet politik është
një gabim serioz. Pozita dhe opozita duhet ta vënë gishtin në kokë dhe të
reflektojnë. Kosova nuk mund të mbetet peng i ambicieve politike dhe
kalkulimeve partiake.
Deri
më sot kam përkrahur shumë nga hapat politikë të Albin Kurtit, sepse kam besuar
në ndryshim dhe në përgjegjësi. Por përkrahja nuk do të thotë heshtje përballë
gabimeve. Kur bëhen vendime që rrezikojnë stabilitetin e shtetit, ato duhet të
kritikohen hapur.
Kosova ka nevojë për politikë që bashkon, jo për politikë që e fut vendin në kriza të njëpasnjëshme. Në fund, historia nuk do të gjykojë se kush fitoi një betejë politike, por se kush e mbrojti shtetin dhe interesin e qytetarëve.
