Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Një shtet që e dëgjon zërin e qytetarëve të tij ndërton institucione më të forta, më të qëndrueshme dhe më demokratike

| E enjte, 05.03.2026, 06:55 PM |


Një shtet që e dëgjon zërin e qytetarëve të tij ndërton institucione më të forta, më të qëndrueshme dhe më demokratike

Shkruan: Lekë Mrijaj

Në historinë e demokracisë moderne euroatlantike ekziston një mendim i lashtë latin që përmbledh një të vërtetë të madhe politike dhe shoqërore: "Vox populi, vox Dei", që do të thotë "Zëri i popullit është zëri i Zotit". Mbi të gjitha, kjo shprehje na kujton se në një shoqëri demokratike pushteti i vërtetë nuk buron nga individët apo nga grupet politike, por nga vetë populli.

Edhe në Republikën e Kosovës kjo ide po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, sidomos kur flitet për mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti i shtetit. Për shumë vite me radhë, që nga periudha e pasluftës, zgjedhja e Presidentit është bërë nga Kuvendi i Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi dy të tretave të deputetëve dhe me votimin pro të së paku 61 deputetëve.

Megjithatë, përvoja politike e vendit ka treguar se ky proces shpesh është shoqëruar me vështirësi, mosmarrëveshje dhe bllokime politike.

Pikërisht këto situata kanë ngritur një debat të rëndësishëm në jetën politike dhe shoqërore të vendit: a duhet që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët? Për shumë qytetarë dhe njohës të demokracisë, një zgjedhje e tillë do ta afronte edhe më shumë institucionin e Presidentit me vullnetin e popullit.

Në këtë drejtim, sot Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi, ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga qytetarët.

Këto amendamente janë hartuar më herët, në vitin 2011, nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës.

Miratimi pro i këtyre amendamenteve kushtetuese do të hapte një kapitull të ri në zhvillimin demokratik të Republikës së Kosovës. Qytetarët do të kishin mundësinë që, me votën e tyre, ta zgjedhin drejtpërdrejt Presidentin e Republikës, duke e bërë këtë institucion edhe më përfaqësues dhe më legjitim.

Një ndryshim i tillë do të ndihmonte gjithashtu në eliminimin e ngërçeve politike dhe të apetive apo interesave të ngushta partiake e klanore, të cilat shpesh kanë shoqëruar procesin e zgjedhjes së Presidentit në Kuvend. Kur vendimi i kalon drejtpërdrejt qytetarëve, zvogëlohen mundësitë për bllokime institucionale dhe për kalkulime politike që e largojnë procesin nga vullneti i popullit.

Në këtë mënyrë, Presidenti do të kishte një legjitimitet edhe më të fortë, sepse do të përfaqësonte drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ai apo ajo nuk do të ishte vetëm rezultat i marrëveshjeve politike brenda Kuvendit, por fryt i besimit të popullit.

Për këtë arsye, thënia e njohur "Vox populi, vox Dei", që do të thotë "Zëri i popullit është zëri i Zotit",  merr një domethënie të veçantë edhe në realitetin tonë politik. Ajo na kujton se në një demokraci të vërtetë zëri i popullit është themeli i çdo vendimi të madh politik.

Në fund të fundit, një shtet që e dëgjon zërin e qytetarëve të tij ndërton institucione më të forta, më të qëndrueshme dhe më demokratike. Dhe pikërisht ky është drejtimi që duhet të ndjekë çdo shoqëri që synon standardet e demokracisë moderne.

Kjo do të jetë demokraci euroatlantike.

Klinë, 5 mars 2026