Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Ironia e historisë ndaj atyre që predikojnë asgjësimin

| E merkure, 04.03.2026, 06:55 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Në vitin 2001 ajatollahu Khamenei priti në një audiencë private kryeministrin e atëhershëm spanjoll, Hose Mara Aznar. Duke përzier çajin që mbante në duar, i tregoi spanjollit se agjenda e tij ditore fillonte dhe mbaronte me planet për zhdukjen e Izraelit. Një fjali e thënë me qetësi, por që përmbante brenda saj thelbin e një projektimi mizor: jo ndërtimin e diçkaje, por asgjësimin e dikujt.

Dhe 25 vite më pas, ja ku jemi duke parë përsëritjen e historisë së të gjithë atyre që ushqejnë ideologjitë e zhdukjes së tjetrit.

Hitleri përfundoi i shkrumbuar në një gropë të mjerë pranë bunkerit të tij.

Stalini, ajatollahu i komunistëve, iku nga kjo botë i mbytur në shurrën e tij.

Millosheviqi përfundoi në një birucë në Sheveningen dhe Khamenei nën gërmadhat e rezidencës së tij, prej nga shtypte popullin iranian dhe lëshonte fatvatë kundër Izraelit dhe Perëndimit.

Lista e këtyre njerëzve të ligj është e gjatë. Ashtu si lista e viktimave të panumërta të tyre.

Por historia ruan gjithmonë një ironi të ftohtë: ata që e ndërtojnë identitetin e tyre mbi mohimin e ekzistencës së tjetrit, vjen një ditë dhe përfundojnë të gllabëruar nga vetë logjika e mohimit që ushqejnë.

__________

Inteligjenca artificiale është duke i shpëtu psikologjikisht këta përkrahësit pro-Iranit: po ua mundëson gjenerimin e videove ku Irani shihet duke shkatërru Izraelin dhe ushtrinë amerikane.

Kështu, të shkretit, përmes vetëmashtrimit me lojëra digjitale, e luftojnë depresionin dhe ligshtimin, përjetojnë një lehtësim emocional dhe ndihen fitimtarë, edhe pse krejt kjo, për fatin e tyre të keq, është thjesht një fantazi, një ëndërrim me sy hapur.