Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Laja në dimër

| E marte, 03.03.2026, 06:04 PM |


Ndue Dedaj

LAJA NË DIMËR

Këtu toka, qielli dhe ajri kanë të njëjtën ngjyrë

Ngjyrën e tamblit të dëborës e të pendlave

Këtu mund të lahesh në liqenin me cipë akulli

E liqeni të shkrihet në duart e tua si një copë diell...

Mbështet kryet në gur dhe sheh andrrat e gjyshërve

Vë faqen në grathtel e sheh andrrat e vashave,

Kundron pishat, ahet, bredhat e sheh andrra me kaproj.

Prek damarët e ujit ku buron Gjadri - në dejet e tu

E mbush kupën si në legjenda për të nesërmen.

Prej këtu mund ta flakësh topin e borës drejt e n’Adriatik

Prej këtu mund ta rrokësh gjithë rruzullin me sy

Këtu ka njëzet e katër orë ditë... për shqipet.

2 mars 2026