Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Ndahet nga jeta Mane Lumani, këputet zëri i dytë i "Katërshes Magjike" të "Parodistëve të Vlorës"

| E hene, 02.03.2026, 06:56 PM |



Ndahet nga jeta Mane Lumani, këputet zëri i dytë i "Katërshes Magjike" të "Parodistëve të Vlorës"

Nga Albert Vataj

Shuhet në moshën 79-vjeçare një zë i veçantë i humorit shqiptar, një figurë që e ktheu të qeshurën në art dhe ironinë në instrument qytetar, Mane Lumani, një nga kolonat e grupit legjendar “4 Parodistët e Vlorës”.

Vdekja e tij nuk është thjesht largimi i një aktori, është mbyllja e një kapitulli të artë të humorit skenik. Ky largim bëhet edhe më i rëndë për artin shqiptar, pasi vjen pas humbjes së parakohshme të një tjetër pjesëtari të pandashëm të këtij grupi, Muhamet Likës, i cili u nda nga jeta në vitin 2019. Sot, skena e Vlorës dhe e gjithë Shqipërisë ndjehet më e boshatisur se kurrë, teksa dy nga katër "mushkëtierët" e humorit janë bashkuar tashmë në amshim.

Mane Lumani u nda nga jeta pas një beteje të gjatë e heroike me heshtjen. Që prej vitit 2004, pas një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale ku humbi kordat vokale, ai u detyrua të jetonte në një univers pa zë. Ironia e fatit ishte sa e dhimbshme, aq edhe sublime: një artist i fjalës dhe i intonacionit u dënua me heshtje, por ai kurrë nuk u harrua. Edhe pa zë, prania e tij në rrugët e Vlorës dhe në kujtesën e publikut mbeti po aq e fuqishme sa dikur.

Rruga e tij artistike nisi në vitin 1974, si aktor amator në ndërmarrjen e Ullishtës. Që në hapat e parë, Lumani spikati për:

Mane Lumani ishte njw talent i rrallë në imitacion. Aftësia për të hyrë në lëkurën e çdo personazhi e karakterizoi aftwsinw e tij si aktor humori.

Humori i tij nuk ishte kurrë sipërfaqësor, por i ndërtuar mbi tipizime të sakta sociale. Një komik që nuk ra kurrë në vulgaritet, duke ruajtur etikën e lartë artistike.

Formimi i grupit “4 Parodistët e Vlorës” shënoi një kthesë historike. Së bashku me Agron Hamo, Afrim Agallinë dhe të ndjerin Muhamet Lika, Mane Lumani krijoi një stil që u bë emblemë e një epoke. Ata nuk ofronin vetëm skeçe; ata ndërtonin tablo sociale.

"Nëse Muhameti ishte energjia dhe batuta e papritur, Manja ishte karakteri, qëndrimi dhe finesa e imitimit."

Publiku i donte sepse e gjente veten në ta. Në personazhet e Lumanit gjendej qytetari i zakonshëm, burokratit grotesk dhe tipi i përditshëm i rrugës shqiptare. Në një kohë kur liria e fjalës ishte e kufizuar, paroditë e tyre ishin "supapa" e shpëtimit për një popull të tërë.

Sot, Mane Lumani bashkohet me mikun dhe kolegun e tij, Metin, duke lënë pas një boshllëk të madh, por edhe një pasuri të pamatshme. Ai i dha humorit dinjitet skenik, duke e ngritur në nivel reflektimi.

Mbetet pas jehona e të qeshurës që ai mbolli në dekada. Dhe ndonëse trupi i tij u dorëzua, dhe zëri i tij ishte shuar prej kohësh fizikshëm, buzëqeshja e tij mbetet forma më e bukur e pavdekësisë. Vlora dhe Shqipëria sot pëulen para një mjeshtri që na mësoi se si të qeshim me veten, edhe kur dhimbja ishte e madhe.

U prehtë në paqe, Mjeshtër!