| E hene, 02.03.2026, 06:55 PM |
Ndue Ukaj:
Se
shqiptarët kanë “mosmarrëveshje me vetveten”, më shumë se me këdo tjetër, këtë
problem më së miri e ka ndriçuar, Ismail Kadare, përmes sprovës letrare,
“Mosmarrëveshja -Shqipëria përballë vetes”, ku, pos tjerash, flet për gjumin e
gjatë të shqiptarëve nën robëri, pas të cilit, ata u zgjuan të hutuar, plot
dyzime, kriza e çoroditje identitare, që bërtasin edhe sot.
Ndoshta
pikërisht te kjo trashëgimi negative, që lidhet me gjumin e gjatë nën robëri,
gjejnë strehë dhe jetojnë në paqe mosmarrëveshjet tona të mëdha, bashkë me
shkallën brutale të prapambeturisë, dukuri që enden lirshëm, herë në taborin e
kulturës e herë të politikës.
Sot,
kujtojmë Kuvendin e Arbnit, të njohur si Besëlidhja e Lezhës, ku u bashkuan
princat e arbnit dhe krijuan momentin më të madh të bashkimit tonë në histori.
Kjo
ngjarje madhore u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Kollit, në qytetin
e Lezhës, ku ndodhet sot memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Dhe
pikërisht në një ditë si kjo, duhet të reflektojmë sinqerisht për pazotësinë e
shqiptarëve për të krijuar monumentin e bashkimit dhe ngjarje të tilla të
mëdha.
Kuvendi
i Lezhës, pati një rëndësi madhore në historinë tonë, duke jetuar në kujtimet e
shqiptarëve, te arbëreshet e te idealistët e mëdhenj, deri kur Shqipëria doli
nga gjumi i gjatë i robërisë.
Ky
Kuvend, kështu i ka dhënë formë arkitekturës së identitetit tonë europian.
Por,
pas kësaj ngjarje, shqiptarët nëpër shekuj, më shumë se forcë bashkimi, kanë
treguar forcë përçarje, dhe një paaftësi brutale për t’u bashkuar e për të
kuvenduar me njëri-tjetrin për çështje të interesit të përbashkët.
Dhe
tingëllon tragjike, por duket sikur në krejt historinë tonë, pas kësaj ngjarje
është zor të gjendet një moment tjetër historik, kur shqiptarët janë ulë bashkë
dhe kanë kuvenduar për një temë madhore, pa një ndërhyrje të madhe perëndimore,
ose, për ta saktësuar këtë çështje, zor të gjendet një moment tjetër historik,
në të cilin shqiptarët shfaqen të bashkuar dhe marrin vendime të tilla, pa një
trysni perëndimore.
Kjo
tregon se simptomat e sëmundjes së mosmarrëveshjes së shqiptarëve me vetveten,
janë shumë serioze dhe për to duhet të flitet, dhe më shumë se të flitet, për
to kërkohet kurë e vërtetë.
Duhet
t’i kërkojmë shkaqet e kësaj sëmundje dhe arsyet e këtij deformimi kombëtar.
