| E hene, 02.03.2026, 06:58 PM |
Prof. Blerim Latifi:
Gjithë
vikendin e kam kaluar duke parë lajme e duke lexuar tekste mbi luftën që ka
nisur midis SHBA-së dhe Iranit. Duke lexuar mbi kastën që drejton aktualisht
Iranin, më doli para syve një profil paradoksal i një pjesëtari të saj: Ali
Larijani, këshilltar i lartë i ajatollahut tashmë të vdekur dhe shef i sigurisë
kombëtare të Iranit.
Fillimisht
student i matematikës dhe inxhinierisë kompjuterike, Larijani më pas i hyn
studimit të filozofisë, duke u bërë profesor i saj dhe një nga ekspertët më të
mirë në Iran për filozofinë perëndimore. Doktoratura e tij paraqet një studim
të thelluar mbi filozofinë racionaliste të Immanuel Kantit.
Dhe
paradoksi: si mundet një studiues i Kantit, i cili këmbëngul në idenë e lirisë
së individit dhe në ligjin moral që buron nga arsyeja njerëzore, të jetë në
krye të një regjimi totalitar që bazohet në idenë se ligji moral vjen nga
autoriteti hyjnor?
Si
mundet të rrinë bashkë filozofia e Kantit, e cila del dhe e shpie përpara
programin emancipues të Iluminizmit, dhe një regjim teokratik i cili është
ngritur mbi përmbysjen e këtij programi dhe prej 47 vitesh e lufton atë
sistematikisht?
Jam
i prirur me mendu se këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një intelektual
oportunist, por me shfaqjen e dilemës më të madhe historike të botës islamike
moderne: të pranohet apo të refuzohet moderniteti perëndimor?
Larijani
shpreh atë rrymë në botën islamike që mendon se moderniteti perendimor duhet
përdorur teknikisht, por duhet refuzuar në aspektin intelektual dhe
etiko-juridik. Por kjo ide përmban një kontradiktë fundamentale që nuk
përballohet dot as logjikisht as moralisht. Dhe pikërisht nga kjo kontradiktë
buron gjithë trazira e sotme e botës islame.
_________
Ka
edhe shumë shqipfolës që e dëshirojnë një gjë të tillë. Dhe ju e dini shumë
mirë cilët janë dhe si duken. Arsyeja është e qartë: të dyja palët janë nën
komandën e Beogradit; ndryshon vetëm metodologjia e veprimit të tyre.
