| E diele, 01.03.2026, 06:56 PM |

HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
Me
rastin e muajit të Ramazanit
Nga
Frank Shkreli
Hafiz
Sabri Koçi ishte një nga figurat më të rëndësishme të Islamit në Shqipëri gjatë
shekullit XX dhe periudhës së tranzicionit pas komunizmit. Të ndjerin e kisha
takuar në Tiranë në Mars të vitit 1991 në vizitën e parë të delegacionit të
Deparatmentit Amerikan të Shtetit, në Shqipërinë ende të sunduar nga regjimi
komunist. Me atë rast, përveç aktiviteteve të tjera, delegacioni pat organizuar
një pritje modeste në hotel Dajti për nja 100 zrytarë të qeverisë dhe të
shtetit shqiptar, disa amerikanë dhe diplomatë të huaj të akredituar në
kryeqytetin shqiptar të ftuar nga përfaqësia e parë diplomatike amerikane në
Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Në atë pritje delegacioni kishte
vendosur të ftonte edhe përfaqësues të feve dhe tjerë të shoqërisë shqiptare,
të posa liruar nga burgjet e komunizmit: Hafiz Sabri Koçin, kryetari i parë i
Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas rënies së komunizmit dhe At Simon
Jubanin, (1927–2014), Nga Frank Shkreli/ Apostulli i Lirisë Fetare Dom Simon
Jubani: Protagonisti i një epoke të re në Shqipëri dhe vizita e tij në Amerikë
në maj të vitit 1991 | Gazeta Telegraf -- prifti katolik që mbijetoi 26 vjet
burg e internim -- dhe i cili kishte celebruar meshën e parë në Shkodër me 4
nëntor të vitit 1990, pas 23 vitesh të ndalimit brutal të fesë nga regjimi
komunist. Mesha publike e Dom Simon Jubanit u konsideruar në atë kohë si një
sfidë e drejtpërdrejtë ndaj shpalljes së Shqipërisë si “shteti i parë ateist në
botë”, dekada më parë. Në mungesë të një
kleriku ortodoks, i ftuar ishte edhe një përfaqësues civil i Kishës Ortodokse
Shqiptare.
Megjithse
ai rast nuk ishte koha as mundësia të bisedoja pak më gjatë me këto dy figura
të mëdha të fesë e Kombit Dom Jubani dhe Hafiz Sabri Koçin përveç
përshëndetjeve të rastit – por i kujtoj si dy individë të vuajtur por të
vendosur në parimet e tyre të fesë në Zotin dhe në dinjitetin dhe lirinë
njerëzore – dhe si dy protagonistë fetarë, simbole të fillimit të një epoke të
re. Kësaj radhe do përqendrohem pak –
duke përkujtuar -- në shënjë nderimi dhe respekti, njëkohsisht, dhe me rastin e
këtij muaji të Ramazanit, Hafiz Sabri Koçin, ish-Kryetar i Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë (1991–2004). Pas rënies së
regjimit komunist, ai udhëhoqi ringritjen institucionale dhe shpirtërore të
besimit islam në vend. I burgosur
politik (1966–1986) – kaloi rreth 20 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha
për shkak të besimit dhe veprimtarisë fetare. Ai luajti rol kyç në rihapjen e
xhamive, në organizimin e jetës fetare dhe rikthimin e edukimit islam pas
ndalimit brutal të fesë në vitin 1967.
Sipas atyre që e kanë njohur, Hafiz Sabri Koçi është dalluar për
qëndrimet e tija të moderuara, për dialog ndërfetar dhe për ruajtjen e
harmonisë tradicionale fetare ndër shqiptarët.
Si i tillë, megjithse në amshim, ai vazhdon të jetë edhe sot e kësaj
dite, një prej simboleve të qëndresës fetare, i faljes dhe i bashkëjetesës
ndërfetare, ndër shqiptarët. Ai ka
kontribuar që, pas shembjes së komunizmit zyrtar antifetar, Islami shqiptar të
riorganizohej mbi baza kombëtare dhe larg ndikimeve radikale. Si i tillë,
figura e Hafiz Sabri Koçi zë një vend të veçantë në historinë moderne
shqiptare. Ai nuk ishte thjesht një klerik mysliman; ai ishte edhe simbol i
qëndresës shpirtërore përballë një prej periudhave më të errëta të shtetit
shqiptar.
Siç
dihet, Shqipëria jonë e pësoi si asnjë shtet e komb tjetër në botë komunizmit
anti-Zot, kur regjimi i Enver Hoxha kishte shpallur Shqipërinë shtet ateist në
vitin 1967. Dhe si rrjedhim regjimi tij barbar mbylli çdo institucion fetar,
shumë klerikë u burgosën, u internuan ose u detyruan të heshtin. Hafiz Sabri
Koçi kaloi afro dy dekada në burgjet komuniste. Si shumë të tjerë si ai –sy pa
trembur, as përball vuajtjeve e burgjeve, punës së detyruar dhe persekutimeve
komuniste, ai me shokë klerikë të feve të tjera, nuk hoqën kurrë dorë nga
besimi, por as nga dashuria për Kombin e vet, pa dallim.
Pas
rënies së komunizmit zyrtar, ai mori drejtimin e Komunitetit Mysliman të
Shqipërisë, në një kohë kur institucionet fetare ishin të shkatërruara,
ndërsa shoqëria shqiptare ishte e
çoroditur, shpirtërisht, por jo vetëm. Sabri Koçi me urtësi dhe maturi,
udhëhoqi rihapjen e xhamive, edukimin e brezit të ri të imamëve dhe rikthimin e
jetës fetare në normalitetin e traditës shqiptare. Por ndoshta merita më e madhe e tij ishte dhe
mbetet se ai punoi për ta ruajtur Islamin shqiptar në traditën e tij të
moderuar, kombëtare dhe harmonike me besimet e tjera dhe me shioqërinë në
përgjithsi. Në një kohë kur Ballkani po përjetonte tensione të forta fetare,
politike e etnike, ai zgjodhi rrugën e dialogut dhe të bashkëjetesës midis
shqiptarëve të feve të ndryshme, ashtu sipas traditës. Pas vitit 1990, kur shumë ndikime të jashtme
-- jo të natyrshme për bashkjetësën fetare të shqiptarëve -- kërkonin të mbushnin vakumin shpirtëror të
lënë nga diktatura komuniste, Hafiz Sabri Koçi zgjodhi rrugën e traditës
shqiptare: duke predikuar një Islam kombëtar, të moderuar, të lidhur ngusht dhe
historikisht, me kulturën dhe me bashkëjetesën shqiptare. Ai e kuptonte se feja
pa atdhe bëhet instrument, ndërsa feja me përgjegjësi kombëtare, bëhet mburojë
ndaj infleuncve të huaja. Duke lënë
kështu një trashëgimi fetare, morale dhe kombëtare, por jo vetëm. Duke na
kujtuar të gjithëve, se ndryshe nga propaganda komuniste anti-fetare e Enver
Hoxhës dikur, feja kur lidhet me atdhedashurinë dhe me përgjegjësinë morale,
bëhet faktor stabiliteti dhe jo përçarjeje, midis shqiptarëve. Hafiz Sabri Koçi,
sipas atyre që e njihnin mirë, nuk e përdori kurrë fenë për përfitime
personale, as politiko-fetare. Përkundrazi, ai e mbrojti pavarësinë e
institucionit fetar nga instrumentalizimi.
Prandaj, sot, si i tillë, në këtë muaj të Ramazanit, 2026, kur Shqipëria
përballet me sfida identitare, emigracion masiv, korrupcion dhe polarizim
politik, modeli i tij i maturisë dhe i përkushtimit ndaj harmonisë ndërfetare
dhe vlerave kombëtare –mbetet shembullor dhe aktual. Prandaj, Hafiz Sabri Koçi ishte më shumë se
vetëm udhëheqës fetar. Ai ishte një ndër ata klerikët e vuajtur -- nepër burgje
e kampe përqendrimi, të vrarë e të persekutuar -- të feve shqiptare nën
diktaturën komuniste enveriste, katolikë, bektashinjë msyslimanë e ortodoksë --
simbole ndërgjegjeje morale të një shoqërie që po kërkonte dhe gjithnjë kërkon
të ringrihet moralisht, mbi plagët e diktaturës antifetare hoxhiste – madje
edhe 35-vjet pas shembjes zyrtare të komunizmit.
Vet
Hafiz Sabri Koçi vuajti afër njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxha –
jo për pushtet, jo për para, por sepse refuzoi të hiqte dorë nga besimi dhe
dinjiteti i tij. Ndërsa shumë ish-persekutorë të regjimit komunistë që dënuan
klerikët me vrasje e burg, u ricikluan në të ashtuquajturën, “demokracinë” e
sotëme. Çfarë hipokrizie kombëtare! Persekutorët komunistë edhe sot vazhdojnë
në detyra të larta të “drejtësisë” së re.
Shumë oportunistë të tillë – të mbështetur nga politika e tranzicionit,
mjaft prej tyre edhe ata me rrënjë të thella politike dhe akademike në
ish-regjimin e Enver Hoxhës, sot janë vet- shpallur “pro-evropianë” e
“pro-amerikanë”. Brenda natës u kthyen nga persekutorë komunistë në prokurorë
të drejtësisë së re. Shumë prej këtyre “moralistëve” të rremë predikojnë
tolerancë, “drejtësi e demokraci” nga komoditeti i studiove televizive oe nga
sallat e gjykatave. Por, Hafiz Sabri Koçi – si shumë klerikë të tjerë
shqiptarë, katolikë, myslimanë, ortodoks bektashinjë -- në burg dhe jasht burgut – mbeti ai që ishte:
një njeri që pagoi me liri personale për të drejtën për të besuar në Zotin.
Quaje
ironi, në daç hipokrizi,ose të dyja. Fakti i realitetit politik shqiptar është
i hidhur: përfaqsuesit politikë të pozitës dhe opozitës të këtij shteti
shqiptar që kemi sot në “demokraci”, e që dikur e burgosi për besimin e tij Hafiz
Sabri Koçit dhe shumë bashkvëllezër të tij fetarë, sot krenohet nepër botë duke
marrë kredinë për harmoninë ndërfetare ndër shqiptarët. Harmoninë që mbijetoi
falë njerëzve si ai, jo kësaj klasës politike aktuale, as falë ideologjisë
shtetërore antifetare komuniste gjysëm shekullore në të cilën shumë prej këtyre
politikanëve ende mbeten të brumosur në të. Vërtetë, meritë e kujt është
bashkjetesa fetare në Shqipëri?!
Sabri
Koçi me shokë kërkon drejtësi historike!
E kam thënë shpesh gjatë dekadave të fundit se Shqipëria
“post-komuniste”, u ka borxh këtyre përfaqsuesve të përsekutuar të Kombit – të
gjallë e të vrarë nga regjimi komunist -- një rivlerësim serioz historik të
rolit të tyre në mbijetesën shpirtërore të Kombit gjatë komunizmit dhe në
ringritjen morale të kësaj mbijetese fetare sot ndër shqiptarët. Por politika shqiptare në “demokraci”, e ka
treguar se nuk ka guximin as vullnetin që të flasë, seriozisht, për krimet e së
kaluarës komuniste në përgjithësi, ndërkohë që refuzon një përballje të thellë
me persekutimin fetar nën regjimin komunist në atë vend dhe me krimet e
komunizmit në përgjithsi. Ende mungon një ndjesë e plotë morale dhe
institucionale për atë që ka ndodhur. Një “harresë” e mirë organizuar nga
politika dhe nga academia.
Nëse
Shqipëria, si shtet dhe si komb -- dëshiron të ndërtojë një të ardhëme me
dinjitet, duhet të përballet ndershmërisht, me të kaluarën e saj të hidhur –
dhe të pranojë se ndërgjegjja morale e atij tranzicioni nuk erdhi nga politika,
por nga shqiptarë, kundërshtarë të komunizmit, si Hafiz Sabri Koçi. Dhe nëse
sot ka stabilitet dhe bashkjetesë fetare në Shqipëri, kjo është meritë e tij
dhe shumë të tjerëve si ai. Për këtë meritë,
ata nuk kërkojnë lavdërime boshe, por do donin një klasë politike dhe
një shoqëri që e kupton se liria as demokracia nuk janë dhuratë – por janë
një trashëgimi e paguar me sakrifica –e
që historia duhet ta njoh, për ndryshe, ajo shoqëri rrezikon të humbasë
busullën morale, por jo vetëm.

Takimi
me Papa Gjon Palin e II-të, Shqipëri, 1993

Foto
e rrallë -- Nenë Tereza në vitin 1990, ishte takuar me Myftiun e Madh të
Shqipërisë, Hafiz Sabri Koçi, njoftone gazeta zvicerane (Canton27.ch)

