| E diele, 01.03.2026, 06:58 PM |
ANTISHQIPTARIZMI
SLLAVO-MAQEDONAS – POLITIKË SHTETËRORE
MIDIS SKILES DHE HARIBDËS, NË SHTRATIN E
PROKRUSTIT
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
është kontest territorial, por është çështje e territorit të pushtuar.
Maqedonia është rezultantë e
kontradiktave të shteteve të Ballkanit, për t’i neutralizuar synimet
hegjemoniste të Serbisë, të Greqisë dhe të Bullgarisë ndaj saj.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni, arritjet koniunkturale nuk
duhet t’i prezantojë si arritje të përgjithshëm.
Duke qenë se pjesëmarrja e faktorit
politik shqiptar në qeveritë e Maqedonisë është conditio sine qua
non, d.m.th. kusht i stabilitetit të saj, atëherë shtrohet pyetja: “Me
se shpërblehen shqiptarët për ruajtjen e qëndrueshmërisë së Maqedonisë?!”
* * *
Zhvillimet e fundit në Maqedoni, nga
individë dhe nga qendra të caktuara, u quajtën incidente. Duhet thënë që në
krye të herës se sulmet e individëve apo të grupeve të caktuara maqedonase ndaj
shqiptarëve nuk janë incidente, por pjesë përbërëse e frymës antishqiptare që
mbizotëron në këtë vend. Qeveria e VMRO-së, me në krye liderin e partisë Nikolla Gruevskin (1970- ), ndjek
politikë ultranacionaliste, antishqiptare. Kjo politikë, në shumë pikëpamje, ka
pika takimi me politikën shkatërrimtare të Sllobodan
Millosheviqit (1941-2006).
Politika e qeverisë së tashme të
VMRO-së, nuk shkon në favor, as të maqedonasve, as të shqiptarëve dhe as të
rajonit. Është një politikë retrograde, anakronike, nacional-romantike e tipit
të shekullit XIX dhe destabilizuese. Politika e VMRO-së, marrëdhëniet
ndëretnike në Maqedoni i rrënon në themel. Me fjalë të tjera, është politikë
kundër bashkëjetesës me shqiptarët.
Politika e VMRO-s dhe e kësaj qeverie
është aq antishqiptare, saqë shqiptarët nuk i njeh, as si të barabartë dhe as
si qiraxhinj. Është një politikë që dëshiron t’i shohë shqiptarët nëpër kolona
të gjata autobusësh, në rrugën pa kthim drejt Evropës, për të punuar në
ndërtimtari dhe si pjatalarës. VMRO-ja ndjek politikën afatgjate të varfërimit
të hapësirave shqiptare, rrjedhimisht edhe të zbrazjes së këtyre hapësirave.
Është politikë e deportimit dhe e shpërnguljeve masive të shqiptarëve – si në
kohën e Vasa Çubrilloviqit
(1897-1990).
Nacionalizmi maqedonas pra, është
politikë shtetërore e kryeministrit Nikolla Gruevski. Një politikë nacionaliste
kaq e skajshme, në Evropë merr jo më shumë se 3% të votave të elektoratit. Këtu
ndërkaq, nacionalizmi i skajshëm është politikë shtetërore. VMRO-ja dhe lideri
i saj, votat e elektoratit maqedonas i fitojnë pikërisht për shkak të politikës
së tyre antishqiptare. Në përputhje me politikën e sipërthënë të qeverisë së
përtashme krijohet edhe klima dhe fryma antishqiptare.
Vrasja e dy shqiptarëve dhe sulmi ndaj
nxënësve shqiptarë nuk janë kurrfarë incidentesh të izoluara, por rezultantë e
një fryme antishqiptare, e cila në të vërtetë është rrjedhojë e një ideologjie
dhe politike kundër shqiptarëve, mirë të paramenduar.
Ka të tillë që deklarojnë se për vrasje
e fundit duhet ta thonë fjalën e vet organet e hetuesisë dhe të gjyqësisë. Duhet
ditur se gjykatat mund të merren me një individ apo me një grup individësh dhe
t’i dënojnë ata, por kurrë nuk mund të merren me ideologjitë politike, me
politikën nacionaliste dhe me strategjinë sllave kundër tërë një populli, siç
janë shqiptarët.
Nga kjo rezulton se ngjarjet e fundit në
Maqedoni nuk janë çështje gjyqësore, por çështje politike. T’i trajtosh
ngjarjet nga këndvështrimi gjyqësor apo juridik, do të thotë të lejosh që ato
të përsëriten sa herë që të dëshirojnë skenaristët e tyre. E çmimin me
gjakderdhje e paguajnë shqiptarët.
Ka edhe të tillë që ngjarjet e fundit në
Maqedoni i shpjegojnë si skenarë të shërbimeve sekrete të huaja, kryesisht
serbe. Është e vërtetë se Beogradi dëshiron një Maqedoni dhe një rajon të
paqëndrueshëm. Por, të thuash se sulmin e individëve apo të grupeve të caktuara
maqedonase e ka kurdisur Beogradi, kjo do të thotë ta heqësh përgjegjësinë nga
vetja. Kjo do të thotë të mos e diagnostifikosh sëmundjen drejt dhe saktë.
VMRO-ja synon:
– të ndërtojë një Maqedoni maqedonase;
– të ruajë fizionominë e një Maqedonie,
si vendin më të nacifikuar të rruzullit;
– të injorojë karakterin dyetnik të shtetit;
– të rikthejë kohën kur Maqedonia
ishte unitare, monoetnike, centraliste dhe
individual-nacionaliste.
Çështja shqiptare në Maqedoni sot,
ndodhet midis skilës dhe haribdës*. Në kuadër të sa më
sipër, VMRO-ja ka për qëllim:
– të relativizojë dhe të diskreditojë
luftën e 2001-shit;
– të relativizojë Marrëveshjen e Ohrit;
– të komprometojë faktorin politik
shqiptar në Maqedoni;
– të shpërfillë qendrat politike
shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën;
– të injorojë qendrat politike
ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonin dhe Brukselin.
Shënim: Skila
dhe Haribda (Scila dhe Haribda) – sipas besimit të
grekëve të lashtë, janë dy përbindësh (lugetër) të shpellave bregdetare të
gjirit të Mesinit, njëri në njërën anë dhe tjetri, në anën tjetër, të cilët i
kanë gëlltitur detarët. Skila në të vërtetë është një shkëmb i rrezikshëm, ndërsa
Haribda është vorbull, shakullinë, greminë, humnerë. Në aspektin figurativ,
shprehja midis Skilës dhe Haribdës nënkupton pozitën
kur rreziku kanoset nga të dyja anët, kur prej të keqes shkohet kah më e keqja.
(Lat.: Incidit in Scyllam, qui vult vitare Charybdim – Tenton të
shpëtojë nga Skila, por has në Haribdë).
* * *
Bashkimi Demokratik për Integrim duhet
të dijë se sulmi i analistëve dhe i krijuesve të opinioneve ndaj qeverisë së
përtashme, vetvetiu paraqet sulm edhe ndaj saj (BDI-së). Kështu sepse, vetë ajo
është pjesë e kësaj qeverie. BDI-ja duhet ta dijë se sulmi i analistëve dhe i
ndërtuesve të opinioneve kundër VMRO-së dhe liderit të saj Nikolla Gruevskit,
njëherazi është edhe sulm ndaj saj. Kështu sepse, me VMRO-n dhe me liderin e
saj, BDI-ja është në koalicion qeveritar.
Bashkimi Demokratik për Integrim duhet
ta dijë se për zhvillimet e fundit në Maqedoni, për ngecjen ekonomike të
shqiptarëve dhe për politikën nacionaliste të VMRO-së, mban përgjegjësi të
veçantë, pikërisht për disa arsye:
– e para, disa nga krerët e BDI-së,
identifikohen me luftën e 2001-shit;
– e dyta, BDI-ja ndodhet në mandatin e
tretë të qeverisjes;
– e treta, BDI-ja, në të gjitha
zgjedhjet e përgjithshme të deritashme e ka marrë verdiktin e popullit, d.m.th.
shumicën e votave të elektoratit.
Përkundër kësaj, pozita e shqiptarëve në
Maqedoni nuk shënon ndonjë avancim pozitiv të theksuar. Përkundrazi,
shënon ngecje, për të mos thënë edhe kthim prapa. Duke e rrënuar pozitën e
shqiptarëve në Maqedoni, VMRO-ja synon po ashtu të dobësojë, të komprometojë,
të diskreditojë dhe të PPD-izojë edhe vetë BDI-në, të dalë nga lufta e
2001-shit. BDI-ja ka detyrim historik që ta mbrojë nga diskreditimi: luftën e
2001-shit, Marrëveshjen e Ohrit si dhe verdiktin e popullit që e fiton tri herë
radhazi.
Nacionalizmi maqedonas u ka shpallur
luftë ekonomike shqiptarëve. I ka getoizuar dhe i
ka margjinalizuar shqiptarët. Në hapësirat ku janë
shqiptarët nuk ka depërtuar dhe nuk depërton as edhe një investim i mirëfilltë.
Premtime ka, por jo edhe vepra konkrete. Çështja shqiptare në Maqedoni ka
filluar të marrë përmasë sociale dhe ekzistenciale. Pasojat e varfërimit të
shoqërisë shqiptare në Maqedoni do të precipitojnë brenda pesë deri dhjetë
vjetësh. Një armatë të rinjsh të diplomuar do të enden rrugëve, si të tepërt
dhe të papërfshirë në proceset prodhuese, riprodhuese, krijuese apo kreative.
Në situata të tilla mund të pasojnë dhe protesta sociale.
Si të shpjegohet fakti: shqiptarët në
Maqedoni në disa mandate e mbajnë në nivel ministror dikasterin e Ekonomisë,
shoqëria shqiptare ndërkaq, në rrafshin ekonomik, nuk shënon kurrfarë
zhvillimi. Shtrohet pyetja: Në shërbim të kujt vallë kanë qenë deri më sot
ministrat shqiptarë të Ministrisë së Ekonomisë në qeveritë e Republikës së
Maqedonisë?!
Përqendrimi i mjeteve financiare për
Shkupin 2014 dhe orientimi i tyre për në viset lindore të Maqedonisë, kryhet në
kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të tyre. Sipas individëve të caktuar,
Tirana dhe Prishtina, kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të
shqiptarëve në Maqedoni, duhet të jenë më energjike. Kjo pikëpamje është
relative, pikërisht për arsyet e mëposhtme:
– e para, shqiptarët në Maqedoni, janë
të organizuar politikisht, veprojnë politikisht në institucionet e sistemit,
posedojnë faktorin politik vetanak, klasën politike dhe intelektuale vetanake,
marrin pjesë në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, si në nivel
qendror, ashtu edhe në atë vendor; rrjedhimisht, realizimit të të drejtave
themelore të veta, duhet t’i dalin zot vetë;
– e dyta, Shqipëria dhe Kosova, duke
qenë shtete sovrane dhe të pavarura, janë të detyruara t’i respektojnë
konventat ndërkombëtare, d.m.th. të ndjekin politikën e mospërzierjes në punët
e brendshme të shteteve të tjera;
– e treta, Tirana dhe Prishtina, në
përputhje me interesat strategjikë të Uashingtonit dhe të Brukselit, duhet të
ndjekin politikën e fqinjësisë së mirë, si dhe politikë konstruktive dhe
stabilizuese në rajon.
Por, Uashingtonit dhe Brukselit duhet
t’u bëhet me dije se paqja dhe stabilitetit i Maqedonisë dhe i rajonit, nuk
mund të ruhet vetëm në dëm të shqiptarëve. Shqipëria akoma nuk ka kapacitet për
të luajtur rolin e Piemontit* ndër shqiptarë.
Shënim:
Piemonti – krahinë në Italinë
veriore (Piemonte), e cila kah mesi i shekullit XIX luajti rol të madh për
bashkimin e Italisë.
* * *
Krijohet përshtypja sikur Maqedonia
është e përkëdhelura e SHBA-së. Rrjedhimisht Uashingtoni:
– Nuk do të lejojë Sofjen, Beogradin dhe
Athinën ta rrezikojnë tërësinë tokësore të Maqedonisë;
– Nuk do të lejojë Tiranën dhe
Prishtinën të implikohen rreth çështjes shqiptare në Maqedoni;
– Nuk do t’i mbështesë qëndrimet,
pikëpamjet dhe veprimet radikale të shqiptarëve në Maqedoni.
Uashingtoni dhe Brukseli mbështesin një Maqedoni multietnike dhe demokratike, si pjesë e familjes
perëndimore dhe jo një Maqedoni jodemokratike. Dihet mirëfilli se problemi i
Maqedonisë është çështje ballkanike që ndërlidhet në radhë të parë me
Shqipërinë dhe me Bullgarinë.
* * *
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
është kontest territorial, por është çështje e territorit të pushtuar.
Tokat shqiptare në Maqedoni u pushtuan
nga Serbia në vitin 1912. Në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ-së) të mbajtur
në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip
Broz Titoja (1892-1980) e themeloi Republikën e Maqedonisë, si një prej
gjashtë njësive të federatës jugosllave. Në të vërtetë, Maqedonia është
kreaturë serbo-komuniste dhe kominterniste. Shteti maqedonas është
ngritur në tokë të huaj – në atë shqiptare.
Maqedonia është rezultantë e
kontradiktave të shteteve të Ballkanit, për t’i neutralizuar synimet
hegjemoniste të Serbisë, të Greqisë dhe të Bullgarisë ndaj saj.
Të gjithë e dinë se nuk ka Maqedoni, pa
shqiptarët në qeverinë e saj. Duke qenë se pjesëmarrja e faktorit politik
shqiptar në qeveritë e Maqedonisë është conditio sine qua non,
d.m.th. kusht i stabilitetit të saj, atëherë shtrohet pyetja: “Me se shpërblehen shqiptarët për ruajtjen e
qëndrueshmërisë së Maqedonisë?!” Ç’do të ndodhte me Maqedoninë sikur
faktori politik shqiptar ta lëshonte këtë qeveri që ndjek politikë irracionale?!
Interesi i popullit shqiptar në Maqedoni
nuk mund të reduktohet në interes të një nomenklature dhe të një koniunkture
partiake, një pjesë e së cilës nuk është në krye të detyrës. Faktori politik
shqiptar në Maqedoni, arritjet koniunkturale nuk duhet
t’i prezantojë si arritje të përgjithshëm.
BDI-ja duhet ta dijë se çështja
shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet:
– në Muze të Alfabetit, në Manastirin e
zbrazur, të mbetur me pak shqiptarë;
– në Muze të Lirisë, në pjesën shqiptare
të Shkupit; si dhe
– në përgatitjet për kremtimin e
100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
Tri çështjet e sipërthëna i takojnë
lëmit të kulturës. Çështja shqiptare ndërkaq është çështje politike,
përkatësisht territoriale. Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të maten në shtratin
e Prokrustit* – siç mendojnë sllavo-maqedonasit.
Shënim: Shtrati
i Prokrustit është krevati i grabitësit (kusarit) antik grek
Prokrustit ku ai i shtrinte viktimat e veta. Atyre që ishin më të gjatë se
krevati, ua priste këmbët, ndërsa atyre që qenë më të shkurtër, ua zgjaste
këmbët në kudhër. Në kuptimin figurativ, ka kuptimin e masës artificiale (të
sajuar) të cilës dikush dëshiron t’ia përshtat një gjë, me çdo kusht apo
dhunshëm.
* * *
Kremtimi i përvjetorëve të luftës së
2001-shit, pa e zgjidhur statusin e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve
të luftës dhe pa e përfshirë luftën në historinë më të re të këtij vendi – nuk
ka shumë kuptim, as domethënie të madhe. Kështu sepse, luftërat janë pjesë e
historisë, e historitë janë të popujve dhe jo pronë e partive. E për të qenë e
popullit, ajo (lufta) duhet të zërë vend në histori dhe në tekstet e historisë.
Faktori politik shqiptar duhet ta ketë
parasysh faktin se integrimi i Maqedonisë në organizmat euro-atlantikë, nuk
duhet të realizohet pa u zgjidhur çështja shqiptare në të.
Politika VMRO-iste e prishjes së
marrëdhënieve ndëretnike rrënon në themel përpjekjet shumëvjeçare të perëndimorëve
për të ndërtuar një Maqedoni multietnike dhe multikulturore.
Shqiptarët duhet ta dinë se për
perëndimorët rëndësi nuk kanë vetëm ata (shqiptarët), por edhe vendet e tjera
të rajonit, e sidomos Serbia. Me fjalë të tjera, interesi i BE-së, sa është për
Kosovën, po aq është edhe për Serbinë, në mos dhe më i madh. Perëndimorët, duke
e bërë për vete Serbinë e parandalojnë hyrjen e Rusisë në rajon. Kështu sepse,
Serbia konsiderohet përçuese e natyrshme e interesit rus në Ballkan.
Me parandalimin e ndikimit rus në rajon,
bëhet e panevojshme edhe prania e Ankarasë në një pjesë të gadishullit.
Brukseli pra, është kundër pranisë së Moskës dhe të Ankarasë në Ballkan.
Duke e marrë me të mirë Beogradin, BE-ja
e mban në këmbë vijën e Boris Tadiqit
(1958- ), për ta parandaluar ardhjen në pushtet të nënproduktit të Vojisllav Sheshelit (1954- ) – Tomislav Nikoliqit (1952- ). Boris
Tadiqi është bir i akademikut serb, profesorit të filozofisë Lubomir Tadiqit (1925-2013). Për
shqiptarët nuk dallohet fort nga Sllobodan Millosheviqi (1941-2006), por
perëndimorët atë e perceptojnë ndryshe nga shqiptarët.
Për arsye të caktuara, mbështetja e
Uashingtonit dhe e BE-së për shqiptarët, ka kohë që ka filluar të zbehet.
Arsyet e rënies së interesimit të qendrave të sipërthëna, shqiptarët duhet t’i
kërkojnë në vetvete. Shqiptarët në Ballkan, tashmë nuk janë të përkëdhelurit e
perëndimorëve. Kjo, edhe me fajin e vetë shqiptarëve. Përse?! Kështu sepse,
përkundër mbështetjes që morën prej Uashingtonit dhe Brukselit, individë dhe
grupe të caktuara të shoqërisë shqiptare, vitet e fundit manifestuan sjellje,
veprime dhe prononcime antiperëndimore. Edhe pse bëhej fjalë për grupe të
margjinalizuara, të papërfillshme dhe joinfluente të shoqërisë shqiptare,
megjithëkëtë, veprimet antiperëndimore të tyre janë irituese për SHBA-në dhe
BE-në.
Kjo dhe s’është aq brengosëse. Më
brengosës është fakti se ndaj pikëpamjeve antiperëndimore të segmenteve të
caktuara të shoqërisë shqiptare, klasa politike dhe ajo intelektuale duket
sikur i mbyll sytë, për të mos thënë nuk reagon fare.
Por, edhe perëndimorët duhet ta dinë se
shqiptarët dhe jo sllavët, janë përçues të interesit amerikan apo perëndimor në
Ballkan. Sllavët ndërkaq, e në veçanti serbët, janë aleatë të natyrshëm të
rusëve.