| E shtune, 28.02.2026, 06:38 PM |

Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit për të ngritur zërin kur heshtja bëhet bashkëfajësi
Nga
Albert Vataj
Në
festivali 76-të të Muzikës Italiane, Sanremo 2026, sfidë që ka startuar më 24
shkurt për të ulur siparin më 28, Ermal Meta, me "Stella Stellina",
solli një baladë prekëse dedikuar fëmijëve viktima të konflikteve, frymëzuar
kryesisht nga situata në Gaza. Ai arriti të morrte një vëmëndje shastisëse dhe
një vlerësim pozitiv si nga kritika, ashtu edhe nga publiku, në sallën e
Ariston dhe jashtë saj. I prekur thellë në shpirt nga shikimi trishtues i një
vajze të vogël nga Gaza dhe i frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij,
këngëtari shqiptar rierdhi në këtë skenë gjigande të këngës dhe muzikës, risive
dhe forcës krijuese, për të shpërfaqur artin e vërtetë, për të lajmëruar
ardhjen e sublimes së këngës si mision i shenjtëruar në predikimin e paqes
përmes zërit të atyre që heshtin, thirrjes së qiellit në sytë e trishtuar të
atyre që u është shembur në gjoks britma.
Gjatë
natës së dytë të festivalit, Ermal Meta u rendit në Top 5 artistët më të votuar
të mbrëmjes. Ai u vlerësua lart për emocionin që përcolli, duke u konsideruar
si një nga interpretimet më "prekëse" të këtij edicioni. Artisti
shqiptar mori vëmendje të madhe edhe për mesazhin e tij civil, duke mbajtur të
qëndisur në jakën e këmishës emrin "Amal" (që do të thotë
"shpresë"), si simbol për fëmijët e prekur nga lufta.
Ermal
Meta vazhdon të mbetet një nga figurat më të respektuara në Sanremo, duke u
konfirmuar sërish si një artist që ndërthur muzikën me tematika të rëndësishme
sociale.
Ermal
Meta i interpretoi vargjet e muzikuara me një ndjeshmëri të lartë, duke bërë që
i gjithë Teatri Ariston të heshtte dhe gjithë bota të dëgjonte, madje edhe ajo
pjesë që legjitmon tmerret e luftës dhe nuk mëshiron as fëmijët:
"Nata
nuk ka sy, por ka veshë që dëgjojnë,
Si
rrahjet e zemrës sate që kërkojnë një strehë,
Ti
vrapon mbi rrënoja sikur të ishin lule,
Sepse
bota harroi të të thoshte 'të dua'...."
___
"O
yll, o yll i vogël (Stella stellina),
Ku
fshihet drita kur qielli po rrëzohet?
Mos
u tremb nga zhurma, është vetëm toka që qan,
Për
fëmijët që flenë ku dielli nuk i mban.
Ti
je drita që nuk fiket, je shpresa që nuk vdes,
Edhe
kur nata premton se nuk do të ketë më mëngjes."
Thotë
mes të tjerash kënga e Ermal Metës.
Përdorimi
i një kënge ninulle, për të treguar një realitet kaq të ashpër si lufta, krijoi
një efekt emocional shumë të fortë.
Kjo
krenari shqiptare e shpirtit të ndjeshëm, nuk u mjaftua me një këngë dashurie,
por zgjodhi të jetë "zëri i atyre që nuk kanë zë", një karakteristikë
që e ka ndjekur që nga fitorja me "Non mi avete fatto niente". Juria
e quajti këtë akt "një leksion njerëzimi i veshur me muzikë".
“Heshtja
është tema e madhe e botës ku jetojmë sot.”
Ky pohim i Ermal Metës, i bërë në sallën e shtypit të Sanremos, nuk
është thjesht një reflektim mbi një këngë, por një diagnozë e gjendjes sonë
kolektive. Në “Stella Stellina”, ai shpjegon paradoksin e melodisë, një ritëm
që të fton të kërcesh, pastaj të ndal, pastaj të rifillosh, sikur të ishte vetë
scrolling-u i realitetit tonë digjital. Një rrjedhë e pafund imazhesh ku gëzimi
dhe tragjedia bashkëjetojnë pa dallim, kotele, festa, palestër, fëmijë që
vdesin.
Ky
kontrast i tmerrshëm, ku jeta dhe vdekja shfaqen në të njëjtën ekran, e bën të
dukshme heshtjen që ia imponojmë vetes. Një heshtje që nuk është mungesë fjale,
por mungesë reagimi. Një heshtje që e pranon dhunën si pjesë të zakonshme të
përditshmërisë.
Kënga
e Metës, pra, nuk është vetëm muzikë, është një britmë e thellësive të shpirtit
njerëzor, një shpirtje krijuese që refuzon të pranojë indiferencën si normë.
Ajo nxjerr në pah kontrastin mes ritmit të këngës dhe dramës që ajo mbart, duke
e bërë artin një mjet të fuqishëm për vetëdijësim.
Në
këtë kapitull, “Stella Stellina” shndërrohet në një testament të së drejtës për
të mos heshtur. Është një kujtesë se arti nuk është luks, por një forcë besimi
që guxon të thotë se, edhe në kohë luftrash absurde e mizorish të pamëshirshme,
ende ka shpresë. Dhe kjo shpresë lind pikërisht kur dikush ka guximin të thotë
fjalët që të tjerët i kanë frikë, Gaza, Palestina.
Në
një kohë kur mesazhi tjetërsohet, e vërteta fshihet, dinjiteti njerëzorë
nëpërkëmbet, e tashmja merret nën kërcënim, mizoritë nuk kanë mëshirë as për
krijesat më të pafajshme të këtij absurdi ekzistencial, kur fjala shpesh
censurohet dhe imazhi shpërndahet pa dallim, arti mbetet një nga format më të
pastra të dëshmisë. Ermal Meta, me “Stella Stellina”, e ka kthyer muzikën në
një akt sakral, një liturgji të së vërtetës. Ai na kujton se heshtja nuk është
thjesht mungesë fjale, por një plagë e vetëdijes, një dorëzim i heshtur
përballë dhunës dhe padrejtësisë.
Liturgjia
e së vërtetës nuk është e butë, nuk është e qetë, ajo është një britmë që thyen
heshtjen. Kur Meta thotë se “nuk mund të thuhet Gaza, nuk mund të thuhet
Palestina, sikur të ishte një blasfemi”, ai e kthen skenën e Sanremos në një
hapësirë të shenjtë, ku blasfemia nuk është fjala, por fshirja e saj.
Në
këtë kuptim, arti është një akt besimi. Besimi se fjala e kënduar mund të
ringjallë ndërgjegjen, se muzika mund të bëhet një flamur paqeje, se kujtesa e
gjallë mund të mbrojë dinjitetin e njeriut.
Kënga
nuk është vetëm melodi, por një liturgji e së vërtetës, një thirrje që na
kujton se ende ka shpresë, sepse ende ka zëra që nuk heshtin.
Ky
moment artistik i Ermal Metës në Sanremo, me këngën “Stella Stellina”, është më
shumë se një interpretim muzikor, është një akt besimi në fuqinë e artit për të
thënë të pathënën, për të ngritur zërin kur heshtja bëhet bashkëfajësi. Ai e
sjell dramën e Gazës në skenën e Aristonit, duke e kthyer këngën në një portë
ku dhimbja e popujve të shtypur bëhet tingull, ku shpresa merr formë melodie.
Arti,
në këtë rast, nuk është zbukurim, por një mjet i së drejtës për të mos heshtur.
Kënga e tij është një thirrje kundër absurditetit të luftërave, kundër mizorisë
që nuk kursen as fëmijët, kundër denigrimit të vetë humanitetit. Kur ai thotë
se “nuk mund të thuhet Gaza, Palestina, sikur të ishte një blasfemi”, ai e
kthen skenën e festivalit në një altar ku e vërteta merr legjitimitet, ku fjala
e ndaluar bëhet këngë dhe kënga bëhet dëshmi.
Në
këtë mënyrë, muzika e Metës është një akt rezistence shpirtërore, ajo nuk ofron
vetëm ngushëllim, por edhe besim se ka ende shpresë. Shpresa që arti mund të
ringjallë ndërgjegjen e fjetur, që fjala e kënduar mund të thyejë murin e
indiferencës, që zëri i një artisti mund të bëhet zëri i një populli të tërë.
Në
kohë të përgjakshme, kur dhimbja shpesh mbulohet nga propaganda, kënga e tij
është një kujtesë se arti nuk është luks, por një forcë morale. Një dritë që,
edhe në errësirën më të thellë, guxon të thotë, ende ka shpresë, sepse ende ka
zëra që nuk heshtin.