| E hene, 23.02.2026, 06:38 PM |
“TEKSTI FALS” NË LETËRSI – JA PSE NUK DUHET LEJUAR!
NGA
NDUE DEDAJ
Po
Ju paraqesim një libër, që thërret për shenjtërinë e tekstit letrar,
autenticitetin e tij, shqip: paprekshmërinë në asnjë rrethanë, nga askush,
redaktor, botues, as nga familjarët e shkrimtarit, kur ai nuk rron më. Ngasja
për ta ndryshuar, “përmirësuar”, “bërë me të kuptueshme” veprën letrare të
këtij apo atij autori, pas vdekjes, ka qenë e përhershme, gjer te prekja e
gjuhës së Fishtës, që për fat nuk ka ndodhur...
Studiuesja
e letërsisë Natasha Spahiu Lushaj pati botuar një çerek shekulli më parë (në vitin
2000) librin fort të vlefshëm “Komenti mes artit dhe shkencës”, që shërbeu si
një tekst alternativ për mësimdhënien e letërsisë në shkollat e mesme. Kujtoj
që ndër të tjerë e pati vlerësuar këtë libër metodik edhe poeti e përkthyesi
Perikli Jorgoni. Autorja deri atë kohë kishte pasur një përvojë të gjatë si
mësuese letërsie në disa rrethe të vendit, çka do të thotë se i njihte nga
terreni mësimor mangësitë e teksteve të kësaj lënde. Ne e njihnim zellin
kërkimor të saj, pasi kishim qenë bashkëstudentë në kursin pasuniversitar të
kritikës letrare në Universitetin e Tiranës në vitin akademik 1986-1987.
Dhe
ja ku Natasha na befason përsëri, kësaj here dhe më shumë, me një tjetër libër
sudimor, të vëllimshëm, me titullin “Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik”,
botim i “Neriada”, 2024. Ky libër, ndonëse nuk ka një auditor të gjerë
lexuesish, është nga më të veçantit në rrafshin e studimeve letrare, pasi ngre
një problematikë tejet të rëndësishme, atë të “tekstit fals” (falsifikuar), siç
e quan autorja, që duhet shmangur nga botimet tona.
Për
lexuesin e zakonshëm mund të duket e habitshme se si mund të falsifikohet një
tekst letrar pas vdekjes së autorit, por studiuesja sjell si shembull, duke e
analizuar imtësisht, romanin e shumëpërfolur të Petro Markos “Një emër në katër
rrugë”, që nuk iu nda fati i keq as pas 90-ës, kur duhej ribotuar sipas tekstit
autentik të 1973-it, kur u vu në qarkullim për here të parë dhe u ndalua
menjëherë, duke mbetur rrallë ndonjë kopje e paasgjësuar. Por nuk ndodhi
kështu, romani pati një botim të dytë do të thoshim të “ripunuar” në vitin
2010, ndërkohë që autori nuk rronte më. Studiuesja e kritikon e fshikullon këtë
botim, ku është vënë dorë në tekstin autentik autorial, duke bërë përshtatje,
kinse që të vijë më natyrshëm në kontekstin e sotëm social-kulturor. Ajo pohon
se autorësia e tekstit fals, apo “dora e huaj” që ka ndërhyrë ose e ka shkruar
nga e para romanin e sipërpërmendur lidhet me familjarët e autorit ose ka qenë
nën kujdestarinë/vëzhgimin e tyre. Duke u ndaluar në njërin e nga pasazhet e
romanit “Një emër në katër rrugë”, studiuesja ballafaqon tekstin origjinal të
shkrimtarit me atë të manipuluar, ku në këtë të fundit, shkruan ajo “kemi një
kronologji të cunguar të karvanit të ikanakëve mbretërorë...” (f. 270), duke
dëmtuar tekstin arketip dhe stilin e autorit.
Duhet
lexuar libri për të kuptuar këtë mbrapshti, krejtësisht të panevojshme, ndonëse
nisur nga e “mira” e veprës. Pa u zgjatur më tej, libri i Natashës iu shërben
botuesve, redaktorëve, korrektorëve, por dhe familjarëve të shkrimtarëve që
kanë ndërruar jetë, që në asnjë rrethanë të mos vënë dorë në tekstet autentike,
duke krijuar atë që autorja e quan “teksti fals”.
Kjo
është njëra nga anët e këtij studimi ballafaques, teksa ai merret gjithashtu
dhe me një tjetër problematikë, atë të arketipit dhe neoarketipit, që kanë të
bëjnë me tekstin e parë të një vepre letrare dhe ripunimin e saj nga vetë
autori, duke marrë në analizë për këtë romanin “Kështjella” të Kadaresë në sy
botimet e tij, 1970 dhe 1981.
Libri
“Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik” të Natasha Lushaj prihet nga
parathënia e shkrimtarit Agron Tufa, si njohës i hershëm i kësaj problematike,
afro njëzet vjet më parë, kur autorja pjesë të këtij studimi i kishte botuar në
gazetën letrare të drejtuar prej tij, “Fjala”.
Vetëm
qëllime fisnike, humane, letrare, studimore mund të bëjnë një autor të
ndërmarrë një punë kaq skrupuloze me tekstet e veprave, ndërkohë që në kohën e
sotme mbizotërojnë shikimet e përcipta dhe janë të rrallë kritikët seriozë.