| E hene, 23.02.2026, 06:18 PM |
Lypësi me zemër të madhe
Nga Albert
Zholi
Në mëngjesin e ftohtë të dimrit, një lypës i vogël rrinte ulur pranë
trotuarit, me një kapele të vjetër përpara. Sytë i kishte të lodhur, por ende
plot shpresë. Çdo kalimtar kalonte me nxitim, disa pa e parë fare, disa duke
tundur kokën. Papritur, pranë tij u ndal një nënë me dy fëmijë. Rrobat i kishin
të holla dhe fytyrat u dridheshin nga të ftohtit. Fytyra të zbehta nga
kequshqyerja. Edhe ata të tre dukeshin fukarenj si ai. Mbase dhe më shumë. Nëna
nxori nga xhepi i saj vetëm 50 lekë –
gjithë çfarë kishte – dhe ia vendosi në kapele.
Lypësi u habit:
– "Zonjë, të lutem mos mi jep...
mbaji për fëmijët. Ti ke më shumë nevojë..." – tha me zë të ulët
mes lotësh.
Nëna buzëqeshi
me trishtim:
– "Sot s'kemi bukë, por nesër
ndoshta kemi. Po nëse sot nuk japim pak zemër, nesër s'do kemi as shpirt. Ne e
ngrohim njeri-tjetrin me nxehtësinë e trupit...Po ti si ngrohesh i vetëm në
rrugë?!"
Një nga fëmijët
e vegjël e pa lypësin në sy dhe i tha:
– "Mami thotë se Zoti na sheh kur
ndajmë.- dhe trupi i dridhej nga të ftohtit."
Lypësi ndjeu se
i digjej kraharori. 50 lekë nuk ishin asgjë në vlerë, por ishin gjithçka në
domethënie. Ai u ngrit vrikthi, shkoi te furra më e afërt dhe me ato para bleu
një bukë të vogël. U kthye dhe ia dha nënës.
– "Sot ti më mësove si të jem njeri. Bukën e
ndajmë bashkë." Nëna lotoi. Sa ju dhimbs ai fëmijë lypës.
Dhe aty, mbi një
stol të ftohtë, katër njerëz pa asgjë në xhepa ndanë diçka më të madhe se buka: dinjitetin dhe shpresën.