Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: “Haga” - burgu që s’plaket

| E shtune, 21.02.2026, 06:44 PM |


Sevdail Hyseni

Satirike

“Haga” - burgu që s’plaket

Dikur sulltani, me mjekër e tespih’,

ndante dënime sa për një perandori:

“Dyqind vjet burg!” - me zë e fjalë,

fajtorin s’e donte ta shihte të gjallë.

I burgosuri qesh me mustaqe kapedani:

“Mos u nxeh, o sulltan, vjen Bajrami!”

Në çdo festë zbriste nga dhjetëra vjet,

dhe burgu rrudhej si tatlia në sherbet.

Sot nuk ka sulltan, as ferman në letër,

por e kemi Hagën - e shekullit tjetër.

Pa tespihe, festa dhe aspak mëshirë,

vetëm akuzë, vulë e firmë të ngrirë.

“Dyzet e pesë vjet!” - thotë gjyqtari,

në Gjykatë Hage dënohet çlirimtari.

Nuk ka festë, as falje, as konsideratë,

pa zbritje vitesh, e pa vendim të qartë.

Dikur burgu ishte si pension me afat,

sot është maratonë pa finale e pa datë.

Ironi e kohës, alegori e zezë që vret:

perandoria ra, por burgu i Hagës mbet!

(Karikatura marrë nga interneti)