| E shtune, 21.02.2026, 06:23 PM |
KRONIKË E KRIMEVE DHE E TRADHTISË KOMBËTARE TË HASHIM THAÇIT
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Profesor Adem Salihaj, i burgosur politik, kryetar
i LDK-së, kryetar i komunës në Ferizaj, zëvendësministër, kryeministër i
Kosovës, deputet, si dhe bashkëpunëtor dhe mik besnik i Presidentit Rugova, ka
publikuar një shkrim kronologjik, për të bëmat, "xhevahiret" e Hashim
Thaçit, me pazaret e pista të bëra me Aleksander Vuçiq, Edvin Ramën, Richard
Grenell, Bolton, Rubin dhe matrapazë të tjerë.
Nën maskën e korrigjimit të kufijve, ai dhe ata
kishin planifikuar ndarjen e Kosovës. Falë tri Shërbimeve Informative të
shteteve mike të Kosovës: SHBA, Gjermanisë dhe Anglisë, në koordinim me
kryeprokurorin e Hagës, Jack Smith, e arrestuan në ditën fatale për atë, kur po
udhëtonin së bashku me Aleksander Vuçiqin, për ta nënshkruar Marrëveshjen në
Shtëpinë e Bardhë.
Hashim Thaçi u akuzua për krime lufte
dhe krime kundër njerëzimit, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë
shqiptarë, duke filluar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Viktima e
parë ishte zëdhënësi i parë të UÇK-së, Ali Ukaj, më 1997, në Tiranë. Ai ishte i
dyshuari i parë dhe i vetëm. Xhavit Haliti thotë se "i telefonova një
gjenerali të Sigurimit (SHISH), në Tiranë dhe Hashimi u lirua!"
Akuzat në vitin 2020, vazhdonin për
krimet e bëra gjatë dhe pas luftës, si grup i strukturuar në Ndërmarrjen e
Përbashkët Kriminale, me SHIK-un, Shqiponjat e Zeza, Bia, me lista emërore për
ekzekutim. Të shenjëstruar për plumbosje ishin ushtarakët e FARK-ut të Dr.
Ibrahim Rugovës; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së; gazetarët e Bota Sot; pra,
kundërshtarët politikë. Por, nuk u kursyen as veprimtarët e hershëm të LPK-së,
brenda llojit, Behajdin Allaçi me shokë.
Shkrimi i Profesor Adem Salihaj, është
një shqetësim dhe alarm i bazuar, që meriton vëmendje të shtuar të shqiptarëve,
për t`i sfiduar planet ogurzeza të Serbisë ndaj Kosovës tonë. Kosova nuk ka
kohë për ta pritur buxhetin e përvitshëm, qoftë ai edhe i (një) miliardë euro. Duhet
djegur etapat, për ta themeluar dhe begatuar një Fond solid, enkas, për
mbrojtjen e Kosovës.
Fondi për Mbrojtjen e Atdheut-Kosovë, imperativ, urdhëresë e kohës!
Pas luftës dy herë është provuar hapja
e Fondit për Ushtrinë, për mbrojtjen. Pa paragjykuar për paratë e vjelura, nga
nismëtarët: Kryeministri Ramush Haradinaj, më vonë Ministri i Mbrojtjes, Armend
Mehaj, nuk ishin fare seriozë për t`u besuar. Mësuam se "Firma
Devolli" dhuroi 50.000 euro. Por, transparenca mungoi nga palë e cituara.
Me paranë e popullit nuk ka lojë dhe as
mirëbesim individual, grupor apo një partiak. Në vitet `90-a, kur ende nuk
kishte Fond zyrtar në Mërgatë, Dr. Rugova e pa se si hidheshin paratë në
paketë, në emër të Kosovës, pa emër, pa regjistrim, thjeshtë, në mirëbesim. Ai
dha vetëm një porosi-sintezë: "Mos hidhni para në kapuç!" Dhe,
rekomandoi hapjen e xhiro-llogarisë bankare, të përbërë nga një Komision i
gjerë.
Organizimi ka qenë i përkryer, pa asnjë
mundësi abuzimi në bazën e mërgimtarëve. Por, disa "komandantë" të
babëzitur, mujsharë, kriminelë e rrugaçë, nën shantazhin dhe kërcënimin e
armëve, i grabitën milionat, nga dy Fondet kryesore dhe të shoqatave e klubeve
në Mërgatë, në shkallë botërore, madje edhe në mars, prill, maj 1999 dhe asnjë
euro, nuk është përdorur as për armë dhe as për logjistikë! Por, paratë mbetën
në xhepat e "komandantëve", të cilët blenë me privatizime pasuritë
shtetërore me çmime qesharake!
Çështja e armatimit të rëndë, ndoshta,
ende ka kufizime për Kosovën. Por, infrastruktura mbrojtëse, korracimi për
gjatë kufirit, duke respektuar distancat, tunelet e armatimit, strehimoret,
duhet të jenë të bollshme dhe të përjetshme. E rëndësishme është të krijosh
fonde të fuqishme, për të qenë gati kur lejimi i armatimit të rëndë të jetë
pranuar. Por, jo qindra mijëra bunkerët si të Enver Hoxhës, të cilët, sipas
specialistëve ushtarakë, më shumë ishin bërë për "konsum" të
brendshëm psikologjik, se sa mbrojtje reale kundër armikut!
Përgatitja për mbrojtjen, përmbushë
edhe njërin nga kushtet bazë për pranimin më të shpejt në NATO.
Modeli më i sigurt dhe më i lehtë është
ai i Fondit Shtetëror të Republikës të Kosovës, 3 % nga rroga mujore. Kuota
mujore mund të lëvizë, natyrshëm, më e lartë. Kemi vuajtur me vullnetarizmin,
andaj, duhet praktikuar modelin e obligueshëm të Kroacisë, përgjatë luftës së
tyre. Në vitet `90-a, kishte një rrogë (pagë) e kryefamiljarit kosovar, që
mbante familjen e tij dhe, pjesërisht, vëllazërinë me familje në Kosovë.
Ndërsa, tani, në familje hyjnë 3 dhe më shumë rroga mujore, madje të majme.
Fjala është për Mërgatën, tashmë, të paktën, e 20 fishuar, krahasuar me vitet
`90-a.
Atdheun nuk bënë ta duash me fjalë
boshe, folklorike e tundje flamujsh, apo referimit bajat, vend e pa vend të
UÇK-së. Kohëve të fundit, po na rastis të shohim më shpesh, të ftuar në debatet
televizive edhe ndonjë mërgimtar. Kur ai jep ndonjë qortim për politikën,
analistët mercenarë i hidhen, si çakej, me pyetjen klishe: "Ku ishe ti gjatë
luftës?!" Në një rast, pas lavdit që i bëri vetës njëri nga uçekejsat e
Dukagjinit, moderatori mori guximin ta pyes: "A kujton ndonjë betejë, ku
keni fituar?" U lodhë dhe vonoi shumë në përgjigje dhe përmendi një
betejë në një fshat të Prizrenit, ku janë vrarë 64 ushtarë serbë!
Dhe, në vijim u mësua se ai nuk ishte
pjesë e asaj beteje, pra, ishte rrenë e kulluar, sepse betejat ballore kanë
qenë, pothuaj se, imagjinare, në Luftën e Kosovës, përjashto Betejën e Loxhës
dhe luftën e Koshares. Dhe, kjo për dy arsye: E para, "Ti vjen nga Armata
jugosllave, nuk mund të jesh në komandë, duhet të hapësh rova (kanal
mbrojtës)!" Pra, në komandë mbizotëronin partiakët e LPK-së. Dhe e dyta,
armatimi ishte jo propercional me armikun, sidomos, posedonte tanket.
Shkrimi në vijim i Profesor Adem
Salihaj është një analizë brilante, domethënës dhe bollshëm informativ, por që
shqetëson deri në pagjumësi!
_________
Salihaj 'shpërthen': Thaçi po çonte
Kosovën drejt ndarjes – arrestimi në momentin e fundit e ndali planin!
Nga: A.M.
Adem Salihaj ka reaguar ashpër ndaj
zhvillimeve të fundit që lidhen me epilogun e procesit në Gjykata Speciale,
duke rikthyer në vëmendje prapaskenat politike të disa viteve më parë.
Ai rikujtoi se, aktakuza ndaj Hashim
Thaçi u bë publike pikërisht në momentin kur ky i fundit po udhëtonte drejt
Uashington për një marrëveshje me Aleksandër Vuçiq, e cila – sipas tij –
parashihte ndarjen territoriale të Kosovës në kuadër të të ashtuquajturit
"korrigjim kufijsh".
Salihaj në postimin e tij në Facebook,
hodhi akuza edhe për përfshirje ndërkombëtare, lobim të financuar dhe tentativa
për riformatim të hartës së rajonit, duke e cilësuar gjithë procesin si një
rrezik serioz për ekzistencën e shtetit të Kosovës, transmeton "Bota
sot".
Postimi i plotë
Ditët e fundit kemi shumë debate dhe
shqetësim lidhur me epilogun e gjykimit të Gjykatën Speciale. Por, për t'i
kuptuar më mirë arsyet e gjithë kësaj, po kthehemi disa vite pas.
Fletarresti për Hashim Thaçin u lëshua
në momentin kur ai në Vjenë po hypte në aeroplan për të shkuar në Uashington.
Atje do të shkonte edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe këta dy po
shkonin për ta nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve në mes
Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e quanin Plani për korrigjimin e kufirit.
Sipas këtij plani, Serbia do të merrte
Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, pjesën ku ishin miniera të rëndësishme
të plumbit, zinkut, arit dhe argjendit dhe përfshinte rreth 20% të territorit
të saj. Në një version tjetër ky plan parashihte diku 40% të territorit të
Kosovës, deri në Prishtinë e Prizren.
Kosova do të merrte në këmbim një pjesë
të Preshevës dhe disa fshatra të Luginës, më pak se gjysma e këtij 20% që do të
merrte Serbia. Këto ishin kryesisht ara, livadhe dhe ndonjë mal, por pa asnjë
pasuri nëntokësore.
Serbia do të kishte plus Asociacionin e
Komunave me Shumicë Serbe, pastaj do të kishte mbrojtje të veçantë për
kishat dhe manastiret, si eksterritoritet. Dihet se Liqenin e Ujmanit do ta
merrte Serbia.
Por, një çështje tepër e rëndësishme
ishte Trepça, pasuria e së cilës vlerësohet në 500 miliardë dollarë.
Sipas këtij plani, Trepça do të
"menaxhohej" (ndahej) në mes Kosovës, Serbisë, SHBA-ve, Rusisë dhe
Kinës. Kosova do të merrte vetëm 35% të saj. Pjesa tjetër i shkonte Serbisë dhe
këtyre shteteve që u përmendën. Nuk duhet përjashtuar mundësia që ndonjë hise
të kësaj pasurie të madhe të kishin edhe Grenelli, Thaçi, Rama dhe Vuçiqi.
Vetë Mitrovica si komunë, e ndoshta
edhe më shumë se kaqë, nuk do t'i takonte Kosovës, por do të ishte distrikt i
veçantë nën menaxhimin e shteteve të mëdha.
Ky plan ishte i hartuar në Beograd, nga
Vuçiqi, por sponzorë kryesorë ishin Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Ata bënë çmos që
ky plan të realizohej. Hashim Thaçi bëri vizita në shumë shtete për t'i bindur
ta përkrahnin këtë plan, por nuk gjeti përkrahje askund, përveç te Rusia,
Serbia dhe, për fatin tonë të keq, te Edi Rama, sepse po më vie rëndë të them
te Shqipëria.
Në Uashington, sponzor i Planit ishte
Richard Grenell, i cili e kishte bindur Presidentin Trump se ky ishte plan i
paqes, i cili zgjidhte në mënyrë paqësore konfliktin shekullor dhe ndalte
luftën 200 vjeçare në mes shqiptarëve dhe serbëve. Një plan, të cilin, siç i
thoshin Grenell dhe Bolton, e përkrahnin edhe vetë Serbia e Kosova, nuk kishte
pse të kundërshtohej as nga Presidenti Trump.
Këto ishin manipulime të Richard
Grenellit, i cili, siç dihet, ishte i paguar nga Serbia. Më vonë Vuçiqi e
dekoroi Grenellin në Beograd për merita të veçanta për Serbinë.
Por, nuk ishte vetëm Vuçiqi që paguante
Grenellin.
Hashim Thaçi e kishte paguar James
Rubinin nga 52 mijë euro çdo muaj për dy vite, që bëjnë 1 milion e 248 mijë
euro nga buxheti i Kosovës, që të lobonte në Uashington për realizimin e planit
serb për ndarjen e Kosovës. Këtë e pranoi edhe vetë Rubin gjatë dëshmisë së tij
në Hagë.
Mënyrën e arrestimit të Thaçit e
shpjegoi Richard Grenell. Sipas vetë atij, arrestimin e Thaçit e organizuan tri
shërbime të rëndësishme të inteligjencës: BND-ja gjermane, MI6 angleze
dhe CIA amerikane. CIA anerikane ende nuk kishte rënë nën ndikimin e Grenellit.
Arrestimi u bë me urdhërarrestin e kryeprokurorit të Hagës Jack Smith, i cili
ishte në kontakt dhe i koordinuar me këto tri shërbime dhe me demokratët në
Uashington.
Mendoj se Presidenti Trump ishte i
keqinformuar nga Grenelli, të cilit i besonte shumë. Trump nuk kishte ndonjë
qëllim të keq ndaj Kosovës. Ai kishte bindjen se po ndalte një luftë 200-
vjeçare dhe po krijonte paqen. Madje, pse ta këtë marrëveshje këtë marrëveshje,
kur vetë presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Serbisë Vuqiç ishin pajtuar
për këtë plan.
Përndryshe, tash në mandatin e dytë,
Presidenti Trump, i rrethuar nga njerëz të duhur, kur u informua drejt, ai ka
qëndrimin e duhur dhe ka bërë hapa shumë energjikë për mbrojtjen e Kosovës,
bile më tepër se çfarëdo pritje e jona. Siç dihet, i është kërcënuar Serbisë se
nëse e sulmon Kosovën, do ta paguajë shtrenjtë, ngjashëm me Kërcënimin e
Kërshëndellave të Presidentit Bush. Kohët e fundit ka nënshkruar edhe ligjin
dhe urdhërin që SHBA-të të angazhohen për mosndryshimin e kufinjëve edhe për
pranimin e Kosovës në NATO. Pra, ai po bën edhe më tepër shumë për Kosovën.
Po të mos angazhohej kaqë shumë Thaçi
dhe të mos ishte ky rrezik për ndarjen e Kosovës, me siguri fletarresti për
Thaçin nuk do të shpallej atë ditë dhe aqë papritmas. Madje, disa
ndërkombëtarë i kishin deklaruar Thaçit se ai, për momentin, nuk ishte në listë
për arrestim nga Gjykata Speciale. Është pikëpyetje se a do të arrestohej fare
Thaçi, po të mos ishte ky rrezik i ndarjes së Kosovës, apo vetëm do të shtyhej
arrestimi i tij për më vonë.
Po të realizohej ky plan, Kosova më nuk
do ekzistonte si shtet dhe pjesa e mbetur do t'i bashkohej Shqipërisë.
Sipas asaj që flitej, Thaçi dhe Vuçiqi,
si njerëz "të paqes" do të kandidoheshin për Çmimin Nobel për paqe.
Ne ishim shumë me fat dhe duhet t'u jemi shumë mirënjohës shteteve të mëdha
mike, që nuk lejuan të realizohej ky plan. Pa këto shtete nuk do të ekzistonte
sot Republika e Kosovës.
Këtu po e jap atë që më tha Presidenti
Rugova, në fund të vitit 2004, kur po bisedonim vetëm unë e ai për formimin e
qeverisë: "Hashim Thaçin nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të bëhet
kryeministër, ai është shumë i rrezikshëm".