Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: Shteti duhet të ruajë laicitetin për të parandaluar çdo favorizim personal të ndonjë ideologjie fetare

| E premte, 20.02.2026, 06:58 PM |


Shteti duhet të ruajë laicitetin për të parandaluar çdo favorizim personal të ndonjë ideologjie fetare

Nga Gjon Keka

Barazia para ligjit është një aksiomë kushtetuese për shumë vende, dhe nuk ka vend sot në botë, sidomos ato demokratike e europiane, që nuk e kanë përfshirë frazën proverbiale, "Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit", në kushtetutat e tyre. Po kështu ka vepruar edhe shoqëria jonë, shteti ynë respektivisht Republika e Kosovës, sikur shihet te Neni 24, paragrafi 1.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është tepër e qartë për të gjithë sa i përket religjionit dhe shtetit, në Nenin 8 thuhet: „Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare."

Baza e qytetarisë moderne është ky themel i fuqisë së saj, i mendimit demokratik të saj, lirisë, kufijve të kësaj lirie dhe vitalitetit.

Duke u bazuar në këtë themel, edhe Kosova si shoqëri nuk duhet të lejojë favorizim të ndonjë religjioni apo ideologjie fetare, duke shkatërruar kështu themelin mbi të cilin qëndron dhe laicitetin me të cilin shteti dhe ideologjitë fetare janë të ndara tepër qartë.

Sado që të jetë përqindja e ndonjë ideologjie fetare (religjioni) në Kosovë, ajo nuk duhet të lejohet të futet në institucionet shtetërore, as në shkolla, universitete e as në ndonjë institucion, qoftë ai edhe i sigurisë, ushtrisë e rendit, e lëre më në Qeveri e Kuvend.

Kjo për faktin se Kosova si popull, shoqëri e shtet është ndërtuar mbi gjakun e heronjve, të atyre që kanë dhënë djersë e gjak, bij e bija të besimeve të ndryshme, por që janë të një rrënjë e gjaku, pra shqiptarë të Kosovës, të cilët dhanë gjithçka jo për ndonjë ideologji fetare, por për atdheun dardan-arbëror, për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen europiane të Kosovës si një shtet laik dhe që nuk privilegjon asnjë religjion apo ideologji fetare.

Tendenca për ta shkatërruar këtë shtyllë që e mban shtetin e Kosovës si një shtet laik, që nuk duhet asnjëherë ta lidhë kërthizën me ideologjitë fetare dhe, në fakt, të qëndrojë sa më larg saj, por gjithashtu edhe të respektojë lirinë e besimit të secilit pa dallim, deri në ato kufij kur një ideologji fetare tenton t'i fusë hundët në punët e institucioneve shtetërore apo kudo për të dëmtuar atë dhe shtetin demokratik, aty atëherë ato nuk duhet të tolerohen në asnjë mënyrë dhe të luftohen me të gjitha mjetet ligjore, të rendit e sigurisë.

Të gjithë duhet ta kuptojnë se në shkolla, universitete, institucione shtetërore, qeveri e kuvend etj., nuk duhet të ketë: Ramazan, agjërime, Pashkë, Krishtlindje etj., sepse shteti i Kosovës nuk është shtet religjioz, por shtet laik, demokratik dhe që aspiron të integrohet në familjen europiane. Besimi është çështje tepër personale, më saktësisht është çështje private dhe nuk duhet të lejohet t'i hapet dera që as Ramazani, as Pashkët etj., e as ndonjë tjetër kohë apo festë fetare të shkatërrojë frymën e shoqërisë së lirë, demokratike, laike dhe europiane në Kosovë.

Futja e ndonjë ideologjie fetare në ndonjë institucion do të thotë shkelje e pamëshirshme e gjakut të heronjve, të atyre që dhanë gjithçka që Kosova të jetë një shtet i lirë, demokratik dhe europian e jo një shtet i ndonjë religjioni (ideologjie fetare).

Duhet ditur se bota e lirë, demokratike dhe e civilizuar, sikur janë ShBA, NATO dhe vendet mike europiane që na ndihmuan të çlirohemi dhe pa të cilët ne sot do të ishim ende duke kërkuar lirinë dhe pavarësinë, ata nuk e ndihmuan popullin e Kosovës që ai të bëhet islamik, e as katolik e as i ndonjë ideologjie fetare, por e ndihmuan popullin e Kosovës që kërkonte liri, pavarësi dhe demokraci e jo fe (ideologji fetare).

Është e habitshme se si pushtetarët dhe gjithë institucionet shtetërore nuk dalin me një qëndrim të përbashkët e të qartë, duke mos lejuar në asnjë mënyrë që ideologjitë fetare të përzihen në punët e institucioneve, shtetit, shkollave, universiteteve etj. Koha që Kosova të kuptojë se është shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim ideologjie fetare dhe se, nëse duan ta ruajnë atë që është fituar me gjak e djersë dhe së bashku pa dallim feje, duke ditur se janë shqiptarë dhe ky gjak i përbashkët i prejardhjes kombëtare – kjo duhet të jetë ajo që i bashkon ata e jo ndonjë ideologji fetare apo partie etj.

A do të jetë e mundur kjo? Unë besoj se po. Shteti duhet, me gjithë mjetet dhe fuqinë e tij, të ruajë laicitetin për të parandaluar çdo favorizim personal të ndonjë ideologjie fetare (religjioni), por në anën tjetër shteti nuk duhet ta lërë asnjëherë pas dore asnjë shqiptar të Kosovës e as qytetar për shkak të përkatësisë së tij fetare.

Sepse, për shembull: kur digjet një shtëpi, askush nuk pyet nëse pronari është katolik, mysliman, protestant etj., por të gjithë i bashkon një dhe e vetmja gjë, pra shqiptaria. Pra kjo shtëpi e përbashkët është shteti, kombi dhe ajo që i bashkon; pra nëse vërtet jeni shqiptarë dhe, duke qenë të tillë, të jetoni në një frymë si vëllezër e jo si të huaj e të armiqësuar për shkak të ndonjë ideologjie fetare.