| E merkure, 18.02.2026, 06:52 PM |

Fjala profesionale,
shtyllë e qëndrueshme e shoqërisë
Nga
Hamdi Hysuka
Në ditët e miqësisë profesionale dhe
njerëzore, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, (UGSh), nën drejtimin e
kryetarit Aleksandër Çipa dhe Shoqatës Kulturore "Ress Egnatja", më
13-15 shkurt 2026, u mblodh për të ndarë fjalën, përvojën dhe përgjegjësinë e
përbashkët që mbart fjala e shkruar dhe e folur. Ky aktivitet përfaqësoi jo
vetëm një kalendar takimesh, por një akt mirënjohjeje ndaj misionit të
gazetarisë si urë komunikimi, kujtese dhe ndërgjegjeje shoqërore.
-Udhëtimi ynë nuk ka nisur sot, -u
shpreh koordinatori i 12 qarqeve të UGSh-së, gazetari Besim Dybeli, -ka nisur
16 vjet më parë në qytetin Elbasan. Organizimi i Ditës së Miqësisë është
atribut i Unionit të Gazetarëve të Elbasanit, unioni më i madh në numër.
Shprehim gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me njëri-tjetrin, për të
rritur profesionalizmin dhe për të thelluar miqësinë mes kolegëve.
Kjo Ditë e Miqësisë ka udhëtuar nga
Elbasani në shumë qytete të Shqipërisë, në Kosovë, Preshevë, Mal të Zi,
Maqedoninë e Veriut, Itali e më tej, duke krijuar një hartë bashkëpunimi
profesional që tejkalon kufijtë administrativë.
Vizitat dhe tryezat e rrumbullakëta në
Dropull, Gjirokastër dhe Sarandë shpalosën trashëgiminë kulturore, etnografinë,
mikpritjen dhe potencialin turistik të këtyre trevave, duke vendosur gazetarin
në rolin e dëshmitarit të vlerave dhe partnerit aktiv në zhvillimin kulturor e
shoqëror të vendit.
Dropulli, identitet, qëndrueshmëri dhe
bashkëjetesë
Gjatë fjalës përshëndetëse, z. Aleksandër Çipa, kryetar i UGSh, e quajti
nder që në agjendën e Ditëve të Miqësisë të vitit 2026, së pari të stacionojmë
në Dropull, një nga zonat më të njohura dhe më identifikuese të bashkëjetesës
dhe të harmonisë ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.
Dropulli përfaqëson një nga hapësirat
më të njohura të pranisë historike të minoritetit etnik grek në Jug të
Shqipërisë. I shtrirë në luginën midis Gjirokastrës dhe kufirit me Greqinë, ky
rajon ka qenë për shekuj zonë me identitet të konsoliduar kulturor, fetar dhe
gjuhësor.
Në antikitet, zona bënte pjesë në
hapësirën e Epirit të lashtë. Kisha bizantine dhe pasbizantine të zonës
përbëjnë sot një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit, ndërsa
gjatë sundimit osman, komuniteti ortodoks i Dropullit ruajti fenë dhe gjuhën
përmes strukturave kishtare dhe shkollave fetare. Si në shumë zona të tjera të Jugut,
identiteti u mbajt i gjallë përmes traditave, riteve fetare dhe kulturës
gojore: këngëve, valleve dhe zakoneve familjare.
Dropulli u dallua për mjeshtëritë
artizanale dhe traditën e ndërtimit, ndërsa emigrimi sezonal është dukuri e
hershme që ndikoi në lidhjet ekonomike me rajone të tjera.
Pas shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë më 1912, minoriteti grek në Jug u përfshi në diskutimet ndërkombëtare
mbi kufijtë dhe të drejtat e pakicave, nga të cilat zona e Dropullit u njoh si
pjesë e zonave me popullsi minoritare greke.
Gjatë sistemit monist 1945-1990
minoriteti funksionoi brenda kuadrit të njohjes zyrtare si “zonë minoritare”.
Arsimi në gjuhën greke lejohej në shkollat e zonës, por lëvizja dhe kontaktet
me jashtë ishin të kufizuara, si për gjithë popullsinë shqiptare.
Pas viteve ’90 rënia e sistemit monist
solli emigrim masiv drejt Greqisë, duke ndikuar ndjeshëm në strukturën
demografike të Dropullit. Shumë fshatra u zbrazën ose u plakën demografikisht.
Megjithatë, lidhjet ndërkufitare u forcuan, ndërsa u zgjeruan mundësitë për
ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor.
Minoriteti grek në Dropull sot gëzon të
drejta të njohura nga legjislacioni shqiptar për pakicat kombëtare.
Institucionet vendore, organizatat kulturore dhe vetë komuniteti punojnë për
ruajtjen e gjuhës, traditave dhe trashëgimisë materiale e jomateriale.
Dropulli është hapësirë ku identiteti
ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: Besimi ortodoks dhe trashëgimia kishtare, gjuha
dhe arsimi, tradita folklorike dhe kulturore.
Sfidat kryesore sot janë rënia
demografike, emigrimi i të rinjve dhe nevoja për zhvillim ekonomik që të mbajë
gjallë jetën në fshatra. Në këtë kuptim, historia e minoritetit në Dropull
është histori qëndrueshmërie kulturore, ruajtjeje identitare e bashkëjetese në
një hapësirë kufitare, ku historia, politika dhe kultura janë ndërthurur për
shekuj me radhë.
*
* *
Folklori i minoritetit etnik grek në
Dropull përbën një nga shtyllat më të forta të identitetit kulturor të kësaj
treve. Ai është trashëguar brez pas brezi përmes këngës polifonike, valleve
tradicionale, riteve fetare dhe zakoneve familjare që lidhen me ciklin e jetës:
lindjen, martesën dhe vdekjen.
Këngët tradicionale të Dropullit
karakterizohen nga polifonia, ku zërat ndërthuren me harmoni emocionale.
Tematikat përfshijnë dashurinë dhe mallin, jetën baritore e bujqësore,
emigrimin, trimërinë dhe kujtesën historike.
Kënga nuk është vetëm interpretim
artistik, por dhe formë rrëfimi kolektiv, ku historia dhe përvoja e komunitetit
ruhen në vargje e melodi.
Vallet e Dropullit dallohen për
elegancën, disiplinën e lëvizjes dhe simbolikën e tyre. Valltarët formojnë
rrethin tradicional, duke theksuar unitetin e komunitetit. Kostumet popullore,
me ngjyra të errëta, jelekë të qëndisur dhe elementë karakteristikë të zonës,
përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit vizual.
Dasmat tradicionale janë një tjetër
moment, ku folklori shfaqet në formën më të plotë, me këngë ceremoniale dhe
valle të strukturuara sipas rendit zakonor.
Siç u shpreh kryetari i UGSh-së, nga Bashkia e Dropullit ka kontribut
intelektual të nivelit të lartë, me përkthyes të jashtëzakonshëm, diplomatë të
shkëlqyer, politikanë shumë të njohur, gazetarë, shkrimtarë, filologë, piktorë,
skulptorë, të cilët me kontributin e tyre kanë bërë që të parurojnë artet
figurative shqiptare, por të rrezatojnë dhe në hapsirën europiane, kryesisht në
Ballkanin e Jugut.
Derviçani, fshat i Dropullit të Poshtëm, është me investim dhe kontribut
kulturor në artet figurative të Gjirokastrës në nivelet më të larta. Gjatë aktivitetit me gazetarët nga hapësira e Ballkanit
Perëndimor, grupet folklorike të Dropullit dhanë një shfaqje në gjuhën greke,
duke interpretuar këngë tradicionale dhe valle autentike të zonës. Interpretimi
në gjuhën amtare pati domethënie të veçantë: afirmim i identitetit kulturor, ruajtje
e trashëgimisë gjuhësore, dëshmi e gjallë e vazhdimësisë historike të
komunitetit. Atmosfera u karakterizua nga emocione dhe krenari. Interpretimi në
gjuhën amtare ishte deklarim identitar: ruajtje e trashëgimisë gjuhësore dhe
dëshmi e vazhdimësisë historike. Zërat polifonikë, të kënduar greqisht, krijuan
urë komunikimi kulturor me të pranishmit, ndërsa valltaret me kostume
tradicionale sollën në skenë një pjesë të historisë së gjallë të Dropullit.
Kjo shfaqje nuk ishte thjesht program
artistik, por deklarim kulturor: një komunitet që, pavarësisht sfidave
demografike dhe emigrimit, vazhdon të ruajë e të prezantojë me dinjitet
pasurinë e vet folklorike dhe identitare.
Butrinti, laborator i hapur historie
Në ditën e dytë të aktiviteteve të miqësisë, gazetarët pjesëmarrës nga shumë
qarqe të vendit, nga Presheva, Kosova e Bujanoci, ndaluan në një nga hapësirat
më domethënëse të trashëgimisë sonë kombëtare: Muzeu Arkeologjik i Butrintit.
Në tryezën e rrumbullakët, rreth
njohjes së aseteve turistike të Sarandës dhe roli i mediave për partneritet në
fushën e turizmit, u bënë diskutime.
-Jugu i Shqipërisë, -tha gazetari Fatmir
Popja, kryetar i UGSh, dega Elbasan, -është perla e gjithë rajonit të Mesdheut,
për shumë e shumë arsye, pasi prej disa vitesh Shqipëria është në epiqendrën e
vemendjes së të gjitha mediave botrore të apasionuara pas turizmit.
Për gazetarin Ardian Daullja, përfaqësues
i Shoqatës së Emigrantëve në Greqi, është gjëja më e bukur në botë që asetet kombëtare
shqiptare t’i përçojmë te komuniteti shqiptar në Greqi. Ndërsa mërgimin, nga
plagë amtare, ta vemë në sëndukun e gjyshes tonë, ta çojmë atje ku jetojmë e të
tregojmë aftësitë tona, që kudo ku jetojmë të jemi po ai njeri që ka vlerat e
vendit nga ka ardhur.
-Jemi afër zemrës së Çamërisë, pranë Konispolit, -theksoi z. Çipa, -pas
të cilit janë fshatrat çame Gumenica, Filati, Paramithia, Parga, Margëlliçi e të tjerë
më të vegjël, që janë braktisur dhe shkatërruar. Vazhdon pjesa e Thresprotisë, që
nga Sajava, e cila fqinjëron me qytetin port të Gumenicës. Pastaj vazhdon
gjithë zona bregdetare në Artë, Prevezë etj. Në pjesën verilindore është zona e
Konicës, Janinës, nga ku del në Kolonjë dhe vazhdon me Kosturin, deri në
Selanik.
*
* *
Brenda mureve të kalasë së Akropolit,
aty ku guri ruan kujtesën e shekujve, gazetarët u përballën me histori që nuk lexohet
vetëm në libra, por shihet, preket dhe përjetohet.
Që në hyrje, ndjesia është e qartë:
Butrinti nuk është thjesht muze arkeologjik, por një qytetërim i shtresëzuar.
Në vitrinat e muzeut, qeramika e hershme, mbishkrimet latine, relievet dhe
shtatoret perandorake dëshmojnë për periudha të ndryshme që kanë lënë gjurmë të
thella në këtë hapësirë mesdhetare.
Themelimi i kolonisë romake nga Jul
Çezari në vitin 44 para Krishtit shënoi një kthesë të madhe në jetën urbane të
qytetit. Forumi, banjat publike, ujësjellësi dhe infrastruktura monumentale
flasin për një periudhë zhvillimi dhe prosperiteti. Më pas, koha bizantine dhe
mesjetare do të sillnin transformime të tjera, duke e përshtatur qytetin me
realitetet e reja politike dhe shoqërore.
Një nga ndalesat më mbresëlënëse gjatë
vizitës ishte historia e faltores së Asklepit, perëndisë së shëndetit, që e
bëri Butrintin qendër pelegrinazhi në antikitet. Objektet e kultit dhe dëshmitë
arkeologjike tregojnë për një qytet ku besimi dhe jeta qytetare ishin të ndërthurura
ngushtë. Po ashtu, referencat e Virgjilit në veprën "Eneida" i japin
Butrintit dimension mitologjik, duke e lidhur me rrëfimet e themelimit të
Romës.
Vizita u shndërrua në dialog të heshtur
mes profesionit të gazetarit dhe historisë. Ashtu si arkeologu që zbulon
shtresat e tokës për të nxjerrë në dritë të shkuarën, gazetari kërkon të
zbulojë dhe të dokumentojë të vërtetën e së tashmes.
Butrinti mbetet laborator i hapur
historie dhe pasuri që tejkalon kufijtë kombëtarë. Për gazetarët e UGSh-së u forcua
bindja se Butrinti është laborator i hapur historie, pasuri që tejkalon kufijtë
kombëtarë dhe flet për përkatësinë tonë në qytetërimin evropian e mesdhetar. Ishte
më shumë se vizitë, ishte përjetim që forcon ndërgjegjen për rolin e fjalës së
shkruar në ruajtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët.
Porto Palermo, fortifikim dhe horizont
Në ditën e tretë ndalesa ishte në
Himarë, te Kalaja e Porto Palermos, pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare, e cila
është ndërtuar mbi një rrip toke në qendër të gjirit të Palermos, i përmendur
që në periudhën antike me emrin "Panormus", liman i madh në mesin e
maleve të Vetëtimës. Në fillimin e shek. XIX, Ali Pasha mbasi nënshtroi gjithë
bregdetin Jon, nga Butrinti deri në Vlorë, për kontrollin dhe fortifikimin e
pikave strategjike të vijës bregdetare, u kujdes të ndërtonte disa kështjella,
një prej të cilave ishte në Porto Palermo. Kjo kështjellë ndodhet në pikën
jugore të hyrjes dhe lidhet me kontinentin me një rryp të ulët dhe të ngushtë.
Ajo përbëhet nga një shesh me disa pozicione të fortifikuara, me ca topa, në
afërsi ka ca magazina, një shtëpi dhe një kishë. Kisha e Shën Kollit është
shpallur monument kulture. Mbi hyrjen e kështjellës ka patur një pllakat, ku në
stilin e një poeme epike dëshmohej se ajo u ndërtua prej Ali pashë Tepelenës.
Kështjella ka formën e një trekëndëshi me tre bastione të mprehta në qoshe dhe
një oborr që hapet nga ana perëndimore. Ajo është krejtësisht e mbuluar dhe mbi
parapetin që rrethon tarracën, janë hapur shumë frëngjij për topa. Në brendësi
ka salla, depo dhe kthina të shumta. Një palë shkallë guri, të ndërtuara në
pjesën qendrore, të ngjisin në tarracë. Kujdes i veçantë është treguar për mbrojtjen
e hyrjes, që ndodhet në mesin e njërit ballë, midis dy bastionesh. Një mur me
frëngji është ndërtuar në anën e brendshme, përballë hyrjes. Në bastjone dhe në
këndet e oborrit, në krahun perëndimor gjenden rreth 5 vende vrojtimi për
rojet. Për sa i përket trajtimit të jashtëm, kalaja shquhet për veshje me gurë
të latuar, për trajtim monumental të hyrjeve, si dhe për kornizat horizontale
prej guri të thjeshtë.
*
* *
Programi tre-ditor me vizita kulturore,
bashkëbisedime profesionale dhe tryeza të rrumbullakëta, u mbyll me një
itinerar të pasur për nga përmbajtja dhe simbolikë të pasur. Fokusi mbi
trashëgiminë, etnografinë dhe turizmin u konkretizua në terren, aty ku historia
dhe zhvillimi bashkëjetojnë në mënyrë organike.
Në Dropull u prek nga afër dimensioni
multikulturor dhe tradita e ruajtur me fanatizëm ndër breza. Në qendrën
historike të Gjirokastër, qytet muze, me arkitekturën e gurit dhe kujtesën e
gjallë, trashëgimia u shfaq si identitet dhe si përgjegjësi. Në parkun
arkeologjik të Butrintit, shtresëzimet e qytetërimeve dëshmuan se turizmi
kulturor mbetet aset strategjik për zhvillimin kombëtar. Ndërsa në Porto
Palermo të Himarës historia u përball me horizontin e hapur të detit, si
metaforë e vazhdimësisë dhe qëndresës.
U kthyem drejt Tiranës me mbresa të
shumta dhe foto që ruajnë çaste domethënëse, me adresa e-maili që premtojnë
bashkëpunime të reja, jo thjesht si pjesëmarrës në një program aktivitetesh,
por si dëshmitarë të një dialogu të hapur mes gazetarisë, trashëgimisë dhe
zhvillimit.
Ky udhëtim nuk ishte vetëm kalendar
vizitash, por një kapitull i ri reflektimi mbi mënyrën se si e rrëfejmë dhe e
promovojmë Jugun, me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe vizion.
Bashkëbisedimi dhe udhëtimi shërbyen si
një ndalesë reflektimi mbi forcën e fjalës sonë. Në çdo reportazh, intervistë
apo kronikë, mbajmë përgjegjësinë për ta ruajtur të vërtetën, për ta pasuruar
kujtesën kolektive dhe për ta përcjellë realitetin me ndershmëri, kulturë dhe
ndjeshmëri njerëzore.
“Dita e Miqësisë së Gazetarëve” na inkurajoi
që të ndajmë përvoja, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të shohim në
trashëgiminë kulturore e njerëzore jo vetëm lajmin e ditës, por historinë që
meriton të mbetet. Gazetaria fiton peshë kur është e lirë, e përgjegjshme dhe e
lidhur ngushtë me komunitetin që pasqyron.
Profesion dhe përgjegjësi publike
Edicioni XVI i aktiviteteve të UGSh-së
nuk ishte thjesht takim kolegësh. Ishte reflektim mbi rolin e gazetarisë në një
kohë kur informacioni qarkullon shpejt, por besueshmëria sfidohet çdo ditë.
Nga Dropulli te Butrinti, nga Gjirokastra
te Kalaja e Porto Palermos në Himarë, udhëtimi ynë tregoi se gazetaria nuk
është vetëm raportim ngjarjesh, por interpretim i kontekstit dhe mbrojtje e
kujtesës kolektive.
Më konkretisht, Dropulli na kujtoi se
identiteti kulturor është çështje qëndrueshmërie dhe bashkëjetese. Në një
hapësirë kufitare, ku historia, politika dhe kultura ndërthuren, media ka
detyrimin të trajtojë çështjet e minoriteteve me profesionalizëm, ndjeshmëri
dhe paanshmëri.
Butrinti dëshmoi se trashëgimia nuk
është relike, por kapital strategjik. Turizmi kulturor, nëse promovohet me
vizion, mund të jetë motor zhvillimi. Këtu roli i medias nuk kufizohet në
promovim, por në analizë: si menaxhohet pasuria, si mbrohet, si kthehet në
vlerë të qëndrueshme...
Porto Palermo dhe trashëgimia e
fortifikimeve bregdetare treguan se historia është pjesë e identitetit tonë
evropian e mesdhetar. Gazetaria serioze duhet ta vendosë këtë trashëgimi në
debat publik, larg folklorizmit të sipërfaqshëm.
Në thelb, “Dita e Miqësisë”, 13-15
shkurt 2026, konfirmoi se gazetaria fiton peshë kur është e lirë nga presionet,
e përgjegjshme ndaj publikut, e lidhur me komunitetin dhe e aftë të shohë
përtej lajmit të ditës. Në një kohë polarizimesh dhe zhurme informative, fjala
profesionale mbetet shtyllë e stabilitetit shoqëror. Gazetaria nuk është vetëm
profesion. Është përgjegjësi publike.


