| E diele, 15.02.2026, 06:49 PM |
TENDENCA E KONVERTIMIT TË NPK NË UÇK, ËSHTË KRIMINALE DHE TRADHTI
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Në Kosovë ka ndodhur krimi i
kontrabanduar nga Lufta e Dytë Botërore (LDB) në Shqipëri, metodat dhe
praktikat fashizoide të Enver Hoxhës dhe bandës së tij, nën moton:
"Pushteti merret me grykën e pushkës, vdekje nacionalistëve
shqiptarë"! Prandaj, arrestimet duhet të fillonin në Shqipëri, sepse atje
i instruktuan bandat ekzekutive nga sigurimsat enveristë, kryesisht, LPK-ja,
hafije të SHIK-ut shqiptar, rrjedhimisht, disa syresh edhe të UDB-së serbe. Në
Shqipëri nismuan edhe ekzekutimet e para, pothuaj se, zyrtare, të oficerëve të
FARK-ut, përfshirë edhe Ministrin e Mbrojtës, Kolonel Ahmet Krasniqin!
Gjykata Speciale e Kosovës, me
seli në Hagë, qysh në nismë të punës të saj, ka deklaruar se akuzat janë
personale, por lidhshmëria e krimeve zinxhir i bashkon në grup. Dhe, ky grup
kriminal, mirë i strukturuar, me emrin adekuat - Ndërmarrje e Përbashkët
Kriminale -, ka realizuar, ngeshëm e shpengueshëm, shumë qindra vrasje dhe
mijëra krime të tjera.
Populli i Kosovës, luftëtarët e
armatosur, kanë bërë një luftë të guximshme, deri në vetëmohim. Lufta nuk ka
prodhuar as legjenda e legjendarë, as epopera, sepse emërtesa të tilla i
përkasin Mesjetës dhe antikitetit, kur betejat bëheshin me thika e hanxharë dhe
përgjakja ishte masive, nga palët ndërluftuese. Dhe, kjo nuk ka ndodhur në
Luftën e Kosovës.
Ka ndodhur një betejë e shpejtë
dhe e rreptë ballore, e njohur si Beteja e Loxhës dhe Lufta ballore e Kosharës,
të dyja fitimtare, të komanduara nga ushtarakët profesionistë të Forcave të
Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), të themeluara nga Dr. Ibrahim
Rugova, me protagonistë-komandantët Kolonel Tahir Zemaj dhe Kolonel Ahmet
Krasniqi, të dy të ekzekutuar, zyrtarisht, nga Ndërmarrja e Përbashkët
Kriminale (NPK).
Akuza që i bëhet Hashim Thaçit se
krijoi Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, është e padrejtë. Dhe,
këtë e ka sqaruar saktësisht dhe qartazi Thaçi: "E krijova Gjykatën
Speciale se po vriteshin dëshmitarët e mundshëm të Hagës, e sidomos në Dukagjin"!
SHBA, shtetet e Quintit, bota
demokratike, nuk mund të heshtnin para krimeve serike të bandave të organizuara
dhe të mbrojtura nga pushtetarët. Paraprakisht, Ndërmarrja e Përbashkët
Kriminale (NPK), shkatërroi Sistemin e Drejtësisë, të cilin vazhdon ta mbajë të
kapur PAN-i, si vijimësi e NPK.
Vazhdon një tendencë sa e
rrezikshme, aq edhe kriminale, deri në tradhti kombëtare. Ata që thirrën më se
shumti në UÇK-në, pra, PAN-i, duan, madje me çdo kusht, ta njollosin atë, duke
konvertuar Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (NPK), në Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës (UÇK), edhe pse 3 (tre) prej të akuzuarëve nuk kanë qenë pjesë e
luftës, madje, "isha larg frontit të luftës", siç e pranon sinqerisht
të vërtetën Hashim Thaçi.
Që nga fillimi i organizimit të
protestave, të turpshme e kriminale, ku akuzohen çlirimtaret faktik të Kosovës,
SHBA, Evropa dhe ndërkombëtarët tjerë, të cilët janë krijues, organizues dhe
financues të kësaj Gjykate. Por, edhe arrestues dhe gjykues të eksponentëve të
NPK, sepse kjo bandë shtetërore dhe pushtetare kishte uzurpuar dhe rrënuar
Sistemin e Drejtësisë dhe zotëronte kompetenca tej mbretërore, pa i dhënë
llogari askujt!
Organizatorët faktik të
protestave kundër shteteve çlirimtare të Kosovës, janë subjektet politike
PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal. Kjo bandë politike, edhe
pse vetë deklarohen të djathtë, ata janë ultra të majtë, për më tepër,
stalinistë të mykur, të prirur për krime, krejt njësoj sikur byroistët
kriminelë të Enver Hoxhës dikur. Sepse kurrë nuk u penduan dhe as nuk kërkuan
ndjesë për përgjakjen e shqiptarëve. Prandaj, për ta shpëtuar vetën dhe partitë
e tyre, përkatësisht, krerët dhe eksponentët kriminelë, manipulojnë me turmat,
çirrën e zhurmojnë shesheve e bulevardeve vendore dhe botërore.
Shumë eksponentë të PAN-it,
përfshi edhe disa organizata e shoqata, si OVL e UÇK-së dhe të tjera, vegla dhe
argate partiake, në një mënyrë apo tjetër, i kanë shërbyer Ndërmarrjes të
Përbashkët Kriminale, ngulmojnë në konvertimin e NPK në UÇK. I fshehur,
falsifikueshëm, pas UÇK-së, PAN-i pesëfishoi numrin e veteranëve të rrejshëm,
duke zhvatur, vjedhur dhe abuzuar milionat nga buxheti shtetëror, edhe ashtu i
brishtë. Veteranët e rremë shërbejnë si klientelë elektorale të subjekteve
politike, të koaliciouara në PAN-in kriminal.
Pas propozimit të masës së
dënimit nga Prokuroria Speciale, për katërshen e akuzuar për krime lufte dhe
krime kundër njerëzimit, janë shtuar zërat kundër Gjykatës Speciale dhe të
themelueseve të saj, Amerikës, Evropës dhe botës tjetër demokratike. Këtij
turpi dhe krimi, akuzë apriori, pa ditur ose pa dashur të mësojnë të vërtetën
faktike, i janë bashkuar bandës masive të NPK.
Realisht, Gjykata Speciale e
Kosovës, me seli në Hagë, është imponuar nga pamundësia e Kosovës, për ta bërë
drejtësinë, për qytetarët e vetë. Megjithatë, kohë-zgjatja e hetimit ndër vite,
ishte bajate, e panevojshme, sepse krimet serike politike në Kosovë kanë qenë
gjysmë-legale, me fakte të bollshme.
Gjykata Speciale ka qenë dhe
vazhdon të jetë shumë e kushtueshme. Deri në qershorin e kaluar, për 7 (shtatë)
vitet e fundit, nga buxheti i Kosovës janë paguar 276 milionë euro. Një duzinë
avokatesh matrapazë, kanë zhvatur, kot se koti, paranë e popullit të Kosovës. Cili
shtet i botës do ta bënte këtë marrëzi e krim monstrum të tillë?! Absolutisht,
asnjë.
Pelegrinazhi i vizitave në burgun
e Hagës, përjashto familjarët e të akuzuarve, të tjerët janë horra e zuzarë,
shumica e tyre meritojnë zinxhirosje, për krimet e tyre, si pjesë e bandës
masive, NPK, e shndërruan këtë Gjykatë prestigjioze, në një maskaradë. Disa
dhjetrave prej këtyre të dyshuarëve, të intervistuar nga kjo Gjykatë, u
thoshte: "Fol lirshëm, se nuk do të arrestojmë", duke qenë e bindur
se ishin për hekura, sepse ishin pjesë aktive e NPK.
Vitin e kaluar u bë një gjyq në
Amerikë. 5 (pesë) të rinj kishin vrarë një shokun e tyre. Të pestit u dënuan me
burg të përjetshëm, për vetëm një vrasje. Dhe, 3 (tre) shokët e tyre pse e
dinin, por nuk e kishin denoncuar krimin, u dënuan me nga 15 vjet burg secili.
Kjo është drejtësi e vërtetë, që shtetet ligjore demokratike bëjnë për
qytetarët e vetë. Ndërsa për të huajt bëjnë drejtësi me honorarë!
Deklarimet paushalle të krerëve
shtetërorë, pushtetarë, partiakë qendrorë dhe lokalë, pacipërisht,
rehabilitojnë krimin dhe kriminelët, duke rivrarë viktimat e NPK dhe duke fyer,
në mënyrën më të poshtër, mijëra familje të viktimave dhe shumë qindra-mijëra
familje tjera, të cilat i lidhin gjaku, farefisnia, miqësia dhe dashamirësia
njerëzore. E turpshme për zyrtarët, madje të çfarëdo niveli, të cilët bëhen kaq
të pamëshirshëm për mijëra fëmijë bonjakë, nuset e veshura në të zeza,
prindërit dhe familjen tjetër, me vajin e dhimbjen e përjetshme, të viktimave
të ekzekutuara nga NPK!
Por, mbi të gjitha, aprovimi i
zyrtarëve shtetërorë dhe pushtetarë, qendrorë dhe lokalë, ta konvertojnë NPK në
UÇK, që është një qasje tërësisht tradhtare, një njollosje dhe përdhosje e
qëllimshme të luftës të popullit të Kosovës.
Nga përcjellja e mediave dhe të
gazetarëve, që trajtuan kërkesën e Prokurorisë të Dhomave të Specializuara, për
masën e dënimit të katërshes të akuzuar, për krime të luftës dhe krime kundër
njerëzimit, ia huqen të gjithë, amnistuan krimin dhe kriminelët, pa kërkuar
fare falje për krimet, tashmë, të bëra.
Përjashtim bëri gazeta kombëtare
"Bota Sot" dhe gazetarët e saj besnikë, të cilët mbajtën qëndrim
parimor dhe nuk mohuan asgjë, nga ajo e vërtetë e shprehur ndër vite, për
Shtabin e Rognerit, i cili hartonte lista vrastare dhe Komunikata ogurzeza, paralajmëruese
të plumbosjes të kundërshtarëve politikë, gjithherë, në emër të UÇK-së!