Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neshat Mehmedi: Valoni Merxhani – Shembull për brezat

| E diele, 15.02.2026, 06:56 PM |


VALONI MERXHANI – SHEMBULL PËR BREZAT

Shkruan: Neshat Shaqir Mehmedi

Valoni Merxhani është nga katundi Bozovcë. Që në moshë të hershme  ka shfaqur një dëshirë të veçantë për t’u veshur me veshje kombëtare gjatë manifestimeve që organizohen në vendlindje, si: 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, 17 Shkurti – Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 7 Marsi – Dita e Mësuesit, 22 Nëntori – Dita e Alfabetit, Karnavalet Ilire, si dhe në dasma tradicionale. Mosha e tij e vogël dhe veshjet tradicionale që mban gjatë këtyre ngjarjeve e bëjnë të dallohet menjëherë në mesin e të pranishmëve. Përzgjedhja dhe kujdesi i vazhdueshëm për veshjen tradicionale bëhen me dëshirë dhe vendosmëri të veçantë nga babai i tij, Ilmiu, dhe motra Valona, duke ndikuar që Valoni të paraqitet gjithnjë me vendosmëri, si përfaqësues i denjë i traditës.

Që nga mosha katërvjeçare, Valoni luan rolin e fëmijës pa nënë në filmin “Halle e derte”, ku dëshmon një talent të rrallë. Në këtë film ai përfshihet rastësisht, por shumë shpejt tregon se, ndonëse pa përvojë paraprake, është një artist i pjekur për moshën e tij. Më vonë, gjatë realizimit të një videoklipi, Valoni interpreton rolin e fëmijës që përcjell babain për në ushtri, duke e realizuar me ndjenjë dhe bindshmëri skenën e përshëndetjes dhe të lotëve. Pas disa vitesh, këngëtari Halim Rakipi realizon edhe një tjetër videoklip me Valonin, të xhiruar në katund dhe te Shtëpia e Lirisë (Mas Pajshe).

Në kuadër të manifestimit kulturor Karnavalet Ilire, Valoni merr pjesë pandërprerë që në moshë të re në aktivitete të shumta të organizuara në Bozovcë, Tetovë, Zhelinë, Gurguricë, Prishtinë (20 mars 2022), Suharekë (18 qershor 2022), Prizren (27 shtator 2024) dhe Kaçanik (30 nëntor 2025).

Ai ka qenë gjithashtu pjesëmarrës në emisione televizive, konkretisht në vitet 2018 dhe 2019, në emisionin “Top Estrada – Nga Tradita”.

Valoni shquhet edhe si instrumentalist i talentuar në çifteli, si dhe si këngëtar me zë të bukur. Krahas mësimit të çiftelisë, ai kultivon edhe këndimin e këngëve patriotike, ndër to edhe këngën e njohur “Oj toka e Kosovës”, të cilën e interpreton me ndjenjë të veçantë emocionale. Vitet e fundit, ai ka kënduar në festimet e 28 Nëntorit në Shkollën Fillore Komunale “Besa” në Reçicë të Vogël, në Sheshin Iliria në Tetovë gjatë manifestimit Karnavalet Ilire, si dhe në Sheshin e Kaçanikut më 30 nëntor 2025.

Përveç veprimtarisë artistike, Valoni shënon suksese të shkëlqyera edhe në mësime.

Valoni Merxhani është një artist i ri me vullnet të madh dhe ndjeshmëri të veçantë artistike, i cili, ndonëse nxënës i klasës së IX, dëshmon se dashuria për artin, traditën dhe kulturën kombëtare nuk njeh moshë. Angazhimi i tij në aktrim, këngë dhe muzikë instrumentale tregon se talenti i kultivuar me punë të vazhdueshme ecën krah për krah me suksesin në shkollë dhe formimin personal. Kontribut të veçantë në mësimin e çiftelisë dhe në zhvillimin e këndimit ka dhënë familjari i tij, Driton Mehmedi.

Angazhimi i Valonit në manifestime kulturore, paraqitjet në emisione televizive dhe rolet filmike nuk janë vetëm arritje personale, por edhe një thirrje e fuqishme për bashkëmoshatarët e tij: të besojnë në veten, të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe të ruajnë lidhjen me rrënjët kulturore. Ai përçon mesazhin se identiteti ndërtohet që herët dhe se çdo i ri, me pasion, disiplinë dhe dashuri për trashëgiminë, mund të bëhet shembull i brezit të vet.

Valoni Merxhani mbetet një shembull frymëzues për moshatarët e tij dhe për rininë në përgjithësi, një dëshmi e gjallë se e ardhmja e kulturës shqiptare ndërtohet që sot, përmes hapave të vegjël, por të sigurt, të fëmijëve dhe të rinjve që, krahas mësimit, zgjedhin artin, traditën dhe trashëgiminë kulturore si rrugë të qëndrueshme drejt një të ardhmeje që pritet të shkëlqejë.