| E enjte, 12.02.2026, 06:57 PM |

Nga Eduard M. Dilo
Homazh në 55 vjetorin e vdekjes të Babait tim MARGARIT
ILIA DILO
Të vdekurit flasin me gjuhën e epitafit ...
Epitafi* i Babait tim është:
" Besimi i vërtetë i im nuk është që të rroj
vetë dhe të le tjetrin të rrojë, por të rroj dhe të ndihmoj tjetrin të rrojë
".
Amaneti i heshtur i Babait
(Fjalët që më rritën)
Babai im
fliste pak, por fjalët e tij kishin peshë.
Shpesh, në biseda të thjeshta me ne, ai
na mësonte diçka që librat nuk e thonë gjithmonë: se mirësia nuk është luks,
por detyrim njerëzor. Se nga ajo që ke, duhet të ndash, sepse ajo që mbahet
vetëm për vete, varfëron shpirtin.
Ai
thoshte se nuk humbet asgjë kur heq nga kafshata jote për t'ia dhënë një të
varfëri. Përkundrazi, fiton diçka që nuk blihet: ndjesinë se je njeri mes
njerëzve.
"Kujdesi për të tjerët,"
thoshte, "nuk është thjesht fjalë. Është mënyra si e jetoj jetën."
Dhe e thoshte këtë me bindjen e atij që e ka provuar vështirësinë dhe e njeh
vlerën e dorës së shtrirë.
Këto
fjalë më kanë mbetur në mendje si një amanet i heshtur. I mbaj brenda vetes dhe
përpiqem t'i zbatoj çdo ditë, sepse jeta është e shkurtër dhe ikën pa zhurmë.
Dhe kur njeriu largohet nga kjo botë,
nuk merr me vete asgjë tjetër veç gjurmës që ka lënë te të tjerët.
Babai im
besonte se nuk është e drejtë të rrosh i qetë, ndërsa pranë teje dikush rron në
skamje. Të rrosh vërtet, sipas tij, do të thotë të ndihmosh edhe tjetrin të
rrojë. Sepse jeta duke ndihmuar të tjerët është më e fortë se vetmia e ngopur.
Në fund,
ai na kujtonte gjithmonë se asgjë nuk humbet në heshtje. Zoti i sheh të gjitha.
Ai është kudo — jo për të gjykuar menjëherë, por për të matur zemrën e njeriut.
Epitaf*= mbishkrim mbi një gur varri.