| E merkure, 11.02.2026, 06:56 PM |
SOT NE PERVJETORIN E VDEKJES
Skënder Sallaku, një
jetë e mbrujtur me të qeshura, balerini dhe kampioni i mundjes që i kthye në
emblemë e Varietesë së Tiranës
Nga
Albert Vataj
Kujtesa
është një ndriçim shpirti, me të cilin dritëhedhim mbi ngjarje dhe momente,
personazhe dhe episode, të cilat feksin hera-herash ashtu beftas, si për të
tentuar të na mbajnë të lidhur me të shkuarën, me çfarë nuk meriton të shuhet
prej harrimit. Sot në përvjetorin e vdekjes së Skënder Sallakut, më shumë se sa
ndërmendja, është mirënjohja ajo që na thërret, si në një solemnitet të shenjtë
për ta kujtuar atë, si një ëndje për të rihapur skenat, prejnga Sallaku hyri
tek ne, u bë pjesë e dashurave tona, për të jetuar me humorin dhe për ta bërë
këtë magji të krijimit, mylmesën e një jete, tejet të trysnuar nga paniku dhe
përsekutimi asgjësuese.
Të
risjellësh në kujtesë Skënder Sallakun aktor të humorit, do të ishte i paplotë
kjo përtëritje në memorie, nëse e shkëpusin njeriun e guximshëm, të riun dhe
ëndrrat e tij, ambiciet dhe përmbushjet e ngulmëta, që ishin dhe mbeten
thelbësore për atë çfarë ishte dhe mbeti tek ne ai, aktori i dashur, i sa e sa
roleve, ai që jetësoi në skenë tipe dhe karaktere, identitete dhe personazhe,
të cilat më shumë se si të tillë, mbeten shpirtërorja e Skënder Sallakut.
Shkrues
dhe interpretues brilant i skeçeve dhe parodive, askujt nuk do ti shkonte në
mënd se ai burri shtatshkurtër pati ëndërr të bëhej balerin ku dhe aspiroi në
fillimet e tij. Dhe që do të thoni ju, ai që u vlerësua me tituj dhe nderime,
“Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e Qytetit”, “Urdhri i
Punës i Klasit të Dytë”, ai ishte edhe kampion kombëtar i mundjes klasike.
Skënder
Sallakun, emblema e e Varietesë së Tiranës, një nga përfaqësuesit më të
spikatur të humorit tiranas, ai skaliti emrin e ti në artin skenik të humorit
si një rast unik, duke jetuar me të qeshurën dhe duke patur gjithçka të jetës
së tij humorin.
Është
krijuar një stereotip, se të gjithë aktorët janë me humor dhe e qeshura është
çdogjëshmëria e jetës së tyre, rasti i Skënder Sallakut bën përjashtim, ai nuk
ishte vetëm një aktor humori, por edhe një njeri me shpirt plot dritë dhe të
qeshurën të veshur si petk. Por, siç tregojnë edhe kolegët, kishte raste kur ai
ishte serioz dhe asgjë nuk e çante këtë koracë që mbante atë të kyçur në
momente të ndryshme të jetës.
Artisti
Skënder Sallaku u lindi në Tiranë më 25 janar 1935. Që në fëmijëri të hershme
ai shfaqi një pasion dhe dëshirë të madhe për aktrimin dhe sidomos për zhanrin
e humorit. Rrugëtimi për të përmbushur ëndrrën e skenës së humorit, si për të
gjithë edhe ai, Skënder Sallaku, veç mundit dhe sakrificave, punës, punës së
palodhur dhe një vullneti të paepur, për të arritur gjithçka me meritë, u desh
të sfidonte edhe makinacionet e regjimit komunist, ndaj së cilit, si ka thënë
vetë Sallaku në një intervistë, ai fitoi me të qeshura.
Rrugëtimi
në skenën e Varietesë së Tiranës më 1956, mbylli portën e mundësit ambicioz dhe
kampionit, për t’i çelur të ardhmen përmes siparit të skenës së humorit, skenë
të cilën ai e deshi dhe i kushtoi gjithë jetën.
Pas
përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Fizkulturës, ai ndoqi edhe
një kurs kualifikimi për akrobat në Cirkun e Pekinit. Karriera e artistit
zgjati për më tepër se gjysmëshekulli, ku falë aftësive të tij të shkëlqyera
plastike, pantomimike etj., interpretoi në më tepër se 1000 role në skenë dhe
ekran, të cilat do të mbeten gjatë në kujtesën e artdashësve dhe si një thesar
për trashëgiminë artistike, kryesisht në zhanrin e komedisë.
Një
karrierë 52-vjeçare ishte jo vetëm një jetë në skenë, por çdoditshmëria e
përjetuar me pasion dhe përgjegjësi të lartë, obliguese, jo vetëm ndaj
spektatorit që e priti dhe e përcolli në qindra shfaqje me duartrokitje dhe
ovacione, por edhe ruajtja e atij ekuilibrit të brishtë të ideologjisë dhe
censurës që përgjonte me sy skifteri skenën e humorit. Të bëje art në diktaturë
ishte një heroizëm. Çdo sprovë dhe kulmim krijues, çdo shaka apo batutë ishte
majëprehtë në humor dhe viktimat mbeten të shumta, por Skënderi, dhe jo vetëm
ai, arritën të shpëtonin, arritën të mbanin të gjallë të qeshurën, këtë ballsam
për shpirtrat e plagosur e vullnetet e drobitura.
Disa
nga interpretimet më të spikatura të Skënder Sallakut janë në shfaqjet: “Gaz
dhe punë”, “Ditari i një bojaxhiu”, “Ekipi”, “Dosja jonë” , “Kur hiqen Maskat”,
“Estrada në ekran”, e pafund komunikim skenik me të qeshurën, ku ai la gjurmë
në traditën e artit tonë komik, një nga gjinitë e marrëdhënies estetike me
publikun më delikatet. Por ai qëndroi në skenë nga fillimi deri në fund, duke
na dhuruar të qeshura, duke ndarë me ne shpirtin e tij plot dritë dhe
dëshirimin e madh, se, e qeshura është të jetuarit shëndetshëm .
“Kam
nisur të “qesh” qysh në moshën 16 vjeç. Me një grup amatorësh të Pallatit të
Kulturës hyra në balet, e nisa pra si balerin. Në vitin 1953 u krijua estrada e
kufirit, duke kaluar si aktor në këtë estradë. Dhe më 1956 kalova në estradën e
Tiranës deri në ditën që dola në pension”, rrëfeu ai në 70-vjetorin e lindjes
për “Standard”.
“E
qeshura është jeta ime. Nuk mund të rri pa qeshur, të gjitha situatat e
gëzueshme i krijoj nga ky shkak. Vetëm që të prodhoj tek njerëzit buzëqeshje.
Madje, nuk përmbahem edhe në hidhërim, prapë se prapë e lëshoj nga një batutë
me qëllim që njerëzit të qetësohen, për t’u mos mbushur me shumë ligështi.”
kujtonte ai.
Ai
ishte një aktor brilant i humrit dhe një njëri me shpirt të madh. Ai na mësoi
jo vetëm se si të qeshim, se si të mbushim shpirtin plot dritë dhe zemrën me të
rrahura gazmimi, por edhe si mundë të jesh i njerëzishëm dhe mirënjohës për
miqtë dhe kolegët. Ai kujtonte se “një nga njerëzit që më ka mbetur më afër dhe
që më ka ndihmuar gjithë jetën, është ime shoqe. Kur merrja materialin, ajo e
shtinte në duar e niste për të studiuar duke më udhëzuar se çfarë ishte më e
sakta për mua dhe çfarë nuk bënte. Madje, Vitorja ka shkruar edhe vetë, por ka
qenë dhe një nga akrobatet më të mira që ka pasur Shqipëria. Ajo ka qenë një
nga bazat kryesore mbështetje për mua. Mjaft mbështetje kam pasur edhe prej
shkrimtarëve, duke filluar nga humoristi i vjetër Dionis Bubani, i cili ka
shkruar për mua qysh në moshën 18 vjeç, e më pas vijnë me radhë Koço Devole,
Pëllumb Kulla, Filip Çakuli, Bujar Kapexhiu etj,.
Më
pëlqen humori që bëhet në Durrës, sidomos nga Fadil Hasa. Po ashtu janë shumë
simpatikë parodistët e Vlorës, ndërsa Zef Deda është ajka e humorit shkodran”.
Kështu
jetoi ai shpirt i begatuar nga e qeshura dhe mirësi. Kështu krijoi dhe
interpretoi në skenat e mëdha dhe ato të argëtimeve në fshatra e ndërmarrje,
katunde e ferma, ku ai, ai, Skëndër Sallaku, i vlerësoi të gjithë dhe e çmuan
të gjithë, dhuroi të qeshura, si gjënë më të shtrenjtë që pati dhe u shpërblyer
me zemrat dhe dashurinë e të gjithëve, atyre që e ndoqën nga skena në skenë,
por edhe atyre që ishin dhe mbeten pjesë e jetës së tij, derikur ai vendosi të
ndalonte.
Skënder
Sallaku u nda nga jeta më 11 shkurt 2014 në moshën 79-vjeçare nga një sëmundje
e pashërueshme, prej së cilës ai vuajti për disa vite, por pa u nënshtruar,
duke u përpjekur të bëjë më të mirë në ditët që i kishin mbetur, duke shkruar
materiale komike. Iku për të mbetur përgjithnjë ai Skënder Sallaku i roleve të
pavdekshme, i humorit taranas, i atij sharmit ëmbëlak të plakut babaxhan,
burrit sarhosh, katundarit naiv, e shumë e shumë përjetësime të tjera, që janë
pjesë e fondit të Varietesë së Tiranës, janë thesar i artit tonë komik. Figura
emblematike si Skënder Sallaku do të jenë shembull frymëzimi për brezat e rinj
të aktorëve komikë, atyre që më shumë se të na bëjnë të qeshim, ata duan të na
dhurojnë çaste relaksi dhe ballsam shërimi. Shpirtrat tanë të plagosur kanë
nevojë të ushqehen me dritën e perëndishme të të qeshurës, siç ka nevojë dita
për dritën e diellit që të shndritë.