| E marte, 10.02.2026, 06:56 PM |

Azem Shkreli, më i zëshmi zë i këndimit të kushtrimshëm të fjalës së shpirtshme
Nga
Albert Vataj
Sot,
më 10 shkurt 2026, mbushen 88 vjet nga lindja e poetit, narratorit dhe
mendimtarit Azem Shkreli, një nga kumbimet më të zëshme që ka ditur të
flakërohet në eterin shqiptar si kushtrim brezash, si kandil i pashoq përjetimi
të fjalës, e konceptuar jo thjesht si shenjë, por si energji që kapërcen qiejt
e lirisë. Zëri i tij nuk ishte britmë, por dridhje e thellë ndërgjegjeje; jo
retorikë, por densitet përvoje që i jep fjalës peshë ontologjike.
I
formësuar si shprehje e një ndjeshmërie të lartë dhe një etike rigoroze të
artit, opusi poetik i Azem Shkrelit hapi shtegun e të ekzistuarit dhe të
funksionuarit të poezisë vetëm brenda parametrave estetikë. Tek ai, poezia nuk
kërkon të bindë, as të predikojë; ajo kërkon të jetë. Fjala shfaqet si akt
krijimi, si tension i brendshëm mes heshtjes dhe domosdoshmërisë për të thënë,
mes përmbajtjes dhe shpërthimit të matur.
Në
këtë kuptim, mund të thuhet se, pas shenjtërisë poetike të De Radës, poezia e
Shkrelit përbën një nga kapërcimet më të rralla estetike në poezinë shqipe, ku
fjala është parë dhe trajtuar si fuqi kreative, si substancë që mban peshën e
qenies dhe të historisë. Ai e zhvendosi poezinë nga zbukurimi në thelb, nga
deklarimi në përvojë, nga patosi në përqendrim.
Shkreli
u bë mjeshtër i ekonomisë së shprehjes, me pak thotë shumë, me heshtje sugjeron
univers. Ai njihet si “fanatik i vargut”, i latimit të tij deri në kufijtë e
përkryerjes, i ritmit dhe i muzikalitetit tekstor që nuk kërkon zhurmë, por
rezonancë të brendshme. Ironia e tij, shpesh e shndërruar në sarkazmë të
ftohtë, nuk shërben për të goditur, por për të çliruar mendimin nga iluzionet
dhe klishetë. Kjo është veti e krijuesve të mëdhenj, ata e dinë pse shkruhet
dhe e kuptojnë artin si punë mjeshtërore, si disiplinë shpirtërore dhe
intelektuale.
Azem
Shkreli mbetet një pikë referimi jo vetëm për poezinë, por për vetë idenë e
qëndrueshmërisë estetike në kulturën shqiptare. Në një kohë kur fjala rrezikon
të bëhet e lehtë dhe e shpenzueshme, vepra e tij na rikujton se poezia është
përgjegjësi, ndaj gjuhës, ndaj njeriut dhe ndaj lirisë që kërkon të artikulohet
me dinjitet.