| E hene, 09.02.2026, 08:00 PM |

NJË UDHËTIM NË PEIZAZHET E DAJTIT
“Ndonjëherë duhet të ikësh, për të arritur
hapësira ku shpirti dhe zemra mund të marrin frymë e gjejnë pak paqe."
(Antonio Curnetta)
NGA PËLLUMB GORICA
U zgjova herët në mëngjes, dhe ende pa u çuar nga shtrati, e
gjeta veten mes dilemës, të qëndroja në shtëpi dhe të lexoja, për shkak të
motit, që dukej në qiell si një atelie gjigante, ku nëna natyrë
kishte ndehur për të tharë kanavacat e reve, apo të udhëtoja në një cep parajse, larg nxitimit të turmës, në
horizonte të gjera, ku shkëmbinjtë mbajnë heshtje antike.
Thjesht duhet të mendosh që në mëngjes, për të bërë një
rrugë të shkurtër. Kur u nisa qyteti kishte veshur zërin kaotik, me një torturë
trafiku, smogu, zhurma, pas një nate të shkurtër qetësie, pulson sërish me
fytyra të përgjumura që ecin shpejt në vendet e punës, në bankat e shkollave;
hapen qepenat e dyqaneve, kafenetë në qoshet e rrugëve, në rrugica të vogla,
pranë stacioneve të autobusëve, midis blloqeve të apartamenteve.
Ndërkohë, në të majtë shihet pamja e mrekullueshme e Freskut,
duke lënë pas monotoninë e Tiranës. Rruga të çon në një vend, pothuajse pa u vënë
re, në një gjendje qetësie drejt Dajtit madhështor, që më ka mirëpritur gjithmonë
dhe befasuar, në çdo mot: vapë, ftohtë, borë, shi, mjegull, diell e gjelbërim,
të shpëtojë nga e përditshmja përmes hapave dhe vështrimeve, me të njëjtin
shpirt si e romancierit Jack London.
Ecje si një bekim
Rruga gjarpëron kodrave mes mimoza të lulëzuara
dhe peizazheve që hapen ngadalë para syve, me një vazhdimësi, secila po aq ose
më e bukur se e fundit...
Kthesat, pylli, ngjitja, kreshtat, peizazhi, veçantitë
gjeologjike, natyrore emocionuan hapat tanë kureshtarë dhe kurioziteti ynë u
përmbush gjerësisht përtej pritshmërive tona nga një madhështi e tillë.
Tashmë, mund të shohësh aq afër Priskën që shtrihet me
gjithë bukurinë e saj, në të djathtën tonë. Mali mbi krye të krijon imazhin e
dhëmbëzave të një sharre gjigante natyrore.
Vrapon për një kohë të gjatë në pyllin e dendur të pishave dhe
ahut krejtësisht të zhveshur që duket, si një fustan gri, me ekzemplarë
madhështorë, që era herë i mblidhte tufë dhe, herë i ndante në ca copëza të
çrregullta gjeometrike. Pylli nuk pushon kurrë së na treguar anën e tij
më të mirë, pikturon forma ndryshe të dukshme, ngjyra, dhe zgjon emocione.
Tabela e Parkut Kombëtar të Dajtit, të fton të ngadalësosh në
peizazhin që hyn me qetësinë e atij që e shikon pa nxitim...
Sheh ndërtesa, të lindura nga turizmi masiv: kafene e
restorante që ndërthuren me përkujdesjen për të pushuar këndshëm, me një
arkitekturë që ndërthur prekje neoklasike, madje ekzotike dhe kënde lojrash
argëtuese, ku fëmijët vraponin pa kujdes. Ata po thërrisnin. Ata po qeshnin. Njëri po qante në
lëkundje sepse kishte frikë kur ata ngjiteshin shumë lart në re. Nëna e tij e
përqafoi dhe me një ninullë të ëmbël dhe të butë, ajo po përpiqej ta qetësonte.
Dajti është një mal që ka veçori gjeomorfologjike, midis
vertikalitetit dhe frymës, që gjithmonë, të shkakton emocione të mëdha, që nuk
përshkruhen nga qoshet poetike autentike, dhjetëra pamje autentike, me pyje, ku heshtja
rritet më thellë mbi bukurinë e brishtë të natyrës.
Ai nuk vizitohet vetëm me sy, të kalosh së brendshmi,
ngadalë, si mbi piktura, ku kryqëzohen ngjyra, kënde, forma, pamje...
Dëgjon hovet e kuajve, tingujt ritmikë të
kambanave të lopëve dhe erën që pëshpërit në drurët.
Kisha kohë pa parë bunkier. Thashë me vete i paskan shpëtuar
shkatrrimit prej atyre që mbledhin skrap. Në mesin e shekullit të kaluar, ata
mbinë si këpurdhat pas shiut në fusha, kodra e rrëzë maleve. Pas viteve ‘90
shumica e bunkerëve u kthyen në strehë për barinjtë, por edhe për disa punë të
tjera. Sido që të jetë, fare pa funksion nuk kanë mbetur.
Ndërtesa e kampit të punëtorëve,
sot është një guaskë guri, sikur jeton në një film të vjetër neorealist të
harruar. Humbas në ca mendime për muret
muret që rezistojnë: gjithçka flet për jetët e kaluara, të duarve që i kanë ndërtuar
që kanë mbyllur një arkivë pëshpëritjesh dhe kujtimesh të pushuesëve të
dikurshëm. Dritaret e
saj bosh, të ngjashme me sytë që kanë parë shumë.
Mbërrij në ballkonin e teleferikut “Dajti Ekspres”, i ndërtuar në vitet e arta
të bumit të turizmit, duke e shndërruar në diçka joshëse dhe magjike,
ngjitej drejt malit.
Ballkoni është një vend i këndshëm panoramik, më
spektakolare, me një pamje mbi Tiranë,
që
si një dinosaur i prejhistorisë, shtrihej sa gjatë e gjerë në mënyrë
hiperbolike, e rrethuar nga kreshtat e kodrave të gjelbëruara. Tirana, padyshim
me problemet e shumta të zgjerimit, i ngjan asaj vajzës shtatëgjatë, elegante
dhe bukuroshe, që të gjithë e lakmojnë, të gjithë e shajnë dhe i qepen pas,
ndërsa ajo kokëulur e plot nur, ecën përpara dhe s'ndalet.
Ishte dikur Tirana një mejhane qerpiçi, më pas u bë një
gogol komunist pa stil e shije dhe sot e pushtuar disi nga “skemat” dhe
tipologjia e arkitekturës së qyteteve amerikane, me kulla gërvishtëse si heshta.
Nuk jemi kundër ndërtimit të kullave të larta. Ato kanë
përparësitë e tyre në krahasim me ndërtesat e zakonshme. Ato duhen harmonizuar
me zonën ku ndërtohen. Nëse do të grumbulloheshin do të kishim një “Dubai” në
miniaturë.
Njerëz më këmbë, me makina ose thjeshtë kureshtarë të
heshtur, nën një qiell gri fjalëronin zëlartë. Ata vijnë këtu të gjejnë para së
gjithash heshtje, paqe, dhe ndonjëherë pak më shumë
për të “shpëtuar nga Tirana e zhurmëshme”. Në kafene,
tavolina, ëmbëlsira, gota dhe shishe. Një familje feston një ditëlindje. Dikush po qeshte shumë duke
bërë urimet rituale.
Çaste të këndëshme, por që i japin të gjithë shijen
udhëtimit.
Kokën në re, këmbët në shkëmbinj
Peizazhi shpaloset në gjithë thjeshtësinë e tij madhështore.
E kap bukurinë e tij në çdo shikim. Këtu nuk vjen të ecësh, të vjen të
mahnitesh, të marrësh frymë e të nuhasësh, të admirosh e të kujtosh, të fotografosh
në sytë e tu pamjet e një pylli të egër, që plas me stinët pasuese, këtu ecën në
magjinë e tij, dhe madhështinë e malit.
Takova miq që nuk i kam parë prej kohësh dhe njerëz të tjerë, njerëz që kanë një
vizion kaq të bukur të jetës, atë pasion për malet dhe çdo lidhje që mund të
shijohet në to. Ata do të ngjiten në kreshtën e Dajtit që, që e kam ecur
tashmë, por vite më parë.
E vendosa zemrën time në dilemë të ngjitem përsëri. Pas
covidit, një sëmundje e papritur që botën e mbushi me dhimbje, sakrifica dhe pasoja
psikologjike të një mbyllje brenda katër mureve sin ë një luftë e heshtur, duke
e kthyer jetën përmbys e duke mos qënë më kurrë si më parë, më bëri të ndihem
aq i pasigurt si më parë.
Unisa pa menduar më shumë. Ajrit i vjen era dru, myshk, kur
tashmë vinte edhe erë dëborë. Është çasti kur bota moderne lihet pas dhe
natyra merr pushtetin në shtegun e ngushtë, që fshihet dhe zvogëlohet mes drurëve, me
degët e tyre të ndërthurura, në forma antropomorfe që shpesh më pengojnë
kalimin, sikur është hyrja e parajsës.
I mbështjellë nga qetësia që më deh shqisat, eci sikur lëviz
brenda një këngë të bukur, nga ritmi i saj i butë dhe i ndritshëm, që mali jep
kur i japim kohe të na këndoje...
Itinerari është i qetë mes bisedave, ndalesave të pakta,
fotografive… Çdo fytyrë gjatë rrugës bëhet një shoqërues udhëtimi. Eci në
shoqërinë e një zotërie me një vajzë të re. Tre vajza të huaja që vijnë pas meje
ngjiten shpejt, unë jam pak mbrapa se duhet të ndaloj disa herë për të tharë
sytë e mi që digjen nga pikat e djersës.
Mbi malin është një vazhdimësi e formave të ndryshme të
reve, të larta e të ulta. Deti i reve rrëshqet, butësisht, poshtë shpatit dhe shkrihet në figura
vallëzimi. Është diçka e mrekullueshme të shohësh këtë det që
rrethon Dajtin.
Hera-herës një vetëtimë përflak qiellin, ndërsa bubullimat ushtojnë si oi,
zgafellave të Malit me Gropa. Një nga retë e shumta, pra ajo mbi kokën tonë,
vendos të zbrazet. Por në atë shtrëngatë që më mori frymën, dëgjimi më i bukur është
zhurma e hapave që era nuk mund ti ndalonte. Mendimet menjëherë vrapojnë në
vështirësitë që do të has duke e lënë veten të udhëhiqem nga heshtja që thyej nga
rrahjet e zemrës dhe pëqrplasja e degëve, ndonjëherë lëviznin nga era sikur
kapërcejnë një legjendë të lashtë, atë në të cilën pëshpërit atyre që mund të
dëgjojnë.
Ndërsa, përparoj përmes shtegut, gjetheve të thata dhe gurëve
të lashtë, arrita në majë të malit Dajt. Retë zhduken, mbetet vetëm bukuria
absolute me aq sa mund
të shoh. Zemra u zgjerua, fryma u ngatërrua me erën aq të fortë sa edhe pemët
përkuleshin si pleq të lodhur, të para nga larg duken si dy figura të përqafuara.
E ndjej veten në përzierjen e lodhjes dhe krenarisë, më kënaq shikimin.
Atje lart, ngrihen antenat qiellgërvishtëse, nga lindja, vija
e shpatit të thiktë të Dajtit. Shohim përpara, përtej Luginën e Shëngjergjit e
përshkuar nga rrjedhat e lumit Erzen, të shikosh shikosh malet që qëndrojnë
para teje.
Çdo hap në kreshtë tregon për lëvizjet e lashta të tokës,
për erërat që kanë gdhendur forma.
Prej andej, hap pas hapi, vazhdojmë me zig zag në
një shteg zbritje gjithnjë e më shkëmbor.
Do të kishim kaluar tutje pa vënë re asgjë, kur diku na u
shfaqën gjurmë gurësh në radhë, si shënime të një akordi të vetëm, të cilat
frymojnë nga epoka antike. Ishte një kështjellë, që strehonte eshtrat e një
qytetërimi të largët, ndërsa bota e sotme vrapon atje poshtë. Përmes saj, mund të gjurmojmë historinë e shtresuar të këtyre
vendeve.
Ajo ishte projektuar për të mbrojtur, për të siguruar strehë
për vendasit. Ndoshta pjesë e një sistemi kështjellash, kullash dhe fortesash
që prej shekujsh shikojnë njëra-tjetrën në sy duke shkëmbyer sinjale të
pazbulueshme.
Ka një botë të gëzuar
Ngjitja në kreshtën e Dajtit na ka lodhur, na ka sprovuar,
por na ka dhuruar edhe kënaqësi, heshtje dhe atë ndjenjën e bukur të udhëtarit,
që vazhdon në sytë e tu edhe kur këpucët ndalojnë në një peizazh vërtet unik, më shumë se çdo gjë, për
të pushuar dhe çlodhur. Një pamje e bukur vërtet si kartolina e “Gurrës së
Perrisë”, të cilin e shihnim
nga lart, me një pasqyrë të vogël uji, e rrethuar nga pylli që pushon në heshtje.
Natyrisht dukej si një mbretëri e vogël prej guri që mbrojnë dimrin, të
rrethuar nga degë të zhveshura dhe kreshtat.
Mbërritëm me kuriozitet, por pa asnjë pritshmëri, të emocionit që jemi këtu. Tashmë po mendojmë se një vakt i nxehtë nuk do
të ishte aq i keq. Gjithsesi të mbërrish aty edhe pasdite nuk është e lehtë të
gjesh një vend, në një tavolinë të madhe ku ishin ulur plot njerëz.
Ndjen ngrohtësinë e zjarrit në oxhak, dëgjon tringëllimën e gotave
të verës, fjalët e pëshpëritura të një bisede. Sheh fytyra të
lodhura dhe të lumtura, dhe në vështrime njeh ndërlikimin e atyre që kanë ndarë
përpjekjen e rrugës.
Sytë tërhiqen tashmë prej gjërave të vjetra: tavolina druri
dhe relikte, shkallë dhe mure si një muze antik. Karriget e hekurit të
farkëtuara duket se presin paqësisht dikë që të qetësohet për të dëgjuar
pëshpëritjen e malit.
Pastaj, duke u ulur rreth tavolinës me njerëz që nuk
njiheshin një orë e më parë, dreka bëhet pothuajse një festë e gëzueshme. Aty formojmë një rreth
magjik duke krijuar një hapësirë të vogël të shenjtë me biseda filozofie, duke
folur për Nietzsche dhe patericat metafizike që përdoren në shoqëri.
Është bukur të jesh me njerëz të tillë së bashku në këto
vende, njerëz që e lënë veten të kënaqen, të mahniten, me
bukurinë e çasteve që ndamë atje.
Një erë e lehtë fryu nëpër pyll. Dalëngadalë retë, të shtyra
nga era, shfaqin pak
diell duke luajtur kukafshehti me to. Pastaj, në një
moment të qetë dhe absolutisht të papritur të udhëtimit, vizualisht
mbresëlënës, tërhoqi menjëherë vëmendjen tonë, një
ylber përgjatë horizontit, duke prekur kodrat në një hark të përsosur,
sikur donte të na jepte një dhuratë.
Natën bie, duke parë dritat e qytetit të ndezura, duke ecur
në rrugën pothuajse të ndriçuar nga rrjedha e trafikut që tani vazhdonte pa ndërprerë,
atje në qëndër ndërtesat e larta xixëllonin dritat me ujësi gjometrike.
Më vjen ndër mend poeti Bertoli: “dhe në fund të rrugës, do
të mund të them se e jetova ditën“. Por në kokën time, tashmë po ëndërrojë për
udhëtime të reja që do të vijnë.























