Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim

| E hene, 09.02.2026, 06:58 PM |


SHKURTI 1967 –KRIMI QË ENDE NUK QUHET KRIM

Një shtet që i shpalli luftë Zotit dhe ende nuk i ka kërkuar falje njeriut

Nga Frank Shkreli

Shkurti i vitit 1967: kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit. Në shkurt të vitit 1967, regjimi komunist i Enver Hoxhës ndërmori një akt ekstrem e të pashembullt në botë: i shpalli luftë fesë dhe vetë Zotit. Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook. Kisha e xhami u mbyllën, u shkatërruan ose u shndërruan në magazina e stalla. Klerikët u burgosën, u internuan, u vranë e u poshtëruan, në kundërshtim me ligjet në fuqi. [...] “pse, ligjet tona do të na ndalojnë neve që të djegim në zjarr dhe t'i zhdukim ato nga faqja e dheut?” (Enver Hoxha). Me dekret ideologjik, besimi u shpall “armik i popullit”, ndërsa Shqipëria u vetëquajt “shteti i parë ateist në botë”, një akt zyrtar ekstrem i paparë në botë.  Frank Shkreli: Shkurti i zi i vitit 1967, kur Shqipëria komuniste i shpalli luftë Zotit | Gazeta Telegraf

Nuk ishte thjesht luftë kundër institucioneve fetare, por një përpjekje për të çrrënjosur ndërgjegjen shpirtërore të njeriut shqiptar dhe zhdukjen e identitetit kombëtar. Një revolucion barbar kundër traditës, kujtesës dhe lirisë së brendshme ndërgjegjësore të shqiptarëve, në përgjithësi. Një akt dhune, pra, jo vetëm kundër lirisë së fesë, por kundër lirive bazë universale të njeriut të njohura botërisht, përfshir Organizatën e Kombeve të Bashkuara, anëtare e të cilës ishte edhe Shqipëria komuniste.

Ajo që nuk u tha kurrë , zyrtarisht, ishte se Zoti nuk u mposht kurrë. U plagosën njerëzit, u shkatërruan tempujt, por megjithëkëtë, besimi mbijetoi në heshtje, në shtëpi dhe në zemra të shqiptarëve. Shkurti i vitit 1967 shënon pra, një nga kapitujt më të errët të historisë shqiptare, momentin kur shteti shqiptar dhe mbarë shoqëria, e dehur nga ideologjia komuniste sllavo-aziatike, i shpalli luftë Zotit. Një dëshmi kur pushteti absolut frikësohet nga shpirti i lirë, ai përpiqet të burgosë edhe qiellin, duke e shpallur besimin në Zot si armik të popullit. Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook -- Ky përvjetor (shkurt,1967) -- aq i errët dhe i hidhur që është si krim kundër njerëzimit -- fton, detyron, moralisht, të mos harrojmë. Por, për më tepër, na kujton të mos pranojmë harresën si pajtim i këtij brezi të shqiptarëve me krimet e regjimit komunist. Ky përvjetor nuk fton Jo për urrejtje, as për hakmarrje, por fton për ndërgjegje dhe përgjegjësi morale, njerëzore dhe kombëtare. Sot 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- njëkohsisht, kujton nevojën urgjente të këtij brezi të klasës politike në Shqipëri për t’u përballur me të kaluarën komuniste duke dënuar, më në fund, zyrtarisht, krimet e komunizmit, nepërmjet një ballafaqimi të sinqert me të kaluarën komuniste, përfshir krimet kundër fesë dhe Zotit, jo vetëm me parula boshe, por nepërmjet një akti zyrtar shtetëror siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste me akte ligjore, si një paralajmërim që historia plot vuajtje e Kombit shqiptar, të mos përsërisë më periudha të tilla barbarizmi si ajo e vitit 1967.

Për më shumë se 3-dekada, shteti dhe qeveritë shqiptare gjatë këtij “tranzicioni” të pafund, me heshtjen e tyre zyrtare, duket se mbrojnë gjithnjë narrativën e Enver Hoxhës për krimet e regjimit të tij kundër fesë, që arrijtën kulmin në vitin 1967.  Po, pse atëherë Shqipëria zyrtare sot druhet nga kjo e vërtetë historike?!  Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf - Në të vërtetë, bota është më mirë e informuar se vet shqiptarët -- sidomos brezi i pas 90-ës – se çfarë ka ndodhur në shkurt të vitit 1967 dhe më vonë në Shqipërinë komuniste -- një traumë e vërtetë në historinë moderne shqiptare. Atyre ngjarjeve u kushtohet pak ose aspak hapësirë në diskursin publik të brendshëm.

Është interesant fakti – për të mos thënë deri diku edhe hipokritik – se pothuaj të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë “post-komuniste”, kanë vizituar Vatikanin, disa herë, përfshirë vizitën e fundit të para disa ditëve të Kryeministrit Edi Rama me Papa Leonin e XIV – shpesh të shoqëruar nga përfaqsues të feve kryesore të shqiptarëve. Megjithëkëte, heshtja e tyre zyrtare për këtë plage të harruar të historisë së krimeve kundër fesë dhe Zotit në Shqipërinë e Enver Hoxhës, ka qenë dhe vazhdon të jetë mbytëse. Ndonëse flitet ndonjëherë rrallë, me gjuhën e Ramiz Alisë, për “gabimet e së kaluarës” në lidhje me krimet fetare, fjala krime nuk përemendet as nuk merret përgjegjësi, zyrtarisht, në emër të shtetit dhe të Kombit. Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

Gjatë viteve, në mënyrën më njerëzore e vulllnet mirë jam përpjekur me disa dyzina artikujsh modest --Frank Shkreli: A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri? | Gazeta Telegraf  -- t’a sjell në vëmendjen e publikut shqiptar rëndësinë që ka dënimi zyrtar i krimeve të komunizmit dhe përballimi me të kaluarën e diktaturës së komunizmit në atë vend. Një çështje kaq me rëndësi për drejtësinë, lirinë, demokracinë dhe paqën shoqërore në Shqipëri, një vend që duket se nuk po gjen as paqë as drejtësi shoqërore dhe politike, midis grindjeve dhe mosmarrveshjeve politike ndër-shqiptare, për më shumë se tre dekada, “post-komunizëm.”

E them përsëri se kam drojë se, në mungesë të përballimit zyrtar-shtetëror, me të kaluarën komuniste, koha po tregon se është vështirë që në Shqipëri të arrihet paqa, drejtësia shoqërore dhe politike pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit të regjimit komunist-enverist dhe pa distancimin zyrtar nga e kaluara komuniste, siç kanë bërë shumë ish-shtete komuniste në Evropë. Kjo është dhe mbetet një përgjegjësi e enteve shtetërore: Kryeministrit, Presidentit, Kuvendit Akademisë së Shkencave, e tjera. Prandaj po e sjell këtë përvjetor edhe njëherë në kujtesë publike sepse për fat të keq, shkurti i vitit 1967 vazhdon të mbetet një histori e harruar por e hidhur shqiptare dhe një plagë që gjakosë gjithnjë ndërgjegjen e Kombit. Një shtet që në shkurtin e vitit 1967, zyrtarisht, ndaloi fenë dhe i shpalli luftë Zotit -- sot më shumë se 50-vjet më vonë -- refuzon gjithnjë të shprehë pendesë dhe t’i kërkojë falje shqiptarëve. Të gjitha vizitat e përfaqsuesve politikë shqiptarë në Vatikan gjatë 35-viteve të kaluara e deri në ditët e sodit, nuk e fshijnë këtë turp shtetëror. Bini në fije, o njerëz! Nuk është vonë! Në emër të shtetit, nderoni historinë, kërkoni falje, kujtoni dhe nderoni viktimat e shkurtit të vitit 1967 dhe të gjitha viktimat e komunizmit gjysëm shekullor në Shqipëri, se heshtja e vazhdueshme nuk u bën nder!

Fotot janë marrë nga faqja e Muzeut --  Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook  -- Një kujtesë e errët dhe e hidhur e krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri!

Krime prej “talebanësh” të regjimit komunist duke shembur kishat e xhamiat në Shqipëri pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, “T’i djegim me zjarr…”, 6 shkurt, 1967

Me Historianin e Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, Z. Pjerin Mirdita në Shkodër, shtator, 2023 -- Frank Shkreli: Shkodra, vendi i dëshmisë dhe kujtesës! | Gazeta Telegraf