| E diele, 08.02.2026, 07:00 PM |

Kadri
Tarelli shkruan:
Kjo është liria e arsyes e cila qëndron në pavarësinë e të
menduarit nga kufizimet që vendosen nga autoritetet. Kjo liri është një dhunti
e rrallë e natyrës dhe njëkohësisht është edhe një dëshirë shumë e kërkuar nga
çdo individ". Ajnshtajn. (Albert Einstein)
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, PYETET, PYET.......
RRËFEN...!
“Kush jam unë.......!?”
Kam
në dorë librin “Kush jam unë!?”, të autores vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj,
ose Vivra, siç i thërrasim shkurt në pseudonim. Lindur më, 08. 12. 1944, në
Kaninën e lashtë, me prejardhje nga
familja princërore e Gjergj Arianitit. Ndaj unë e thërras “Princesha e
Kaninës”. Shkolluar e diplomuar në shkencat sociale, Histori-gjeografi. Një monografi interesante në ndërthurje, po ashtu
edhe në shtrydhje e shtrirje të kujtesës, që ngjan si rrjedha e një burimi plot
ujë, pa zhurmë e bujë.
Që
në fillim, titulli tërheq si magnet çdo këndonjës, që do të mësojë: “Kush jam
unë.....!?”. Ndërkohë Vivra shprehet në mënyrë dëftore: - Po ju rrëfej se kush jam
unë......! Në vazhdim të mendimit, po i rendis disa nën-ndarje të përmbajtjes, sipas
analizës dhe gjykimit tim:
-
Rrënjët e fisnikërisë së lashtë, si medaljon i artë, për ta pasur dhe mbajtur në
qafë dhe për t’u mburrur çdo njëri nga ne që e quajmë veten Shqiptar.
-
Fëmijëria, dhe rinia, si mallkim për ta mallkuar: Kush e solli dhe kush e
mbolli farën e komunizmit në truallin shqiptar.....!? Mjerë ata që u futën në
nofullat e luftës së klasave.
–
Ringritja, si feniksi nga hiri. Mitologji e kohëve moderne, për t’i rrëfyer
botës atë të vërtetë të hidhur, që për gjysmë shekulli u fsheh, me qëllim të
harrohet, të mbulohet, të shuhet, mos kujtohet.
–
Analiza historike dhe filozofike e sundimit komunist, 1945 – 1990.
Pasojat......
–
Veprimtaria shoqërore dhe krijimtaria letrare, historike e filozofike,
përshkruar në mbi 65 libra, të gjinive të ndryshme, poezi, romane, novela,
studime me vlera shkencore, shoqërore, me frymë tejet kombëtare dhe atdhetare. Kjo
është vlera e vërtetë e njeriut, është vepra për të cilën e vlen të jetohet.
–
Në fund vlerësimet, me të cilat mbushen disa faqe libri. Pa lënë pas dore diku-diku
edhe zhgënjimet të vjetra dhe të reja, të cilat hapin plagë që dhembin më shumë
se të parat, pasi nuk i mbulon dot dhe nuk mbyllen lehtë. Plagët e vjetra deri
diku edhe përligjen, ftohen, veniten por nuk roniten, duke akuzuar kohë e
mbrapsht. Ndërsa plagët e rejat godasin në shpirt, të cilat nuk i zbut as koha
dhe as pluhuri i saj.
Duke
u marrë me shkrime dhe lexime, në përgjithësi, jam ndeshur me autorë të
ndryshëm, të cilët, vjen një kohë që duan të lenë kujtime, thjesht si dëshmi e
kohës së jetuar dhe më tej, të rrëfejnë veprimtarinë, krijimtarinë, sukseset,
pengesat, mundimet, gëzimet, ngritjet dhe rrëzimet, pse jo edhe dështimet si
pjesë të jetës së jetuar. I admiroj për kujdesin që tregojnë, duke i lënë
brezave përvojën e një jete të shpenzuar në të mirë të vetes dhe shoqërisë.
Ndërkohë
Vivra ndjek një udhë tjetër, ndoshta të pa shkelur më parë. Është Gëzim Marku,
drejtuesi i portalit “Zemra Shqiptare, që ideon dhe kërkon të bëjë një
intervistë ekskluzive, lidhur me jetën dhe veprimtarinë e kësaj zonje të
nderuar. Me një fjalë, harton rreth 44 pyetje, të menduara mirë, të nisura e të
ujdisura për bukuri, ku dashje pa dashje të thuhen të gjitha, duke iu
përshtatur kohës, vendit dhe rrethanave. Thuhet nga të diturit, se pyetjet e
mira nxisin përgjigje të mira.
Duke
kënduar librin, kam përshtypjen se krijohet një lloj bashkëbisedimi dhe ndarje
punësh, pse jo, edhe përgjegjësie: gazetari pyet duke qenë brenda në livadhet e
veta, ndërsa Vivra duke rrëfyer në vetën e parë, ka mundësi të përgjigjet
lirshëm brenda bindjeve dhe ndjesive të saj. Ndërkohë që këndonjësi (lexuesi), është
i bindur se rrëfyesi ka një udhërrëfyes mbi krye që e mirëkupton, ndaj edhe hapat
i hedh pa u penguar.
Të
them të drejtën, është e para herë që ndeshem me një formë të tillë
“Monografie”. Uroj mos jetë kështu.....! Gjatë leximit, duke u bërë pjesë e
librit, unë e vlerësoj si një “testament” i firmosur nga koha dhe ligjet e saj
të egra. Një formë tejet e veçantë, besoj shumë e pëlqyer nga autorja, sepse shoh
se si Vivra shtyhet të shtrydhë të gjithë kujtesën e saj, të grisë koren e
plagëve të vjetra, të rindjejë dhimbje dhe forcë, duke qenë e sinqertë me veten,
se e vërteta duhet thënë. Koha nuk të përkëdhel, nuk të fton, por të ndëshkon,
nëse nuk e përfill vrapin e saj.
Pak
më lart rendita një lloj ndarje për të ndihmuar veten, ndaj po flas më gjatë.

Znj.
Vilheme Vrana Haxhiraj.......! - Çuditërisht, si vjen koha, kur i përputh datat
dhe ngjarjet, disa i bën të shenjta. “8 dhjetori”, “Dita e Rinisë” dhe
ditëlindja juaj....!!!!. Kështu festa dhe ditëlindja do festohen në përjetësi,
sepse shpirti juaj si mësuese mbetet përherë i ri.
Nuk
di sa i saktë jam, por nuk kam parë ndonjë libër apo studim mbi familjet e
mëdha, familjet të hershme fisnike që i mbijetuan kohëve të historisë së
trazuar shqiptare, duke lënë edhe trashëgimtarë deri në ditët tona. Uroj që mos
të jetë kështu, por Vivra është trashëgimtare dhe dëshmitare e rrënjëve të saj
fisnike, prej disa shekujsh. Dhe, jo një emër dokudo, por një shkrimtare dhe
studiuese që i kalon kufijtë e vendit tonë, duk u bërë e njohur në mbarë botën
me veprat e saj, të denja për t’u futur në enciklopedi. Ndaj ajo me krenari
shkruan dhe firmos Vilhelme Vrana Haxhiraj. Dhe ka të drejtë.....!
Pyetja
dhe përgjigja mblidhen lak në fyt, kur mendon se si është e mundur, të
heshtet.....!? Në vend që të lartohet emri dhe prejardhja e saj që nderon historinë
tonë të hershme dhe të tashmen.....!? Ndërkohë ne heshtim, si murgu në qeli....
Pse.......? Kush nga ne nuk do të lëvdohej e mburrej me një prejardhje të tillë
fisnikësh, që i mbijetuan shekujve? Ndërkohë, kush nuk do të lëndohej me atë që
pësuan familjet fisnike gjatë regjimit komunist, që u ndëshkuan pa asnjë faj,
vetëm se ishin të fisme....., siç ndodhi me familjen Vrana, në zemër të Kaninës!?
Vështirë të gjesh një shembull të dytë......! Këndojeni me kujdes këtë histori
të shkurtër, kushtuar Kaninës, kështjellës dhe banorëve të saj të hershëm. Do
më jepni të drejtë, duke falënderuar dhe përshëndetur autoren.
Këndonjësi
do të ndjejë trishtim, kur të lëçisë kujtimet e vegjëlisë, aq sa mund të ndjejë
dridhje trupi e shpirti, për ato ç’ka hequr autore Vivra. Ajo, në udhën e
mundimeve, si pasojë e luftës së klasave, nuk është e vetme. Janë me mijëra
familje të internuara në mbarë vendin, kanë mbijetuar me mundim skëterre, kur i
mohohej shkolla, arsimimi, buka, ushqimi dhe liria. Shumica u tretën pa ju
dëgjuar zëri në 23 burgje dhe 48 kampe përqendrimi.
Pak prej tyre po na rrëfejnë atë çka jetuan dhe përjetuan në ato vite të
mallkuara. Sepse e vetmja gjë që nuk e thyen, nuk e gërryen, nuk e fshinë,
ishte mendimi i lirë, i gatshëm të shpërthejë. Mes tyre është edhe Vivra jonë,
që u ngrit mbi kohën, duke na sjellë një dokumentar të jetuar plot dhimbje. Besoj
mjaftojnë vetëm këto fjalë për të thënë gjithçka: “Trastat në shpinë të
nënave dhe grave që shkonin nëpër rrugët e përbaltura të atdheut “BURG”, ishin
më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e burrave apo djemve të tyre”. Faqe
38.
Vetë
Vivra pohon se u ngrit si heronjtë e mitologjisë. – “Më pëlqen ta zhbiroj
deri në embrion jetën time të mohuar, e cila rilindi nga hiri i saj si Feniksi.
Këtë kam bërë dhe do ta bëja për cilindo që ngjall interes në një vepër
letrare, studimore apo analitike. Qoftë kjo edhe një jetëshkrim. - Eh, sikur
jeta të rilindte përsëri nga zanafilla......!” - Shkruan që në faqet e para
të këtij libri, me peshë të rëndë. Shpalosja e mendimit të lirë, bëri që Vivra
të gjejë vetveten. Ëndrra e hershme për të botuar, u rizgjua. Libri “Loti
nuk ka faj”, ishte prova e parë. – “Kjo ka qenë kënaqësia ime, sepse gjeta
vetveten në brazdat e kohës së egër”, - shkruan autorja. Faqe 42.
Vivra
shpërtheu që në ditët e para të ndryshimeve, në përmbysje të sistemit, në vitet
1990 - 1992. Filloi të merret me publicistikë, mënyra më e bukur për të thënë
të vërtetën, për të çliruar shpirtin e rënduar nga koha dhe mundimi, nga
vuajtjet dhe trishtimi. Kohë e pazakontë për të gjithë të dënuarit dhe të shtypurit
politik, pse jo edhe për të gjithë shqiptarët, të etur për liri fjale, liri
mendimi, liri ndërgjegje, liri veprimi. Viyra u vu në ballë të lëvizjes me të
gjitha forcat e shpirtit, ku kërkohej guxim, durim dhe dije. Etja për liri dhe
drejtësi nuk ishte zbehur. Është një histori e gjallë, që meriton të kujtohet,
pse jo edhe të nderohet. Heronjtë e atyre ditëve nuk duhet të lihen në heshtje.
Ata bënë aq sa mundën. Vivra ca më shumë.
Në
thesin e pyetjeve, gazetari Gëzim Marku nuk kursehet të bëjë pyetje që kërkojnë
mendim të pjekur dhe shkallë të lartë njohurish mbi historinë dhe politikën. Po
jap një prej tyre:
-
Si e perceptoni realitetin e Shqipërisë gjatë periudhës 1944 – 1990? Cilat
përvoja apo ndikime kanë formësuar këndvështrimin tuaj për atë epokë?
–
Përgjigja: Unë e kam përshkruar deri diku tmerrin e jetës në diktaturë. Ishte
një sistem politik-ekonomik i zymtë, vrastar, përgjues, që krijon ankth tek të
gjithë qytetarët pa përjashtim. Pse? – Edhe gjysma tjetër e përkrahur nga
pushteti dhe Partia, ndëshkohej ashtu si ne, nëse kalonte kufirin tokësor apo
detar. Kushtet ekonomike ishin njësoj si për ata pro Parti dhe për ne antiparti.........
Mjaftojnë
vetëm këto pak fjalë për të kuptuar vazhdimin. Një analizë sa historike aq edhe
filozofike që e vlen të këndohet më nge. Na pëlqen apo s’na pëlqen, mos nguroni
kur e vlen.....! Nuk e teproj të shkruaj një pyetje që vet znj. Vivra i bën
lexuesit: - “E kupton dot ti, se ç’do të thotë - “Luftë klasash”.....!?
Dhe unë si këndonjës i zellshëm, përgjigjem për vete dhe edhe për të tjerët: -
“Lufta e klasave është sëmundja më vrastare e kombit Shqiptar, që po vazhdon
edhe pas rrëzimit të komunizmit”.
Të
gjitha këto të vërteta, në vetvete përbëjnë vlerë, për të njohur sado pak
origjinën, karakterin dhe vetëdijen e Vivras, për jetën e jetuar dhe përballuar
aq trimërisht. Por a mjafton vetëm kaq që të shkëlqejë në majë të piramidës së
vlerave..!?
Ashtu
si ju edhe unë jam në një mendje. – Lindim
dhe jetojmë në një vend, një atdhe, një shoqëri, me të mirat dhe mangësitë e
saj, por kur rritemi ndjejmë dallime. Janë veprat që na veçojnë dhe na vendosin
në krye, në mes apo në fund të odës së burrave. Në
krye sigurisht, te oxhaku, këtu bën pjesë edhe Vivra. Diku kam shkruar dy
vargje, kur bëhet fjalë për krijuesit: - “Mos u mburr me vitet që ke
ngrënë...! Tek yjet merr dritë, me veprat që ke lënë”. Dhe Vivra ndriçon në
hapësirë, në qiellin e mbushur me yje.
Do mjaftojnë vetë këto pak fjalë: - “Kombi më dhuroi vendlindjen, racën,
gjuhën dhe emrin e madh shqiptar, po unë ç’bëra për të....?
Nuk
dua të përsëris fjalët, aq më tepër çka është shkruar dhe shkruhet në fund të
çdo libri: “Vlerësimet”. Një përmbledhje me disa faqe. Secila vepër, një vlerë
e shtuar. Veç dua të shtoj: - znj. Vivra, “Princeshën e Kaninës” e nderoj dy
fish: Së pari, si mësuese e “Misionare e dijes”, pavarësisht se punoi vetëm pak
vite. Së dyti, si “Misionare e kombit”, pasi në të gjitha veprat buron veç
“Atdhetari e shqiptari”.
Po
nuk më rrihet pa bërë pyetje: - Cila grua u ngrit mbi heshtjen....? Cila tjetër
grua, ka një prodhimtari kaq të gjerë letrare? Cila do të mund t’i afrohet për stilin,
cilësinë e mendimit dhe artin e shkrimit? Cila shkrimtare përmbysi hierarkinë e
shkrimtarëve të Realizmit Socialist, duke i thënë botës: - Jam edhe unë....!.
Jo
më kot Dr. Mujë Buçpapaj, drejtuesi i gazetës “Nacional”, shkruan: - Asnjë
shkrimtar i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq
dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Vrana Haxhiraj.
Në
këtë udhë mendimi, krahas shumë autorëve, - “Janë, “100 personalitete të
kualifikuar”, që më kanë vlerësuar me mbi 370 shkrime dhe analiza”. (shprehet
autorja). Ata janë shkrimtarë dhe kritikë të njohur, të gjithë të futur në tre
volumet e librit “Mirënjohja virtyt i kujtesës”.
Unë
që prej vitesh e ndjek nga afër krijimtarinë e znj. Vivra. më duhet të shkëpus vetëm
disa emra dhe pena të ndritura, që kanë vlerësuar krijimtarinë e “heroinës”
sonë: - Prof. dr. Eshref Ymeri. Akademik. ShBA, Prof. Dr. Fatmir Terziu. “Mjeshtër
i madh”, Londër, i cili i ka kushtuar librin: “Liria në optikën letrare të Vilhelme
Vrana Haxhiraj”. Prof. dr. Murat Gecaj. Më tej, Odhise Grillo, Prof. dr.
Adriatik Kallulli, poeti Xhevahir Spahiu, redaktorja Lejla Gorishti, shkrimtari
bashkim Saliasi. Etj, etj.
Njëkohësisht
si dëshmitar i kohës, kam ndjekur nga afër të gjitha takimet letrare për znj.
Vivra, takim që janë organizuar në Durrës, shpesh edhe në Vlorë. Veçoj rastin,
kur kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako e nderon znj. Vivra, me
çmim të veçantë: “Emblema diplomatike e Durrësit”, më, 24, të vjeshtës së dytë,
2018. Besoj, këtu më takon të shtoj edhe shkrimtarë nga Durrësi, që kanë njohur
krijimtarinë e saj, duke shkruar e botuar artikuj, poezi dhe vlerësime: Shpendi
Topollaj, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Merita Kuçi Thartori, Skënder Kapiti, Xhevahir
Cirongu. Mes tyre edhe unë, me disa shkrime dhe analiza për një sërë veprash
letrare, kryesisht me karakter historik dhe filozofik.

Një
vend të rëndësishëm në këtë libër zënë vlerësimet. Nuk janë pak:, rreth 33
çmime kombëtare dhe nd/kombëtare, të ardhura nga katër anët e botës. Faqe
126-127-128. Po shkëpus vetëm disa:
-“Urdhri.
Mjeshtre e madhe” dhe “Medalje ari”, - nga Presidenti i Republikës
-Anëtare
e “Akademisë Shqiptaro-Amerikane”, me seli në New York.
-
“Ikonë e letërsisë botërore të avancuar”, - nga akademia e shkencave letërsisë
dhe arteve Indiane.
-
“Pena e kristaltë”, - në Suedi.
-“Nder
i kombit” - nga Unioni i shqiptarëve të Bukureshtit. Rumani.
-Me
dhjetëra çmime dhe certifikata, në konkurse dhe takime brenda vendit dhe nëpër botë.

Në
fund dua të shtoj pak fjalë për z. Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i saj, i cili
njihet mirë në mjedisin vlonjat, pasi ka qenë artist me aftësi të rralla si
koreograf, artist i skenës dhe i artit gojor.
Ai po ashtu, e ishte goditur prej luftës së klasave, po për shkak të
prejardhjes së tij nga një derë fisnike, duke e rënduar veten ca më shumë, si
bashkëshort i znj. Vilhelme Vrana.
Thonë,
dhe unë e besoj se: “Prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë”.
Por në rastin tonë më duhet ta përmbys këtë raport:- “Prapa një gruaje të
suksesshme, qëndron një burrë i fortë”, - siç është z. Fitim Haxhiraj. Njeri me
prejardhje fisnike, me karakter të fortë, të pathyeshëm. Mbështetja e tij e palëkundur,
ka qenë vendimtare për punën dhe krijimtarinë e Zonjës Vilhelme. Qëndrueshmëria
dhe guximi për të mbrojtur të vërtetën, bëri që, si moderator i krijimtarisë së
saj artistike ta vendosë në qendër të veprimtarive që organizoheshin në
Shqipëri, në trevat Arbnore, njëkohësisht edhe në takimet ndërkombëtare. Është
e lehtë të thuhet e të shkruhet, por e vështirë të realizohet. Publicistika që
ai bën për veprat e znj. Vivra, janë të paimagjinueshme. Vetëm një talent si
ai, ka bërë që Vivra të jetë ajo që është: shkrimtare e njohur ndërkombëtarisht.
Mund të them me bindje, se Fitimi është i papërballueshëm në fjalë, në kujtesë,
në fantazi e oratori, mjeshtër në organizim takimesh. Jeta dhe veprimtaria e
tij meriton të shkruhet, si model për ata që duan të çajnë në jetë dhe t’u
dëgjohet zëri. Jam i bindur se e vlen dhe e meriton.
Çuditërisht
si i bashkon jeta, dy jetë që udhëtojnë së bashku, që gjejnë gjuhën e
mirëkuptimit dhe bashkëveprimit. Ata së bashku, përballuan tallazet e jetës
dhe të luftës për mbijetesë, Ata përballuan varfërinë dhe trysninë politike, që
nuk i linte të ngrinin kokë. Shqiptarisht ngritën një familje të shëndoshë,
model, për kohën e shkuar, ca më shumë model edhe për kohën që po jetojmë. Rritën
dhe edukuan dy fëmijë me formim të shkëlqyer arsimor, qytetar e atdhetar, -
Ermelindën dhe Vladimirin, të cilët ndjekin udhën e familjes fisnike, të atit
dhe nënës së tyre të dashur.
Urime
znj. Vivra, për këtë libër me vlera të veçanta!
Përshëndetje
i nderuar Gëzim Marku, për nismën që ke ndërmarrë, në përzgjedhjen e
personaliteteve si Vivra jonë, ku lirisht shpaloset jeta dhe veprimtaria e
gjithsecilit. Të admiroj për guximin, sepse vlerat kanë një emër dhe i duhen
kombit. Ju uroj suksese dhe mbarësi.
Miqësisht!
Kadri
Tarelli
Mes dimri, 2026