| E diele, 08.02.2026, 06:57 PM |
GJYKATA KUSHTETUESE MIDIS VENDIMIT DHE NËNSHTRIMIT
(Nga
arbitër kushtetues në zonë amortizimi politik – kur drejtësia flet me zë
amnezik)
Nga
Ilir Çumani
Vendimi
4 me 4 i Gjykatës Kushtetuese, në shqyrtimin e ankimimit të Kryeministrit Edi
Rama kundër masave të vendosura nga GJKKO dhe SPAK për pezullimin nga detyra të
zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, nuk është thjesht një
episod procedural i së drejtës kushtetuese shqiptare.
Ai
përfaqëson një çarje serioze në raportin midis pushtetit politik dhe
drejtësisë, një moment ku Gjykata Kushtetuese, në vend që të ushtrojë
autoritetin e saj final, zgjedh të mbetet në mes të rrugës, duke e kthyer
barazimin në strategji mbijetese institucionale.
Ky
rast shënon një precedent të rrezikshëm jo vetëm për shkak të rezultatit
numerik, por për shkak të kontekstit politik në të cilin ai prodhohet.
Një
Kryeministër në detyrë, me pushtet të konsoliduar ekzekutiv dhe ndikim të gjerë
politik, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar drejtpërdrejt veprimet
e SPAK dhe GJKKO, dy institucione që janë themeli i reformës në drejtësi dhe që
ekzistojnë pikërisht për të vepruar pa frikë nga pushteti politik.
Objekti
i këtij ankimimi nuk është një konflikt abstrakt kompetencash, por mbrojtja
institucionale e zëvendëskryeministres së tij, nën hetim për akuza të rënda
korrupsioni të ngritura nga SPAK, në një nga dosjet më të ndjeshme ndaj
zyrtarëve të lartë deri më sot.
Vetë
ky fakt e zhvendos çështjen përtej kufijve të një debati juridik normal. Këtu
nuk kemi të bëjmë me mbrojtjen e Kushtetutës nga një shkelje e supozuar, por me
një përpjekje të qartë të ekzekutivit për të ndërhyrë në rrjedhën e drejtësisë
penale përmes një kanali kushtetues.
Ky
është thelbi i problemit: kur Kryeministri bëhet palë aktive kundër
institucioneve që hetojnë korrupsionin e niveleve më të larta, çdo barazim në
Gjykatën Kushtetuese merr aromë presioni dhe jo neutraliteti.
Sipas
doktrinës klasike kushtetuese, nga Hans Kelsen te Carl Schmitt e më pas Dieter
Grimm, Gjykata Kushtetuese është instrumenti përfundimtar që i jep fund
konfliktit politik përmes normës juridike.
Ajo
nuk ekziston për të reflektuar ndarjen politike të shoqërisë, por për ta
tejkaluar atë përmes autoritetit të Kushtetutës. Kur një gjykatë e tillë
përfundon në barazim në një çështje kaq sensitive dhe të ngarkuar, ajo nuk
prodhon drejtësi, por paralizë.
Dhe
paraliza, në kushtet e një presioni të hapur nga pushteti ekzekutiv, nuk është
zgjedhje e pafajshme — është simptomë e një institucioni që nuk arrin të
përballojë peshën e rolit të vet.
Marrja
e një vendimi me një barazim 4–4 nuk duhet parë si ndarje e ndershme mendimesh
juridike, por si shenjë e frikës institucionale për të mbajtur përgjegjësi.
Një
gjykatë që nuk arrin të prodhojë shumicë në çështjet më të ndjeshme politike
dështon në funksionin e saj themelor. Sepse Kushtetuta nuk ka nevojë për një
trup që numëron vota, por për një autoritet që artikulon normë.
Në
planin juridik, mosmarrja e një vendimi material është një akt me pasoja të
rënda normative. Ronald Dworkin ka qenë i qartë kur thotë se: “gjykatat nuk
kanë luksin e mosvendimit, sepse edhe heshtja është një formë vendimi”.
Dhënia
e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese me barazim 4–4 krijon një precedent të
heshtur, por jashtëzakonisht të rrezikshëm: ai u mëson aktorëve politikë se sa
më i fuqishëm të jetë subjekti i përfshirë, aq më e lartë është probabiliteti
që drejtësia të ndalet.
Kështu,
jurisprudenca fillon të ndërtohet mbi boshllëqe, jo mbi norma; mbi frikë dhe jo
mbi parim.
Politikisht,
ky rast është alarmant. Një Kryeministër që përdor Gjykatën Kushtetuese për të
vënë në pikëpyetje veprimet e SPAK dhe GJKKO dërgon një mesazh të qartë:
pavarësia e drejtësisë është e pranueshme vetëm deri aty ku nuk prek qendrën e
pushtetit.
Edhe
nëse ankimimi mbështetet formalisht në argumente kushtetuese, realiteti politik
është brutal: pushteti po teston kufijtë e drejtësisë. Dhe kur drejtësia nuk
reagon me vendim të qartë, testi konsiderohet i kaluar.
Gjykata
Kushtetuese, në këtë situatë, nuk u shfaq si mur mbrojtës i rendit kushtetues,
por si hapësirë amortizimi e konfliktit politik.
Duke
mos marrë një vendim të qartë dhe të lexueshëm për të gjithë, Gjykata
Kushtetuese ka vendosur të shmangë përplasjen e drejtpërdrejtë me ekzekutivin,
por me koston e autoritetit të saj.
Ky
është kompromisi më i rrezikshëm që një Gjykatë Kushtetuese mund të bëjë: të
ruajë qetësinë afatshkurtër duke sakrifikuar besueshmërinë afatgjatë.
Pasojat
shoqërore dhe psikologjike janë të thella. Publiku sheh një drejtësi që
funksionon për qytetarin e zakonshëm, por ndalet përballë pushtetit real.
Kjo
krijon një ndarje të rrezikshme në ndërgjegjen kolektive: ligji nuk zbatohet
njësoj për të gjithë.
Në
psikologjinë institucionale, ky është momenti kur cinizmi zë vendin e besimit,
dhe frika zë vendin e respektit për ligjin.
Në
doktrinën moderne të accountability-t kushtetues, gjyqtari nuk është vetëm
interpretues teknik i normës, por mbajtës i një përgjegjësie publike dhe morale.
Në
raste të tilla, mungesa e arsyetimit të individualizuar dhe e transparencës për
votën nuk është thjesht mangësi procedurale, por shkelje e besimit publik.
Një
gjykatë që nuk shpjegon pse nuk vendos, e humb të drejtën morale për të kërkuar
besim.
Nëse
mosvendimi nuk ka kosto personale për gjyqtarët dhe as kosto institucionale për
Gjykatën, ai do të përsëritet.
Dhe
kur mosvendimi përsëritet, ai shndërrohet nga përjashtim në normë funksionale
të sistemit. Kjo është rruga më e shpejtë drejt erozionit të autoritetit
kushtetues.
Vendimi
i marrë nga Gjykata Kushtetuese me rezultatin 4–4 në çështjen e ankimimit të
Kryeministrit Edi Rama për Belinda Ballukun nuk është as neutral dhe as i
pafajshëm.
Ai
është shenjë e një drejtësie kushtetuese që po vihet përballë një presioni
politik të drejtpërdrejtë dhe që, për momentin, ka zgjedhur të heshtë.
Por
një Kushtetutë që hesht përballë pushtetit nuk mbron askënd. Dhe një Gjykatë që
mëson të heshtë, pushon së qeni gjykatë në kuptimin e plotë të fjalës.