| E premte, 06.02.2026, 06:58 PM |

AI ZË ISHTE VAÇE ZELA…
(Vaçe
Zela - Zëri identitar dhe shpirtëror i një kombi të paepur)
Nga
Ilir Çumani
Si
sot, dymbëdhjetë vjet më parë, pushoi së rrahuri zemra dhe zëri më i bukur i të
gjitha kohërave.
U
shua një dritë që nuk ndriçonte vetëm skenën, por ndërgjegjen e një populli të
tërë. Ishte ajo ditë e heshtur kur koha dukej se u përkul përpara një mungese
të madhe dhe ajri u bë më i rëndë, sikur mbante mbi vete barrën e një dhimbjeje
të përbashkët.
Në
çastin kur ajo ia lëshoi trupin tokës, gjithçka u ndal. Jo si figurë e madhe
skenike, por si ndjesi e vërtetë, e përjetuar me dhimbje të thellë, deri në
asht.
Atëherë,
edhe zëri i bilbilave nëpër degët e pemëve u ndërpre për një çast; dukej sikur
edhe natyra ta kishte kuptuar se po humbiste një nga tingujt e saj më të
rrallë.
Notat
muzikore dhe partiturat, për herë të parë, nuk iu bindën as kompozitorëve më të
mëdhenj; ato mbetën pezull, të paqarta, si fjalë që nuk gjejnë dot zë për t’u
shprehur.
Në
imagjinatën e dhimbjes kolektive, edhe lumejntë e ndalën rrjedhën e tyre, edhe
qielli u mbush plot me re, edhe alpet u mbushën plot me dëborë si për t’u
përkulur përpara një rituali mortor që nuk ishte vetëm i një familjeje, por i
një kombi të tërë.
Sepse
ajo nuk ishte thjesht një artiste e madhe… Ajo ishte Vaçe Zela, zëri më brilant
që rrodhi aq ngrohtë dhe aq ëmbël nëpër “Këngë e Ligjërime”, ai zë që përcolli
ndër breza po aq dinjitetshëm frymën më solemne dhe po aq krenare “Për Ty
Atdhe”!
Ajo
ishte një epokë, një gjuhë e përbashkët ndjenjash, një zë ku shqiptarët kishin
mësuar të dëgjonin vetveten.
Me
ikjen e saj, nuk u shua vetëm një jetë, por u mbyll një kapitull i artit tonë
epokal, ai kapitull ku kënga kishte dinjitet, magji, thellësi dhe shpirt…
Shpirt! Vetëm shpirt!
Dhimbja
e asaj dite nuk ishte e zhurmshme, por e përmbajtur, e thellë, e heshtur. Ishte
dhimbja më e përveçme që nuk klithte si kumtet rituale vetëm me të qara të
brendshme, por një dhimbje që qëndroi pezull mbi qytete e fshatra, mbi çdo
shtëpi, mbi kujtimet, mbi kohën.
Edhe
sot është një dhimbje që nuk kërkon fjalë, sepse vetë mungesa flet. Dhe në atë
heshtje të rëndë, secili e kuptoi se kishte humbur jo vetëm këngëtaren më të
madhe të skenës shqiptare, por një copëz SHQIPËRI, një pjesë të vetes, një zë
që kishte shoqëruar dashuritë, mallin, brengat, aspiratat, idealet, shpresën
dhe ëndrrat e brezave të tërë.
Që
prej asaj dite, zëri i saj nuk është më trup, por kujtesë. Nuk është as frymë,
por jehonë. E megjithatë, sa herë që këngët e saj rikthehen, duket sikur ajo
ende qëndron diku, mbi skenën e padukshme të shpirtit tonë kolektiv, duke na
kujtuar se disa zëra nuk vdesin kurrë; ata vetëm shndërrohen në përjetësi.
Me
zërin e saj, Vaçe Zela i dha një formë të rrallë ndërmjetësimi shpirtit
individual dhe fatit historik të një populli. Në timbrin e saj u ngulitën
dhimbjet, qëndresat, shpresat, krenaria dhe ndrojtja e shqiptarëve në një
shekull të trazuar.
Zëri
i Vaçe Zelës ishte një instrument i papërsëritshëm: i fuqishëm pa qenë agresiv,
i butë pa qenë i brishtë, i ngrohtë pa rënë në sentimentalizëm banal.
Ajo
zotëronte një kontroll absolut të frymëmarrjes, një frazim të qartë dhe një
ndjeshmëri të jashtëzakonshme për dinamikën emocionale të këngës. Çdo
interpretim i saj ishte një dramë e përmbajtur, ku asnjë notë nuk ishte e
tepërt.
Vaçja
nuk këndonte vetëm melodinë – ajo e mishëronte këngën, duke e kthyer
interpretimin në akt krijues më vete.
Për
këtë arsye, shumë këngë që ajo interpretoi i mbijetuan kohës, ndërsa vetë ajo u
bë standardi i pakapërcyeshëm i interpretimit vokal shqiptar.
Në
marrëdhënien e Vaçe Zelës me tekstin poetik ndodhi një simbiozë e rrallë.
Ajo
dinte t’i jepte fjalës peshë semantike dhe emocionale, pa e shndërruar këngën
në recitim. Në interpretimin e saj, fjala nuk humbte në muzikë, por ringjallej
plot energji dhe kolorit përmes saj.
Këngët
që ajo këndoi – dashuri, atdhe, mall, ndarje, shpresë – u bënë referenca
simbolesh të shejnta popullore moderne, të transmetuara brez pas brezi. Vaçe
Zela ishte ura ku letërsia lirike shqiptare gjeti zërin e saj më të dëgjueshëm.
Psikologjikisht,
Vaçe Zela përfaqësonte figurën e nënës simbolike të emocioneve shqiptare.
Zëri
i saj kishte një efekt qetësues, por edhe mobilizues e frymëzues njëherazi.
Ajo
dinte të përçonte dhimbjen pa dëshpërim dhe gëzimin pa ekzagjerim. Ky ekuilibër
emocional e bëri të besueshme, të dashur të admirueshme dhe të domosdoshme.
Në
një shoqëri të mbyllur, ku emocionet shpesh censuroheshin ose kanalizoheshin,
Vaçja u bë hapësirë e ligjshme e ndjenjës, një formë e shëndetshme e katarsisit
kolektiv.
Socialisht,
Vaçe Zela ishte një figurë unifikuese dhe përbashkuese. Ajo u dëgjua njësoj nga
fshati dhe qyteti, nga intelektuali dhe punëtori, nga brezat e rritur dhe ata
që vinin pas.
Në
një kohë polarizimesh ideologjike, ajo mbeti territor i pacënueshëm artistik
dhe moral i përbashkët shpirtëror.
Vaçja
nuk u identifikua kurrë me një rol të imponuar politikisht; ajo qëndroi mbi
rrethanat, duke u bërë zë i njerëzores, jo i doktrinës. Prandaj dashuria për të
ishte dhe mbetet autentike.
Antropologjikisht,
Vaçe Zela mishëron një figurë të veçantë të gruas shqiptare: e fortë pa qenë
sfiduese, e ndjeshme pa qenë e dobët, dinjitoze pa qenë e largët. Ajo ndërtoi
një model femëror ku autoriteti buron nga integriteti, jo nga imponimi.
Në
skenë, ajo ishte e përmbajtur, pothuaj rituale. Çdo dalje e saj kishte diçka
nga ceremonialja popullore, ku zëri shndërrohet në mjet transmetimi të kujtesës
kolektive.
Vaçe
Zela nuk është thjesht pjesë e historisë së muzikës shqiptare, por pjesë më
kulmore e strukturës emocionale të kombit.
Zëri
i saj vazhdon të dëgjohet edhe sot, jo vetëm në regjistrime, por në mënyrën si
shqiptarët ndiejnë, kujtojnë dhe shpresojnë.
Ajo
ishte dhe mbetet këngëtarja më e madhe e të gjitha kohërave, jo sepse këndoi më
shumë apo më fort, por sepse këndoi më thellë – deri aty ku arti bëhet fat dhe
zëri shndërrohet në kujtesë të përjetshme…
Ajo
ishte dhe mbetet Vaçe Zela!
Tiranë, e premte - 6
shkurt, 2026