| E enjte, 05.02.2026, 07:38 PM |
KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN PËR -- “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara
Nga
Frank Shkreli
Çdo vit, pothuajse pa përjashtim, politikanë
nga Tirana dhe Prishtina zbarkojnë në Washington për të marrë pjesë në të
ashtuquajturin “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve”, (National Prayer Breakfast).
Këtu e kam fjalën për të gjithë dhe pa dallim, dmth – pjesëmarrës të pozitës dhe
opozitës – sepse në frymën e pa-anësisë, autoritetet amerikane në bashkrendim
me Fondacionin që organizon këtë tubim vjetor, ftojnë në këtë tubim përfaqësues
politikë -- pa dallim dhe pa preferencë politike nga shumë vende të botës, 2-3
mijë veta – përfshir trojet shqiptare, përfaqsues të pozitës dhe opozitës
politike, por edhe përfaqësues nga, shoqëria civile e ente të tjera, përfshir
ato fetare.
Që nga viti 1953, Mëngjesi Kombëtar i
Lutjes ka bashkuar liderë, miq dhe pjesëmarrës nga i gjithë spektri politik
amerikan dhe ndërkombëtar për një qëllim të vetëm dhe të thjeshtë – lutjen! Frank Shkreli: Fuqia e lutjeve |
Gazeta Telegraf – “Tubimi është një
mundësi për anëtarët e Kongresit amerikan që të lutën së bashku për Amerikën,
Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe liderë të tjerë kombëtarë dhe
ndërkombëtarë, në frymën e dashurisë dhe pajtimit, ashtu si e mësoi Jezusi i
Nazaretit 2,000 vjet më parë. Çdo president i Shteteve të Bashkuara, pa marrë
parasysh partinë ose bindjen fetare, ka marrë pjesë që atëherë. Të gjitha
besimet janë të mirëpritura.” National Prayer Breakfast – The
purpose of National Prayer Breakfast Foundation is to organize and allow members
of the United States House of Representatives and the United States Senate to
host an annual National Prayer Breakfast.
Ky pra është qëllimi i këtyre tubimeve
kombëtare/ndërkombëtare në Washington për të gjithë të ftuarit në Mengjesin e
Lutjeve, përfshir përfaqsuesit politikë e fetarë të Kombit shqiptar, si çdo vit
më parë, ashtu edhe këto ditë në Washington. Nuk dua të përmend emra sepse ky
shënim nuk ka në shënjestër asnjë politikan/e aktual, ose parti politike, qoftë
në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Kam venë
re se për dekada që kam punuar e jetuar në Washington, e njëjta ka ndohdur sa u
përket pjesëmarrësve shqiptarë në Mengjesin e Lutjeve: e kanë përdorur këtë
takim, jo aq shumë për lutje, por më shumë si një rast për promovimin politik
të vetes dhe të partive plitike që ata përfaqësojnë, duke menduar gabimisht se
Mengjesi i Lutjeve është një tubim zyrtar shtetëror. Gati pa përjashtim,
pjesëmarrësit politikë shqiptarë në këto tubime kthehen në atdhe me valixhe
plot fotografi, deklarata pompoze dhe tituj propagandistikë që ata vet
shpërndajnë në rrjetet sociale dhe në mediat mbështetse të tyre në atdhe, në
përpjekjet për ta “shitur” këtë event ceremonial si një sukses madhor diplomatik,
për ata si individ dhe për partitë e tyre. Kthehen n atdhe edhe deklarata pompoze dhe propagandë të
gatshme për konsum të brendshëm, sikur të kishin firmosur traktate shtetërore.
Në realitet, nuk kanë firmosur asgjë. E
vetmja gjë që mungon sivjet, është vizita tek VOA, normalisht e doemosdoshme
për politikanët shqiptarë në Washington gjatë viteve, për tu intervistuar nga
redaksia shqip e Zërit të Amerikës.
Por sa për informacion për të gjithë
ata, që gjatë tre dekadave të fundit, për të cilët e kam fjalën, për
pjesëmarrsit pra të partive politike shqiptare këtë vit dhe në të kaluarën,
realiteti i këtyre tubimeve vjetore është më i thjeshtë dhe e vërteta ndoshta
pak më e hidhur. Nëqoftse mendojnë se pjesëmarrja e tyre në Mengjesin e Lutjeve
dhe fotografitë me zyrtarë të lartë amerikan me shtërngim duarsh është një
dëshmi influence politike, atëherë ata gënjejnë veten, por edhe më keq gënjejnë
zgjedhsit shqiptarë tëcilët ata përfaqësojnë. E vërteta është se Mengjesi i
Lutjeve është një ngjarje simbolike, fetare dhe publike, ku marrin pjesë mijëra
të ftuar nga e gjithë bota, shumica pa asnjë rol vendimmarrës në politikën
amerikane. Nuk është pra takim diplomatik as zyrtar, në asnjë kuptim të fjalës.
Por, ashtu si në të kaluarën, elita
politike e Shqipërisë dhe Kosovës edhe sot këtë ritual lutjesh po e shndërrojnë
në një instrument mashtrimi politik për publikun vendas. Realiteti është se
Shqipëri, politikanë që flasin për “partneritet strategjik me SHBA-të” përdorin
Washingtonin si sfond, ndërsa në Tiranë drejtësia mbetet e politizuar, korrupsioni
mbrohet nga pushteti zgjedhjet kontestohen dhe institucionet përdoren si
zgjatim partie. Në Kosovë, ndërkohë,
politikanët që predikojnë “vlera perëndimore” bëjnë selfie në Capitol Hill,
ndërsa në Prishtinë: përçahen institucionet, tensionohen raportet me aleatët, relativizohet
përgjegjësia shtetërore, politika e brendshme sundohet nga populizmi dhe
konfrontimi politik. Pra me gjithë
fotografitë me buzqeshje të shkrepura me zyrtarë amerikanë për albume private
fotografishë, sin ë Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, Washingtoni përdoret
si dekor legjitimiteti, jo si burim parimesh.
Ironia është e thellë: shkojnë për t’u
lutur në SHBA, por nuk qeverisin me etikë në shtëpi. Mund të luten ndoshta në
grup me të tjerët për bekim ndërkombëtar, por shmangin llogaridhënien kombëtare
në vendet e tyre. Amerika, nga ana tjetër, megjithe as ajo nuk
pretendon se është e përsosur, nuk e matë miqësinë me foto, as me pjesëmarrje ceremoniale.
Washingtoni zyrtar, në përgjithsi, e
matë miqësinë me respekt për sundimin e ligjit, për funksionim të
institucioneve, për ndarje të pushteteve dhe për mbrojtje të lirisë dhe të
dinjitetit njerëzor, Prandaj, për derisa këto vlera mungojnë në Shqipëri dhe
Kosovë, çdo “pushtim” i Washingtonit për Mëngjesin e Lutjeve mbetet një shfaqje
e zbrazët propagandistike—një lutje publike për të fshehur dështimet politike
në shtëpi. Është hipokrizi, gjoja të lutesh në Mengjesin e Lutjeve në
Washington, nëse qeveris kundër vlerave që përfaqëson Amerika.
Edhe njëherë pra, Mëngjesi i Lutjeve në
Washington nuk është diplomaci shtetërore as nuk është takim zyrtar i Shtëpisë
së Bardhë. Por mbi të gjitha nuk është dëshmi e mbështetjes amerikane për
politikat e e njerës apo tjetrës qeveri në Tiranë e Prishtinë. Por është një tubim
kombëtar/ndërkombëtar, simbolik, ceremonial, ku ftohen mijëra njerëz nga e
gjithë bota—politikanë, klerikë, biznesmenë, aktivistë, shumica pa asnjë peshë
reale në vendimarrjen amerikane.

Nënë Tereza duke folur në Lutjen e Mengjesit, 3 shkurt, 1994 e rrethuar nga Presidenti Bill Clinton, Zëvëndës Presidenti Al Gore dhe udhëheqës të Kongresit amerikan