| E shtune, 31.01.2026, 03:58 PM |
PSE VAZHDIMËSIA NË PRESIDENCËN E KOSOVËS KA RËNDËSI TANI

Nga
Frank Shkreli
Pothuaj 7-vjetë më parë (Tetor, 2019)
Kosova kishte nevojë për një ndryshim të madh politik. Kosova e lodhur nga
politikanë të vjetër nga mosha dhe më të vjetëruar nga idetë politike. Shpresa ime në atë kohë ishte se çifti
politik Osmani/Kurti -- njëra Presidente e tjetri Kryeministër -- të dalur nga
zgjedhjet parlamentare të atij viti, bazuar në marrveshjen për koalicion midis
Levizjes Vetvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Që, më në fund,
përfaqësonte një brez të ri politikanësh shqiptarë, që pritej të bënte
ndryshimin e madh dhe shumë të nevojshëm në politikën mbarë shqiptare. Frank Shkreli: Zgjedhjet në
Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare? | Gazeta Telegraf
Siç dihet, periudhë e mandatit të tyre
nuk qe aspak e lehtë për, shtetin e qeverinë as për popullin e Kosovës, por
besoj se nuk kanë zhgënjyer. Bënë atë që ishte mundur, nën rrethanat politike
dhe ekonomike, shpesh jashtë kontrollit të tyre. Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë,
besoj se tregon se ky është edhe gjykimi i sovranit, i shumicës së votuesve
vendas të Kosovës dhe votave të diasporës. Them se nuk kanë zhgënjyer duke
marrë parasysh situatën e mbrendshme politike, zhvillimet ndërkombëtare dhe
“shpaten e Demokleut” të Serbisë fashiste gjithmonë mbi kokën dh fatin e
Kosovës. Kam shprehur bindjen time, vite më parë, se ky brez i ri politikanësh
shqiptarë do të dijë t’u dalë përpara këtyre sfidave duke i menaxhuar si është
më mirë dhe se do të përballonte me sukses rreziqet që i kanoseshin Kosovës dhe
Kombit në fillim të mandatit të tyre.
Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit,
sovrani i besoi shumicën e votave Kryemistrit Albin Kurti, duke e mundësuar atë
të formojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës, rizgjedhja e Presidentes
Vjosa Osmani në detyrën e kreut të shtetit të Kosovës nuk është e qartë -- për
shkak të pazarlleqeve të flliqta ndër-partiake -- ndërkohë që ajo po i afrohet
mandatit të saj të ardhshëm presidencial. Vazhdimësia në detyrë e Presidentes
Vjosa Osmani nuk është luks politik. Në këtë moment të historisë së Kombit kjo
është një domosdoshmëri shtetërore, sidomos përabll realitetit politik në
Kosovë ku politika kosovare shpesh lëkundet nga interesat dhe kalkulimet
fatzeza partiake, në dëm të interesave të vendit. Në sytë e shumë ekspertëve të
brendshëm dhe të jashtëm, Zonja Osmani ka mishëruar parimin e shtetit mbi
partinë, duke e kthyer Presidencën -- ashtu si në kohën e Presidentit Ibrahima
Rugova -- në një institucion përfaqsues të unitetit, e jo të pazareve politike
partiake.
Natyrisht se vazhdimësia ka rëndësi për
stabilitetin e mbrendshëm, por sidomos në ruajtjen e një kursi insstitucional
që i ka dhënë Republikës së Kosovës
besueshmëri ndërkombëtare si asnjpherë mëparë, veçanërsiht në marrëdhëniet
e Kosovës me vendet kryesore mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe
Bashkimit Evropian. Në një shkrim për anglisht folësit -- President Vjosa Osmani and the Strategic
Value of Continuity in U.S.–Kosovo and EU–Kosovo Relations--
para dy ditësh, sugjerova me modesti, se rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani
do t'i shërbente jo vetëm zhvillimit demokratik dhe forcimit të unitetit të
shtetit të Kosovës, por edhe reputacionit të Republikës së Kosovës në nivel
ndërkombëtar dhe se, njëkohsisht, një vendim i tillë do pritej mirë edhe nga
vendet mik, në përputhje edhe me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara
dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Prandaj me plot gojë e them se
Presidentja Vjosa Osmani duhet të rizgjidhet në detyrën e saj sepse gjatë
mandatit të saj, në sytë e popullit të Kosovës dhe të botës, ajo i ka dhënë
Kosovës diçka të rrallë -- besueshmërinë, dinjitetin shtetëror dhe qartësinë
politike -- si asnjëherë më parë, qoftë në zhvillimet e mbrendshme politike,
por sidomos në arenën ndërkombëtare.
Prandaj unë besoj se për të çuar
përpara arritjet e deritanishme të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, më shumë
se kurrë më parë, sot Kosova ka nevojë për Presidenten Vjosa Osmani, në krye të
shtetit të Republikës së Kosovës. Se është
e qartë, se në një kohë sfidash të brendshme dhe presionesh të jashtme, vendi
ka nevojë për stabilitet, vazhdimësi institucionale, përkushtim ndaj
Kushtetutës dhe mbi të gjitha, përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Presidentja Osmani është e ndërgjegjëshme, se siç është shprehur dikur
Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, “Shtëpia nuk mbahet pa miq.”
Gjatë mandatit të saj, Presidentja
Osmani ka dëshmuar se udhëheqja duhet të jetë parimore, në mmbrojtje të
interesave të vendit e përgjegjshme dhe larg interesave të ngushta personale
dhe partiake. Sipas disa vërejtësve të brendshëm dhe të jashtëm, në mandatin e
saj, Vjosa Osmani, jo vetëm që ka mbrojtur shtetin e së drejtës, por ajo ka
forcuar edhe kredibilitetin e Kosovës tek aleatët strategjikë dhe se brenda
vendit ka përfaqësuar zërin e qytetarëve me seriozitet dhe integritet personal
dhe zyrtar. S’do mend se një rajon të trazuar dhe në një botë gjithnjë e më të
paqëndrueshme, vazhdimësia e këtij vizioni është jetik për të ardhmen
demokratike dhe euroatlantike të shtetit të ri, Republikës së Kosovës. Kosova
ka nevojë për një udhëheqëse në krye të shtetit, si një faktor bashkues që i
shërben interesit publik dhe interesave të vendit në nivel kombëtar dhe jo
kalkulimeve politike partiake të radhës. Edhe njëherë, në një kohë pra kur
institucionet shpeshherë vihen në provë, Kosova ka nevojë për një Presidente që
garanton vazhdimësi, seriozitet dhe besueshmëri shtetërore, larg interesave të
ngushta partiake.
Përtej kësaj, dihet mirë roli i
diasporës shqiptare në periudhat më të vështira por vendimtare për Kosovën dhe
popullin e saj. Diaspora shqiptare e njeh mirë rëndësinë e stabilitetit politik
dhe të përfaqësimit të denjë ndërkombëtar të Kosovës. Gjatë mandatit të saj,
Presidentja Osmani ka forcuar lidhjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe
Bashkimin Evropian, duke e paraqitur shtetin e Kosovës si një partner serioz
dhe demokratik. Mund të them me bindje
të plotë se ç’prej kohës së Presidentit historik, Dr Ibrahim Rugovës, si asnjë
udhëheqës tjetër i Kombit shqiptar nuk ka gëzuar respekt dhe adhurim në radhët
e diasporës shqiptare pa dallim, e që të ketë forcuar lidhjet e Kosovës me
bashkatdhetarët në mërgim, sa Dr Vjosa Osmani. E nepërmjet diasporës të ketë
shtuar lidhjet me faktorë të rëndësishëm politikë të qeverisë federale,
shtetërore dhe vendase, sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Diaspora, si gjithmonë, ka rol kyç në mbështetjen e institucioneve që
garantojnë stabilitet, demokraci dhe dinjitet kombëtar në nivel ndëkombëtar,
para botës perëndimore.
Zgjedhja, mendoj unë, është e qartë për
Kosovën dhe për përfaqsuesit e saj politikë. Sot nuk është koha që Kosova --
një shtet ende në konsolidim e sipër -- të vendosë të bëjë ndryshimin, vetëm
për hir të ndryshimit. Mendoj se një vendim i tillë do të ishte është një luks
i rrezikshëm me pasoja të paparishkueshme për të ardhmen e afërtë të Republikës
së Kosovës. Kosova nuk besoj se mund ta përballojë në këtë kohë. Prandaj,
vazhdimësia në detyrë e Presidentes Vjosa Osmani mbetet e vetmja zgjedhje e
pranueshme, sot për sot, për të siguruar garanci, besueshmëri dhe orientim
perëndimor për Republikën e Kosovës në vitet në vijim.
*Sa për transparencë
për lexuesin, opinioni i shprehur në këtë shkrim modest është i autorit dhe nuk
pasqyron, domosdoshmërisht, qëndrimet e ndonjë personi tjetër, institucionesh
amerikane as të Kosovës

President Vjosa Osmani:
Sepse Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e vetmja rrugë për
Kosovën – 22 Janar, 2026 – Davos

Presidentja e Republikës së Kosovës,
Vjosa Osmani në Bruksel: Takimet intensive gjatë tubimit, “EU-Western Balkans Summit in Brussels”, 18
Dhjetor, 2025, prodhuan rezultate konkrete për vendin tonë.

Presidentja Vjosa Osmani: “Një ditë e
paharruar në Akademinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point, Nju
Jork, ku breza të tërë udhëheqsish ushtarakë amerikanë dhe nga Kosova janë
formuar në frymën e shërbimit, integritetit dhe sakrificës

Thank you for honoring the Republic of Kosovo!
