| E premte, 30.01.2026, 06:54 PM |
Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë – Ura e kujtesës, kulturës dhe identitetit kombëtar në Sarajevë
Nga Rejhane Rexhepi
Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, nën
udhëheqjen e kryetares së saj, znj. Elvira Dushi, po vazhdon me përkushtim,
vizion dhe përgjegjësi institucionale misionin e nisur ndër vite nga ambasadori
i palodhur i çështjes shqiptare, Muharrem Zejnullahu. Përmes një sërë
aktivitetesh kulturore, përkujtimore dhe kombëtare, kjo Bashkësi ka arritur të
ruajë gjallë identitetin shqiptar në Sarajevë, duke ndërtuar ura miqësie dhe
bashkëpunimi me institucionet dhe shoqërinë e Bosnje dhe Hercegovinës.
Në këtë frymë, Bashkësia Shqiptare në BeH ka njoftuar se më
15 shkurt, në Sarajevë, do të organizohet shënimi solemn i përvjetorit të
shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një ngjarje me rëndësi të
veçantë jo vetëm për komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe
për miqtë e Kosovës dhe vlerave të saj shtetërore.
Manifestimi do të hapet me inaugurimin solemn të ekspozitës
fotografike të anëtarit të ri të Bashkësisë Shqiptare, Din Hreliqi, e cila
pritet të sjellë një dimension artistik, reflektues dhe identitar mbi kujtesën
kolektive, përkatësinë kulturore dhe lidhjen shpirtërore me atdheun. Ekspozita
synon të komunikojë përmes artit vizual histori, emocione dhe simbole që
bashkojnë shqiptarët përtej kufijve shtetërorë.
Programi do të vazhdojë me një koncert të veçantë të një
kvarteti me violina, i cili do të interpretojë vepra të zgjedhura të
kompozitorëve shqiptarë. Ky segment artistik, me një kohëzgjatje prej rreth 35
minutash, do t’i japë mbrëmjes një frymë të lartë estetike dhe emocionale, duke
e shndërruar manifestimin në një përjetim kulturor dinjitoz dhe të
paharrueshëm.
Gjatë kësaj ngjarjeje do të realizohet edhe ndarja e
mirënjohjeve për individë që kanë dhënë kontribut të veçantë në veprimtarinë,
konsolidimin dhe zhvillimin e Bashkësisë Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë,
si shenjë respekti institucional dhe falënderimi publik për angazhimin e tyre
të vazhdueshëm.
Në manifestim janë të ftuar përfaqësues të qeverisë lokale,
ambasadorë, profesorë universitarë, intelektualë, personalitete të jetës
publike, anëtarë të Bashkësisë Shqiptare, si dhe miq e dashamirë të komunitetit
shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë. Prezencën e tij e ka konfirmuar Ambasadori
i Republikës së Kosovës në Zagreb, ndërkohë që po shqyrtohet edhe mundësia që
ngjarjes t’i drejtohet me një mesazh përshëndetës Kryeministri i Republikës së
Kosovës, në dy gjuhë, ashtu siç ka ndodhur edhe në shënimin e 15-vjetorit të
Pavarësisë.
Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë ka bërë të
ditur se për këtë aktivitet do të njoftohen mediat lokale dhe rajonale, me
qëllim që mesazhi i unitetit, kulturës, kujtesës historike dhe bashkëjetesës të
përcillet tek një audiencë sa më e gjerë.
Ndërkohë, një tjetër aktivitet me peshë të madhe historike
dhe emocionale është planifikuar të mbahet më 16 prill, kur pritet organizimi i
një tubimi të madh me shqiptarët që morën pjesë në Luftën e Bosnjës. Ky tubim
synon jo vetëm nderimin e të rënëve, por edhe bashkimin e dëshmitarëve të
gjallë të asaj periudhe, duke krijuar hapësirë për rrëfim, reflektim dhe
dokumentim historik, në mënyrë që sakrifica e shqiptarëve në Bosnje të mos
mbetet në heshtje apo të mbulohet nga harresa.
Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë
morale, kujtesës kolektive dhe respektit për jetët e humbura, duke dëshmuar se
ruajtja e historisë nuk është vetëm një e drejtë, por një detyrim njerëzor,
moral dhe kombëtar.