| E marte, 27.01.2026, 06:57 PM |
PARADOKSI DHE AMNEZIA POLITIKE E RAMËS - KUR DHUNA DËNOHET VETËM NGA KARRIGIA E PUSHTETIT
Nga
Ilir Çumani
Deklaratat
e sotme të Kryeministrit Edi Rama, që etiketojnë protestat popullore dhe ato të
opozitës si “të dhunshme” për shkak të përdorimit të bombave molotov, nuk janë
thjesht një reagim politik i radhës.
Ato
përfaqësojnë një paradoks të thellë moral dhe historik, një kontradiktë
flagrante mes asaj që Rama dënon sot dhe asaj që ai vetë ka inspiruar,
frymëzuar dhe organizuar dhunshëm dhe me gjuhën e urrejtjes kundër
institucioneve dhe rendit kushtetues kur ishte në opozitë.
Në
një shtet demokratik, protesta është e drejtë kushtetuese. Por po aq
kushtetuese është edhe përgjegjësia për fjalën publike, sidomos kur ajo vjen
nga maja e pushtetit. Nuk mund të ketë dy standarde për të njëjtin akt, vetëm
sepse pozicioni politik ka ndryshuar.
Për
ata që sot nxitojnë të dënojnë dhunën nga kolltuku i pushtetit, kujtesa
historike është e pashmangshme.
21
Janari 2011 nuk ishte një protestë simbolike apo paqësore. Ishte një nga
protestat më të dhunshme kundër institucioneve të shtetit shqiptar: sulme ndaj
Kryeministrisë, përplasje fizike me policinë, djegie automjetesh të Policisë së
Shtetit, tentativa për të hyrë me forcë në institucionin kryesor të
ekzekutivit.
Protesta
doli jashtë çdo kontrolli dhe përfundoi në tragjedi: katër qytetarë të
pafajshëm u vranë.
Ata
nuk ishin politikanë, nuk ishin dhunues, por qytetarë që iu përgjigjën me
sinqeritet thirrjes së opozitës së asaj kohe, të udhëhequr nga Edi Rama.
Një
opozitë që përdori gjuhën më ekstreme, tensionin më ekstrem dhe mobilizimin
emocional, pa asnjë filtër përgjegjësie për pasojat.
Sot,
i njëjti person që atëherë fliste për “revolta”, “përmbysje” dhe “drejtësi
popullore”, i quan protestuesit e tjerë “të dhunshëm” dhe i stigmatizon
publikisht, duke kërkuar delegjitimimin e çdo reagimi qytetar kundër pushtetit
të tij autokrat, kleptokrat dhe plaçkitës…
Problemi
nuk është vetëm hipokrizia personale. Problemi është institucionalizimi i
standardit të dyfishtë: dhuna është e pranueshme kur shërben për të ardhur në
pushtet, por e dënueshme kur drejtohet kundër pushtetit tënd.
Molotovi
bëhet “akt kriminal” vetëm kur bie mbi qeverinë tënde; kurse dje, djegia e
makinave të policisë dhe sulmi ndaj institucioneve quheshin “zemërim popullor”.
Kjo
logjikë e deformon thelbin e demokracisë dhe e kthen pushtetin në arbitër moral
sipas interesit të momentit.
Nëse
historia rishkruhet sipas nevojës politike, atëherë e vërteta humbet dhe bashkë
me të edhe besimi publik.
Katër
viktimat e 21 Janarit mbeten plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Ato janë
kujtesë e çmimit që paguhet kur politika luan me turmat dhe tensionin.
Dhe
pikërisht këtu qëndron paradoksi më i rëndë: asokohe, ata qytetarë u trajtuan
si mish për top, si instrument presioni politik. Sot, ata përmenden rrallë,
ndërsa dhuna dënohet vetëm selektivisht.
Një
lider që ka kaluar përmes asaj historie dhe ka një gjurmë domethënëse në atë
krim, nuk e ka luksin moral të flasë me gishtin ngritur, pa bërë më parë një
reflektim të sinqertë publik, pa kërkuar ndjesë dhe pa pranuar përgjegjësinë
politike për atë që ndodhi.
Për
socialistët që sot e quajnë protestën “të dhunshme”, pamjet e 21 Janarit 2011
nuk janë propagandë, por fakt historik.
Para
se të reagoni me arrogancë nga pushteti, ktheni kokën pas dhe shikoni rrugën që
keni ndjekur për të ardhur këtu.
Sepse
një demokraci nuk matet me fjalët që thuhen nga pushteti, por me koherencën
morale të atyre që e ushtrojnë atë.
Dhe
pa kujtesë, pa reflektim dhe pa standarde të barabarta, pushteti nuk është më
autoritet – është thjesht forcë.
Tiranë, e hënë - 26
janar, 2026
