| E marte, 27.01.2026, 06:59 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
VEPRIMTARIA E MUSLI
DUMOSHIT DHE AZEM BELLAQEVCIT
(58)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Musli
Dumoshi lindi në vitin 1904, në fshatin Dumosh të Podujevës, në një familje me
rrënjë të thella atdhetarie, ku ndjenja e detyrës ndaj atdheut ishte trashëguar
brez pas brezi. Babai i tij, Sadri Dumoshi, ashtu si edhe të parët e tij,
kishte marrë pjesë në përpjekjet e pareshtura për mbrojtjen e kufijve etnikë
shqiptarë, duke e konsideruar këtë jo thjesht një detyrim moral, por një mision
të shenjtë. Historia familjare e Dumoshëve ishte e lidhur ngushtë me zhvillimet
tragjike e dramatike që kishin prekur popullin shqiptar në shekullin XIX,
sidomos në periudhën e trazuar të viteve 1877–1878.
Në
këtë kohë, kishte ndodhur një nga episodet më të dhimbshme të historisë
kombëtare- dëbimi me dhunë i mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre të lashta në
viset që iu aneksuan Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Ky
spastrimi etnik, i shoqëruar me dhunë, shkatërrime dhe humbje të mëdha
njerëzore, nuk ishte një akt i izoluar, por pjesë e një skenari më të gjerë
politik e ushtarak që synonte ndryshimin e përbërjes etnike të këtyre
territoreve. Ngjarjet e vitit 1878 u zhvilluan në sfondin e Luftës Ruso-Osmane
të viteve 1877–1878, e cila, pasi përfundoi me disfatën e Perandorisë Osmane,
krijoi një realitet të ri politik në Ballkan.
Ky realitet i ri solli jo vetëm copëtimin e territoreve shqiptare, por edhe thellimin e tragjedisë së popullit, duke gjeneruar një valë të gjatë dhimbjeje e rezistence. Në këtë mjedis historik e familjar, u formësua edhe ndërgjegjja atdhetare e Musli Dumoshit, i cili, që nga fëmijëria, u rrit me rrëfime për luftërat, sakrificat dhe qëndresën e paraardhësve të tij kundër pushtimeve dhe padrejtësive historike. Ai do ta trashëgonte këtë frymë rezistence si një pjesë të pandarë të identitetit të vet personal dhe kombëtar.
Si
pasojë e zhvillimeve të viteve 1877–1878 dhe veçanërisht të vendimeve të marra
në Kongresin e Berlinit, Perandoria Osmane u detyrua të heqë dorë nga territore
të gjera, duke humbur hapësira me rëndësi strategjike dhe historike për
popullsinë shqiptare. Ishte pikërisht në këtë periudhë të trazuar kur familja e
Musli Dumoshit, e cila deri atëherë jetonte në Podvoricë të Toplicës, u detyrua
të braktiste trojet e veta të lashta dhe të vendosej në fshatin Dumosh të
Podujevës.
Kjo
shpërngulje nuk ishte një proces i natyrshëm migrimi, por një dëbim i
planifikuar dhe i dhunshëm, me një synim të qartë politik, largimin masiv të
popullsisë shqiptare nga këto rajone për të realizuar pastrimin etnik dhe
ndryshimin e përbërjes demografike në favor të pushtuesit. Familje të tëra, të
rrënjosura prej shekujsh në ato troje, u detyruan të lënë pas shtëpitë, tokat
dhe kujtesën e brezave, duke marrë me vete vetëm atë që mund të bartnin, dhe
shpeshherë duke ecur në kushte të rënda e të rrezikshme drejt vendeve më të
sigurta.
Popullsia
shqiptare e dëbuar nga Toplica, e cila gjeti strehë në Kosovë dhe në vise të
tjera shqiptare, u bë e njohur me termin Muhaxhirë. Ky emërtim, që fillimisht
përdorej për të përshkruar refugjatët myslimanë të dëbuar nga territoret e
humbura të Perandorisë Osmane, mori një kuptim të veçantë në historinë
shqiptare, pasi lidhej ngushtë me dramën kolektive të dhunës, humbjes së
trojeve, por edhe me forcën për t’u rimëkëmbur e për të ruajtur identitetin
kombëtar në vendin e ri ku u vendosën.
Në
këtë sfond të dhimbshëm historik, formohet edhe kujtesa familjare e Musli
Dumoshit, e cila bartte jo vetëm plagët e shpërnguljes, por edhe krenarinë e
një qëndrese të trashëguar brez pas brezi. Ngjarjet e kësaj periudhe, të cilat
në fillim u shfaqën si procese të dhunshme shpërnguljeje dhe ndryshimesh të
detyruara demografike, më vonë u kuptua se kishin hedhur themelet e një
konflikti të gjatë e të thellë serbo-shqiptar. Ky konflikt nuk ishte i
rastësishëm, por i ushqyer nga një strategji e mirëmenduar politike e pushtetit
të kohës, e cila kishte për objektiv të qartë spastrimin etnik të territoreve
shqiptare dhe zëvendësimin e tyre me popullsi sllave, kryesisht serbe.
Në
thelb, bëhej fjalë për një projekt të gjatë e të vazhdueshëm, ku mjetet e
përdorura për arritjen e këtij qëllimi nuk kufizoheshin vetëm te dhuna e
drejtpërdrejtë, por përfshinin edhe masa të tjera sistematike: konfiskimin e
pronave, shpërbërjen e strukturave shoqërore e ekonomike shqiptare, ndalimin e
gjuhës dhe kulturës, si dhe nxitjen e vendosjes së kolonëve serbë në viset e
pastruara.
Këto
politika e tensionuan në mënyrë të qëndrueshme marrëdhënien ndërmjet dy
popujve, duke krijuar një klimë mosbesimi, armiqësie dhe dhimbjeje kolektive që
do të vazhdonte të shoqëronte zhvillimet historike në dekadat pasuese. Në këtë
mënyrë, ngjarjet e asaj kohe nuk ishin thjesht episode të izoluar, por pika
kthese në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, me pasoja të thella dhe
afatgjata për fatin e shqiptarëve në ato troje.
Sadri
Dumoshi, duke e njohur mirë prirjen e lindur të të birit për dije dhe formim
intelektual, mori vendimin që t’i mundësonte shkollim, pavarësisht vështirësive
të kohës. Në atë periudhë, sistemi arsimor në Kosovë ishte i varfër në
infrastrukturë dhe mundësi, ndërsa institucionet ekzistuese ishin kryesisht në
gjuhën serbe, gjë që përbënte një pengesë të madhe për popullsinë shqiptare.
Megjithatë,
i bindur se arsimimi ishte çelësi për të ardhmen, Sadriu e nisi Musliun në
mejtepin e Sibovcit, ku ligjëronte Mulla Hajdar Kutleshi, një figurë e njohur
për përkushtimin e tij ndaj arsimit fetar dhe gjuhës amtare. Aty, Musliu
përvetësoi mësimet fillestare, duke u formuar jo vetëm në aspektin shkollor, por
edhe në atë moral e kulturor, sipas traditave shqiptare.
Pasi
e përfundoi me sukses ciklin e mejtepit brenda afatit të parashikuar, ai u
drejtua për të vazhduar shkollimin në arsimin fillor shtetëror, i cili
zhvillohej në gjuhën serbe dhe zgjaste katër vite. Ky kalim shënoi një
përballje të hershme të Musliut me realitetin politik e kulturor të kohës,
nevojën për të marrë dije edhe në gjuhën e pushtetit, pa e humbur vetëdijen për
identitetin dhe rrënjët e tij kombëtare.
Në
këtë mënyrë, rruga e tij arsimore, e udhëhequr nga largpamësia e të atit, u bë
shembull i një brezi që, mes mungesave dhe imponimeve, kërkoi të pajtonte
nevojën për dije me ruajtjen e identitetit kombëtar. Musli Dumoshi e mbaroi
këtë shkollë brenda një afati rekord, duke u dalluar për përkushtimin dhe
disiplinën e tij. Në bankat e saj, shoqëria e tij ishte e kufizuar në vetëm dy
bashkëmoshatarë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër e nxënësve ishin serbë, çka i
jepte një ngjyrim të veçantë mjedisit arsimor dhe sfidave të përditshme. Me
përfundimin e kësaj periudhe shkollimi, Musliu kishte hyrë tashmë në një etapë
tjetër të zhvillimit personal – trupi i tij ishte formësuar dhe ai kishte marrë
pamjen e një burri të rritur, duke lënë pas tiparet e fëmijërisë.
Në
atë kohë, ashtu si edhe në dekadat që pasuan, ndjenja e shqiptarëve ndaj
ushtrisë së huaj ishte thellësisht armiqësore. Ushtria nuk shihej si
institucion i mbrojtjes, por si mjet i pushtetit të huaj për të forcuar
sundimin dhe për të imponuar një rend politik e shoqëror që nuk u përkiste. Kjo
armiqësi ishte e rrënjosur jo vetëm në përvojat historike, por edhe në
ndërgjegjen kolektive, duke u shndërruar në një qëndrim të qëndrueshëm që
kalonte brez pas brezi. Për pasojë, shumë të rinj shqiptarë, përfshirë edhe ata
që sapo kishin përfunduar shkollimin, bënin përpjekje të mëdha për të shmangur
shërbimin ushtarak, shpesh duke kërkuar rrugë ligjore, mjekësore apo edhe të
fshehta për t’i shpëtuar këtij detyrimi të padëshiruar.
Në
këtë mënyrë, rruga e Musliut pas përfundimit të shkollës nuk ishte thjesht një
çështje zgjedhjeje individuale, por një pjesë e një realiteti më të gjerë
shoqëror dhe politik, ku identiteti kombëtar dhe qëndrimi ndaj pushtetit të
huaj ishin të lidhur ngushtë me vendimet dhe fatet personale.
Një
rrjedhë e ngjashme e fatit e ndoqi edhe djaloshin nga Dumoshi, për të cilin
shërbimi ushtarak ishte një horizont i errët e i padëshiruar. Për ta shmangur
këtë detyrim, babai i tij mori një vendim të prerë, ta largonte nga Kosova dhe
ta dërgonte për shkollim në Stamboll. Ky hap nuk ishte vetëm një strategji për
të shpëtuar të birin nga ushtria e huaj, por edhe një investim në të ardhmen e
tij intelektuale dhe morale.
Në
metropolin osman, Musliu gjeti një mbështetje të çmuar nga vëllezërit e
njerkës, të cilët u bënë ura e tij e parë e lidhjes me jetën dhe kulturën e re.
Falë ndihmës së tyre, ai u përshtat shpejt me realitetin e Stambollit – një
qytet që në atë kohë nuk ishte thjesht një qendër e madhe urbane, por një
hapësirë ku ndërthureshin traditat, religjionet dhe gjuhët, duke krijuar një
atmosferë të pasur kulturore.
Musliu
u regjistrua në shkollën e mesme fetare – Medresen – e cila në atë kohë kishte
jo vetëm një mision arsimor, por edhe një dimension të thellë formues në
aspektin moral, shpirtëror dhe intelektual. Ai e përfundoi këtë institucion me
rezultate shumë të mira, duke dëshmuar talent dhe zell të veçantë për dije.
Gjatë kësaj periudhe, ai jo vetëm që u njoh me literaturën dhe disiplinat
tradicionale të arsimit islam, por edhe përvetësoi plotësisht gjuhën turke,
duke e folur dhe shkruar me rrjedhshmëri të plotë.
Kështu,
qëndrimi i tij në Stamboll nuk ishte thjesht një mërgim i përkohshëm për t’iu
shmangur një detyrimi të imponuar, por një kapitull i rëndësishëm i formimit të
tij personal dhe profesional – një periudhë ku horizontet e tij u zgjeruan,
identiteti i tij intelektual u forcua dhe lidhjet e tij me botën jashtë Kosovës
u bënë më të qëndrueshme.
Musliu
qëndroi në Stamboll për një periudhë trevjeçare, gjatë së cilës jo vetëm
përfundoi me sukses shkollimin, por edhe përjetoi një proces të plotë pjekurie
intelektuale e kulturore. Pas përfundimit të studimeve, ai vendosi të kthehej
në vendlindje për pushime, i mbushur me mall për familjen dhe për trojet e tij.
Kthimi i tij u shoqërua me një pritje të ngrohtë e plot emocion nga familjarët,
të cilët e përqafuan me gëzim të sinqertë, duke e parë jo vetëm si birin e tyre
të dashur, por edhe si një të ri të formuar e të ditur, që kthehej nga një
qendër e madhe kulturore e arsimore.
Mirëpo,
ky gëzim i papërmbajtur nuk zgjati shumë. Në një atmosferë të rënduar nga
sundimi i pushtetit të huaj, ku çdo lëvizje e shqiptarëve ndiqej me sy dyshues,
ndodhi tradhtia, dikush e denoncoi pranë autoriteteve okupatore. Pas një kohe
të shkurtër, pushtetarët erdhën në shtëpinë e tij, duke e arrestuar dhe
detyruar me dhunë të kryente shërbimin ushtarak – pikërisht atë fat që babai i
tij kishte bërë çmos për ta shmangur.
Shërbimi
ushtarak iu caktua në qytetin e Suboticës, larg vendlindjes së tij, në një
ambient të huaj për gjuhën, kulturën dhe zakonet e tij. Kjo përvojë, që zgjati
dy vite të plota, ishte jo vetëm një periudhë e vështirë fizike, por edhe një
përballje e vazhdueshme me realitetin e imponimit dhe disiplinës së rreptë
ushtarake të një shteti që ai nuk e ndiente si të vetin. Kështu, ëndrra e një
pushimi të qetë në gjirin e familjes u shndërrua në një kapitull të dhunshëm të
jetës së tij, ku forca e pushtetit të huaj i ndryshoi drejtimin e rrjedhës së
fatit.
Musli
Dumoshi, në të gjitha etapat e jetës së tij, udhëhiqej nga një parim i
thjeshtë, por i thellë në kuptim: “Çfarëdo pune që merr përsipër, kryeje mirë.”
Ky ishte një orientim etik dhe moral që nuk e braktisi kurrë, as në rrethana të
pafavorshme e të imponuara. Edhe pse shërbente në një ushtri që nuk ishte e
tij, të cilën nuk e ndiente si përfaqësuese të kombit e të idealeve të tij, ai
i qasej çdo detyre me përkushtim të plotë, duke e kryer me kujdes e përgjegjësi
të lartë çdo obligim ushtarak.
Gjatë
kësaj periudhe shërbimi, ai u dallua për perfeksionimin e vazhdueshëm dhe për
kujdesin e jashtëzakonshëm në detyrat e tij, duke fituar respektin e eprorëve
dhe të shokëve të tij të armëve. Pikërisht ky angazhim e solli në pozitën e
dhjetarit, një gradë që i jepej atyre që shquheshin jo vetëm për disiplinë, por
edhe për aftësi organizative e udhëheqës.
Kohën
e lirë brenda ushtrisë, Musliu nuk e shpenzonte në kotësi. Përkundrazi, ai e
shfrytëzonte për të thelluar njohuritë në fusha të ndryshme të artit ushtarak,
duke marrë pjesë në kurse të shumta dhe duke u specializuar në disiplina të
ndryshme. Kjo nuk buronte thjesht nga dëshira për të qenë i mirë në detyrat e
momentit, por nga një vizion i qartë që e shoqëronte, bindja se një ditë
populli shqiptar do ta kishte ushtrinë e vet kombëtare dhe se, në atë kohë, do
të nevojiteshin kuadro të përgatitura profesionalisht për ta drejtuar e
zhvilluar atë.
Në
këtë mënyrë, shërbimi i tij ushtarak, ndonëse i kryer nën flamurin e një shteti
të huaj, u shndërrua në një periudhë përgatitjeje të heshtur për të ardhmen –
një investim personal në dije, aftësi dhe disiplinë, të cilat ai i shihte si
themelin e forcës dhe dinjitetit të ushtrisë që ëndërronte për kombin e vet.
Pas
përfundimit të dy viteve të shërbimit ushtarak, Musli Dumoshi u kthye në
vendlindje, i liruar nga detyrimi i armëve dhe me dëshirën për t’iu rikthyer
jetës civile. Megjithatë, kjo periudhë qetësie nuk zgjati shumë. Pak kohë pas
kthimit, atij iu bë një thirrje zyrtare nga komuna që të paraqitej aty.
Nëpunësit serbë, të cilët e kishin shqyrtuar me kujdes të veçantë biografinë
dhe raportet e shërbimit të tij, kishin vërejtur disiplinën, aftësitë dhe
rezultatet e spikatura që ai kishte treguar gjatë ushtrisë.
Duke
u mbështetur në këto të dhëna, autoritetet vendosën ta angazhonin përsëri, këtë
herë jo në kuadër të ushtrisë, por në një strukturë të lidhur me mbrojtjen dhe
sigurinë publike. Propozimi që i bënë ishte i qartë, ta merrte detyrën e
komandirit të policisë në qytetin e Shtipit, një qendër në Maqedoni, pranë
kufirit me Bullgarinë. Kjo ofertë, megjithëse tregonte njëfarë vlerësimi për
aftësitë e tij, ishte e ngarkuar edhe me një dimension tjetër – atë të
shërbimit në një strukturë të pushtetit që nuk përfaqësonte interesat kombëtare
shqiptare.
Musliu
nuk e pranoi menjëherë. Me një maturi karakteristike, vendosi të mos nxitonte
dhe të këshillohej me babain e tij, Sadriun, i cili kishte qenë gjithmonë
udhërrëfyesi i tij moral e jetësor. Biseda mes tyre ishte vendimtare. Babai,
duke peshuar rrethanat politike dhe mundësitë personale, e miratoi idenë e
shkuarjes në Shtip, ndoshta duke parë në këtë hap një mundësi që i biri të
siguronte një pozitë të qëndrueshme dhe të ruante integritetin e tij përmes
përmbushjes së detyrave me nder e profesionalizëm.
Kështu,
Musliu, i pajisur me përvojën ushtarake dhe me këshillën e babait, u përgatit
për një kapitull të ri në jetën e tij – një kapitull ku aftësitë e tij do të
viheshin në shërbim të rendit dhe sigurisë, por në një kontekst që kërkonte
kujdes të vazhdueshëm në balancimin mes detyrës dhe bindjes së tij të brendshme
kombëtare.
Musliu,
me një rini që nuk e kishte shijuar plotësisht dhe me një liri të cunguar nga
rrethanat politike, u nis drejt Shtipit për të marrë detyrën e re. Aty qëndroi
deri në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, duke jetuar e punuar në
një realitet të huaj, larg vendlindjes.
Me
shpërthimin e luftës dhe ndryshimin e rrethanave politike, situata në Kosovë –
veçanërisht në trevën e Llapit – mori një kthesë të rëndësishme. Vendosja e
pushtetit shqiptaro-gjerman krijoi një fazë të re historike, e cila, për
shqiptarët, solli një periudhë më të favorshme krahasuar me vitet e mëparshme
të sundimit të huaj. Në këtë klimë të re politike, Musliu, i ndikuar edhe nga qarqet
përparimtare të kohës, vendosi të paraqitej pranë komunës për të ofruar
shërbimet e tij. Ai u tregoi autoriteteve për arsimin dhe përvojën që kishte
fituar në ushtri dhe në detyrën e mëparshme.
Pas
shqyrtimit të këtyre informacioneve, autoritetet e emëruan komandant policie në
fshatin Dumnicë, e më pas në Herticë. Në të dyja këto pozita, Musliu u përpoq
të ushtronte funksionin me disiplinë dhe kujdes, duke u bërë pjesë e
strukturave të rendit në një kohë të ndjeshme për fatin e popullit shqiptar. Më
vonë, ai do të shërbente edhe si komandant policie në Podujevë, duke e shtrirë
veprimtarinë e tij në qendrat kryesore të Llapit.
Ky
angazhim nuk ishte vetëm një detyrë administrative, por edhe një sfidë për të
ruajtur ekuilibrin mes detyrimeve që i impononte pozita dhe aspiratave të tij
për të vepruar në të mirë të komunitetit shqiptar në një periudhë vendimtare të
historisë. Musli Dumoshi, tashmë me gradën e nëntogerit, ishte afirmuar si një
ushtarak i zoti, i cili spikaste për disiplinë, profesionalizëm dhe aftësi
organizative. Reputacioni i tij ishte përhapur shpejt, duke e bërë emrin e tij
të njohur jo vetëm në rrethin e tij të ngushtë, por edhe ndër qarqet udhëheqëse
të kohës.
Një
ditë, në zyrën e tij trokiti vetë Xhafer Deva – një figurë me ndikim të madh në
zhvillimet politike e ushtarake të asaj periudhe – dhe i dha një urdhër të
prerë, të grumbullonte rreth katërqind ushtarë vullnetarë dhe të nisej për në
Shqipëri, me misionin për të luftuar kundër komunizmit shqiptaro-serb. Ky
mision nuk ishte thjesht një detyrë ushtarake, por një akt me ngarkesë të
thellë ideologjike dhe politike, që lidhej drejtpërdrejt me fatin e kombit në
një periudhë të trazuar.
Për
ta përballuar këtë sfidë, Musliu zgjodhi pranë vetes dy prej bashkëluftëtarëve
më besnikë dhe të provuar: Hasan Seferin nga Llapashtica dhe Kajtaz Zherovën.
Me ta ndau jo vetëm barrën e përgjegjësisë, por edhe besimin se kauza për të
cilën po niseshin ishte e drejtë dhe e domosdoshme.
Pas
një kohe jo të gjatë, Dumoshi u kthye në Podujevë, tashmë me një tjetër
kapitull të suksesshëm në karrierën e tij ushtarake. Sukseset e treguara në
mision bënë që Xhafer Deva, duke vlerësuar aftësinë dhe përkushtimin e tij, ta
nderonte me një gradim të veçantë- urdhrin e Klasit të Parë. Ky vlerësim nuk
ishte vetëm një titull formal, por një njohje e qartë e rolit të tij si një
ushtarak i përgatitur, i cili dinte të udhëhiqte, të organizonte dhe të arrinte
rezultate konkrete në misione me rrezik të lartë.
Musli
Dumoshi, pavarësisht se mbante pozita të ndryshme me përgjegjësi të larta dhe
detyra që kërkonin angazhim të vazhdueshëm, nuk e humbi kurrë lidhjen me
rrethin e tij ideor dhe atdhetar. Ai dinte të menaxhonte kohën në mënyrë që,
krahas detyrave zyrtare, të ruante dhe të forconte kontaktet me figura të
shquara të rezistencës shqiptare të kohës.
Në
rrethin e tij shoqëror e politik bënin pjesë emra që kishin fituar respekt për
trimërinë, vendosmërinë dhe idealin kombëtar, si Gjon Serreqi – simbol i
qëndresës dhe organizimit patriotik, Ajet Gurguri – i njohur për veprimet e tij
të guximshme, Bahtir Dumnica – veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, Mulla
Ramë Govori – figurë fetare dhe atdhetare me ndikim, Ahmet Selaci – i përfshirë
në veprimtari politike e ushtarake, dhe Azem Bellaqevci – një tjetër
kontribuues i rëndësishëm në përpjekjet ilegale.
Përveç
tyre, Musliu mbante lidhje edhe me shumë veprimtarë të tjerë të organizatave të
ndryshme ilegale patriotike shqiptare, duke krijuar një rrjet të gjerë
bashkëpunimi dhe koordinimi. Këto kontakte nuk ishin thjesht miqësore, ato
përbënin një strukturë të heshtur komunikimi dhe solidariteti, ku shkëmbeheshin
informata, strategji dhe mbështetje morale e materiale.
Kështu,
Musliu jo vetëm që përmbushte me korrektësi detyrat që i impononte pozita
zyrtare, por në të njëjtën kohë ishte i pranishëm në rrymat e nëndheshme të
rezistencës kombëtare, duke dëshmuar se besnikëria ndaj idealit shqiptar nuk
shuhet as nga rrethanat më të vështira politike.
Me
përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Kosova, e rrënuar nga pasojat e
pushtetit të administrimit ushtarak dhe nga traumat e viteve të luftës, hyri në
një etapë të re politike, e cila do të merrte formë në Kuvendin e Prizrenit,
mbajtur më 8–10 korrik 1945. Ky kuvend, i zhvilluar në qytetin me simbolikë të
veçantë historike, nuk ishte as i pari dhe as i fundit forum i këtij lloji që
do të sillte vendime të disfavorshme për fatin e Kosovës.
(Vijon)