Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eduard M. Dilo: Faleminderit – një fjalë e vogël që mungon gjithnjë e më shumë

| E shtune, 24.01.2026, 03:55 PM |


FALEMINDERIT - NJË FJALË  E VOGËL  QË MUNGON  GJITHNJË  E MË SHUMË

Nga Eduard M. Dilo

Në një shoqëri që ecën me ritme të shpejta, duket se po humbasim disa nga vlerat më themelore njerëzore. Një prej tyre është fjala "faleminderit" – e thjeshtë në shqiptim, por e madhe në kuptim. Bashkë me të, edhe fjala "më fal" po dëgjohet gjithnjë e më rrallë në komunikimin e përditshëm.

Çdo ditë që zgjohemi dhe nisim jetën tonë të përditshme, kemi arsye të shumta për të falënderuar: të falnderojmë Zotin në radhë të  parë, sa herë që dalim në mëngjes nga dera e shtepisë, ta falnderojmë për jetën, për shëndetin, për njerëzit që na rrethojnë.

Falënderimi po shihet nga disa si dobësi, sikur ul dinjitetin apo krenarinë personale. Në të vërtetë, ndodh e kundërta: mungesa e falënderimit është tregues i mungesës së edukatës dhe kulturës qytetare.

Jo shumë kohë më parë, dëgjohej shpesh tallja ndaj atij që falënderonte:

"E thotë sa për t'u dukur i edukuar...",

kur në fakt ai ishte vërtet i tillë.

Të thuash "faleminderit" nuk kushton asgjë, por jep shumë. Është shprehje respekti, mirësjelljeje dhe qytetarie.

Është një akt i vogël që forcon marrëdhëniet njerëzore dhe krijon një klimë më pozitive në shoqëri.

Edukimi për mirësjellje duhet të nisë që në fëmijëri. Fëmijët duhet të mësohen të respektojnë njerëzit, natyrën dhe kafshët, të tregojnë kujdes dhe dashuri për gjithçka që i rrethon. Të ndash atë që ke dhe të shprehësh mirënjohje për atë që të është dhënë janë shenja të një shoqërie të shëndetshme.

Falënderimi nuk është thjesht një fjalë, por një vlerë që ndërton karakter dhe bashkon njerëzit. Ai nuk duhet të mungojë kurrë në jetën tonë të përditshme, sepse aty ku ka mirënjohje, ka edhe respekt, edukatë dhe njerëzi.